29/05/2024

50-VJETORI I REVOLTËS ANTI-KOMUNISTE NË SPAÇ

0

Ceremonia eshte mbuluar dje nga gazeta e Tiranes Telegraf dhe nga Voa shqip.

Nga Frank Shkreli

Me pjesmarrjen e Shkëlqesisë së tij Presidentit të Republikës, Zotit Bajram Begaj u zhvillua ceremonia e përkujtimit të  50- vjetorit të revoltës Antikomuniste të Spaçit me datën 21  Maj, 2023, ora 11: 00  në kampin çfarosës të Spaçit.

Perkujtimi me rastin e këtij përvjetori ishte një obligim per te nderuar   qëndresën, sakrificën, patriotizmin kombëtar të Shqiponjave të lirisë që 50 vite ma parë, në  mes breshërive të plumbave, mbrojtën identitetin kombëtar — Flamurin kombëtar Kuq e Zi  përdhosja me yllin bolshevik të  stalinizmit!   Ishte ky një rast historik për të valvitur flamurin kombëtar mbas 50- vitesh nga ajo revolte, në nderim të 4 martirve të lirisë që u pushkatuan në  revoltën Antikomuniste të  Spaçit nga regjimi komunist i Enver Hoxhes: Pal Zefi, Hajri Pashaj, Dervish Bejko e Skender Daja, por, njëkohësisht, edhe në nderim të mbi 6000 shqiptareve të  pushkatuar e të zhdukur nga diktatura komuniste! Në vijim shënimi i autorit, në kujtim të këtij përvjetori dhe heronjve të vrarë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës:

Në këtë përvjetor të revoltës anti-komuniste, unë do kisha shumë për të thënë për ketë vend çnjerzor këtu në Spaç – por fjalët jo vetëm që nuk mjaftojnë por, njëkohësisht, janë edhe të tepërta.

Ne kete burg të vdekjes, po t’i mbyllim sytë dhe të dëgjojmë në heshtje, do ndjejmë britmat e viktimave të pafajshme nga qelitë e errëta e të izoluara.

Në heshtje mund të dëgjojmë ofshamën e tyre: “Pse na vratë o vëllazën shqiptarë!?”  Ata presin përgjigje prej nesh, ndërsa si patriotë të mirë, në luftë për liri e demokraci, megjithëse skuqën këto shkëmba me gjakun e tyre, sot ata bëjnë thirrje për PAJTIM dhe jo për hakmarrje.

Për fat të keq, kjo ofshamë, ende nuk gjenë simpati në Shqipëri. Ende bie në veshë të shurdhër dhe në sy të verbër. Shqiptarët, pa dallim bindjesh politike – “të majtë e të djathtë”, si dhe qeveritë dhe kuvendet e 3-dekadave të kaluara — po bëhen gjithnjë e më indiferent ndaj këtyre krimeve të komunizmit dhe simboleve të atij regjimi – siç është Spaçi — tre dekada pas shembjes së komunizmit zyrtar.

A është sot Shqipëria, si shtet anëtar i NATO-s, në nivelin e saj njerëzor e moral që të pakën të përballet me krimet e komunizmit, të pranojë, zyrtarisht, me ligj, distancimin nga e kaluara e saj kriminale komuniste, në interes të pajtimit kombëtar, ashtu siç kanë vepruar ish-vendet komuniste të Evropës lindore e qendrore, dekada më parë?

Indiferenca dhe heshtja zyrtare nga qeveria shqiptare sot ndaj këtyre krimeve kundër njerëzimit, është e papranueshme në shekullin XXI, në një shtet që e quan veten demokratik dhe anëtar i NATO-s.  Kësaj i thonë të jesh i shurdhër dhe verbër ndaj një peshe të rendë të historisë – asaj të krimeve të komunizmit!

“Heshtja ndaj çeshtjeve me rëndësi morale për një komb, është në vetvete një pranim djallëzor i së keqës”, ka thënë një amerikan i madh i shekullit të kaluar. “Parimet morale nuk varen nga vota e shumicës. E keqja është e keqe, krimi është krim, sidomos, atëherë, kur shumica është në rrugë të gabuar”, ka thenë Kardinali Fulton Sheen.

Sot, viktimat e  regjimit të Enver Hoxhës dhe familjet e tyre kërkojnë të Vërtetën dhe zyrtarizimin me ligj të Kujtesës së viktimave të krimeve të komunizmit – ashtu që e kaluara kriminale e historisë së shëmtuar komuniste, si kjo e burgut të Spaçit — të mos bëhet pjesë integrale e historisë së brezave të ardhëshëm të shqiptarëve.

Para këtyre qendrestarëve midis nesh – këtyre simboleve të vërteta të lirisë e demokracisë, të moralit, pajtimit dhe tolerancës – unë përulëm me respektin dhe falënderimin më të thellë për sakrificat e tyre dhe të gjithë ish-të burgosurve bashkvuajtës të tyre që kanë dhënë jetën për këto ideale dhe vlera perëndimore.
Ndërgjegja e jonë kolektive duhej të kërkonte të Vërtetën dhe përballimin me të kaluarën komuniste. Kërkon dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit dhe kujtimin e viktimave – siç kanë bërë vendet ish-komuniste evropiane.

Është një domosdoshmëri që viktimave të regjimit komunist në Shqipëri — të gjallë e të vdekur — në mos asgjë tjetër, të paktën, t’u kthehet një pjesë e dinjitetit të tyre njerëzor si shqiptarë. Çdo viktimë e regjimit totalitar komunist të Enver Hoxhës, ka të njëjtin dinjitet njerëzor si të gjithë ne dhe meriton drejtësi, përkujtim dhe njohje nga të gjithë, e sidomos nga autoritetet zyrtare në vend.

Simpatizantëve dhe nostalgjikëve të komunizmit si dhe atyre që deklarojnë se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë, unë u them shkoni në Spaç dhe shikoni “sukseset” dhe anën “pozitive” të komunizmit të Enver Hoxhës.  Të gjithë kanë nevojë të vizitojnë Spaçin. Ashtu siç është shprehur Ismail Kadare për veprën e At Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, si një vepër që duhet të lexohet nga të gjithë—ashtu edhe në Spaç e gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë të shkojë e të shikojë për veten, “sukseset” dhe anën “pozitive” të diktaturës komuniste: “Kanë nevojë ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nepërkëmburit, e po aq në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq e ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt, për të ka nevojë ndërgjegjja jonë”, ka thenë Kadare.

Unë shpresoj se edhe në Shqipëri, më në fund, siç ka thenë Vaclav Havel: “E Vërteta dhe dashuria do të fitojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet”.

Krimet shtetërore gjysëm shekullore të ish-regjimit komunist kundër bashkombasve këtu në Spaç dhe anë e mbanë Shqipërisë, duhet të kujtohen dhe të mos harrohen, ashtuqë që kjo histori fatzezë e Kombit të mos përsëritet më.

Spaçi kurrë më! NEVER AGAIN!

Frank Shkreli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok