21/12/2024

A JANË BËRË MË TË MIRË VRASËSIT TANË?

0
Visar-Zhiti

Nga Visar Zhiti

Është shkruar në mars, kur besohet se dimri ka ikur, 30 vjet më parë në Bruksel, në zemrën e Europës, me shpresat që mbase vazhdojnë për shumëkënd të jenë të mëdha…

Poezinë e botova së pari në gazetë, në “Tiranën me tiranë”, kështu e kujtoj, pastaj e futa në librin tim “Mbjellja e vetëtimave”, në Shkup, në Maqedoninë e Veriut, për ne: e Jugut, patën jehonë ndër lexues jo vetëm libri, por dhe veçmas kjo poezi, “A janë bërë më të mirë vrasësit tanë?”.

Siç duket, në një ish/vend socialist, edhe pse në ish/Jugosllavinë liberale, ajo ndjesi e kësaj poezie përçohej ndër lexues dhe në atë copë vend. Pastaj poezia u botua dhe në Rumani, socialist kishte qenë dhe sistemi i tyre, diktaturë, jo si jona dhe sot janë në Bashkimin Europian, poezinë e përktheu Dr. Luan Topçiu në librin “Flatër e mundur”, u kuptua qartë dhe e recituan aktorë të Teatrit Rumun. E ndjenë si të tyren, thanë.

Por poezia është botuar dhe në Itali, vend kapitalist, ndër më të bukurit në botë, me poezinë po aq të bukur, e përktheu Prof. Elio Miracco në librin, që ka dalë atje para ca vitesh, “Confessione senza altari”. Madje përmbledhjes donin t’i vinin titullin “A janë bërë më të mirë vrasësit tanë?”, por iu duk i rëndë…

Vetëm në Shqipërinë tonë nuk i vjen rëndë askujt, asnjë pendim a kërkim ndjese, përkundrazi persekutorët janë bërë më të egër e dinakë, mbështetësit e tyre dhe lehësit e tyre u vërsulen sërish të persekutuarve dhe nga që janë fytngjiruar nga lehja e pandërprerë, vijuese nga një epokë në tjetrën si nga gazeta në gazetë, thonë se kanë vuajtur dhe ata, shefi s’i kishte me sy të mirë në komitetet e Partisë, të kthyera në bashki si ata në demokratë; burgu politik infernal i tjetrit s’është asgjë, sipas tyre, madje faji nuk ka qenë i atyre që futnin nëpër burgje, por i atyre që e pësonin, e viktimave, e kundërshtarëve dhe vazhdojnë të jenë “në anën e atyre që rrihnin dhe jo të atyre që rriheshin”, sipas një poezie të Jevtushenkos, që poeti Rudolf Marku e kishte përkthyer që student dhe ma kishte dhënë në mirëbesim, me miqësi poeti, por ndokujt tjetër u dridheshin leqet e këmbëve, po t’ia tregoje atëhere, në kohën e lavdishme të trushpëlarjes, madje mund t’i shkruanin dhe enverit të tyre, kurse tani duan të bëjnë të pakënaqurin deri në disidencë, perëndimorin, se urrejtja kthehet dhe në dashuri dhe dashuria në urrejtje, apo jo?

Mbijetojnë falë urrejtjes së tyre si me luftën e klasave të doktrinës së tyre gjysmake, pra, hibride përbindshërore.

Nuk do të doja të merresha me ta, por janë ata që të perndjekin, kudo të shkosh, i gjen të mbërritur para teje si balta, si ndotës të përditshmërisë, të paqes si një pëllumb, që ata i kanë thyer krahët dhe i hedhin kokrra gruri të vjedhura. Kështu më duket.

Unë s’kam armë tjetër kundër, veç poezinë që ata ma denoncuan, për të cilën më dënuan me 10 vjet burg dhe tani acarohen nga fjala “burg”, se u kujton prapë që kanë qenë në anën e xhelatit dhe jo të viktimës dhe po ashtu janë, duke kënduar lehshëm deri në ngjirjen metaforike. Po, po, të persekutuar janë dhe ata, por nga ligësia e tyre dhe mungesa totale e talentit si nga vetë dashuria.

Po e risjell këtu poezinë time të dikurshme, nga që gjërat po duan t’i përsjellin si dikur, poezi e thjeshtë, që ka lidhje dëshpëruese me dukurinë, por jo me persona të caktuar, sidomos me ata që njoh, qofshin dhe paranojakë e idiotë dinakë, cmirëzinj, që paaftësinë e tyre e shohin si oersekutim nga tjetri, servilë të stazhionuar ndaj çdo pushteti, aq sa prej tyre dhe etimologjia e fjalës “pushtet” më duket se është “etje për pusht”, por fali, o Zot, se s’dinë se ç’bëjnë.

Si çdo poezi, edhe kjo s’është për ata, prandaj s’ka pse të acarohen, nëse e kanë me veten, është tjetër punë, s’është as për fëmijët e tyre, por do ta quaja një lloj qortim për veten time, që jam marrë me ta, më janë dhimbur dhe i kam mëshiruar, po pse duhej të zgjoja bishën brenda tyre? Që duket se është më e fuqishme se njeriu. Po ata kanë qenë ndonjëherë njerëz? Maskat e tyre janë më pak të shëmtuara se ajo që mbulojnë. Po le të jenë të qetë, poezinë e kam shumë për më lart se ata, për djallin, që mos qoftë as i tyre!

 

Visar Zhiti

 

A JANË BËRË MË TË MIRË VRASËSIT TANË?

 

A janë bërë më të mirë vrasësit tanë?

S’e kam fjalën a dinë të vrasin më mirë,

tani që janë më të pasur dhe merren

me biznes dhe jashtë shtetit,

jashtë fatit.

Të zbardhur ushqejnë macet, qenin e zi.

(Kafshët e urta rrinë dhe me ta.) I përkëdhelin

sikur qetësojnë një mëkat

të (pa)harruar.

Herë pas here çezmat e tyre rrjedhin gjak

e kur dëgjohen trokitje,

seç kanë një frikë të papërcaktuar…

çojnë gratë të hapin derën. (Gjithmonë ato kanë prirë.)

(Si flakë e shuar pishtarësh në korridoret

e errët).

(…kanë filluar të besojnë në fantazma…).

A janë bërë më të mirë vrasësit tanë,

se të vrarët e tyre s’dinë të bëjnë asgjë,

as të edukojnë.

 

Bruksel, 18. III. ’94

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok