09/12/2024

MITINGU I POEZISË NË GJAKOVË – NJË 60 VJETOR KURORËZUES

0
Mitingu-Poezise-Gjakove1

NGA QAZIM SHEHU

Mitingu i Poezisë në Gjakovë është një aktivitet i vjetër poetik, i zhvilluar me nismën e një grupi poetësh dhe të  korifeut të poezisë shqipe, Din Mehmeti.Që atëherë e deri më sot, ai nuk është ndërprerë kurrë dhe, nga viti në vit, ka shpalosur  vlerat e letërsisë shqipe nga të gjitha trojet shqiptare, duke e shndërruar kështu jo vetëm Mitingun, por krejt qytetin emblematik të Gjakovës në një vatër të ngrohtë poezie. Në Miting kanë debutuar dhe janë vlerësuar poetë shqiptarë me emër  gjer te talentet e reja, poetë të huaj nga shtete të ndryshme të Evropës, Amerikës dhe, me profesionalizëm, janë dhënë vlerësime nga juri kompetente, jashtë çdo ndikimi.

Poezia lind në kohë të vështira, ndërsa proza u pret kohëve të  qeta.Kosova kaloi një kohë të vështirë nën okupimin serb dhe poetët prijetarë të saj: Esad Mekuli, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Enver Gjergjeku, i kënduan pa ndërprerje lirisë, shpirtit të populli i dhanë  guxim, ashtu siç u trimëruan në vargje nga ky shpirt  që lartësohej përditë nga aktet e qëndresës së pashembullt.

Mitingu u zhvillua në kohë të vështira kur organizatorëve dhe pjesëmarrësve nuk u jepnin salla dhe ata dilnin në shesh për të recituar poezitë, kur në shesh u fiknin dritat, afroheshin qytetarët  dhe me dritat e makinave të tyre ndriçonin sheshin e kështu gjithnjë, të papërkulur, duke mbajtur gjallë poezinë, sepse poezia transmeton dhe trimëron shpirtin, ajo afron ëndrrën e lirisë me vargje që kumbojnë  nga vlimi etnik.

Me ardhjen e kohërave të reja, kur Kosova u çlirua, shumë asosacione letrare u shkrinë, u krijuan të reja, që funksionuan dhe organizuan veprimtari, por Mitingu nuk u shkri dhe ai mbeti i ri, edhe pse sot në këtë nëntor është 60 vjeç. Kjo se ai lindi i shëndetshëm, gjatë rrugës krijoi traditë, u modernizua dhe përcolli vlera, të cilat u konfirmuan në këtë Miting profesionalisht, dhe kjo të gëzon.

Ai nuk u shkri siç ndodhi gabimisht për hir të një mode letrare me shumë asosacione letrare, sepse atë e krijuan njerëz të mëdhenj të artit  dhe gjatë rrugëtimit të tij historik e mbajtën të ri, të freskët, modern dhe  i dhanë autoritet.

Të gëzon fakti se këtë traditë  nuk e lanë të shuhej  dhe të hynte shpejt në kujtesën arkivore, personalitete të artit në Gjakovë, siç është Muharrem Kurti-poet, romancier dhe kryetar i Klubit Letrar”Gjon Nikollë Kazazi”, Engjëll Berisha-bashkorganizator, -poet dhe studiues, dhe shumë të tjerë, bashkëpunëtorë të tyre.

Muharrem Kurti, kryetar i Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, duke dhënë informacione të rëndësishme për të gjitha fazat e mbajtjes së këtij manifestimi, më tej  shton se” kujtojmë këtu, pjesëmarrjen në Miting të Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Xhevahir Spahiut, Visar Zhitit, Natasha Lakos, Fatos Kongolit, Zija Çelës e shumë e shumë të tjerëve, edhe kur ndërmjet nesh kishte kufij hermetikë e ndarës deri në qiell. Pra, Mitingu i Poezisë e shpërtheu kufirin shqiptaro-shqiptar me festën poetike në Gjakovë”.

Mitingu nis me një javë përurime veprash letrare nga më të zgjedhurat.Vijnë enkas nga mërgimi poetë dhe shkrimtarë për të marrë pjesë në këto ditë festive dhe angazhuese e serioze, vijnë nga qytete të tjera të Kosovës të ftuar e të paftuar, njerëz dashamirës të artit të poezisë.Këto ditë  janë analiza të mirëfillte të artit të fjalës, çaste të ngrohta bisedash midis krijuesve, përcaktohet ecuria e rrjedhës së poezisë dhe të fjalës së shkruar, analizohen vëllime poetike dhe vepra në prozë, siç ishte rasti i diskutimit letrar”Libri i Gjakovës”-roman i Jusuf Buxhovit, autor i shquar dhe i falenderuar nga qindra lexues për artin e tij shkrimor, por njëherit edhe studiues i kalibrit për librin e tij shumëvëllimësh”Kosova”, botuar shqip dhe anglisht.

U organizua “Ora Letrare” për të rinj”Yllka Domi”, promovimi i dy librave të Diana Markut:”Brenga me fytyrë vajze”-poezi, dhe “Të gjithë poshtë urës”(dramë).Gjithashtu u përurua libri “Duke pritur ditën e tetë” të Anton Markut dhe libri me tregime”Albani nuk flet shqip” i Angjelina Markut.

Përurime të tilla bëhen me përgatitje të mirë, me lektorë dhe lexues që i kanë lexuar librat, që referojnë duke u ndalur në tekst  dhe jo në kontekste jashtëletrare.Ato mbeten vlerësime të sakta, po njëherit  edhe manifestime estetike-kulturore e njerëzore, përhapin një rrezatim qytetërues e motivues.

Duhet thënë gjithashtu se organizatorët me mbështjen e kryetarit të komunës, Ardian Gjini, gjithçka e detajojnë në prefeksion dhe e programojnë në kohë ekzaktësisht, në mënyrë që Mitingu të jetë organik, koherent dhe të ritmojë edhe në organizim si një poezi e strukuruar bukur, pa teprime.

Nuk duhet shumë mend për ta kuptuar këtë, sepse kjo duket dhe përcillet përmes një kulture të mikpritjes, të mënyrës së sjelljes, të dialogut e të bisedës-çka transmeton një frymë aristoktratike, që gjakovarët e kanë si gen i lashtë qytetërues.

Ata e bëjnë atë që bëjnë dhe dinë ta bëjnë mirë, në mënyrë që kjo të mbetet jo vetëm në kujtesën e atij që e shikon, por edhe të atij që vlerësohet.Kjo duket që nga pllakatet e çmimeve në metal bronzi, në radhën e dhënies së çmimeve, në shoqërimin e personaliteteve në podium, në skenarin e aktruar me zë të plotë dhe të ngrohtë prej zgjedhjes së duhur të moderatores.Janë detaje që,  krahas poezisë , ndihmojnë që kjo sallë e madhe në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, të mbushet plot dhe poezia të marrë udhë, duke dalë nga faqet e librave drejt njerëzve.Një organizim që ndihmon në një komunikim brilant.

Ky vit ishte një përvjetor krenarie, sepse mund të flitet për arritje e, kur ka arritje, kthehet koka pas dhe shikohen vitet, njerëzit, ata që mundësuan këto arritje qoftë duke i realizuar vetë ato, qoftë duke krijuar modelin si një paradigmë udhëndjekjeje suksesi.Kështu u dhanë çmime postmortum për Teki Dervishin, për ish-kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, profesor doktor Ibrahim Rugovën, që është studiues i shquar i letërsisë shqipe, pa folur këtu si politikan i madh i sendërtimit të shtetit të Kosovës.

Me çmime të veçanta u nderuan Jusuf Buxhovi, Sabri Hamiti(akademik, poet studiues  dhe zë i shquar e i lavdëruar në botën akademike), Besnik Mustafaj, (poet, përkthyes dhe prozator i njohur ndërkombëtarisht), dhe Agim Byci.

Me  Çmime të Mirënjohjes Jubilare u nderuan Milazim Krasniqi, Agim Vinca, Naime Beqiraj, Jeton Kelmendi, Iljaz Bobaj, Qemajl Juniku, Albert Shala, Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë. U shpërblye me mirënjohje edhe kryesia e klubit “Gjon Nikollë Kazazi”, Muharrem Kurti, Engjëll I. Berisha, Migena Arllati dhe Vjollca Kuqi. Gjithashtu me mirënjohje u nderuan Blerim Valla dhe Shefqet Dinaj, si dhe mediet “Radio Gjakova” dhe “Syri Vision”.

Ajo që përbën tharmin dhe i jep bukuri Mitingut, është leximi i poezive, pa përjashtuar anën ceremoniale.Për të lexuar e deklamuar poezitë e tyre, u paraqiten me radhë në skenë poetët:Sabri Hamiti, Milazim Krasniqi, Naime Beqiraj, Prend Buzhala, Sali Bashota, Arif Bozaxhiu, Lulzim Tafa, Anton Marku, Agim Desku, Neki Lulaj, Migena Arllati.

Poezitë e deklamuara paraqitën dhe sollën interes, kjo edhe për ndihmesën që dha një publik i edukuar në dëgjim dhe vlerësues në duartrokitje.Poezia e shkruar sot, si në Kosovë edhe në Shqipëri e në të gjitha trojet shqiptare, e ka kaluar fazën e retorikës, duke bartur dhe u fisnikëruar me mendime  në një shtrat të thelluar liriko-meditativ.Ajo është bërë më kualitatrive edhe pse, sipas meje, nuk po i arrin individualitete e mëdha të së kaluarës në kuptimin e gjurmimit dhe të shenjëzimit personal-ndërlidhur me problemet e mprehta kombëtare e njerëzore.Megjithatë, ndodhet në një stad të mbarë zhvillimor dhe ka arritur të modernizojë e ndërthurë teknika të ndryshme vështruese në raport e harmoninë e prirjeve të individit e të shoqërisë së sotme.

Juria e pati të vështirë të zgjedhë e të konkludojë në këtë garë të fortë dhe megjithatë përcaktoi si poezinë fituese të këtij Mitingu poezinë e Sali Bashotës”Çka bëni ju të dielën atje në mënmgjes…”me këtë motivacion:”Një lirikë meditative me ligjërim të kursyer plot dhimbje njerëzore”.

Traditë e mitingut është edhe zhvillimi i garave në mes të rinjve krijues nga shkollat fillore e të mesme “Yllka Domi”. Në përkujdesjen e Vjollca Kuqit, gara ishte tejet konkurruese, por çmimi fitues iu nda katër nxënësve: Sara Gjoshi, Albiona Fetahu, Alisa Kodraj dhe Erjon Xhiha.

Ndaj Mitingut ka pasur gjithmonë një vëmendje të shtuar  nga strukturat e pushtetit komunal, kjo gati vit për vit, me disa luhatje që janë kapërcyer nga dashamirës me mundësi, gjë e cila është një pikë e fortë e tij në aspektin e vlerësimit material për fituesit, por edhe të akomodimit të pjesëmarrësve, kjo krejt ndryshe me çka ndodh me disa  veprimtari të tjera  në qytetete të tjera, ku ftohen pjesëmarrësit dhe fituesi nuk shpërblehet materialisht.

Edhe kjo është një pikë e fortë e Mitingut dhe çdo vit ia ka rritur kredencialet, jo se ana metriale është kryesorja, por ajo shënohet në renditjen programore të asaj që quhet serioze  dhe motivuese.

Fjalët e Kryetarit të Komunës së Gjakovës, zotit Ardian Gjini, ”se Mitingu që mbahet në Gjakovë ka sjellë kujtime për shumë gjenerata dhe Gjakova do të presë jubile të tjerë, sepse këtë manifestim të përvitshëm letrar e kemi aset shpirtëror” jo vetëm që shprehin në thelb një histori përkrahjeje nga ish –kryetarët e mëparshëm, por japin një garanci fatlume që ky Miting të vazhdojë me përmasën e tij kombëtare dhe ndërkombëtare.

Strukturat e pushtetit komunal në Gjakovë mbetën një shembull për të gjitha komunat dhe bashkitë shqiptare se, para se të harxhojnë para për koncertet me tallava dhe me një folklorizëm të përsëritur nga viti në vit, të japin pak më shumë fonde (dhe jo aspak) për krijimtarinë letrare, muzikore, koreografike, çka do të rriste më tepër  angazhimin krijues.

Dhe Komuna e Gjakovës prin e para si model inkurajues ndaj krijimit artistik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok