19/04/2024

Zoti Haradinaj, kalo nga Aleksandri i Beogradit, që të bëhesh president i Shqipërisë!

0

Nga Enver Bytyçi

Ramush Haradinaj u takua ditët e fundit me Edi Ramën. Ishte takimi i katërt përmbyllës i opozitarëve të Kosovës me kryeministrin e Shqipërisë, pas atij të Memli Krasniqit, Enver Hoxhajt dhe Lumir Abdixhikut. Duket qartë se zoti Rama po luan një lojë nga më të ndyrat, që vetëm ai di ta luajë me opozitarët kosovarë. Me siguri pasi ka parë se mazhorancën nuk e përçan dot! Ndërsa dje Rambon e priti edhe mashtruesi ekselent, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Para shumë vitesh, kur Haradinaj u kthye nga Haga e zbriti në aeroportin e Prishtinës, deklaroi se donte vendin e kryeministrit të Kosovës. Por kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, i rezervoi një ndenjë “të këndshme” në Francë. Tani Ramushi u shfaq në Tiranë me kërkesën për t’u bërë president i Shqipërisë, edhe pse në kushtetutën e vendit thuhet se ai që zgjidhet president nuk mjafton të ketë shtetësi shqiptare. Do të duhet të ketë jetuar në Shqipëri, pesë apo dhjetë vite, kusht të cilin Ramushi nuk e plotëson.

Kjo sjellje e ish-kryeministrit të Kosovës shkon ndesh me qëndrimet e tij të viteve 2018-2020 për mbrojtjen e territorit të Kosovës dhe mosndryshimin e kufijve midis saj me Serbinë. Në fakt ndryshimi i Haradinajt ndodhi në vitin 2020, kur u rrëzua qeveria Kurti 1 dhe po formohej qeveria Hoti. Atëherë ai, së bashku me Hashimin, i shkuan në një të natës në shtëpi një deputeti të AAK-së për ta bindur që të votonte zotin Hoti. Ndërsa një vit më parë i thoshte Thaçit se “Do t’i ruajmë kufijtë (Kosovën) prej teje, Hashim”!

E njëjta metamorfozë ka ndodhur edhe me raportet e tij me Edi Ramën. Nga grindjet me fyerje e sharje ekstreme për shkak të ndryshimit të kufijve në favor të Serbisë, tezë të cilën e mbronte kryeministri i Shqipërisë, ja ku jemi, te përqafimet dhe kërkesa për t’u bërë president i Shqipërisë. Historia e marrëdhënieve midis Ramës dhe Ramushit është histori konflikti për shkak të bashkëpunimit të kreut të ekzekutivit shqiptar me presidentin e Serbisë, Vuçiq dhe ish-presidentin të Kosovës, Thaçi. Për këtë shkak në librin tim, “Kosova e rrezikuar nga Serbia e Madhe”, i kam dhënë ish-kryeministrit kosovar një vend të veçantë. Ndërsa sot, ndonëse nuk ka ndryshuar asgjë në këtë pikë, Ramushi iu bashkua kryeministrit të Shqipërisë dhe opsioneve të tij për bashëkupimin me Serbinë dhe izolimin e zhbërjen e Kosovës. Pse dhe si ndodhi kjo?

Duket qartë se Ramush Haradinaj nuk ka dhe nuk respekton qëndrime. Krijimi i një psikoze, sipas së cilës ai “është burrë i fjalës”, nuk qëndron si karakteristikë e tij. Për mendimin tim ish-kryeministri Haradinaj qëndron midis dëshirës për të qenë atdhetar e patriot dhe tundimit për të shkelë mbi parime të tilla për shkak të interesave personale. Kalkulimet e tij si “patriot” e “atdhetar” më rezultojnë si përpjekje abuzive për të “pushtuar” një kala elektorale. Megjithëse e shfrytëzoi këtë mundësi “të artë” për të në debatin e madh të ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve, ai nuk arriti që të ngrihet elektoralisht në zgjedhjet e përgjithshme ose ato lokale.

Ndaj dhe kompromiset e tij të sotme me autorin e ngatërresës për kufijtë dhe ndarjen e Kosovës, zotin Rama, i shoh si efekt i zhgënjimit të tij elektoral. Kjo do të thotë se edhe patriotizmin ai e luan si poker, për të fituar elektorat, ose pushtet pa elektorat. Ndërsa pushtetin e përdor për të vënë pasuri! Në këtë pikë ai i ngjan partnerit të ri e ndoshta të vjetër, kryeministrit të Shqipërisë. Megjithatë është iluzion të besosh se Edi Rama nuk vazhdon të tallet me gatishmërinë e Ramushit për t’u bërë president i Shqipërisë, sado që Edi do të donte për njëmijë arsye të zgjidhte një emër nga Kosova për këtë post. Më së shumti që të vijonte izolimi I shtetit të Kosovës, të mos kishte njohje të reja dhe të zhbëhej ky shtet! Sepse me një president nga Kosova për Shqipërinë, Serbia do të kishte lëndën e parë për ta bind botën se “Shqipëria e Kosova do bashkohen”, ndaj dhe njohja e saj afat-shkurtër do të ishte e panevojshme!

Ramushi duhet ta dijë se nëse dikush është tallur njëherë me të, kjo do të ndodhë gjithë jetën! Duhet të kuptojë se derisa Rama dëshiron që presidentin ta nxjerrë nga hunda e vet, hunda e tij nuk e nxe Ramush Haradinajn. Posti i presidentit do të rezervohet për dikë që i shërben interesave të Edi Ramës e njëkohësisht interesave të Aleksandër Vuçiq. Çdo lëvizje në këtë drejtim ka e do të ketë miratimin dhe bekimin e Beogradit!

Nëse Ramushi vërtet do të dojë të bëhet presidenti i Shqipërisë së Edi Ramës, atëherë duhet të kalojë nga Aleksandri i Beogradit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok