15/11/2024

Nga Enver Bytyçi

Para disa vitesh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vizitoi Kosovën dhe në fjalën e tij në parlamentin e saj hodhi idenë e një presidenti të përbashkët shqiptar! Kjo deklaratë aso kohe nuk u bë rastësisht. Rama dhe Vuçiç kishin rënë dakord që Kosova të ndahej dhe pjesa e mbetur të bashkohej me Shqipërinë. Ky aksion politik do të duhej të kalonte disa faza:

  1. Të gjendeshin aktorët brenda Kosovës që do ta mbështetnin këtë aksion politik serb të koordinuar me Tiranën zyrtare. Hashim Thaçi shihej si autoritet që mund ta realizonte projektin. Dhe zotit Thaçi t’i bashkohej këtij projekti, duke I ofruar postin e ptresidentit të Shqipërisë “së bashkuar” nga Kosova e ndarë! Për ta bindur Thaçin se ky propozim ishte serioz, Rama bëri deklaratëne bujshme të asaj kohe në parlamentin e Kosovës. Kështu u bë e mundur “rekrutimi i presidentit Thaçi në projektin Rama-Vuçiç të ndarjes së Kosovës. Për ta besuar këtë, Thaçit i ishte thënë se kryeministër i vendit të bashkuar do të ishte Edi Rama dhe PDK e Kosovës do të garonte në zgjedhje së bashku me PS-në e Shqipërisë! Me këtë skemë pajtohej me shumë antusiazëm presidenti Vuçiç. E pamë këtë edhe me solidaritetin e tij të tipit Taulant Balla me zotin Rama gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit!
  2. Pas kësaj do të vijohej me lobimin ndërkombëtar. Për këtë lobet serbe e ruse në Europë e në SHBA do të viheshin në veprim. Kësisoj do të krijohej mbështetja e nevojshme e aktorëve ndërkombëtarë për ta realizuar këtë projekt.
  3. Dy aktorët kryesorë, Thaçi dhe Vuçiç, si dhe Edi Rama në prapaskenë, do të krijonin idenë se “Të dy vendet, Kosova dhe Serbia, janë dakord për një zgjidhje të tillë dhe para kësaj situate Fuqitë e Mëdha do të binin dakord për një zgjidhje si kjo. Por projekti dështoi për shkak se aktorë të brendshëm dhe të jashtëm ishin kundër ndryshimit të kufijve.

E përmenda edhe njëherë këtë skemë të “presidentit të përbashkët” të propozuar nga Edi Rama për të ardhur te propozimi i djeshëm i Spartak Ngjelës për “krijimin e një ushtrie të përbashkët” të Kosovës dhe Shqipërisë. Eshtë një propozim arrivist ose i bërë me qëllim? Ne nuk e dimë saktësisht. Por unë di se propozimi për “ushtri të përbashkët” ka dhe mund të ketë të njëjtat efekte si edhe ideja e “presidentit të përbashkët” dhe të gjitha gjasat janë që një ide e tillë të jetë produkt i të njëjtës arsye pse ndodhi propozimi për bashkimin presidencial të Kosovës dhe Shqipërisë.

Duhet thënë se bashkimi nis nga sentimenti, nga shpirtërorja! Pastaj vijon me kulturën, unifikimin e programeve arsimore, unifikimin doganor dhe të tarifave doganore e taksave. Merr formën e plotë shtetërore me unifikimin e institucioneve shtetërore, përkatësisht lëgjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. Dhe në fund bëhet bashkimi ushtarak e në politikën e jashtme! Zoti Ngjela i njeh këto procese, nëse do kishte rrethana të favorshme për bashkim të një territori me një territor tjetër. Atëherë pse ai e nis nga bishti procesin e bashkimit?! Cila është axhenda e kësaj loje? Janë pyetje që kërkojnë përgjigje.

Në rastin e Kosovës dhe Shqipërisë bashkimi më i mirë dhe efektiv është ai në NATO! Në vend të trilleve të tilla diplomacia shqiptare në të dy anët e kufirit duhet të angazhohet për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Në këtë moment del jashtë çdo lloj axhende bashkimi ushtarak i të dy vendeve, sepse Kosova e Shqipëria në NATO de facto e kanë bashkuar potencialin e tyre ushtarak.

Ndërsa analizuar nga pikëpamja e zhvillimeve kohore shoh gjithashtu se nuk ka ndonjë emergjencë që të diktojë qoftë dhe një pakt ushtarak midis dy vendeve. Shqipëria nuk rrezikohet nga Serbia, sepse ajo është në NATO. Por edhe sikur të mos ishte në Aleancën Atlantike, Shqipëria e sotme nuk rrezikohet nga Serbia, sepse Beogradi është në muaj mjalti me Edi Ramën. Në këto kushte mund të pritet të nënshkruhet ndonjë traktat bashkëpunimi ushtarak midis Tiranës e Beogradit, por nuk bëhet fjalë për ndonjë konflikt midis dy vendeve. Kosova ka qenë dhe mbetet e kërcënuar.

Por për të evituar këtë aty ndodhet KFOR-i. Sa kohë është KFOR-i në Kosovë serbët e shohin Kosovën siç e shohim ne majën e veshit, përmes pasqyrës! Pse atëherë duhej të dilte ky propozim? Arsyet janë ato për të cilat doli para disa vitesh propozimi për president të përbashkët.

Kjo do të thotë se ideja e bashkimit ushtarak të Shqipërisë dhe Kosovës është një ide me të njëjtin impakt si edhe ideja e një presidenti të përbashkët. Jo për ta mbajtur Niko Peleshin ose zotin Mehaj me shpresën e një ministri mbrojtjeje të “Shqipërisë së Bashkuar”, por për të realizuar ndonjë prjekt të Serbisë në Kosovë. Dua të jem i gabuar, por unë besoj se kjo ka të bëjë me një lloj trusnie ndaj Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit që ata të pranojnë krijimin e asosacionit të komunave serbe.

Le të meditojmë për një moment: Ka lexues që kur lexojnë propozimin e “shtrisë së përbashkët” të besojnë se “Kosova është vërtet e kërcënuar nga Serbia” dhe në kushtet e një tensioni të tillë do të donin që më e mirë të pranohej asosacioni, sesa të shkonim në luftë! Dhe ja se si funksionon në trurin e njeriut një alternativë e tillë! D.m.th duhet të ketë një axhendë të tillë për të krijuar panik në Kosovë me qëllim që në bisedimet me Serbinë të shkohet sipas konceptit “të shpëtojmë çfarë mund të shpëtojmë”!  A nuk e përdorën këtë taktikë Hashimi, Edi dhe Baton Haxhiu gjatë aksionit të tyre për ndarjen e Kosovës?! A nuk thonin se “Kosova është e mbaruar, bëhet Palestinë, nëse nuk arrin marrëveshje me Serbinë”?!

Prandaj do t’u bëja thirrje qytetarëve në të dy anët e kufirit që të mos i besojnë provokime të tilla të maskuara me patriotizëm fals! Sepse ekstremet bashkohen. Në këtë rast bashkohen ekstremet “patriotike” tonat me qëllimet ultranacionaliste serbe dhe kësisoj në vend që të vemë vetullat, nxjerrim edhe sytë! Prova më e dukshme e Spartak Ngjelës do të ishte që të kishte kritikuar së paku një herë të vetme projektin Rama-Vuçiç-Thaçi për shkëmbimin e territoreve dhe ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë! Por kjo nuk ka ndodhur.

Kriteri i qëndrimeve ndaj integritetit territorial të Kosovës në momentin më të rrezikshëm për të kur kërcënohej me ndarje është dhe do të duhet të jetë kriteri i vlerësimit dhe besueshmërisë në patriotizmin real. Patriotët realë nuk flasin për president të përbshkët as për bashkim ushtarak. Ata flasin e punojnë për forcimin e të dy shteteve tona, Shqipërisë e Kosovës, si dhe për rritjen e rolit të këtyre ushtrive në NATO!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok