22/12/2024
Sherif-Bllaca-Mall

Sejdi Berisha: Kur modestia dhe thjeshtësia e vargut atdheun dhe kombin e shndërrojnë në madhështi

Analizë libri

Sejdi BERISHA:

KUR MODESTIA DHE THJESHTËSIA E VARGUT ATDHEUN DHE KOMBIN E SHNDËRROJNË NË MADHËSHTI

(Sherif BLLACA: “Mall dhe vetmi”- poezi, 2021)

Vet fakti se kur autori është i ngërthyer në rrugëtimin e jetës, në labirintet e mallit, të kurbetit, të etjes për vendlindjen, për lirinë e fatin e kombit dhe të atdheut, nuk ka se si vargu poetik të mos jetë i ngrohtë, me mesazh dhe me atë zjarrin e shpirtit për t’i ofruar lexuesit tërë atë bagazhin e këndimit dhe të mendimit krijues, që përbrenda tij e stolisë tërë madhështinë krijuese, që, edhe nëse ajo ndonjëherë është modeste, e ka atë peshën dhe vlerën që krijuesi e nxjerrë jashtë vetes për ta bërë jetën të lumtur me historinë dhe biografinë jo vetëm të krijuesit, por edhe të popullit dhe të atdheut. I kësaj fryme është edhe libri i Sherif Bllacës, “Vetmi dhe mall”, që është libri i pestë i tij.

Që në fillim të librit reflektohet pothuajse e tërë jeta e autorit, e që përmes vargut përpiqet, edhe pse në mënyrë modeste dhe të thjeshtë, por, me sukses i prezanton të gjitha problemet me të cilat njeriu është ballafaquar dhe ballafaqohet edhe tash, e që kombin e bëjnë histori të veçantë, duke filluar nga vuajtjet dhe mundimet historike të tij, nga e kaluara dhe historia e pamëshirë ndaj atdheut. E të gjitha këto autori i prezanton ashtu siç ia thotë mendja dhe shpirti i tij gjithnjë i parehatshëm.

Përplasjet e jetës si begati shpirtërore që imponojnë këndimin krenar, me etje dhe me mall

Duke qenë se autori rrjedhë nga një familje atdhetare, e cila ka dhënë shumë figura historike, as ai nuk mund t’i ikën këtij fati dhe kësaj begatie kombëtare, me të cilën u frymëzua nga gjyshi i tij, Ramë Bllaca, por edhe nga babai i tij, i cili po ashtu mbi dhjetë vite u “shëtit” nëpër burgje dhe kazamate të armikut, duke i forcuar dhe përhapur gjithnjë e më shumë vlerat kombëtare.

Të gjitha këto përplasje, autorit ia rëndojnë dhe ia imponojnë inspirimin për të kënduar edhe me krenari, edhe me etje, shpirti, edhe me mall për atdheun, por edhe me kurbetin, si forma më e rëndë e cila njeriut ia “dhuron” dhembjet më të pashërueshme të shpirtit.

Dhe, jo pa qëllim, ai librin e fillon me poezinë: “Udhëtim”: “Këto rrugë të panjohura/Athua kah po më tretin…/Sa ftohtë kam në shpirt/Hapat duken acar dashurie/E pesha e tyre më frikëson/Toka ime ku të lash/Kam zjarr në gjoks/Edhe pikëllim në zemër/Që ma çmend me fëmijërinë”! Autori, gjithnjë jetën sikur e konsideron dhe e sheh si një plagë të cilën përpiqet ta shërojë, por janë shumë gjëra që dëshiron t’i thotë, e nuk ia arrin do t’i thotë të gjitha, kjo, gjithnjë nga etja e “ngutja” shpirtërore për ta bërë historinë të pavdekshme ashtu siç është, por edhe të gjitha ato që atij ia kanë ngarkuar si barrë shpirti, e që dot nuk mund t’i fsheh dhe as t’i lë pengë si fjalë e dhembje të pathëna.

Të gjitha këto, nuk janë të thjeshta, por që, tek autori sikur më së shumti i kapërthen ligatina e kurbetit, të cilën ai edhe sot e kësaj dite e ka pjesë të pandarë të shpirtit dhe mendjes, bile, sikur këmishën që njeriut i puthitet për trup: “Ti rrugë e kurbetit/Shumë e gjatë pa mbarim/Ç’më mbushe me plot mall/Rrugë gurore e vetëm zjarr/Ku do të jetë fundi yt/Më shumë lot edhe mall…/Ti rrugë e kurbetit/Më përcëllon me lotin tim/Flakë e ndezur mallkuar qofsh” (Poezia: “Rruga e kurbetit”).

Është karakteristike se autori pothuaj se tek të gjithë librat e botuar deri me tash, sikur mbetet peng i vendlindjes, mbetet si etje e pashuar për qytetin e vetë. Të gjitha këto, prej dite në ditë i bëhen gjithnjë e më shumë peshë e shpirtit, sepse, jeta ikën, mosha rëndon, e pastaj gjithçka shndërrohet në pagjumësi, mbase edhe në lot që rëndojnë mendjen, trupin dhe shpirtin: “Atje më mbeti buzëqeshja/Atje më mbeti shikimi/Atje më fillon mendimi…” (Poezia : “Atje”). Dhe, nuk është vetëm kjo. Autori edhe përpara, por edhe tash, ndjeshmërinë e shpirtit gjithnjë e ka ushqim, që shpesh ia çrregullon edhe rrugëtimin por edhe ato pak çaste të lumturisë, që me decenie i ruan me fanatizëm në atë arkën e mendjes, që kurrë nuk e hapi dhe as kurrë nuk e ka parë, bile për ta hapur se çfarë “floriri” ka grumbulluar aty! Andaj, kujtoj se në këtë aspekt, shpeshherë autori sikur frikësohet se para syve do t’i digjet malli, apo edhe do t’i pamundësohet kthimi atje në çerdhen ku u lind: “Det… /O det i reve/Që mendimin ma gëlltiten/Ndjenjat m’i përplasën/Që të mos kthehen më kurrë…” (Poezia: “Fluturoj mbi re”).

Përmes vargëzimit për gjërat më të dashura dhe më të vlefshme, siç është nëna, babai, vendlindja etj., ai, lexuesit i ofron mundësinë që edhe ai të mendojë ndryshe apo ta shtroj në vetveten e vetë gjithë atë mallin që ka për gjithçka. Këtu edhe qëndron vlera e këndimit poetik e autorit, i cili duke u kënduar temave të ndryshme, në mënyrë indirekte shpalos edhe historinë jo vetëm të vetvetes dhe të familjes, por edhe të kombit, që vërtetë janë me peshë, janë të dhembshme dhe me mesazh shumëdimensional: “Nuk më lan/As te varri i nënës/Të çmallëm më të/Më dëbuan andej/Më dëbuan këndej/Dhe më treten…” (Poezia: “Valët”).

“Fenomeni” i botës së trazuar i autorit që trazon dhe dot nuk e lë të qetë, edhe gjumit i bëhen armik…

Tash në këtë moshë, autori sikur dëshiron të nxjerrë çdo gjë nga vetvetja, sepse, gjërat që flinë në shpirt trazojnë dhe dot nuk lënë të qetë, edhe gjumit i bëhen armik. Andaj, vargjet sikur shëtisin gjithandej botës së trazuar të autorit, i cili pothuaj se sikur i ngjanë regjistruesve të kronikave edhe më të thjeshta por edhe të tërë asaj që ia zë syri i tij i etur: “O ju valë të Lumëbardhit/Sa shumë i ngjani jetës sime/Athua a jeni plot mall si unë/Athua jeni të trazuara si shpirti im/Apo mallin tim/E bartni gjithandej atdheut”(Poezia: “Përplasje”).

