09/12/2024

ZHBIRIMET E SË KALUARËS PËRMES NJË VEPRE LETRARE

0
Mehmetali-Rexhepi-Lekura

“Nga perceptimet e ndjeshmërisë lind aftësia e kujtesës”, thotë Aristoteli.

Nga Arsim HALILI

Letërsia shqipe ka qenë dhe është një histori e tërë e ndërlikuar dhe e mbingarkuar gjakimesh për të ruajtur gjuhën, njësinë kombëtare, njeriun shqiptar, për të medituar mbi realitetin, për t’i shërbyer ideologjive, por edhe për të ndërtuar gjuhën në bazë të konvecave që ia ka atribuuar koha. E nisa këtë analizë kështu, duke qenë se edhe vet autori Mehmetali Rexhepi, që sot përurojmë njërën nga veprat e tij, në peshën e kohës ka bartur këtë gjakim, pa dyshim konvergon me atë hapësirë ku pretendohet të zhbirohet psikologjia sa faktike, po aq abstrakte e personazheve sizifian, që koha i trajtoi si rrjedhë e ndërlikuar e ideologjisë utopiste.

SI TA LEXOJMË ROMANIN “ LËKURA E GURIT “ TË MEHMETALI REXHEPIT?

Kur lexojmë vepra letrare narrative të periudhave të ndryshme, shohim që struktura e veprës letrare nuk është gjithmonë e njëjtë. Ajo ka një zhvillim për gjatë gjithë kohës. Duhet thënë se romancierët e hershëm e kanë ruajtur një strukturë të gjatë në veprat e tyre, respektivisht strukturën epike. Mbi leximin e romanit “Lëkura e gurit“ të Mehmetali Rexhepit, do të mbështesësh tri parime të njohura retorike-stilistike: Euresis, Taksis dhe Lexis. Natyrisht do të shihet a ka pikë takime apo shmangie të këtyre parimeve? Secila vepër narrative mbështet në dy koncepte themelore teorike storje (përshkrimi) dhe diskursi. Duhet thënë që në krye të herës, kjo vepër pjesën më të madhe është e mbështetur në konceptin e parë, në storie, me ose pa qëllim autori targeton përshkrimin e situatave në vetën e parë më shumë se sa dialogun, më shumë se konfliktin mes personazheve, ndonëse përjashtohet si i tillë. Nuk bënë zhvendosje të narratorit në vetën e tretë, e as nuk e bartë zërin e tij përmes narratorit aktor-personazh. Romani i Mehmetali Rexhepit ka unitet të brendshëm për faktin se përdor teknikë të shkrimit, që në këtë rast, këtë teknikë e bënë ligjërimi modern i konfiguruar me imazhe surrealiste. Ajo që karakterizohet në romanin “Lëkura e gurit” pa dyshim është edhe çmitizimi i realiteteve të gënjeshtra, që ndërtoi sistemi i kaluar në dëm të shqiptarëve e, që për fat të keq edhe vet shkrimtari e jetoi  dhe e përjetoi, madje e pagoi me  çmim penalizues, sepse nuk e pranoi të ndihet komod në këtë  realitet të gënjeshtërt.  Një gjë duhet pranuar se gjatë leximit të romanit pa dyshim se ndodhemi para  dilemave apo alternimit  të  ndërlikuar kronotopik, si kategori  estetike  të  zhvendosjeve  në kohë dhe hapësirë.

Le t’i referohemi për pak çaste parimit retorik Taksisit brenda romanit në fjalë. Bota narrative në romanin “ Lëkura e gurit “ përbëhet në pjesën më të madhe nga ngjarje reale, le t’i quajmë më shumë ideologjike se sa politikë. Si të tilla personazhet herë të kamufluar me emra tjerë e, herë me emra të vërtetë janë prototipa të një rëndësie të veçantë. Rrëfimi kontrollohet nga narratori intradigjetik, kryen një funksion sa narrativ edhe bartë peshën e një personazhi aktiv brenda vetë stories. Gjatë leximit të romanit mund të konstatohet edhe fakti në shumicën e veprave letrare, respektivisht të prozës së gjatë ruhet ekuivalenca zinxhirore, në këtë rast, te ky roman mbase nuk ruhet kjo ekuivalencë hallkash zinxhirorë.

Në romanin “Lëkura e gurit“ funksioni retorik i Leksisit gjen zbatim thuajse fund e krye, me që ky parim estetik-retorik ka për objektiv zbukurimin me figuracione stilistike, duket  se autori  Mehmetali Rexhepi  ia mbarështron vetës këtë detyrë në procesin e zbukurimit të tekstit. Këtë gjë më së miri e vërejmë në disa paragrafë ku është ndërfutur bukur mirë elementi filozofik, si dhe prania më e madhe e vet zbukurimit të tekstit poetik. Me një organizim funksional në vepër, autori Rexhepi ndjek me kompetencë diskursin e Derridës  mbi  teoritë e brikolazhit, ku në tekst  ndërfut me qëllim  elemente  citatesh  apo brikolazhi, si: “Çorba e lirë t’i djegë buzët,”  fjalë e urtë popullore ose  parulla e njohur: “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë “; mandej kemi edhe poezinë  e Naim Frashërit: “Jak  o dritë e  uruar,/ që lind nga  perëndon /Atë  anë   e ke ndritur / e ne pse na harron.“

Duke ditur mirëfilli nga teoritë  narrative se dallojmë  disa lloje personazhesh, më saktësisht: tre tipa të tillë: personazhet pasive, personazhet  dinamike  dhe personazhet stereotipe, konsideroj  se  në romanin “Lëkura e gurit” të Mehemetali Rexhepit, mbase  ky përqendron  në lojë  kryesisht personazhet e llojit të dytë, respektivisht  personazhet  dinamike, në këtë rast vërehet edhe  dinamika  e  vet autorit personazh  në  roman. Personazhi nga fillimi  dhe në rrjedha të ngjarjeve vjen duke u plotësuar, duke ndryshuar karakter  dhe duke krijuar botëkuptime  të  reja,  në këtë  rast  jo vetëm ai, si mbartës  protagonist  edhe  i rrëfimit,  por edhe dinamikës së përshkrimit, por edhe te personazhet  tjerë kemi  një lloj të tillë  dinamike. Këtu nuk përjashtohen edhe personazhet e llojit apo tipi i personazheve stereotipe, personazhe që në karakterin e tyre kanë reprezentim bardhë e zi, thjesht pa dinamikë, mund të jenë kriminelë  ose policë. Te romani në fjalë kemi kryesisht policë, por edhe hetuesit, prokurorë etj.

Krejt në fund, duhet thënë se si shumë shkrimtarë tjerë edhe Mehmetali Rexhepi, shkruan për ndjesinë e së kaluarës, mbase shkrimtarët pozicionohen ose në të kaluarën më të largët, madje në distancë kohore shekullore. Sigurisht se autori zgjodhi një kohë dhe hapësirë veprimi tjetër, atë të së kaluarës së afërt, madje deri në ditët e sotme.

*Fjalë e lexuar në përurimin e romanit të Mehmetali Rexhepit “LËKURA E GURIT,” në veprimtarinë kulturore “VJESHTA LETRARE E GJILANIT”

Gjilan, më 26 tetor 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok