21/12/2024
Tea-Memushi

Gëzim Llojdia: Brezni sportistësh Memushi

Brezni sportistësh Memushi

Nga Gëzim Llojdia

1,

Tre vjet më parë  e sapo lauruar në degën ekonomi, por edhe sportiste  njëkohësisht me dëshirën e mirë dhe ambicien e madhe u paraqit me CV e saj në dyert e universitet për të filluar si stazhiere dhe më vonë të ndiqte udhët e karrierës si pedagoge. Quhej Tea Memushi,dhe është një ndër lojtaret  e ekipit kampion në basketboll për femra:” të Flamurtarit” në Vlorë,por edhe pedagoge në :”KUP Pavarësia ” të Vlorës. I ati i saj quhet Eqerem Memushi, ishfutbollist i :”Flamurtarit” të famshëm dhe sot trajner në shumë ekipe.Mirëpo, çfarë më tha në një intervistë?

a-Kur keni lindur në familjen e një sportisti. Disa të dhëna për babain sportist

Unë kam lindur më 27 maj 1996 në qytetin e Vlorës, është  e vërtetë që kam lindur ne familje sportistësh, ose siç e përdorim ne në zhargonin e përditshëm në një familje që sportin e ka në gjak. Në fakt ka pasur disa persona në fis që janë marrë me sport, por deri më tani, më i spikaturi dhe më i njohuri është e vërtetë që është babi. Babi e ka filluar sportin e futbollit në moshën 10-vjeçare me moshat e klubit sportiv Flamurtari. Në moshën 14-vjeçare është shpallur një nga lojtarët më të mirë të spartakiadës së pionierëve në Elbasan. Është aktivizuar me ekipet Flamurtari U17,U18 dhe në nëntor të 1983 në moshën 18 vjeçare është aktivizuar për herë të parë me ekipin e parë në Gjirokastër. Ka luajtur në 8 takime me ekipin kombëtar Shqiptar U21 dhe në 6 takime me ekipin e parë kombëtar Shqiptar. Ka luajtur në tre kompeticione Evropiane : Uefa, Kupa e kupave dhe kupa e kampioneve. Ne karrierën e tij sportive ka fituar 2 kupa republike, 2 kampionate, 2 superkupa. Si lojtarë përpos aktivizimit me ekipin e zemrës, është aktivizuar edhe me ekipin e Partizanit me të cilin ka fituar një kampionat. Eshtë aktivizuar edhe me ekipe jashtë Shqipërisë si NK Pazinka në  Kroaci. Në karrierën si trajner ka pasur drejtimin e disa ekipeve si Flamurtari, Tomorri, Apolonia, Bylisi, Naftëtari, Oriku si dhe ekipi kombëtar Shqiptar U15. Sukseset ne fushën e trajnimit kryesisht janë të lidhura me ekipin e Flamurtarit si fitues të kampionatit me ekipin U19 dhe fitues te kupës së Shqipërisë me ekipin e parë.

Në familjen time nuk jemi vetëm unë edhe babi që kemi lidhje me sportin, është gjithashtu vëllai im i cili është 19 vjec dhe aktualisht aktivizohet me ekipin e S.C Arezzo me të cilin dolën edhe kampion Italie për kategorinë Primavera 3 në Qershor 2021. Ai e ka nisur futbollin në ekipet e moshave të Flamurtarit që në moshën 6 vjecare. Në moshën 14 vjeçare u largua drejti Italisë për t’u aktivizuar me ekipet Mantova edhe Cittadella. Është aktivizuar gjithashtu me ekipet kombëtare Shqiptare U17, U19 dhe U20.

Megjithatë ne të dy (unë dhe vëllai) e pranojmë se konkurrenca sportive  në shtëpi është e lartë dhe ne nuk e kemi të lëhtë të sfidojmë dhe arrijmë sukseset e babit, por kjo na motivon edhe më shumë!

2.

b-Si filluat në sportin  e basketbollit, kush ju futi në këtë udhë?

Që femjë gjithmonë kam dalluar për karakterin tim të shkathët edhe shumë social, në fakt unë jam larguar nga Shqipëria pa mbushur një vjeçe edhe pjesën më të madhe të fëmijërisë e kam kaluar në Itali. Atje ka pasur edhe ka një jetë më të organizuar për fëmijët ku konkretisht për të mbushur pasditet e mia që në moshë të vogël kam provuar të angazhohesha fillimisht në balet edhe më pas në gjimnastikë artistike. Në zonën ku jetoja unë basketbolli nuk ishte një sport shumë i preferuar nga vajzat. Por, e pranoj që atje (në Itali) mu bë pjesë e rutinës aktivizimi në sport. Një kujtim i veçantë për mua është një porosi që mësuesja e fizkulturës në fillore na la mua dhe mamit përpara se të riktheheshim në Shqipëri e cila ju drejtua mamit dhe i tha :

-“ Përkraheni Tean në sport sepse ka talent, kam besim që nëse do të merret me sport do të bëhet lojtare e mirë dhe e famshme” dhe më pas mua duke thënë “ Porosia ime për ty Tea është që në intervistën e parë që do japësh si sportiste të të kujtohem unë që besoj shumë që ti mund të luash sport!”. Edhe në fakt porosia e saj më kujtohej në mënyrë konstante kur fillova ta dashuroja sportin e basketbollit edhe më jepte motivim. Me rikthimin në Shqipëri  nuk ishte basketbolli sporti i parë që unë praktikohesha por ishte ping-pongu. Por kjo eksperiencë nuk zgjati shumë pasi një ndër trajnerët e basketbollit që më shikonte që veja në stërvitjen e ping-pong i thotë babit që vajza është e gjatë dhe duhet të merret pa diskutim me basketboll. Kështuqë i  jam mirënjohës dhe i detyrohem profesor Vladimir Birces, të cilin gjej rastin ta përshëndes, që propozoi dhe insistoi që unë të futesha në basketboll.

3.

c-Kur u aktivizuar për herë të parë në një kampionat? Me cilat ekipe jeni aktivizuar? Ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtarë.

Për herë të parë në kampionat jam aktivizuar në moshën 12-vjeçare, moshë në të cilën kam nisur edhe sportin e basketbollit. Për fat të keq, në atë kohë ishte zbehur rëndësia e akademisë ku ndërlidheshin ekipet zinxhir. Unë nuk i kam kaluar fazat e të luajtur me ekipet e pasarelave apo të para të rejave, por jam aktivizuar direkt në ekipin e të rejave në formacionin e parë. Me të rejat e flamurtarit kam luajtur për 5 vite dhe kam fituar dy tituj kampion. Në moshën 18 vjeçare jam larguar në qytetin e Tiranës për të ndjekur studimet e larta duke u aktivizuar kështu me ekipe që stërviteshin në Tiranë si Apolonia, Goga Basket edhe Studenti. Me ekipin e Apolonisë kemi fituar një kupë Republike dhe kemi qenë ekipi nënkampion. Me ekipin e Goga Basket kemi qenë dy herë nënkapione Shqipërie edhe dy herë finaliste të Superkupës. Me ekipin e Flamurtarit fituese të kupës  së Republikës 2020 dhe Ekipi kampion 2021.Ndërsa lidhur me ndeshje ndërkombëtare për sa kohë unë jam aktivizuar në ekipet e të rriturave  në kategorinë e parë femra fatkeqësisht nuk kemi marrë pjesë në ndeshje të kompeticioneve ndërkombëtare.

4.

d-Çfarë përbën për ju fitorja e titullit kampion? Disa shembuj te flamurtari ndër vite si kampion në basketboll.

Fitorja e titullit kampion përbën pikë së pari një shpërblim të merituar për lodhjen e të luajturit një kampionat të vështirë dhe të ngjeshur si pasojë e pandemisë, një shpërblim për punën e mirë të grupit, kolektivitetin  dhe përkushtimin e stafit drejtues. Fitorja e kampionatit për ne përbënte gjithashtu një detyrim moral për t’a risjell titullin kampion përsëri në Vlorë pas ndarjes nga jeta të trajnerit kampion profesor Viron Toska.Sigurisht që të qenët kampione është edhe kënaqësi  kur për më tepër arrin që me anë të këtij titulli të kënaqësh sadopak tifozerinë vlonjate e cila po kalon një moment trishtimi për shkak të ndodhive të fundit me ekipin e futbollit.Gjithashtu është një emocion i veçantë për mua pasi unë titujt kampion i kam të lidhur vetëm me ekipin e Flamurtarit edhe uroj që të vazhdoj kështu edhe për shumë vite të tjera.

5.

e-Çfarë keni studiuar dhe ku punoni aktualisht?

Unë kam përfunduar studimet bachelor për Financë-Kontabilitet dhe Master i shkencave në Financë pranë fakultetit të ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Aktualisht punoj si pedagoge me kohë të plotë pranë Kolegjit Universitar Pavarësia Vlorë,  aty ku kam gjetur edhe motivimin që të kërkojë ti thellojë njohuritë e mia kërkimore shkencore më tej edhe pse jo drejt nisjes së një cikli të tretë studimesh doktorale brenda ose jashtë vendit.

6.

f-Si ja dilni mes profesionit edhe sportit, cila është ëndrra juaj profesioni të cilin punoni apo sporti? Çfarë mendoni të bëni kur të lini sportin?

Për momentin ja dal mirë, sepse e programoj ditën në mënyrë të tillë që ti përmbush të dyja këto obligime. Është e vërtetë që dita është pak më e gjatë për mua, edhe që më duhet të heq dorë nga koha ime e lirë apo jeta sociale, por unë e kam bërë këtë zgjedhje. Jam shumë e lumtur që kam këtë rutinë dite, punoj edhe në të njëjtën kohë marrë kënaqësi si në auditor me studentët ashtu edhe në pallatin e sportit me familjen e basketbollit. Nuk mund te veçoj edhe të them se njëra është më e rëndësishme se tjetra. Mund të pranoj se kam pritshmëri të larta për të dyja, pra kam “ëndrra për të realizuar” si në profesion edhe në sport, por për këtë do përpiqem me dëshirë edhe punë që paralelisht të arrij objektivat që i kam vendosur vetes. E gjykoj se është pak herët për të menduar se çfarë do bëjë kur të lë sportin. Do dëshiroja që të kem kontakt gjithë jetën me sportin por nuk e ndaj dot tani se si do ta mundësoj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok