A ka shoqëria jonë një ide a një ideal sublim?
Nga Ndue Ukaj
Vakumi i madh kulturor i viteve që kemi lënë pas, ka sjellë një gjendje të rëndë apatie, mjegull mendore dhe identitare dhe sot dukemi të trallisur e të humbur.
Vakumi kulturor e ka shkretuar tej mase jetën tonë shoqërore, e ka goditë rënd politikën dhe gjithçka vërtitet rreth saj.
Dhe sot jemi të tharë e pa ideale. Janë tharë idealet e lartësimit, ato estetike janë minimale, shpresat për përparim janë tkurrë dhe përditë përtypim debate shterpe sa për të mbajtë gjallë midenë tonë të helmuar dhe të zvogëluar për ideale të larta.
Dhe pakkujt i shkon mendja të kërkojë vërtet ku janë rrënjët e kësaj krize?
Thjesht, ne kemi fituar liri fizike, jemi çliruar nga ideologjitë e mbrapshta, por nuk e kemi fituar lirinë shpirtërore, prandaj mllefi, arroganca, verbëria, klanet primitive, kanë vërshuar dhe ngulfatë secilën fushë të jetës.
Dhe fajet për gjithë këtë degdisje nuk janë vetëm te “ata” siç na pëlqen të themi, jemi të gjithë ne fajtorë të mëdhenj, të gjithë pa përjashtim, sidomos ata qaramanët nëpër institucione të dijes që gjuajnë gurë e dru andej e këndej dhe nuk shohin mjerimin ku janë katandisë vetë, janë pseudo debatet televizive që promovojnë angarinë dhe arrogancën, janë lavdet për kulturën e ikonave të rreme, liket sa për t’u dukur, pastaj shkollat që mbysin kreativitetin me libra shkollorë të shkruar zi e më zi, janë shfaqjet e turpit nëpër të ashtuquajtura spektakle televizive.
E lista me siguri është e gjatë.
Thjesht, shoqëria jonë lëngon dhe për këtë duhet kurë e vërtetë.
E historia njerëzore mëson dhe ajo tregon me saktësi se deri me sot asnjë shoqëri nuk është ndërtuar në vakum, boshësi, por me ide të menduara mirë, solidare, të studiuara gjatë dhe të shëndosha.
A ka shoqëria jonë një ide a një ideal sublim?
Idealet që kishim dikur, kur të rraskapitur nga jeta, rriheshim, burgoseshim e vriteshim, sot nuk bëjnë punë. Janë pjesë e asaj që quhet histori.
Sot na duhet një ide e ideal tjetër, që të zhvillohemi dhe të përparojmë si krejt vendet perëndimore. Dhe në funksion të këtij ideali, nuk mjaftojnë kukurisjet, shfajësimet, ankimet, por thjesht, duhet dije dhe dashuri vepruese për vendin dhe të mirën e përbashkët. Duhet respekt për njeriun. Ky ideal te ne nuk ekziston. Është amputuar.
Kemi hyrë në vitin 2022 me standarde minimale dhe pa asnjë ide e ideal të madh.
Thjesht, argëtohemi duke sharë njëri-tjetrin, duke gjetë përherë fajtorin për të keqen tonë, duke u treguar azganë primitivë më botën e lirë që na ka dhënë gjithçka dhe duke e grithë secilin që s’na pëlqen.
Ky është pisllëku ku jetojmë e ushqehemi, ku rritemi e edukojmë breznitë e reja, ky është mjedisi etik e estetik në të cilën gjallon shoqëria jonë.
Sa e sa debate bëjmë për klimën, ajrin e ndotur, smogun dhe sa pak na shkon mendja te idetë, te forca e tyre për ta ruajtë një shoqëri ose për ta shkatërruar.
Shoqëria jonë është zhytë në mjerim të thellë dhe këtë e vëren përditë, kudo: në arrogancën e madhe që manifestohet në trafik, ku shpesh ka pasoja fatale, në vrasjet makabre të grave që janë bërë dukuri e frikshme në familjet tona, në arkitekturën e shëmtuar që ka ngulfatë bukuritë e vendit tonë.
Me këto standarde primitive – minimale dhe banale – ne veç sa do ta rëndojmë jetën tonë, kurse ëndrrat për mirëqenie, paqe të brendshme, paqe shpirtërore dhe përparim do të largohet përditë e më shumë prej nesh dhe në vitin tjetër, numri i shqiptarëve që do të duan të ikin nga atdheu i tyre do të jetë edhe më i madh si ky që doli sot në media.