18/11/2024

ZVETNIMI I NJȄ DASHURIE TȄ HESHTUR

0

– Rreth librit të poetit Gjon Marku “Dritë e syve të mi” – poezi 2023 –

NGA VLASH PRENDI

Vepra letrare më e fundit e poetit Gjon Marku “Dritë e syve të mi”, e cila sapo ka dale nga shtypi, e ka origjinën në shpërthimin krijues të autorit edhe në fushën e poezisë. E kam njohur Gjonin si studiues, si prozator, si publicist, por si poet ai del për here të pare për lexuesin. Libri në fjalë, është projektuar mbi një tufë vjershash të bukura, të cilat poeti duket se i ka ruajtur brënda vetes për të shpërthyer në një moment të caktuar dhe pse jo, për të hyrë me dinitet në radhën e poetëve të njohur të vendit. Ky vëllim me poezi, lindi në një kohë kur numri i poetëve po rritet dita ditës dhe diferencën e arritjeve poetike, në të ardhmen do ta bëjë cilësia dhe pikërisht këtu, poeti Gjon, mendoj se ja ka arritur qëllimit. Herë pashere poeti ka publikuar ndonjë krijim poetic në rrjetet sociale, por nuk kam menduar se ambicia e tij do të shkonte aq larg, për arsye se ai ka botuar rreth 18 vepra të fushës së studimit, prozës, publicistikës dhe esesë, duke qënë një krijues universal në fushën e letersisë.

Në këtë vëllim me poezi, autori është përpjekur të trajtojë tema të ndryshme, duke u dhënë vargjeve larmi ngjyrash, larmi figurash dhe vlerash emocionale, sepse tema qëndrore e poezive të tij është tema e dashurisë, sepse dashuria për poetin bëhet përmbajtja e jetës, vlera e saj e vetme. Ky qëndrim artistik ndaj vetes dhe botës që na rrethon u jep një tingull emocional të veçantë teksteve të poezive të Gjon Markut. Duhet theksuar se nuancat e reja të ndjenjës që autori arriti të zbulojë në trajtimin e temës së dashurisë, duke i mishëruar ato në një mënyrë kocize dhe të thjeshtë, fisnike dhe pasionante, formë kjo individuale e individit në ditët e sotme, shoqërohen me një qasje të vërtetë, me përjetime individuale moderne dhe realiste ndaj kësaj teme, aq të trajtuar në ditët tona. Shumë poetë në ditët tona e kanë trajtuar temën e dashurisë, duke eksperimentuar këndvështrime të ndryshme, duke patur parasyshë si fenomen emocional, ndërsa autori perms këtyre poezive sjell edhe diçka të re, e trajton dashurinë si vlerë emocionale njerzore, por edhe si faktor zhgënjyes në jetën e përditëshme. Poezitë e tij të ngjallin respekt për autorin, për qetësinë e trajtimit, madje edhe intonacionet dhe imazhet e thella që përdot, duke treguar se një dashuri e humbur, meriton të harrohet dhe jo të urrehet.

Tekstet e e poezive të dashurisë së Gjon Markut dallohen nga psikologjia e thellë dhe ndjenjat e trazuara të individit. Poeti i kushton vëmendje shumë detajeve për të treguar konfuzionin  emocional të personazhi. Në poezinë “Ikje”, autori shprehet: “Le pas siluetën tënde brenda meje, / Të gjitha të tjerat i more, / Pritja më gërryen ndër deje, / Ngadalë si një vemje mole. / I more të gjitha në ikjen tënde, / Puthjen e nxehtë dhe sekretin e shpirtit tim, / Të gjitha si tingujt e një kënge, / Brenda meje le vetmi e shkretim…”. Në shpirtin e poetit, pranvera e bukur e dashurisë, kthehet në një dimër të egër dhe pakthim dhe kjo ndjenjë e trazuar, rritet ngadalë nga poezia në poezi. Ai njihet për poezinë e tij thellësisht emocionale, madje edhe shumë moderne njëkohësisht. Duket se ka qenë vetë natyra e qytetit të Mirditës që e ka thelluar më tepër lirizmin e tij, por edhe dashuria për nënën, babain, dy fëmijët, për njeriun, për natyrën.  Për dashurinë, njeriun dhe natyrën nuk lodhet së shkruari poeti dhe asnjëherë nuk do t’i tretej ndjenja e të shprehurit, frymëzimi, sepse ishte i dashuruar me vendlindjen e tij, me natyrën, me prindërit, me njeriun dhe nga e bukura padyshim që  poeti Gjon Marku ndihej i frymëzuar në çdo çast. Stili i thjeshtë që përdor autori në të shprehurit poetik, dallohet nga vetëpërmbajtja, mungesa e detajeve të hollësishme, por duke përdorur me kujdes metaforat, krahasimet. Epitetet dhe shpesh edhe alegorinë. Me rendësi të vacantë për poetin është edhe orientimi në të folurit bisedorë, që u jep vargjeve thjeshtësi dhe sinqeritet. Poeti në poezitë e stij i përmbahet parimit të thjeshtësisë, qartësisë, konkretizimit të detajeve artistike dhe poetike, ku në shumë krijime poetike ai  përdor mjaft stilizime folklorike dhe shprehje të bukura popullore veshur me ndjesi të bukura poetike.

Dhe ëndrra shpesh bëhet realitet. Dashuria lind, e ngroh shpirtin njerzorë, por ka raste  që dashuria ideale dalëngadalë kthehet në dashuri platonike dhe më tej në dhimbje. Poeti i përshkruan artistikisht këto moment të zymta, sepse kërkon të jetë sa më real, sa më i vërtetë, prandaj shprehet: “…Shoh rreth meje, s’kam askënd, / Veç mallë e dhembje këtu me mua, / Vuaj plagën e një ndjenje pa vend, / E brengën e një ëndërre që u shua. / Një ëndërr që kurrë s’u bë e vërtetë, / E në zemër ma vrau ndjenjën që pata, / Dhembja rrugën dashurisë ja pret, / E dita bëhet më e zezë se nata”. E reja që na sjell autori perms këtyre poezive është se poeti nuk e dënon njenjën e bukur të dashurisë, por fatin e trishtë që e ndjek njeriun kur dashuria zbehet, por nga ana tjetër, një grua bëhet objekt i ndjenjës poetike, njëherit edhe heroinë lirike në poezi. Në këtë rast, thelbi i dashurisë sipas poetit është dramatik, sepse ndodh rëndom që në vetë natyrën e dashurisë, ekziston fenomeni i paarritshmërisë së lumturisë universale, i qëndrueshmërisë stabile, i harmonisë njerëzore dhe reciprocitetit në çift. Dramatike në këtë rast, sipas poetit Marku, nuk është vetëm dashuria e venitur, por edhe lumturia e perenduar. Analiza e kësaj gjendje përshkruhet në poezië “Të kërkoj”: “…Dhe dhimbja hodhi rrënjë tek unë, / Ndërsa ti ike si një ditë e vrenjtur, / I prishe dhe ëndrrat e mia në gjumë, / E mua s’më ikën dhimbja e mekur. / Buzëmbrëmje nëpër muzg ra një shi, / Një shi i prajshëm vetëm pak, / Më shumë ma shtoi këtë zymtësi, / E shpresa ime kishte ikur larg. / Dhimbjen mundohem ta largoj, / Që shpirti të më jetë i qetë, / Po trishtimi shpejt më kapëloj, / E vetmia brenda meje merr jetë”. Kuptohet qartë se në peripecitë dhe zig zaket e dramës, dashuria metaforizohet nga një rrjet i dendur shprehjesh artistike në formë interpretimesh letrare, shpesh edhe kontradiktore si: dashuri e parë – ftohtë me acar, zemra rreh nga pak – ike pa shkak, ndjenjave lënë pas – në vetmi pa gaz, gjembje këtu me mua – një ëndër qe u shua, vrau ëndrën që e pata – më e zezë se nata, një ditë e vrenjtur – një dhimbje e mekur etj, e këto ndjenja të trishta shoqërohen nga dinamika jetësore e gjendjeve heterogjene të personalitetit që veprojnë tek individi si: stresi, ankthi, harresa, dhimbja, e shpesh duke u ushqyer nga një passion negative në përditshmëri ajo natyralizon lëvizje të tjera të forta të shpirtit njerzorë që fillojnë nga pakënaqësia, xhelozia, tradhtia, ndarja. Në krijimtarinë artistike të kësaj teme, konstatohet se në shpirtin e poetit, jeton vazhdimisht një ëndërr e zjarrtë, siç e pasqyron poeti perms vargjeve: “Ajo vjen prej qiellit / Atë dritë të zbehtë, / Që vjen tek unë e ndrit / E hedhin lehtë lehtë, / Sikur më thonë, prit. / Një zë brenda meje / Më thotë pse rri heshtur, / Në këtë çast vetmie / Yjet ndrinë pa pritur / Shpresën kërkoj ndër yje”, siç shihet poeti Marku është kërkues i një dashurie të vërtetë, pa komplekse, që në të vërtetë duket se është një ndjenjë e frikshme, e fuqishme, njerzore, e pastër dhe jetësore.

Aspekte të kundërta të vetëdijes së poetit Gjon Marku personifikohen në tipe te ndryshme poezishë, ku zbërshen artistikisht tema të ndryshme. Kur lexon me vemendje krijimtarinë poetike të Gjon Markut, të krijohet bindja se në disa poezi kemi para nesh një përfaqësues të bohemisë letrare dhe artistike, në disa të tjera një poet që lëviz lirshëm në fushën e vet të krijimtarisë. Porn jë nga dukuritë karakteristike të jetës letrare të autorit është edhe trajtimit të subjekteve me karakter familjar, të cilat e ngacmojnë ndërgjegjen e autorit. Kështu a ii kushton poezi nënës, babait, gjyshit, djalit, vajzës etj. Këto krijime paraqesin interes sepse krijojnë përfytyrime të reja në lëmin e marredënieve shoqërore dhe njerzore. Ja si shprehet autori: Heshtjen shtrydh të gjej / Një grimcë nga përkëdhelia jote, / Ta marr e në mes të zemrës ta vë / Të shuaj mallin në qerpikun që përlote. / Ta rrëmbej, të shuaj etjen, vetminë ta heq / Me buzagazin tënd që më çmend, / E dorën tënde që flokët të më prekë / Po më mungojnë e s’më lënë të zë vend. / Vetja më duket si zog pa flatra / Dhembja mes mallit më ndizet, / Nënë, mërmëris tek vatra  / Diçka më këputet në shpirt e fiket…”. Këtu autori shpreh mallin e pashuar për nënën, atë fisnike mirditore që lindi dhe rriti edhe këtë krijues të njohur të letersisë sonë. Të njëjtën linjë ndjek autori edhe tek vjersha “Te varri i prindërve të mi”, përmes së cilës poeti transmeton tek lexuesi mallin e pashuar, ndjenjat dhe emocionet që e kapjonë vazhdimisht nga mungesa e tyre: Një tufë me lule vura / Te varri i babës e i nanës / Në shpirt diçka sikur m’u këput / E m’u zhduk. / U ula në gjunjë t’i lutem Zotit / Yjeve e hanës, / Një fjalë më dërgoni / Ju lutem! / Së paku m’u shfaqni / Në ëndërr, / Kam mallë, dua t’ju puth…”. Shkruan autori për dy fëmijët e tij, të cilëve jo vetëm kërkon t’u jape këshilla prindërote, por dëshiron t’u urojë rrugë të të mbarë në jetë. Janë fjalë të thjeshta që burojnë natyrshëm nga zemra e poetit: “Atëhere kur të mos jem në këtë jetë / Mos pyesni sa prej jush u lëndova, / Koha nuk ndalet po ecën e nuk prêt / Mos pyesni si vdiqa, po pyesni si jetova? / Jam sulmuar nga egërsia që s’më tundi / Jetova me nder e punova si një bletë, / Vjen një ditë e çdo gjëje i vjen fundi / Po njolla s’u lashë, ju në këtë jetë. / Kur dita e vdekjes të mbërrijë / E një zë qyqje të qajë buzë varrit, / Oshëtimë e zemrës së plasur të vijë / Ju mos ndaloni, vazhdoni rrugën e fatit”. Duket qartë se ndjenja e dasurisë për fëmijët nuk është e lehtë dhe as kalimtare, por e fortë, reale në brendinë e saj dhe e nevojshme.

Edhe realiteti i sotëm dhe ngjarjet e rendësishme që shtroi koha kanë tërhequr vemendjen e poetit, prandaj një numër i konsiderueshëm poezishë autori ia kushton fenomeneve të ndryshme që ndodhin në përditshmëri. Ja si shprehet poeti: ” Të parët e lanë ndër libra të vjetër / Shkruajtën e thanë more fatzi, / Fjalët s’bëjnë mort e s’ka fjalë tjetër / Sot vret fjala e padrejtë që mbjell zi. / Atëhere kur çelin lulet si gjak  / Ndër kulla merr jetë dhimbja që nuk sos, / Qyqet që vajin se ndalin aspak / Ç’vlen shfajsimi, përulja, lutja me lot? / Ku shkoi fjalë e mirë, e ëmbël, e dlirë / Ç’po ndodh kështu, thyhet buka pa u nda ara,  / Zot mëshirpasosurit, i lutem për mëshirë / Dikur vriste plumbi, sot vret fjala..”. Tema të tilla kanë më tepër karakter njohës, por edhe edukativ e shoqërorë. Në fakt, poeti Marku e hedh vështrimin në një horizont të gjërë interesash poetike dhe preokupimesh kombëtare dhe gjën frymëzimpikërisht në aspekte të ndryshme të jetës shoqërore. Ai shkruan me krenari për flamurin, për Kosovën martire dhe bijtë e saj, për vendlindjen e tij, Mirditën etj. Dhe krenaria është e ligjshme, si tek poezia “Klithmë shqiponje”: “Ngjitet majës së vetmuar një shqiponjë / Ndërsa korbat pushojnë në qarret e vjetër, / A thua kishte rënë zjarri në Trojë / Apo ndër varre s’u lënë të qetë ju etër? / Kur muzgu gjakoset përulen perenditë / Në qiellë përflaken retë në jug e veri, / Djemtë ngjeshin armët t’i dalin zot atdheut / Klithmë e saj dëgjohet në Kosovë, e në Çamëri”, në këtë aspekt poeti kërkon të hyjë thellë në proceset historike të vendit tone.

Poeti jeton me kohën dhe ndjek me interes ngjarjet dhe proceset e sotme, dëshiron të thotë artistikisht fjalën e tij për gjithçka që e shqetëson, ka një interesim letrar për fatet e njerzimit, prandaj shpërthen në vargje,ku ilustron më së miri gjykimin e tij, siçshprehet në poezinë “Kosovë”: “Paj Kosovë, je palca eme e dhimbjes që s’ka cak / Tek ti ze fillë një dhembje që nuk sos, Bash atëhere kur qelin lulet si gjak / Dëgjohen thirrje të thella nëne plot lot. / Krrokamë e korbave turrej të të bënte hi / Maskrat, vuajtjet për habi të botës, / Po bijtë e tu si lisa, rendën si duhi / Furtun shpërndan gjer në palcë të tokës…”. Kështu poeti është i bindur se proceset e mëdha politike dhe lufta për liri janë kusht i domosdoshëm që popujt të jetojnë në paqë. Përmes vargjeve poetike autori synon të ngre lart edhe disa figura të shquara të kombit tone, të cilat synuan që vendi ynë të njihej në arenën ndërkombëtare si vendi i shqiponjave. Ai shkruan për Nënë Terezën, humanisten e madhe, për luftëtarin e madh që dha jetën për çështjen kombëtare shqiptare Adem Jashari, për aktoren e madhe Leze Spaçi, këngëtarin e shquar, mjeshtrin e jareve shkodrane Bik Ndoja, figura që e ngritën më lart emrin e tokës sonë arbërore. Emocionuese është vjersha për Nënë Terezën, për të cilën autori ka shkruar edhe here të tjera, ku pasqyron rolin e saj humanist dhe dashurinë që kishte ajo për atdhun: “…Nënë Tereza e kësaj bote / Ma e bekuemja bija jote, / Brigje, lugje, hije e mrize / Krejt të tana sot i ndrite.  / Në çdo fjalë që zemra të thurë / Në çdo shkrep, e në çdo gurë / Sjell bekim e krenari  / Në çdo votër, shpi për shpi. / Nanë Terezë shpresë sjell ndër ne / Siç sjell dielli ditën e re, / Kudo janë në botën mbarë  / Ban krenar Ti çdo shqiptar. / Sa her’ lind dielli n’këto male / Paç bekim moj bijë shqiptare, / E sa her’ të rrahu zemra ty / Në shekuj t’rrojn trojet arbnore”. Pikërisht këtu, atori duket se ka ndikim nga krijimtaria popullore, sepse vjersha më shumë i ngja një kënge se san jë poezie.

Vëllimi i pare me poezi i krijuesit shumëdimensional Gjon Marku, “Dritë e syve të mi” tregon se poeti po arrin lartësi të reja në gjininë e poezisë, në përvijimin e zbulimin e plotë të vetvetes në fushën e krijimtarisë dhe në përsosjen e mjeshtërisë artistike në gjini të ndryshme të krijimtarisë letrare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok