14/12/2024
Lara-Nikpali1

 

Kapitenja Lara në aksion

ARBNESHJA LARA NIKPALI, YLLi  QË SHKELQEU DY DEKADA  NË BASKETBOLLIN E FEMRAVE TË ZARËS

Nga Sylejman Morina

Gazetari i njohur i sportit, z. Drago Mariq, kur shkruan për fillet e historisë të lojës së basketbollit në Zarë, thotë: “Zara është djepi i basketbollit ndër  kroat  dhe në Kroaci. Dëshmitë dokumentare  për lojën e basketbollit në Zarë janë  të  vitit 1928, ndërsa për femrat ishte viti 1937”. Është interesante se për në basketbollin zaras, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, një kontribut i madh iu takon të rinjëve arbneshë e arbneshe nga fshati Arbanasi, sot pjesa më e bukur e qytetit të Zarës. Disa prej tyre hynë në historinë e basketbollit të Zarës e disa edhe ma gjërë,si: Izhi Marshan, Pino(Josip) Gjergja, Rok Stipçeviqi, etj.

Femrat arbneshe ishin të angazhuara që nga fillimi i basketbollit për femra në Zarë , si ; Madera Kalmeta, e cila ishte edhe reprezentuese, pastaj Lucia Peroviq, Evelina Peroviq, Bjanka Kalmeta, Elda Bajlo.Me shkuarjen  e gjeneratës Maderas, u shfaqën dy femra nga Arbanasi, motra e Pino Gjergjesë, Mirela dhe Sonja Bajlo. Që nga viti 1971 spikasin basketbollistet: Marije Kalmeta dhe Vanja Paleka,  e cila ishte  reprezentuese në basketboll dhe atletikë. Në vitin 2004, basketbollistet nga Zara nën drejtimin e arbneshës, Maria Mazija arrijnë të bëheshin kampione shtetërore për kadete, ndër ato vajza  ishte talentja e re,  Lara Nikpalji, nga Arbanasi, vajza e basketbollistit Valter Nikpalji dhe motra e futbollistit Dino Nikpalji. Për Larën, në librin e Drago Mariçit dhe Bernard Kotlarit, “Sport t kod Zadarski Arbanasa “, ku  thuhet: “Ajo u tregua një basketbolliste e re shumë e talentuar dhe u bë anëtare e kombëtares dhe anëtare e përhershme e  formacionit të parë të  KBF (ŽKK) Zadar”.Në turnirin  e Kampionatit Europian,  U18 i mbajtur në Rumani më 2007, reprezentacioni  i Kroacisë  e  kishte zën vendin e parë, ndërsa  Lara ishte  zgjedhur në mesin e 12 basketbollisteve më të mira.Lara  Ishte  gjithherë  lojtare standarte,dhe  për shumë vite  ishte  kapitenja e  ekipit të basketbolliteve të  Zarës.

Kësaj radhe po flasim yllin e basketbollit të femrave  të KBF “Zadar”, Lara Nikpalin, kinesiologe, e cila përfundoi fakultetin dhe masterin në Universitetin e Zagrebit dhe u bë magjistëre  në kineziologji në vitin 2015. Dhe dy vjet më vonë, ajo e kaloi provimin për eksperte të kineziologjisë në Split, për t’u bërë mësuese e edukimit fizik dhe shëndetësor, aktualisht  është mësimdhënëse , e kulturës fizike dhe shëndetësore, në Shkollën fillore “ Kruno  Krstiq” në Arbanas.

Prof. Lara. Basketbollin e zgjodhe vetë apo ndikuan prindërit ?

Kjo histori shkoi pikërisht kështu. Unë isha me babin në këndin e lojërave atje në Arbanasi dhe gjatë gjithë kohës luhej basketboll dhe ai luante, unë po shikoja, isha në klasë të dytë dhe kështu rrugës për në shtëpi gjatë bisedës ia përmenda babait edhe unë do ushtroja basketboll. Babi nuk tha asgjë për këtë propozimin tim , por nesër, kur u ktheva nga shkolla, më tha që të regjistrova për basketboll, stërvitja jote është pasdite. Kështu me sa duket ai vetëm priste që unë të them se më pëlqente që të mund të më regjistronte. Padyshim se ky veprim i babait më gëzoi shumë.

Si e  ndjeve  veten  në ndeshjen e parë me uniformën e klubit?

Ndeshja ime e parë për klubin tim,  ishte shumë kohë më parë, nuk jam e sigurt se mbaj mend gjithçka saktësisht, sepse disa prej nesh me të vërtetë filluam të luanim basketboll për të  rriturat (Senioret),shumë herët dhe në moshën 14-15 vjeçe ne tashmë po luanim për vajzat senioret( mbi 18vjet) . Natyrisht, ishte emocionuese, veçanërisht pasi brezi im në vitin 1989 kishte fituar gjithçka që mund të fitohej në Kroaci. Si të tillë kemi hyrë në ekipin e të rriturave dhe nuk mund të them se nuk prisnim shumë. Ndoshta dëmi më i madh i një brezi të tillë është se pas shkollës së mesme, secila shkoi  në rrugës së  vet, sepse nuk kishte një përzgjedhje të madhe të  fakulteteve në Universitetin e Zarës. Kështu vazhdova rrugëtimin në klubin e basketbollit për femra ”AGRAM”  të  Zagrebit.

A keni menduar se  kaq  gjatë do të luani për  KBF të Zarës?

E po, ndoshta në fillim nuk kam menduar aq shumë për një karrierë të madhe apo se do të dashurohesha në këtë  sport, por në fund doli që luajta për një kohë vërtet të gjatë në Zarë, me një ndërprerje, derisa isha në studime në Zagreb. Pas  mbarimit të studimeve, dëshira ime ishte të luaja  jashtë vendit dhe isha në provë në Itali dhe gjithçka ishte rregulluar që tashmë të qëndroja atje, por megjithatë zemra ime po tërhiqej më fort kah Zara, dhe në minutën e fundit anulova gjithçka dhe u ktheva në vendin tim,te  klubi i prindërve..

Keni përjetuar gëzime, por a keni pasur momente dëshpërimi  nga sporti?

Natyrisht, siç i ndodh çdo sportisti, ashtu edhe mua më ka ndodhur raste që kam pasur momente shumë të gëzueshme, por edhe ka pasur momente të pa këndshme. Ky është thelbi i sportit, kjo është në fakt ajo që na mban përpara. Në një moment jeni në krye dhe shumë shpejt mund të jeni në fund. Por mendoj, se po të mos kishte oscilime në fitore dhe humbje, nuk do të ishte aq interesante apo luftarake loja.

Pas një karriere të gjatë ,ju ka ndodhur t’i shikoni ndeshjet  nga tribina ?

Thuhet se lëndimet janë pjesë integrale e sportit, kështu që unë i shikoja të gjitha lëndimet e mia në atë mënyrë. Fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk më largoi nga fusha për një kohë të gjatë, por më së shumti problemet i kisha me shpindën.  Më ka ndodhur shpeshherë të isha e detyruar ti” shtrëngoj dhëmbët” dhe të vazhdoja lojën, nuk e di se si kam mundur të qëndroja. Mirëpo ky është përsëri mentaliteti sportiv, mendoj se të gjithë nuk  mund ta bëjnë këtë, thjesht në sport e mësoni edhe ketë, mësoheni të luani edhe kur jeni  të lënduar.

A kanë ndikuar  në promovimin e basketbollit  mes të rinjve,  legjendat:  Gjergja  dhe  Qosiqi?

Ata janë sigurisht dy basketbollistë të shquar që lanë gjurmë në një pjesë të madhe të historisë së basketbollit të Zarës, dhe besoj se shumë gjenerata u mburren me rezultatet e tyre. Ndërkaq më vonë erdhën brezat e rij  që disa u janë afruar sukseseve të tyre  atyre. Por ata ishin legjenda të kohës,   ndoshta disa emra të basketbollistëve të rinj do ta vazhdojnë rrugën e tyre.

Gazetari arbnesh  Bernard Paleka ,për tiparet e sportistëve arbneshë  më pati thënë : “Forca e pabesueshme e shpirtit luftarak, ndjeshmëria, korrektësia, motivimi i lartë, qëndrueshmëria dhe solidariteti etj.

Po,  unë do të pajtohesha me atë që e ka thënë z. Paleka. Kam parë shumë basketboll rruge në Arbananas,si dhe të gjitha sportet e tjera, dhe është e vërtetë që në çdo gjë shkohet deri në fund,  nuk ka dorëzim.

A ka pasur ndonjë ndikim  sporti në personalitetin  tuaj?

Unë mendoj se ne kemi lindur me një, prirje të veçantë të personalitetit:dhe më vonë ne vetëm mund ta zhvillojmë ose drejtojmë atë. Nuk mendoj se mund të stërvitesh për të qenë kokëfortë ,luftarak në terren , apo për të mos qenë, mendoj se vetinë  duhet ta kesh brenda  në vete.Ndërsa sa i përket  ndikimit të sporti në përsonalitet edhe pas  braktisjes së  së tij, të krijon një disiplinë  jetësore, të përgatit për sfida të ndryshme, të shton përgjegjësin  natyrisht edhe të ruan shëndetin, ka edhe gjëra tjera   ku shihet ndikimi  i sportit në  personalitetin e sportistit.

Si e përjetuat  ndarjen  nga ekipi, koleget dhe stafi ?

T’i them lamtumirë basketbollit nuk ishte e lehtë, peshoja vazhdimisht, nëse do të ishte mirë apo jo, dhe realisht duhet të isha larguar më herët për arsye shëndetësore, sepse shpinda ime ishte tashmë në një gjendje shumë të keqe. Gjithnjë e  bindja veten  që luaja  edhe një sezonë më tepër  ashtu vazhdoja , pastaj një ditë thashë mjaft, nuk ka më kuptim, nuk mund të jap më të mirën time dhe kaq. Sigurisht, pas 20 vitesh shoqëri me topin e basketbollit, është e vështirë, e vështirë të largohesh nga e gjithë kjo, por janë kujtimet e mrekullueshme, momentet e paharrueshme që më solli sporti, miqësitë dhe gjithçka të bukur.

Lara arriti edhe rezultate në studime

Studimet tuaja a tregojnë se keni vendosur  të mos  tërhiqeni plotësisht  nga sporti?

Fakulteti i kineziologjisë ishte diçka që e dëshiroja  që nga shkolla fillore dhe më vjen mirë që e mbarova dhe jam e lidhur me sportin çdo ditë. Dëshiroj që ta jap kontributin tim në mnyra të  ndryshme  në sporte dhe pas terheqjes aktive.

Një pyetje  jashtë sportit, Prof.dr. Maksimilana  Barançiq e mban kursin e gjuhës arbneshe, a duhet  mbështet  ky  projekt  nga arbneshët ?

Kur isha në shkollën fillore, në kishën e Arbanasit, një zotëri organizonte një kurs  ku mësohej gjuha arbneshe dhe fillova ta ndiqja  me shokët e mi, por thjesht ishte shumë e vështirë për ta ndjekur ha ha. Po kështu gjuhën ma ka mësuar gjyshi, por fatkeqësisht unë në fakt di shumë pak fjalë.  Ndërsa sa i përket mbajtjes së  kurseve të gjuhës arbneshe, sigurisht fort e mbështes  dhe do të dëshiroja  që sa me shumë fëmijë arbneshë të regjistroheshin në projektet e tilla.

A keni qenë ndonjëherë në Shqipëri apo Kosovë?

Fatkeqësisht  jo , megjithëse nëpërmjet  basketbollit mu krijua mundësia të shëtisë në shumë vende të Europës , ndërsa  në  Shqipëri dhe Kosovë, nuk kam qenë kurrë. Dëshiroj që pa tjetër të  i vizitoj  ato vende si të më krijohet mundësia .

Ju falënderoj për interesimin tuaj, u mundova të përgjigjem sa më mirë në pyetjet tuaja . Në fund do të shtoj se dëshiroj  që sa më shumë të kemi sportist nga Arbanasi. Lara  në moshën 30 vjeçare u tërhoq nga  basketbolli  edhe pse kishte  mundësi të luaj edhe vite të tjera.Ajo është martuar me  futbollistin e futbollit të vogël  Ante  Vukurepa edhe  është  nënë e vajzës Niki.

Ekipi triumfues më 2007 në KE, në rendin e dytë e dyta nga e majta Lara, para saj me dresa kuq e zi ndihmës trajnerja arbneshja Marije Mazija

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok