22/12/2024

Zëri aktual i filozofit të pushkatuar 79 vjet më parë

0
Nebil-Cika

Nga Prof. Blerim Latifi

Në nëntorin e viti 1944 trupat gjermane po bëheshin gati për ta braktisur Tiranën dhe njësitet partizane kishin filluar të zbrisnin nga malet dhe të hynin në perferinë e saj. Këto grupe menjëherë do të fillonin raprezaljet mbi ata që në listat e tyre figuronin si bashkëpunëtorë të armikut. Natyrisht ato ishin lista të hartuara sipas qejfit dhe pa prova e dëshmi. Dhjetëra intelektualë do të pushkatoheshin pa gjyq. Në mesin e tyre edhe filozofi e publicisti Nebil Çika. I lindur në Borsh të Sarandës, ai do të shkollohej në shkollat franceze të Korfuzit dhe Stambollit. Mes dy luftëtrave botërore, Nebil Çika do të drejtonte disa nga gazetat më të njohura në Shqipëri. Në këto gazeta ai do të bënte të pamundurën që të themelonte një kulturë filozofike, e cila aq shumë i mungonte kulturës shqiptare, shkollave shqiptare dhe mendimit politik shqiptar.

Në vitin 1943 do të botonte librin “Njëmendësia shqiptare”. Mjafton të lexojmë eseun “ Djalëria dhe utopia”, të botuar në këtë libër, për të parë nivelin e lartë të refleksionit filozofik të cilin autori e zotëronte. Kjo ese të kujton filozofët e mëdhenj të Perëndimit të cilët janë marrë gjerësisht me fenomenin e utopisë, të tillë si Ernst Bloch e Karl Popper.

Nebil Çika u pushkatua jo se ishte fashist, sepse ai nuk ishte i tillë. Ai i kishte kaluar shumë vite i internuar në kampet e Musolinit në Itali. Ai u pushkatua sepse ishte nacionalist dhe se në librin e tij e mbronte hapur idenë se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë ishte dhe të do mbetej kushti i domosdoshëm që kombi shqiptar të mund të kishte te ardhme. Ai e denonconte hapur atë që e quante përkushtim retorik të Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës. Poshtë këtij përkushtimi retorik, ai hetonte të vërtetën e hidhur të indiferentizmit të elitave të Shqipërisë ndaj kësaj çështjeje. Në këtë kontekst, ai do të shkruante : “ E kam pyetur veten shpesh se nga rrjedh ky indiferentizëm? U gjenda përballë një humnere, përpara një njëmendësie të tmerrshme: dashuria jonë për Kosovën qenka e dënuar të mbetet një subjekt manifestimesh retorike. S’është bërë akoma ide-shtysë veprimtarie. Ndoshta sepse nuk e quajmë akoma tonën Kosovën. Po, deri diku kështu duhet të jetë puna, ndoshta sepse nuk duam t’u besojmë syve tanë, meqenëse Kosovën nuk e morëm, por na u fal prej tjetër kujt ( është fjala për bashkimin e vitit 1941), dhe ndoshta nuk kemi besim se kthimi i Kosovës në gjirin e Shqipërisë është i sanksionuar edhe për të ardhmen. Nuk kemi ndoshta besim, sepse ndoshta e ndjejmë se nuk kemi bërë gjë për këtë kthim dhe pra s’e kemi të drejtë. Është një gjendje shpirti shumë e çuditshme kjo, dhe krejt false. Kosova është e jona, sepse është shqiptare. Kosovarët janë shqiptarë e çdo shqiptar është i Shqipërisë. Këtu s’ka fjalë”.

Më tutje Nebil Çika e parasheh të ardhmen me saktësi : “Dhe paqe e drejtë, paqe e vazhdueshme, bile shkurtas paqe s’mund të ketë në Ballkan nëse Kosova do të jetë përsëri mollë grindjeje. Ne na imponohet tani vetëm një gjë : të jemi gati t’i japim botës mbarë provën e gjallë se ne nuk e lëshojmë më Kosovën veçse kur, pasi t’i bëjmë të gjitha përpjekjet, të mos mundemi ta mbrojmë më, dhe nesër ta kërkojmë përsëri. Duhet të jemi gati për t’i provuar botës se Kosova është tanimë një çështje jetësore dhe etike për ne. Etike këtu do të thotë çështje nderi. S’mund t’i dorëzojmë më kosovarët te kasapët e tyre, pse këtë rradhë nuk do të mbetet këmbë prej tyre…Unë besoj se ky problem i yni etik do të merret parasysh prej të gjithë botës, nëse ne do ta shtyjmë botën të marrë parasysh. Dhe këtë gjë s’mund ta bëjmë nëse nuk do të jemi të përgaditur, domethënë të organizuar, për një gjë të tillë, me fjalë të hapta nëse nuk do të jemi në gjendje që ta mbrojmë me armë Kosovën”.

Ky ishte Nebil Çika dhe fakti se sot kombi shqiptar ende ka probleme serioze, si asnjë komb tjetër në Europë, mund të shpjegohet edhe me fatin e tij tragjik. Intelektualëve si ai, jo që nuk u është dhënë rasti të jenë aty ku duhet të jenë, por për më keq ata janë margjinalizuar, persekutuar e pushkatur. Dhe numri i tyre është tmerrësisht i madh.

Edhe një gjë për fund: përkushtimi retorik ndaj Kosovës dhe indiferentizmi real ndaj saj brenda politikës së Tiranës, të cilët Nebil Çika i denonconte shumë dekada më parë, ende frymon koridoreve dhe zyreve të shtetit shqiptar. Fatkeqësisht. Prandaj edhe ndodhë që kur dridhet Kosova, efektet e dridhjes  ndihen fare pak përtej Kalimashit. Për të mos thënë që nuk ndihen fare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok