22/12/2024

24 VJET NGA SULMI TERRORIST I KRIMINELËVE SERBË NË KAFE-GALERINË  “KOHA”

0
Adil-Fetahu

Nga Adil FETAHU

Në dekadën e fundit të shekullit të kaluar Kosova përjetoi pushtimin klasik nga Serbia fashiste,  naciste e raciste. Përveç diskriminimit të hapur,  represaljeve dhe krimeve tjera, regjimi serb me masa të dhunës përjashtoi punëtorët prej pune, nxënësit e studentët prej objekteve shkollore, nëpunësit prej zyrave, shkrimtarët, artistët dhe shkencëtarët prej institucioneve. Strategjia serbe ishte që në këtë mënyrë ta privojë, ta gjunjëzojë dhe ta vriste popullin shqiptar autokton të Kosovës. Ta vriste fizikisht, duke e privuar nga mjetet për jetesë dhe ekzistencë, dhe ta vriste shpirtërisht duke e privuar nga arsimi, kultura, shkenca, përparimi.

Por, në  saje të mençurisë dhe solidaritetit të provuar e dëshmuar në situata të tilla gjatë historisë, populli liridashës e paqësor, me forma e mënyra të ndryshme të rezistencës active dhe të alternativave për mbijetesë, e sfidoi okupatorin nacist. Sikur uji i lumit, që kur i mbyllet një rrjedhë, lakon dhe gjenë rrjedhë tjetër, populli i Kosovës gjeti mënyra për të mos e ndalë aktivitetin e zhvillimit ekonomik, arsimor e kulturor, me forca të veta edhe nën ato kushte të okupimit të egër.

Në këtë kontekst, në fushën e arsimit dhe kulturës, pronarët e shtëpive e lokaleve tjera, lëshuan objektet e tyre për të vazhduar aktivitetin arsimor e kulturor. Kështu veproi edhe profesori Ramiz Bala,  në vitin 1993 lëshoi kafiterinë e njohur  në  Prishtinë, “Koha”, e cila  u bë institucion kulturor, kafe-galeri e aktiviteteve të shumta e të shumëllojshme kulturore, artistike, letrare e sportive.

Sulmi terrorist i kriminelëve serbë në Kafe-Galerinë “KOHA

Profesor Ramiz Bala, është pinjoll i familjes së njohur atdhetare Bala, nga Kërnina e Istogut. Dhe kush do mund ta ndiente në shpirtë nevojën për vazhdimin e zhvillimit të  aktiviteteve kulturore, më tepër sesa profesor Ramiz Bala, i cili gadi gjysëm shekulli ishte gazetar, redaktor e redaktor përgjegjës i Programiit kulturo-arstistik dhe arsimor në Radio-Prishtinë. Ramizi e la 13 vjet (prej 1993-2005) lokalin e tij në dispozicion, pa anjë kompensim,  për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, artistike dhe aktivitete tjera, në shërbim të artit e kulturës së popullit të vet, dhe për inatë të armikut.

Në Kafe-Galerinë”KOHA” të Ramiz Balës mblidheshin gazetarë, shkrimtarë, artistë, aktorë, sportistë, por edhe aktivistë politikë, për të zhvilluar aktivitete nga fushat përkatëse. Aty mbaheshin tribuna, debate, tryeza e manifestime tjera, letrare, kulturore, artistike, por edhe shkencore, politike e sportive; mbrëmje letrare-poetik;, koncerte muzikore; shfaqje, drama, komedi dhe filma doumentarë; janë organizuar festivale të filmit dhe teatrit; janë mbajtur panaire të librit; janë shënuar festa e përvjetorë kombëtarë e ndërkombëtarë; janë promovuar mbi 300 tituj librash të autorëve të ndryshëm; janë hapur 83 espozita; madje aty janë mbajtur edhe ahengje familjare.

Kjo rezistencë e qëndresë paqësore dhe e kulturuar e shqiptarëve e kishte gjindosë pushtetin okupues, dhe më 23 mars 1999, në orët e mbrëmjes, terroristë të sigurimit të shtetit okupues serb, e sulmuan me granata dore “Kafe-Galerinë Koha”, me ç’rast u vra një djalë i ri dhe u plagosën 8 veta, dhe shkatërruan gjithçka që gjendej brënda lokalit.

Dy botime të Monografisë “Koha e qëndresës

Për aktivitetet e shumta kulturo-artistike dhe të tjera, të zhvilluara në Kafe-Galerinë “KOHA”, profesori Ramiz Bala ka botuar Monografinë voluminoze, mbi 600 faqe, me titull adekuat veprimtarisë: “Koha e qëndresës”. Monografia e parë u botua në vitin 2018, dhe u prit jashtëzakonisht mirë nga lexuesit e sidomos nga personalitetet të cilët kishin dhënë mund e kontribut në zhvillimin e veprimtarive në atë galeri. Me fjalët më të zgjedhura për atë Monografi e për Kafe-Galerinë “Koha”, kanë shkruar shumë personalitete të njohura nga fusha e kulturës dhe artit. Ribotimi i zgjëruar i Monografisë (shih foton nën tekst), doli nga shtypi këtë vit (2023). Këtu nuk kemi qëllim të bëjmë reçension as vështrim më të gjërë për Monografinë, por ta kujtojmë aktin barbar-nacist të pushtetit okupues serb. Po shkëpusim vetëm një pasus nga “Prologu” i autorit në botimin e dytë, ku thotë:  “Libri ka për qëllim t’i kujtojë dhe të mos i lerë në harresë të gjithë ata persona të gjallë a të vdekur, të pa imagjinuar, të ditur  e të përgatitur mirë, me vullnet të pashoq, të guximshëm, të drejtë e të pa djallëzuar, e mbi të gjitha njerëzorë. Ata që vunë tërë qenien e tyre në funksion të mbijetesës dhe zhvillimit të mëtejmë të vlerave kulturore, artistike e shpirtërore të traditës kombëtare dhe asaj europiane, së cilës i përkasim”.

Në Monografi ka përfshirë biografi dhe fotoportrete e foto tjera të personaliteteve të cilët bartën dhe zhvilluan aktivitete kulturo-artistike në atë Galeri. Me këtë, autori u ka bërë homazh një kohe, një rezistence, viktimave të një ngjarje terroriste dhe akterëve bartës të aktiviteteve kulturo-artistike të zhvilluara në Kafe-galerinë “KOHA”. Edhe sot ajo hapësirë e shtëpisë së Ramiz Balës shërben vetëm si galeri e pikturave, skulpturave, librave e fotografive që pasqyrojnë aktivitetet kulturo-artistike  të zhvilluara aty në periudhën 1993-2005.

Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë të Kosovës, në vitin 2019, e ka shpallur Monografinë “Koha e qëndresës”, monografi të vitit, dhe i ka dhënë çmimin “Pavarësia”. Përndryshe, Ramiz Bala ka marrë edhe shumë mirënjohje e shpërblime për punën dhe kontributin e tij si veprimtar e kontribues i kulturës dhe artit.

Monografinë të financuar nga vet autori, nuk e ka për  shitje, por për t’ua dhënë të gjithë bashkëveprimtarëve, personazheve të përfshirë në libër. (A.F.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok