Dr. Peter Minnar nga Bostoni: Fan Noli, letrar i mirë, por politikan i dështuar
“Nuk u besova syve të mij, kur pash telegramet që Hirësia e Juaj i ka çue herpasher qeveris së kasapvet të Tiranës. Në ketë telegram, Hirësia Juaj, jo vetëm që aprovon çka bajn ata, që kanë deklarue kjartsisht se nuk besojn në Zotin dhe kanë fut në burg e vra të tjerët… Ju i keni paraqitë komunistat e Tiranës në sytë e botës si njerëz të denj me e qeveris popullin shqiptar. Nji ditë, keni me takue Skanderbegun dhe po ju thom se ka me qenë shumë i idhnuem. Shpresoj, se nuk i ka ra në dorë kopja e Diellit, ku në të krahasohet Enver Hoxha me të.” – Prof. Mhill Marku
Nga Klajd Kapinova
Epilogu që mund të prishë statukuonë e historisë
Një djalë i ri plot ëndrra, në moshën 20-vjeçare Peter Minnar, nga qyteti i serenatave Korça ose pjesa Jug Lindore e Shqipërisë, mori rrugën e vështirë të kurbetit për të ardhuar në ShBA.
Ai u vendos menjëherë pranë komunitetit të vogël shqiptar në qytetin e Boston-it, Massachusets, ku kishte dhe shumë emigrantë të tjerë korçarë.
Si një ndër figurat më të spikatura të diasporës, Minnar-i është njëkohësisht njohës i figurave, që bënë shumë për diasporën, mëmëdheun dhe ruajtjen apo mbijetesën e kulture dhe traditave shqiptare të trevave të Shqipërisë së Jugut, në ambientin e ri metropolitan të SHBA-së.
Ai njeh shumë mirë kolosin brilant Faik Konica, njohësin e 16 gjuhëve të huaja, njeriun e anatemuar gjatë diktaturës, sikurse letrarin e njohur peshkop imzot Fan Stilian Nolin, me të cilët ka qendruar dhe biseduar nga afër për disa dekada brenda komunitetit shqiptar në kishën ortodokse të shën Gjergjit (1908) në Boston.
Në botë është bërë modë gjurmimi i historisë dhe personaliteteve që e bënë atë. Eshtë normale e në funksion të ecjes përpara, debati i lirë dhe diversiteti i mendimeve si një kulturë e re, që për gjysëm shekulli ka munguar mes botës shqiptare gjatë kohës së diktaturës komuniste.
Në fillim të shek. XXI, preokupimi i historisë është i veçantë. Shpesh historia është kontrolluar e fshehur shqiptarëve çka vijon, sa që kushdo që mund të sjellë argumente e dokumenteve arkivore të ndryshëm, vihen në shigjetat e sulmeve, që vijnë nga ata që e shkruan siç deshën atë.
Në fushatën e fshehjes e falsifikimit sistematik të historisë dhe kulturës, e ka pësuar pjesa më e mirë, ngjarje e situatë, personalitete e procese, të cilat shqiptarët tash duan t’i zbulojnë e jetojnë intensivisht.
Shqiptarëve historia u është fshehur, servirur e kontrolluar në mënyrë të egër, për arsye ideologjike në të njëjtën kohë.
Diktatura e proletariatit dhe diktatori Hoxha, lufta e egër e klasave dhe koncepti i prolekulturës, ishin instrumente dhe mbulesë e mjaftueshme për të bërë krime ndaj njerëzve (në të gjallë të tyre e kur mbyllnin sytë), asgjësohen dokumente, falcifikohen epoka e ngjarje, jeta e aktiviteti në diasporë, likuidohen personalitete e momente të historisë e kulturës.
Atdhetarizmi ishte shndërruar në fraza e etikë, që nuk thoshte asgjë, e rëndom me etiketë stoliseshin ngjarje e situata, procese e personalitete, të cilat historia sot po i harron shpejt ose po i mallkon rëndë.
Procesi i vlerësimit e rivlerësimit të historisë, i njohjes e rinjohjes së ngjarjeve e personaliteteve historike e kulturore është i gjatë, i vështirë dhe asnjëherë nuk mund të jepet në mënyrë absolute: se kështu është e jo ndryshe.
Gjithsesi historia si shkencë e mirëfilltë, duhet të kuptohet jo si gjest a përcaktim patriotik, jo si zhurmë a retorikë stilistikore, por si punë e moral shkencor.
Historia e amerikano shqiptarit Peter Minnar
Duke shfletuar me kujdes librin e Peter Minnar-it me titull: Për Shqipërinë, çdo njeri krijon një ide të kjart mbi personalitetin atdhetar, baletmaestron, aktivistin e çështjes nacionale, bashkohësin e Konicës, Nolit, Çekrezit, Dakos etj.
Dhimitër Panajoti nga Bostoni, në vitin 1997, shkruan: “Mosha, gjallëria dhe veçanërisht kujtesa e fortë e këtij bashkatdhetari, të habisin tek dëgjon për takimet apo letërkëmbimet e tij me presidentët e ShBA-së, si: Nixon, Bush, Clinton si dhe me senatorë, kongresmenë etj. Për të ruajtur vërtetësinë e shkrimeve, preferova t’i fotokopjoj ato.”
Ky është Peter Minnar, shqiptari me banim në Boston, të cilit për dekada të tëra iu privua dëshira për të vizituar vendin e tij.
Arsyeja si zakonisht: Antikomunist. Ai i tillë ishte vërtetë. Dhe mjaftonte vetëm ky shkak, për ta ndarë nga gjiri i fisit të vet në Korçë.
Në moshën 20-vjeçare nis një aventurë, për të shkuar si kurbetli për të ardhur këtu në vendin e Bekuar të ShBA-së, duke lënë vendlindjen e dashur, të afërmit, kundra dëshirës së nënës.
Ishte i ri plot energji e ëndrra që i vlonin në gji. Asokohe, ai nuk kishte shumë njohuri për Amerikën.
Midis shumë problemeve të tjera Peter-i kishte përvetësimin e gjuhës angleze, pa të cilën ishte e pamundur që të bënte hapa përpara. Ai duhej të mësonte patjetër anglishtën, për të komunikuar me amerikanët këtu dhe gjetur një vend pune të mirë.
Emigranti i qytetit të serenatave kujton: “Në fillim nuk e dija se emri im Mina shkrujen krejt ndryshe. Më pas e mora vesht se e shkruanin Mainas. Kjo nuk më pëlqeu edhe forma Minas, që nuk tregonte origjinë shqiptare, por greke. Jo, jo thashë me vet, nuk jam i tillë. Ja kështu, duke u njohur me gjuhën angleze, e mësova se mbiemri im që të drejtshqiptohet duhej të shkruhej Minnar. Edhe ermi m’u shndërrua në Peter, por unë jam në të vërtetë Petraq Minnari, shqiptar i kulluar.”
Edhe pse në Amerikë, mendonte për Shqipërinë, e thënë ndryshe zemra i rrihte për Atdheun. Menjëherë nisi punën si punëtor fabrike.
Më vonë hyri në një shkollë, ndërsa në vitet 1923-1929 punon si aktor në një teatër amerikan.
U muar shumë me baletin klasik. Ai e kuptoi, se baleti, ishte thjeshtë një art zbavitës, që nuk i siguronte të ardhura financiare, mbasi asokohe nisi të duket në ekranet prej bezeje kinemaja, e cila menjëherë do të bënte që të falimentonte arti i baletit.
Kështu emigranti iu fut udhës së vështirë, por të bukur të tregëtisë, zanat të preferuar nga shqiptarët që zbrisnin nëtokën e premtuar.
Në vitin 1929 shkon në Korçë, me mallin e zhuritur për vendlindjen, familjen e fisin. Në ditët që qëndron në vendlindje njihet me një vajzë nga qyteti.
Ai vendos të martohet me vajzën e Koli Asllanit. Ai kujton detajin e para 74 vjetëve, kur ka shtypur ftesat e dasmës, të shpërndarë miqve e shokëve të tij.
Ende sot funksionojnë disa pjesë (relike) të mbetura nga shtypshkronja me emrin e korçarit Dhori Kotit, që i përkasin shekullit XIX.
Kjo është Shqipëria e kapitalizmit, që Minnar-i e krahason me vitin 1927, kur hypnin e zbrisnin qeveritë pa bërë asgjë për popullin. Me keqardhjen e thellë që ka për vendlindjen, ai shpesh ka shkruar tema të ndryshme në mediat amerikane të kohës.
1615 kundërkomunistë shqiptarë arratisën nga Shqipëria (1952-1954)
Peter është krenar, që ka shërbyer si i pari Kryetar i Shoqërisë Letrare Amerikano Shqiptare me qendër në Boston, i cili, në bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Shtetit, janë marrë rregullisht me çështjen e kundër komunizmit internacional dhe instalimit të degës më të egër barbare dhe shkatërrimtare në Shqipërinë fatkeqe.
Këtë gjë e vërteton më mirë sidomos mbrojtja, punësimi dhe vlerësimi i 1615 antikomunistëve shqiptarë të arratisur nga “lumturia” e rregjimit komunist të Tiranës së kuqe, gjatë viteve më 1952-1954.
Përmes shkrimeve të shpeshta publicistike dhe historike, denoncoi me fakte vijueshmërisht gjendjen e rëndë nën thundrën e hekurt të shtypjes së të gjithë lirive dhe të drejtave themelore të njeriut në vendin e shqiponjave.
Shkrimet e tij mbetën një dokumentacion i gjallë kundër shtrembërimeve që i janë bërë historisë.
Ai ka rezervuar të drejtën e viteve që mban mbi supe, duke rithenë hapur: “Historia e Shqipërisë do të rishkruhet nga djalëria shqiptare.”
Artisti, ka pasur një njohje shumë të mirë për mikun e tij të vjetër, kollosin e mendimit shqiptar, siç i pëlqen shpesh ta quaj të madhin poliedrik Faik (Domenik) Konica.
Kur Konica ishte Kryetar i Federatës Panshqiptare Vatra (1912) në qytetin Boston, baletmaestro ishte Kryetar i degës së saj, për qytetin Natick Massachusets.
Nuk është e lehtë të ndërmarrësh inisiativën të flasësh për F. Konicën, shkruan shpesh Peter, tek përsërit: “E nuk është një ndërmarrje e lehtë dhe nuk mund ta bëjë kushdo. Për t’ua bërë më të qartë këtë gjë, mund t’ju them vetëm kaq, se brenda atij kostumi kombëtar, që vishte me dëshirë Faik Konica, ishin të fshehura shkollat dhe universitetet më të dëgjuara të botës. Ja ky është Konica, krenaria e mendimit të kombit shqiptar, i lënë në harresë me qëllim nga regjimi i kaluar komunist, për të mos u bërë i njohur as nga vetë shqiptarët“.
Duke shëtitur nëpër Arkiva të rëndësishme, që i disponojnë vetë shoqatat e hershme shqiptare, shteti amerikan dhe kujtimet me përvojën e njerëzve që e jetuan historinë Minnar, është ndalur në nevojën e rishkrimit të historisë, të figurave që e bënë një pjesë të saj, mbasi padrejtësitë, shtrembërimet sipas interesave komuniste e vijuesve të bindur të saj nuk mund të pranohen që të zënë vend në histori.
Minnar, është njëkohësisht mik i Anthony Athanas. Të dy miq të ngushtë, ndonëse me mendime të ndryshme mbi çështjen Noli si klerik dhe politikan.
Ai ishte 10 vjet më i madh në moshë se bisnesmeni i restoranteve A. Athanas, megjithatë ka rezerva për figurën e Nolit, të cilin e vlerëson në fushën e letrave si përkthyes dhe letrar i talentuar nuk mund të mohohet, çka nuk do të thotë kurrsesi që të mitizohet dhe të mos lejohet asnjë shkrim kundër tij.
Shkrimet e lëvdatat pa analizë kritike të faktoshkrimeve e dokumenteve autentike, ka bërë që në Shqipëri të mos ketë objektivitet ose e thënë ndryshe shterpësia e krijuar në kohën e diktaturës, ka sjellë për pasoj fenomenin e mosprekjes apo mitizimit dhe monopolin e një ose të dy studiuesve e shkrimtarëve, që flasin e shkruajnë me lëvdata për një figurë sipas oreksit e veshit komunist.
Historia shkruhet vetëm me dialog
Edhe atdhetari Minnar është vënë në shenjestër shpesh dhe nuk është lënë në heshtje, sepse në shkrimet e tij ka pasur gjithnjë mendime të kundërta ose të diskutueshme për bashkëkohësin e tij peshkopin ortodoks imzot Fan Stilian Nolin.
Kundër shënimeve historike të Peter-it këtu në SHBA, janë hedhur në sulm mediatik plot fanatizëm studiuesit e shkollës së realizmit socialkomunistë të Shqipërisë së diktatorit Enver Hoxha, ndihmësit besnik të idedologjisë komuniste të PPSH prof. Nasho Jorgaqi dhe ndihmësi i tij prof. Viron Koka.
I pari, ka shkruar një pamflet në fletushkën Ze(h)ri i Popullit dhe i dyti në një tribunë “demokratike” si Rilindja Demokratike, por që në vetvete të dy vijnë nga indoktrinimi dhe shërbimi që i kanë bërë sistematikisht për shumë dekada komunizmit të tyre.
Ndërsa i pari, qëndron në pozitat e një socialisti të konvertuar, i dyti i kthyer në formalisht me kostumin blu “demokrat”, çoroditi edhe atë pjesë të rinisë shqiptare, që pret realizëm dhe freski në analizën e figurave të nacionit.
A mund të fyhet docenti dhe Kryetari i Federatës Panshqiptare për qytetet Natick Massachusets që nga viti 1923, Peter Minnar president i Of Albanian American Literary Society, në vitet 1954, një studiues i Nolit dhe njohës i fotografive të bashkohësve të tij pse thotë mendime të ndryshme!?
Si ka mundësi që z. Nasho Jorgaqi, i ftuar disa herë në ShBA ndoshta për inerci të së kaluarës komuniste, të mos njohë atdhetarin e Vatrës Peter Minnar, që ishte padyshim një ndër kolonat më të fuqishme në diasporën shqiptare në Boston, të ShBA-së. (Peter Minnar, Për Shqipërinë, Boston, USA, 1995).
Gjatë verës së vitit 1994, Minnar kishte planifikuar që sëbashku me fakte të pakontestueshme të vij në Shqipëri, për të tretën here, duke pranuar me kënaqësi një bisedë dyshe përballë ekranit të televizionit, për të njohur publikun shqiptar nga afër dhe realisht faktet mbi Nolin.
Toleranca dhe kultura e thellë e dr. Minnar për historinë
Duke u futur në brendësi të librit të autorit Minnar, të shoqëruar me letra, shkrime publicistike me prëmbajtje atdhetare, për figurat qëndrore të diasporës, argumentet pse duhet rrëzuar dhe shkatërruar komunizmi në Shqipëri, që populli i tij të jetojë i lirë në demokraci sikurse shumë shtete të tjera të përparuara, më tërhoqi vëmendjen edhe një shkrim origjinal, i cili, mund të zgjoj interes për lexuesit shqiptar dhe studiuesit këtu dhe në vendlindje, që gjërat e ngjarjet t’i shikojë me logjikën e argumenteve.
Minnar i shkruan studiuesve të realizmit komunist Kokës dhe Jorgaqit
Peter hapur i shkruan Viron Kokës dhe Nasho Jorgaqit:
Përpjekja për të nxjerrë figurën e F. Nolit të përsosur në pesë veprat e tij me të njëjtin titull, të bën përshtypje, se sot në botë nuk mund të ketë njeri pa të meta ose me kufizime në disa aftësi personale.
Kjo praktikë, pa kompjutera e dallonte Shqipërinë komuniste, që të krijonte biblioteka e dosje të biografive dhe karakteristikave të të gjithë pjesëtarëve të të gjithë shqiptarëve brenda dhe veçanërisht për ata që jetonin jashtë Atdheut.
Këto dosje, kishin ngjyra të ndryshme ose ngjyroseshin sipas kërkesave të politikës së etikës shqiptare dhe të komunizmës së kulluar.
Kjo gjë ka prekur sado pak edhe disa studiues të historisë që e monopolizojnë Fan Nolin, kurse të tjerët, shokë e tij dhe bashkëkohësit i harrojnë ose bëjnë sikur e harrojnë me qëllim.
Megjithatë, në moshën 95-vjeçare mësova, se mund të shkosh në parajsë.
Zoti më ndihmoftë, që historianët e rinj të më marrin me sy të mirë pas debatit tim të fundit me zotëritë V. Koka dhe N. Jorgaqi për këto që po jua them më poshtë:
Në përgjigjen e artikujve tuaj, përkatësisht në Zëri i Popullit, me 10 shtator 1993 dhe në Rilindja Demokratike më 19 shtator 1993, po ju theksoj, se Fan Nolin e kam çmuar si njeri me kulturë të gjerë, duke veçuar zgjuarsinë, mendjemprehtësinë, shkathtësinë, përkthyes dhe poet i shkëlqyer, por më shumë oratorinë.
Përsëri theksoj se e nënçmoj për mikpritjen, shpirtligësinë, si klerik të dështuar, egoizmin për shqiptarët e ditur të kohës së tij, si prokomunist dhe politikan pa vlerë.
Për këto po paraqes disa të vërteta të grupuara dhe do të mënjanoj mendimet e mia, të cilat do t’i shpreh më vonë:
Së pari, Noli si prokomunist dhe politikan i dështuar. Bazohem në: Fan Stilian Noli – Album 2, prej Qerim Panaritit,faqe 75 ku thuhet:
“Në fillim të Dhjetorit, 1924, një mision Sovjetik nën kryesinë e N. Krakovietski arriu në Durrës
…Noli një me një thirri mbledhjen e Kabinetit.
Shumica e shokëve të Kabinetit shprehën mejtimin, që misioni sovjetik të mos pranohet në Tiranë (se në Shqipëri kishte hyrë?!).
Noli nguli këmbë, që “kjo s’është mënyrë fisnike nga pikëpamja diplomatike, që të pështyjmë në surrat një mision diplomatik të një shteti të madh si Rusia”.
Dhe më pas lexojmë në librin: Fan S. Noli Rron or rron dhe nuk vdes shqiptari, mbledhur nga Pirro Tako, faqe 33:
“Vitet e emigracionit i hapën sytë Nolit në shumë drejtime dhe e bënë atë më të vetëdijshëm në luftën e tij.
Në këtë transformimi ideor ndikuan disa faktorë, siç ishin:Takimet me udhëheqësit revolucionarë të popujve të ndryshëm; Njohja me shtypin komunist; Vizita në Bashkimin Sovjetik më 1927; Pjesmarrja në Kongres…
Këto pikëpamje gjetën mishërimin e tyre edhe në Deklaratën e Komitetit të Çlirimit Nacional, të shkruar nga vetë Noli (e cila u botua në Liria Kombëtare), me 11 maj 1927.”
Gjithashtu, po lexoj thirrjen drejtuar popullit shqiptar në emër të K. Ç. Nacional nga Kryetari i saj Noli, botuar në Liria Kombëtare, me 11 shtator 1928, ku mund të dallosh lehtë fjalorin komunist: “Shqiptarë!
Koha e gjakpirësve imperialistë ka për shkuar, ashtu si shkoi koha e hajdutëve feudalë.
Punëtorët dhe katundarët revolucionarë anë e mbanë botës po gatiten e po hidhen me sulmin final, kundër tiranëve të tyre shekullorë, që t’i korrim me drapërin e t’i shtypim me çekanin, që t’i shuajnë një herë e mirë nga faqja e dheut”. (Wien, 3 shtator 1928, Për Komitetin e Çlirimit Nacional, Fan Noli)
Tronditëse, është “Letra e hapur” e profesorit shkodran, Mhill Marku, botuar në gazetën “The Albanian American”, tetor 1956, faqe 4, e shkruar shqip me titull: Mirësisë së Tij, Fan S. Noli (pra, kur Noli ishte gjallë), ku, thuhet:
“Nuk u besova syve të mij, kur pash telegramet që Hirësia e Juaj i ka çue herpasher qeveris së kasapvet të Tiranës.
Në këtë telegram, Hirësia Juaj, jo vetëm që aprovojnë çka bajn ata, që kanë deklarue kjartsisht se nuk besojnë në Zotin dhe kanë fut në burg e vra të tjerët…
Ju i keni paraqitë komunistat e Tiranës në sytë e botës si njerëz të denjë me e qeverisë popullin shqiptar.
Një ditë, keni me takue Skanderbegun dhe po ju thom se ka me qenë shumë i idhnuem.
Shpresoj, se nuk i ka ra në dorë kopja e Diellit, ku në të krahasohet Enver Hoxha me të“.
“Për këtë dëshmojnë shumë njerëz dhe artikuj gazete të asaj kohe, ku Fan Noli në kishë, bankete dhe piknikë krahasonte Enver Hoxhën me shën Gjergjin dhe Skënderbeun legjendar”.
Por më domethënës është libri: Albumi Dyzet Vjeçar në Amerikë 1906-1946, i Hirësisë së Tij, Peshkop F. S. Nolit, të cilin e botoj Vatra në Boston, më 1948, ku thuhet:
“Kryetrimave që e çliruan Shqipërinë nga fashistët, nga nazistët, nga bejlerët u dedikohet ky Album.” (Pra, u dedikohet komunistëve).
Po artikujt e gazetës Pravda, datë 4 dhe 11 nëntor, 1927, ku jepet intervista e Fan S. Nolit me rastin e 10-vjeçarit të Revolucionit në Moskë, ku u organizua një Kongres i miqve të Bashkimi Sovjetik.
Noli ishte Kryetar i Komitetit të Çlirimit Nacional dhe në Kongres mori pjesë si anëtar i delegacionit, që përfaqësonte popujt e Ballkanit.
Kjo gjë pohohet edhe në shkrim – përgjigje të Z. Viron Koka në RD, më 19 shtator 1993, ku thuhet: “Ai (d.m.th. Noli) shpresoi se Bashkimi Sovjetik dhe forcat e tjera do t’i shpëtonin popujt, pra edhe popullin shqiptar…”
Z. Koka vazhdon më tej: “Noli ishte nga të parët intelektualë të Evropës që e braktisi të majtën Evropiane… ai u largua nga “KONARE” dhe shkoi në Amerikë!”
Po, i them unë, autorit të shkrimit, Z. Viron Koka, se Noli që nga janari i vitit 1925, e deri në 1932, periudhë që jetoi në Evropë, gjeti një rehati dhe ngrohtësi financiare nga Konare në 8 vjet.
Këtë gjë e kemi thënë edhe më parë, se kalimi nga klerik në politikë dhe pastaj nga politika në klerik u bë si mjet jetese.
Pra, Noli i la mënjanë iluzionet e dikurshme mbi Amerikën, si një vend që gjoja ndjek politikë paqësore e të mbrojtjes së popujve të vegjël (lexo tel Liria Kombëtare, më 20 shkurt, 1929), dhe përsëri pas një dashurie me Konarenë e lë atë më 1932, duke iu drejtuar Amerikës së Ëilson-it të dikurshëm. Kësaj i thonë politikë dhe Nolit politikan!
Qerim Panariti, thekson në faqen 88 se: “Gjatë 10 vjetëve 1943-1953, Vatra, u bë për Nolin një koshere mjalti. Për nder të tij dha dy bankete madhështore për 40 dhe 50 vjeçarin e tij në Amerikë. Në këto dy ftesa, vatranët i mblodhën Nolit më tepër se $1.000 etj.”
Ka edhe shembuj të tjerë, si Reforma Agrare por megjithatë…
Së dyti, Noli si klerik i dështuar dhe jo mikpritës. Për këtë problem do të vazhdoj të citoj Qerim Panaritin në faqet 89, 90, 92 si më poshtë: “Noli ish person sekretiv. Ishte e pamundur për të që t’i hapte zemrën njeriut pa rezervë.
Noli s’kish asnjë konfidencë, d.m.th. njeri që t’i hapte zemrën 100% kurdoherë ishte i rezervuar. Ndër shqiptarët e Amerikës, Noli e kish humbur besimin krejt. Të lënë të thosh si gunën e vjetër.
Ja dhe një përshkrim karakteristik për të: “Noli nuk ish mikpritës si Faik Konitza. Po të dilnje jashtë me të ishte e pamundur që të vinte dorën në xhep. Po ta vizitonje në shtëpi, s’të afronte asnjë kupë me ujë. Noli ish hamës i madh, kur gëzonte shëndet dhe plot humor dhe shakara.”
“Ndër fshatarët e Shqipërisë kish një dashuri të madhe. Fshatari i thjeshtë thosh ka korruptuar komercializma dhe beson se s’mund të bësh dot tregti “me kryq në ballë“.
Për këtë z. Qerim Panariti shton: “Këto karakteristika i gëzojnë të gjithë njerëzit e lartë nga mendimet. Por në këtë rast, del akoma e qartë se çfarë kërkonte Noli me qëndrimin e tij me gjigandin F. Konitza, Konstandin Çekrezin, Kristo Dakon dhe dr. John Nase, kundrejt të cilëve mbodhi farën e grindjes dhe të urrejtjes, të cilat u trashëguan më pas në shumë shqiptarë të Amerikës“.
Nolit vetëm me Faik Konitzën i haste sharra në gozhdë, sepse ky dallohesh për karakterin, origjinën dhe kulturën e tij të gjerë.
Të njëjtat qëndrime pasqyroi edhe ndaj fesë, klerikëve dhe besimeve. Nolin të gjithë e nderojnë dhe e lartësojnë për përkthimin e liturgjisë së Shejtë në gjuhën shqipe.
“Ky është shërbim i madh. Për ortodoksët shqiptarë, por nuk duhet harruar se Liturgjia shqip i shërbeu Nolit si mjet pune për shqiptarët.”, thekson Konitza
Me tre kisha Noli e përçau komunitetin e Bostonit
Rezultati i punës së tij si fetar del krejt ndryshe. Ai e përçau komunitetin shqiptar të Bostonit, me qëndrimin dhe klerikët shqiptarë, duke bërë atë që përveç kryekishës së shën Gjergjit u ngritnë edhe dy kisha të tjera; ajo e shën Trinisë me 1921 dhe veçanërisht pas ardhjes së Nolit në Amerikë, u ngrit edhe kisha e shën Johanit me 1934.
Kjo ka qenë edhe çudia më e madhe për një komunitet të vogël si ky yni në Amerikë, që në 800 metra të kemi 3 kisha. Këtë gjë, na e thoshin shumë amerikanë të tjerë duke qendisur: “Ah…, Ah ju ini pak shqiptarë që kini tre kisha në Broduej (Broadway) Street”.
Pra të dëgjojmë (lexojmë), se çfarë thuhet në Albumin 2, faqe 101, 102 e 104:
“Të gjitha andrallat që pati Noli gjatë administratës si udhëheqës spiritual i kishës i pësoi nga një pjesë e klerit të pabindur.
Zënka midis Nolit dhe ekonom At Kris Ellisit (nga fshati Hoçishti, fshat në Korçë) hyn në tjetër kategori, të cilin pa dhënë hollësira, Noli e pushoi nga puna.
Pothuajse të gjithë miqtë e Nolit morën anën e Ekonom Ellisit… Në përgjithësi shumica e klerikëve s’ka qenë kurrë i bindur karshi Nolit.
Në këtë rast shtoj, se Fan Noli nuk kishte kryer studimet për teologji, se u vetshpall peshkop dhe se me përkthimin e Rubahirave të Omar Khajamit provoi atë se ai nuk mund të ishte kurrë fetar.
Për këtë çështje, mund të sqarohemi edhe nga shtypi i kohës në ato vite, si gazeta Drita e Vërtetë, Skënderbeu, Albanian American Literary Society, libri i zotit Gjon McClain i vitit 1952 me titull: Albanin Expose.
Po ashtu, vetë kam shkruar në gazetën: The Christian Sience Monitor, në një debat me Fan Nolin dhe Gjon Mech Lain që nga 14 gush 1953, deri më 17 prill 1954.
Ju zotërinj studiues, mund t’i keni lexuar! Me këtë rast, po ju drejtohem vetë fjalëve të Nolit marrë nga Albumi 2, fq.77, ku thuhet: “Nëqoftë se emri im do të mbahet mend në të ardhmen mund të rronjë vetëm në fushën e letrave“.
Pra ky është edhe konkluzioni im për këtë çështje.
Së fundi, zotërinjve Viron Koka dhe Nasho Jorgaqi, ose shkrimeve të tyre ofenduese, po ju jap disa fakte, por të shoqëruara edhe me disa pyetje:
Veprat, Bethoveni dhe Revolucioni Francez, si dhe Skënderbeu, janë botuar në një njëjtin vit më 1947 në New York nga F. S. Noli dhe mbajnë emrin e tij.
Këto dy vepra i dhanë F. S. Nolit gradën e beçelarit (Bachelor’s Degree) dhe të Doktorit (Doctor’s Degree) më 1945, pra pas vdekjes së Faik Konicës.
Faik Konitza, ka vdekur me 15 dhjetor, 1952, në Washington. Biblioteka dhe shkrimet e Konitzës vajtën në depot e Ëashington D.C. kundrejt një pagese mujore dhe me interesimin e Fan S. Nolit e të Qerim Panaritit erdhën në kishën e shën Gjergjit, në Boston ku janë edhe sot.
Këto shkrime lexoheshin, sistemoheshin, nga bashkëkohësit Fan Noli dhe Qerim Panariti në atë kohë, por më vonë studioheshin nga studiues të specializuar të regjimit të Enver Hoxhës, regjim që nuk i përmend as emrin Faik Konitzës dhe jo më të botonte shkrimet e tij.
Bethoveni dhe Revolucioni Francez dhe veçanërisht, Skënderbeu, kanë një stil të ndryshëm nga shkrimet e mëparshme të F. S. Nolit, bile tek Skënderbeu, shohim që përmbajtja, mënyra e të shkruarit dhe shumë datime të ndryshojnë.
Ky ndryshim ndihet aq sa ndryshon “mbreti” në Skënderbeu i vitit 1921 nga “kryezoti” i Shqipërisë në Skënderbeu i vitit 1947.
Zotërinjve u kujtoj, se jam 18 më i vogël se Noli, sot jetoj akoma. Kam përfunduar gjimnazin para vitit 1920, kam studiuar dhe jam marrë me balet gjatë djalërisë time në Amerikë.
Kam qenë mik me të ndjerin Qerim Panariti, sekretar personal i F. S. Nolit, të cilit i kam qëndruar pranë për më shumë se 30 vjet.
Miqësia ime me Qerim Panaritin mbetet simbol i bashkimit shqiptar të sekteve myslimano kristiane; kultura dhe arti na bashkoin.
Përfundimisht po ju drejtohem me disa pyetje, se kështu do të mirrni një përgjigje më të saktë.
Përse nuk u botua Albumi 2 i Qerim Panaritit në Shqipëri ose të paktën përse nuk u ribotua!?
A mund të ketë njohës më të mirë se z. Qerim Panariti i biografisë së Fan Nolit?
Përse në Albumi 2, nuk përmendet grada e Doktorit (Ph.D.), apo ajo e Bahçellarit?
Nuk u gjenden dy rradhë në Albumin 2, që të shkruheshin dhe dy nga veprat më të rëndësishme si Skënderbeu dhe Bethoveni dhe Revolucioni Francez?
Mos vallë mendja e studiuar në Clark University në Wochester e Qerim Panaritit ja ka harruar këto dy vepra Fan S. Nolit?
Pse në Albumin 2, përmendet vetëm letra e shkrimtarit të famshëm Benard Show dhe pse cilësohet, që kjo letër është përkthyer nga vetë Fan S. Noli?
A mos vallë, pas vdekjes së Konitzës me 1942, nuk do të më mjaftonin tre deri në pesë vjetë për të përpunuar dy veprat dhe për të botuar ato, duke siguruar edhe titujt përkatës?
Me 1947 botohen dy libra nga i njëjti autor. Kjo është karakteristike e shkrimtarëve të veçantë, apo shfrytëzimit të gjërave të gatshme!?
Po Benard Show, mos nuk ka të drejtë kur thotë: “U gabuat në zanatin kur u dorëzuat klerik“?
Po, Qerim Panariti a mund të shkruante kundër Fan S. Nolit në atë kohë?
Kjo nuk mund të ndodhë kurrë, ndryshe humbiste gjithshka! Po e la amanet disa miqve të tij të vërtetën.
Kjo gjë më takon mua në gjyqin (e rekomanduar nga dr. Viron Koka) ta bëjë bashkë me Faik Konitzën në Forest Hills Cemetery pas vdekjes sime.
Peter L. Minnar, Firma, Quincy Mass.
Janar 1995″
Kjo ishte letra më e rëndësishme, si përgjigje drejtuar dy përfaqësuesve më të lartë të historisë komuniste prof. dr. Viron Koka dhe prof. dr. Nasho Jorgaqit, të botuar në librin e autorit Peter Minnar, me titull kuptimplotë: “Për Shqipërinë“, botuar në Boston 1995.
Le të gjykojë lexuesi më mirë, mbasi ende sot historiografia komuniste, që mbizotëron në të gjithë instancat e “shkencës” shqiptare shkruan dhe vulos në tekstet shkollore.
Të ndodhesh në kohën e duhur, në vendin e duhur
Gjatë jetës së tij ka pasur fat në jetë, një histori të pasur dhe një përvoje të mbushur me ngjarje, personalitete, senatorë, kongresmenë amerikanë, njerëz të thjeshtë e politikanë amerikanë.
Peter Minnar ka lindur në shekullin XIX, pra, i ngjarjes historike, kur Shqipëri ekzistonte ende pushtimi i natës së gjatë otomane dhe në pushtet ishte Sulltan Hamiti.
Nëna e babai i tij kanë lindur në qytetin e Korçës. Familja kishte një gjendje ekonomike të mirë dhe se në familje jetonin katër vetë, Peter, motra dhe nëna e babai.
Pas 20 vjetëve ai merr udhën e emigrimit në Amerikë, ndonëse nuk kishte nevojë ekonomike, mbasi ishte djalë i vetëm në familje.
Fati e hodhi në një shtet të zhvilluar. Pas disa viteve e kishte të vështirë që të rikthehet në Korçën e tij të dashur, mbasi Amerika e kishte bërë bir të saj.
Falë interesimit hyri një shkollë nate, ku mësonin edhe 18 korçarë të tjerë. Për fat të mirë, Peter-i i ri ishte i vetmi që dinte alfabetin latin. Atë e ndihmoi shumë edhe gjuha frënge dhe kultura e marrë në gjimnazin e Korçës.
Gjatë Luftës së Parë Botërore punoi si përkthyes (terxhuman) me disa tregtarë dhe mësoi shumë përvojë nga kontaktet me ushtarë francezë.
Më pas integrohet falë pasionit në një shkollë baleti, ku iu krijua mundësia të mësonte anglishten.
Shpesh është pyetur nga vetë amerikanët dhe pas viteve ’90 nga gazetarët dhe studiuesit, që hulumtojnë rreth jetës së tij, se duke qenë djalosh i pashëm, pse nuk u martua me një amerikane.
Ai gjithnjë me dashuri për shqiptarët, gjuhën dhe vajzat e bukura që ka Shqipëria është përgjigjur se: “Kjo është çudia e ime dhe jo vetëm e imja, por edhe shumë miqve të mi që më njihnin asokohe. Kur shkova në Amerikë si zura punë, vajta edhe në shkollë baleti dhe më pas formova një grup baleti me 5 vajza amerikane. Vetëm unë isha djalë. Dhamë shfaqje në shumë shtete të Amerikës. Ishin vajza të bukura, të pasura e megjithatë kur erdhi koha për t’u martuar zgjodha nga qyteti im i lindjes Korça”.
Gjatë viteve që qëndron në Amerikë, ka hulumtuar e skeduar për emigracionin shqiptar, duke gjurmuar në biblioteka dhe arkiva.
Ai ka mundur të zbulojë se shqiptarët e vjetër të vendosur në Amerikë para Luftës II Botërore, kanë qenë patriotë e kanë punuar për Shqipërinë.
Kështu Shoqëria më e vjetër e diasporës Federata Panshqiptare Vatra me Kryetar Faik Konicën, është historia e vërtetë e kësaj diaspore.
Peter kujton kontributin e tij në fushën e letrave, duke qenë i kujdesshëm në vlerësimin e tij për disa aspekte të tjera të aktivitetit si klerik etj.
Ai ishte një njeri i zgjuar dhe ka merita. Kur flitet për letrarin shkruan: “Ju vazhdimisht flisni për Fan Nolin. Bukur ishte njeri i zgjuar dhe ka meritat e tij. Por historinë e diasporës nuk e bëri një njeri. Noli ka bërë shumë të mira, po ka edhe gabime. Faik Konica e Shahin Kolonja u hapnin sytë shqiptarëve. Asokohe shqiptarët nuk dinin të lexonin shqip. Konica e Shahin Kolonja i mësuan të lexonin me anën e një korçari tjetër, Kristo Dakos, i cili udhëtonte në rrethinat e Bostonit, që t’i mësonte shqiptarët të këndonin shqip e anglisht“.
Djemtë shqiptarë e patriotë në emigracion mësonin bashkvëllezërit e një gjaku e gjuhë që të flisnin, të shkruanin e lexonin gjuhën e të parëve të tyre.
Kështu p.sh. Kristo Dako foli për çështjen shqiptare me filantropistin e dëgjuar amerikan Charles Grey, i cili ishte mik i presidentit të dëgjuar amerikan Ëilson.
Ishte Grey, që i mbushi mendjen presidentit Wilson për të ndihmuar Shqipërinë, mbasi asokohe Evropa ishte progrekëve e prosllavë e prosllavëve në drejtim të çështjes shqiptare.
Për rolin e filantropistit amerikan, mund të mësojmë shumë po të lexojmë artikullin e Faik Konicës botuar tek Dielli, më 1921.
Aktivisti e atdhetari Peter Minnar, ka dokumenta të shkruara në shtypin e kohës, të cilat i ruan me fanatizëm si vlera atdhetare e kulture se asnjëherë nuk janë cituar. Asnjë kronist i ndonjë gazete të komunitetit amerikano shqiptar në New York, nuk ka shkuar për ta takuar në Boston.
Ai shkruan për intelektualin e mirënjohur Kristo Kirka, Kryetarin e Shoqatës kuptimplote Besa – Besë një nga figurat më të shquara korçare.
I tillë është atdhetari Eftim Naçi, ku vëllai i tij hapi të parën shkollë shqipe, por që nga historia komuniste është lënë në harresë. Me qetësinë që e karakterizon nënvizon: “E megjithatë për këta patriotë është folur fare pak. Ku e kemi Themistokli Gërmenjin? E dini si vdiq T. Gërmenji? Kini edhe një statujë të tij në Korçë. Ku e kini Bellkamenin, Tromarën? Natyrisht historia ju shfajëson disi pasi në kohën e Enver Hoxhës nuk e zije dot në gojë emrin e Faik Konicës dhe të patriotëve të tjerë…”
Peshkopi i kuq
Peshkop Noli, ishte i paaftë në politikë. Ai humbi të gjitha betejat politike, sidomos ndaj mbretit Ahmet Zogut, duke mos mundur të qëndroj më shumë se gjashtë muaj në pushtet, për shkak se anonte nga politikat e ekstremit të majtë bolshevik rus. Ai bëri që Parlamenti I Shqipërisë të mbante një minut zi për ngordhjen e kriminelit Vladimir Ilic Lenin etj.
Bashkëkohësit e tij tregojnë se gjatë protestave të rrëzimit të tij nga pushtetit në dhjetor të vitit 1924, ai ishte duke luajtur muzikë klasike me piano.
Mangësitë e tij në politikë, Peshkopi i Kuq, (siç njihej Noli), i ka grumbulluar në një autokritikë të shkurtër, të cilën e ka qajtur “Mosuksesi im në politikë”, si: I pafuqishëm për t’i imponuar njerëzit; Pazotësia për intriga; Lojalitet absurd përballë njerëzve të zgjuar dhe të mprehtë si Faik Konica etj.; Tepër fetar në një vend të pa fe; Ishte shumë letrar në një vend që s’këndon etj.