A i duhet xhandarmëria Kosovës?!
Shkruan: Dr. Alma Lama
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti paralajmëroi mbrëmë në një intervistë televizive se kishte ndërmend të krijonte xhandarmërinë, një njësi policore-ushtarake sipas modelit të karabinierëve italianë apo xhandarmërisë franceze. Ai nuk artikuloi arsyeshmërinë e krijimit të një force të tillë; vetëm përmendi se këto forca do të dërgohen për të kontrolluar kufirin. Të nesërmen, ministri i Brendshëm njoftoi publikun se ka krijuar grupin punues për t’u marrë me këtë çështje, duke harruar se është vetëm ministër në detyrë dhe se themelimi i një njësie të tillë policore apo ushtarake është një çështje e madhe dhe serioze, dhe se këtë kompetencë nuk e ka aktualisht qeveria në detyrë, pasi Kosova po shkon në zgjedhje më 7 qershor.
Por përveç ligjshmërisë, që nuk e ka, le të trajtojmë me radhë edhe qëllimin dhe arsyeshmërinë e propozimit, për të cilën KM në detyrë nuk dha ndonjë shpjegim.
Së pari, çfarë është xhandarmëria, cili ishte konteksti historik kur u krijua dhe si funksionon sot?
Në Francë, Xhandarmëria Nacionale është një nga dy forcat kombëtare të zbatimit të ligjit, së bashku me Policinë Nacionale.
Xhandarmëria është një degë e Forcave të Armatosura Franceze, e vendosur nën juridiksionin e Ministrisë së Brendshme, me detyra shtesë nga Ministria e Forcave të Armatosura. Përgjegjësitë e saj përfshijnë policimin e qyteteve të vogla, periferive dhe zonave rurale, kontrollin e turmave dhe trazirave, si dhe hetimin penal, duke përfshirë krimin kibernetik. Në të kundërt, Policia Nacionale është një agjenci civile e zbatimit të ligjit që është përgjegjëse për policimin e qyteteve dhe qytezave më të mëdha. Për shkak të statusit të saj ushtarak, Xhandarmëria gjithashtu përmbush një sërë misionesh ushtarake dhe mbrojtëse.
Xhandarmëria Nacionale është trashëgimtare e policisë, krijimi i së cilës daton që nga Lufta Njëqindvjeçare (1337–1457). Përgjatë historisë ka ndryshuar shpesh emrin dhe misionin, por është përdorur edhe për shtypjen dhe menaxhimin e trazirave, si dhe për ekspansionin në vendet koloniale.
Përsa i përket Karabinierëve italianë, që i përmendi Kurti, origjina e tyre daton që nga viti 1814, kur Viktor Emanueli I, Mbret i Piemontit dhe Sardenjës, themeloi Korpusin Mbretëror të Karabinierëve, me detyrë ruajtjen e rendit publik. Në vitin 1922 u vendos që karabinierët do të angazhoheshin përgjithmonë edhe në detyra policore dhe të sigurisë publike, një veprim që shpejt i bëri ata trupën ushtarake më të njohur dhe më të respektuar midis qytetarëve.
Që nga viti 2000, karabinierët nuk kanë qenë më një degë e ushtrisë, por një forcë e armatosur autonome.
Modele të ngjashme me Francën dhe Italinë kanë edhe Spanja, Portugalia dhe disa vende të Afrikës, kryesisht ish-kolonitë franceze.
Karabinierët italianë dhe xhandarmëria franceze kanë qenë të pranishëm në Kosovë që pas luftës, në kuadër të KFOR-it, dhe janë marrë me kontrollin e territorit, menaxhimin e trazirave dhe ruajtjen e paqes në Kosovë. Ndërsa KFOR-i, që përbëhet nga forca ushtarake të vendeve të ndryshme të NATO-s, misionin parësor e ka ruajtjen e territorit të Kosovës nga agresorë të jashtëm.
Propozimi i një force hibride policore-ushtarake për Kosovën, sipas modeleve të mësipërme duket paksa i çuditshëm. Së pari sepse institucionet e Kosovës janë themeluar pas luftës sipas modeleve më bashkëkohore dhe funksionale, dhe atëherë nuk është vlerësuar se është e nevojshme një forcë e tillë. UNMIK-u së bashku me institucionet vendore janë dakorduar për karakterin e policisë së Kosovës, për llojet e njësive dhe për trajnimet e tyre profesionale, ku përfshihet edhe policia kufitare, si dhe njësitë e specializuara për operacione më të vështira. Ndërsa pas shpalljes së Pavarësisë u krijua edhe FSK-ja, që tashmë është ushtria e Kosovës.
Nëse Kurti e ka bërë këtë propozim për të sfiduar NATO-n, duke krijuar një forcë policore-ushtarake për të dërguar në veri të Kosovës pa miratimin e KFOR-it, i ka bërë llogaritë gabim. Siç e dimë, FSK-ja nuk mund të shkojë në atë pjesë dhe për çdo lëvizje i duhet leja e KFOR-it sipas marrëveshjes aktuale me Qeverinë e Kosovës. Ndërrimi i emrit të një force tjetër me karakteristika të ngjashme ushtarake, do të kishte të njëjtin fat. Në Veri tani për tani është prezente Policia e Kosovës dhe Njësitet Speciale të policisë, kur është e nevojshme.
Në të vërtetë, propozimi i tij tingëllon mjaft i çuditshëm, në një kohë kur krejt Evropa po armatoset, dhe përgatitet për luftë, duke mos përjashtuar një konfrontim ushtarak me Rusinë, gjatë kësaj dekade. Gjermania, Polonia dhe vendet e Balltikut janë nën alarm dhe kanë rritur ndjeshëm buxhetet e mbrojtjes. BE-ja po ashtu ka ndarë qindra miliardë për mbrojtjen, ndërsa një tërheqje ushtarake e SHBA-së nga Evropa nuk duket më e pamundur. Tashmë po flitet edhe për një NATO pa SHBA-në, që do të thotë pa superfuqinë ushtarake që përbën 80% të fuqisë së aleancës. Kjo do të ishte katastrofale në radhë të parë për Kosovën, siguria e së cilës varet drejtpërdrejt prej saj.
Edhe Serbia është armatosur deri në dhëmbë dhe përditë po blen teknologji të avancuar ushtarake, duke pritur ndoshta momentin e përshtatshëm gjeopolitik për të sulmuar Kosovën, nga e cila nuk ka hequr dorë asnjëherë. Serbia shpenzon në buxhetin ushtarak vjetor më shumë se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të marra së bashku, rreth 2.8 miliardë dollarë.
Në kushte të tilla, është e logjikshme dhe urgjente që Qeveria e Kosovës të marrë masa për rritjen e buxhetit të ushtrisë dhe armatimit, që të bëjë realitet shërbimin e detyrueshëm ushtarak, që gjithashtu ka kosto të lartë buxhetore, dhe të përgatitet për çdo lloj skenari të mundshëm agresioni.
Nuk është koha e aventurave dhe krijimit të institucioneve të reja pa nevojë imediate, por është koha e forcimit të institucioneve ekzistuese, sidomos FSK-së, dhe rritjes së bashkëpunimit e aleancave me vendet e NATO-s. Është koha për sjellje serioze, jo bllokada që pengojnë procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO apo që japin sinjale armiqve të Kosovës se kjo e fundit është e brishtë dhe e pambrojtur.
Por nëse zoti Kurti ka një tjetër qëllim, që është ai i krijimit të një force ushtarake dhe policore për të mbrojtur pushtetin e tij, të cilin ka treguar me veprime se nuk ka ndërmend ta lëshojë në mënyrë demokratike, apo për të frikësuar kundërshtarët politikë, apo për më keq një lloj Garde Revolucionare, atëherë ka kuptim propozimi i tij.
Megjithatë, një ndërmarrje e tillë as nuk i duhet Kosovës dhe as mund të kalojë, pavarësisht se tendencat autokratike i ka kohë që i manifeston ndaj të gjitha institucioneve të pavarura si mediat, prokuroria dhe gjykatat.
Në fund, duhet thënë se strukturat policore dhe ushtarake të shtetit të Kosovës ekzistojnë, janë moderne dhe efikase. Atyre u duhet mbështetje politike dhe më shumë buxhet për të përmbushur misionin e tyre, në përputhje me standardet demokratike të sundimit të ligjit.
(Autorja është Doktore e Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare të BE-së)