Një prej dhembjeve që dot nuk e lë rehat autorin, janë edhe motet që kur duhej të ishte i lumtur në vendin ku u lind, atij, kurbeti i shtrohet si sofër me bukë të hidhur dhe ditët i bëhen muaj, e vitet decenie në dhe të huaj. Në këtë formë, ai, nga vetvetja e ngritë zërin për gjithçka që i mungon në dhe të huaj, dhe sikur çdo gjë i shpenzohet shpejt e shpejt, sepse, jeta i bëhet si lumë që dot nuk ndalet, bile që rrëmbyeshëm përcjell ujin bashkë me shumë gjëra, që as poeti por edhe askush nuk mund t’i shpreh e as t’i tregojë e këndojë deri në fund. Prandaj, kohën e kaluar, kohën e ikur, momentet në kurbet, çdo gjë poetit ia shndërrojnë në provokim dhembjeje e kujtimi për atë që nëpër mote e ka kaluar, për atë që i ka përjetuar, e të gjitha tani janë histori që shndërrohet në dashuri, edhe kur njeriu ka vuajtur. Për këtë, ai, edhe pjesën e pasluftës e konsideron si dhembje, shembje shpirti e mall, të cilat ia bezdisin mendjen dhe zemrën: “Njëzet vite lot e mall/Pa buzëqeshje e humor/Në vetmi duke medituar…/Vit për vit lutje e pritje/Natë dhe ditë i vetmuar/Pa buzëqeshje pa kënduar…/Njëzet vite mall për diellin/Mall për yjet e hënën/ E më shumë për vendlindjen dhe atdheun…”! (Poezia: “Njëzetë vite”).

Dhe kështu, krijuesi në këtë siklet dëshiron të “relaksohet” duke vargëzuar për madhështitë e natyrës në vendlindje: “Si madhështi/Natyra është dashuri dhe jetë//Peizazh bukurie/Pishat trupgjata/Qiellin duan të prekin/Shkëmbinj e thepisur/Kurorë e lidhur/Dhe burime në çdo anë”. (Poezia: ”Natyra”). I këndon edhe “Blirit plak”, i cili në mendje ia ka ngulitur shumë kujtime, shumë ngjarje, shumë histori, por, ja se çfarë thotë: “Përbri teje/O,bliri plak/Shpeshherë rri e meditoj/Dhe për shumëçka ëndërroj…/Por më fal/Rrënjët kurrë nuk t’i mëzova/Edhe pse për ty ligjëroj e këndoj”.

Dhe çfarë është edhe më interesant, duke e konsideruar se jeta është vetëm rrapëllimë, autori na sjell edhe vargje me të cilat përpiqet të na bind se gjithnjë, e veçanërisht edhe në kohërat e shtyra, i ka në qejf këshillat, të cilat na i servir si gjëra të domosdoshme por edhe me peshë kur jeta njeriun e përplasë në situata të ndryshme. Këtë këshill thua se e merr edhe nga valët e detit, si fuqinë më magjike në tërë planetin e tokës. Andaj sikur deti e këshillon:“Noto edhe në valë të qeta/Edhe në valë të tërbuara/Dhe gjithnjë medito jetën tënde/Të jesh i durueshëm/Si deti kur qetësohet/Dhe në çdo kohe duro shumë…”.

Në këtë libër, poezinë e vargun, autori thua se e shndërron në një hartë interesante të pelegrinazhit shpirtëror, jo vetëm për vetveten por edhe për lexuesin. Ai, këtë e reflekton bukur e fuqishëm, edhe pse me ndrydhje shpirti, tek poezia “Metrotë e Londrës”: “Bredhi metrove të Londrës/Duke kërkuar diçka në hyrje e dalje…/Zemra më ligështohet /Këmbët më dridhen/Dhe heshtja m’i rëndon hapat…/I mërzitur e më mall/Eci rrugëve të Londrës/Thellë duke medituar/Athua dallëndyshet e lindura në mërgim/A e dinë se Kosova është vendi tyre…”!

Kjo formë e këndimit të thjeshtë poetik por shumë të fuqishëm, lexuesin e grish mbase edhe e ngacmon për të menduar për të kaluarën, dhe na plason vargun ndoshta plot hidhërim, se a e dinë gjeneratat e reja që u linden e u rritën në mërgim, se dashuria e shpirtit të tyre dhe shkrumbi i prindërve dhe i gjyshërve është Kosova, është toka arbërore…?!

Andaj, edhe këndimi i thjeshtë dhe modest poetik, jo vetëm se e ka peshën e madhe por edhe mesazhin e të menduarit dhe logjikën e arsyes për të mos e harruar historinë, sa të trishtë po aq edhe krenare, të kombit dhe të atdheut, që ende sikur është libër i shkapërderdhur. Dhe, këtë konstatim edhe më shumë e përforcon edhe te poezia “Temza”: “Sot kalova Temzën/Përmes urës historike/Të Londrës metropol/U ndala përbri urës/Aty ku ura ngritët/E ndahet në dysh…/Aty loti më pikoi/Faqet m’u lagën qull…/Aty m’u kujtua/Ura e Shenjtë e vendit tim/Dhe i thash vetes/Ajo është ura më e mirë”. Dhe pas këtyre vargjeve, ngjarjen e bën edhe më të rëndësishme, edhe më të çmueshme, kur vargëzon: “Mbi ata gurët/Ku legjenda këndohet/Lulet përherë gufojnë…/Ëndrra më treti larg/Atje fushave dhe maleve/Më shëtiti pa u ndalë…”.

Hijeshia dhe madhështia e të kënduarit poetik për dallëndyshet, zogjtë, për natyrën, qytetin, ujin e lisin…

Është karakteristikë se autori si edhe tek librat e tjerë, i këndon dallëndysheve, zogjve, natyrës, qytetit, ujit e lisit, që thjeshtë madhështojnë vargun me atë modestinë, çiltërsinë, urtinë dhe sinqeritetin e autorit, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse si fletëza jete, që asnjëherë nuk zvetënohen, por vijnë gjithnjë e më shumë duke e marrë atë tharmin e peshës së jetës, edhe atë që autori dëshiron e nuk mund ose nuk e thotë dot, por ia lë lexuesit të bëhet pjesë e rrugëtimit dhe e mendimit të sinqertë e njerëzor për ta bërë jetën të lumtur e me vlera të cilat shpesh asaj njeriu ia vjedhë.

Por, në anën tjetër, ai frikësohet se historia harrohet, e ndoshta edhe nëpërkëmbet, dhe e fton mendjen që ta thërret vetveten për t’u bërë beden i së mirës dhe i pa harresës. Me këtë, besoj mirë puthiten vargjet: “Kur vargu ikën/Mendja i thirr vetës/Se e kaluara në zinxhir/Në dhomat një me një/Ruajnë historinë aty…”! Ose: “Njollat e gjakut /Nuk flasin por heshtin/Të lidhura në meditim/Pse kaq shpejt gjëra harrohen/Edhe ideali

për liri”!

Autori i këtij libri, sikur dëshiron, mbase ka edhe etje që brenda vargut dhe poezisë t’i muros e t’i lë mbresë e kujtim të gjitha rrugëtimet dhe dhembjet e lumturitë e tij. Kjo reflekton se ai nuk është i kënaqur mbase edhe as i qetë nëse nuk bën përpjekje dhe nuk e lutë me mendjen që sa më shumë vargun ta prarojë me mbresat dhe me “ditarin” e tij fanatik. Në këtë aspekt, përveç që i theksova ato më lartë, ai “vlon” nga malli e meraku për ta ngritur në piedestal mesazhin e tij edhe krijues edhe prej njeriut, në ç’drejtim shquhen edhe poezitë: “E dua”, “Guri i vatrës sime”, “Lashtësi”, “Kujtesë dhe mall”, “Bliri plak”, “Në krevat duke medituar”, “Malli”, “Nënë”, “Një ditë me diell”, “Në Kullën e gjyshit” etj.

Peshën e lashtësisë, autori thua se e ka këmishë trupi, sepse, ai atë e konsideron si shenjtëri të kombit dhe atdheut. Kjo shprehet fuqishëm tek vargjet e poezisë “Guri i  vatrës sime”, ku në mes tjerash i vë në spikamë vargjet: “Gur i vatrës sime/Ti je mall i lumturisë sime/Labirint i jetës sime/Të kujtoj aty në rrugën time”!

Ngjitur me këtë, sërish lashtësia e bën krenar por edhe për shumëçka ia zë frymën, sepse, ai nuk e harron rrugëtimin e familjes së vetë dhe as të kombit: “Toka ime e lashtë/E dua çdo pjesë tënden/Ti je bota gjaku im/Kështu si je/Më atë lashtësinë tënde/Të dua Dardani/Ti toka ime e lashtë/Të krenohemi së bashku/Së bota është e jona”!

Po ashtu është karakteristike, se autori gjithnjë, pra, edhe në këtë moshë, nuk e harron dot përgjegjësinë dhe dashurinë që ka pasur dhe, edhe tash  e ka për prindërit, e kjo shpreh njerëzoren dhe madhështinë shpirtërore, që ndoshta rrallëkush e disponon: “Të lutëm nënë/Më fal për çdo gjë/Se shumë net/Pa gjumë të kam lënë…” (Poezia: “Kujtesë dhe mall”). Kurse, librin e bën edhe më shumë si lumë kujtimesh edhe poezia ”Në krevat duke medituar”: “Lumëbardhi sa ka filluar/Me gurgullimën e mëngjesit/Tavolinës i afrohet shkrimtari/Që ulet në karrigen e vetë/I vjen kafeja/E ai merr letrat dhe i vë në tavolinë/Deri sa kafeja i ftohet/Nxjerr lapsin nga çanta/Pastaj ngadalë i kthehet kafes/Nën blirin e vjetër histori pritja…/E unë i rënduar me mallin/Rri në krevat duke shpresuar/Që të vi takohem/Me shkrimtarin si për herë..!”

Të kësaj natyre janë edhe shumë poezi, që për ta sforcuar mesazhin dhe zjarrin poetik të autorit, me duket se është shumë e arsyeshme që shkrimin ta përfundoj me sforcimin e karakterit dhe të etjes e dashurisë së autorit për vendlindje e atdhe, me poezinë: “Në kullën e gjyshit”, i cili, me të drejtë sikur jetën dhe krijimtarinë e tij i ka si pikënisje pikërisht nga kulla e gjyshit: “Në kullën e gjyshit/Në fshatin legjendar/Aty isha nxënës në klasën e parë/Aty Kulla e gjyshit/Ishte shkollë e parë /Që kishte peshën si ar/Aty mësova shkrim lexim /Që sot i ruaj në zemër/Kujtoj mësuesen time/Me abetare në dorë/…Tash në mërgim/Strukëm në tokën e  huaj/Digjem për shkollën/Për mësuesen kam mall…!”.

Dhe krejt në fund. Dua të theksoj se vargjet dhe poezitë në këtë libër janë modest, por të ngrohtë, të afërt dhe joshës e të dashur për lexuesin. Andaj, për këtë arsye edhe shkrimet dhe analizat që bëhen për librat e kësaj natyre dhe kategorie, kujtoj se e kanë arsyeshmërinë dhe pikanten që librit t’ia shtojnë edhe ëmbëlsirën krijuese, mesazhin dhe zërin e tij para se gjithash të çiltër dhe njerëzor tek lexuesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok