06/08/2026
Resmi-Osmani1

Baladë

Nga Prof. Dr. Resmi Osmani

Natë e fundmajit. Hëna e plotë derdhte arin e dritës së saj dhe rrotul lyjet hidhnin vallen   xixëlluese. E shumë prej tyre derdheshin tatëpjetë sa bariut i dukedhin si një shi yjesh. Flladi  kishte amzën e trëndelinës. Delet kullosnin,kumborët tingëllonin dhe bariu nisi  ti binte fyellit me një melodi trimërore. Papritur, atij ju bë se dëgjoi një zë që murmuriste fjalë pakuptim. Edhe qeni u kreshpërua dhe hungëriu. Bariu e qetësoi, por ajo murmurima po shndrrohej në zë, një zë i përvajshëm,drithërues, që vinte nga askundi i boshllëkut të hapsirës misterioze të natës. Ju fanit si e dalë nga nëndheu një pamje e mjegullt, me formë njerëzore, por pa tipare, e pezullt , që bariut i përngjau me fantazmë i shtiu frikë dhe rrënqethje.

Bariu

K-k-ush je ti që murmurin e flet fjalë që s’po ti kuptoj, prej nga flet dhe çfarë kërkon prej meje ?”Pyeti me zë të mekur.Shumë nuk vonoi që të vinte përgjigja:

Fantazma

”Dëgjova tingëllimin e kumbonave, gjegja melodinë e fyllit. Jam i ri dhe u përmallova”

Bariu

“Po  k- k-allxoma, k-k-allxoma cili je, që t’a di a flas me njeri apo me një fantazmë, xhind, apo me hijen e një shpirti të dalë nga humbellat e nëndheut ?

Fantazm

”As zanë mali, as fantazmë as xhind. Jam shpirti i Sokole Omer Agës të  ri, bir’ i tetë i kreshnikut Gjeto Basho Mujit,  Klladushanit. Që shtatë Omerë të mirë, vllazën para meje,të shtatë në luftë me shkjetë kanë ra, të vdekur në bjeshkë kanë mbetur, e nana nuk po din as  vorret ku i kanë.

* * *

Bariu

“O shpirt I vuajtur, që mu shfaqe, çfarë ke për të më kallxuar, ç’është ajo brengë që të mundon, e të prehesh në paqen e nëndheut të pengon?

Fantazma

“Me nandë varra në shtat,prej luftës me shkjet,gjaku i trupit krejt m’u shterr, ktu m’u fik  fuqia dhe i lypa tim eti të zinte vënd e të ndalej, se ktu shpirti don t’më dalë. Ashtu bani. Kur shpirti ishte tu m’dalë i lash nji amanet: sime mëje, Ajkunës, se jam dekë mos m’i kallxue, se m’ka dasht fort, se m’ka dasht fort dhe nis me vajtue,se m’ka dashtë e nis me mjerue. T’i thojshin se te dajët me ndejt kisha shkue, se përndryshe, ajo  do t’më vajtonte si qyqe dhe do ngjitej në bjeshk varrin tuj ma kërkue me m’vajtue.Thashë kto dhe shpirti m’ka dalë. Ktu im atë dhe mixha Sokole Halili, më varrosën, nën kunorën e këtij lisi të moçëm. Prej idhnimit derdhën lot dhe mallkuen bjeshkët. Varri im i vetmuem në bjeshkë, që njitash e ka mbulue bari, asht i thell,i ftoht, i lagësht. Më mbulon terri nën tokën e zezë dhe përsipri nji shkamb, qi Muji e shkepi nga shkrepi, e që s’munden me e lujt  vendit as tre mijë burra! Sido qi nandhe, shpirti jem ndien  dhe merohet sa herë shfryjnë e fryjn furtunat, flakërojnë vetëtimat e flakë kallet qielli; ushtima e rrapllima e ortiqeve te borës. Verës e pranverës ndjej kangët e zogjve në kunorë t’lisit dhe përmallohem. Kalojnë krushqit kur kndej u bjen rruga, me kangë dajre sharki e tupana, përmallohem e më merr malli për gjindje e shtëpi.Këtu nën varrin e zi.

*       *      *

Fantazma

Ndigioje mir sa jam tu t’kallxue. Nuk e di përse, por po mbushur ende shtatë vjeç  nana  më mbante  të ndrym në kullë si t’më kishte rob e jo bir. Përse? Mbase m’donte shum dhe s’rrinte dot pa mue, apo druhej se po t’merrja rrugët për të çetuar në bjeshkë , e të hasja shkjetë, që ishin armiqtë tanë, mund të më gjente e keqja. Nuk e di. Këtë e dinte vetëm nana ime. Nana ime e mirë që, më donte aq fort, sa edhe gjinin nuk ma shkëputi dhe unë pija tamlin nga sisët e saj, deri sa mbusha shtatë vjeç. Dhe më shijonte shumë.

Kulla jonë, e gurtë e babës tem, kreshnikut  Gjeto Basho Mujit dhe vllait të  tij, mixhës, Sokole Halilit, çohej vetmitare, hijerandë, n’krye t’Klladushës. Me tre kate, bedena , frangji dhe dritare, rrethoj të gurtë dhe portë të randë me dru lisi kllaposur me pafka hekuri dhe mandall t’rand. Oborri me pemë të gjithfar llojshme. Kjo ishte mbretëria ime dhe e sime ame, Ajkunës. Fill na t’dy. Për grigjën, tufat e deleve dhe të lopve, të dy gjogat në ahur, e të mbjellat e arave, kujdeseshin rrogtarët e pajtuar. Vinin dhe iknin stinët: pranvera me lule e dritë, vera me ufmën e vapës dhe qiellin pa re, vjeshta me arin e gjetheve dhe ëmbëlsinë e pemëve, dimni me borë, ngrica e rropamën e ortiqeve. Gjithçka e vreja nga bedenat e kullës. Vitet shkojshin dhe u bana shtatë vjeç. Hodha shtat, u burrnova m’u forcuen krahët. Në kullë nisi ardhjen Zuku Bajraktar që nisi t’më ushtronte në shpatë, topuz e mëzdrak. E ndieva veten burrë, për të kalëruar e dalë me gjogun në sheshmejdan..

*   *   *

E pyta nanën: “Nanloke, pash njat Zot që të ka dhanë, njitash du me m’kallxue: bab e mixh e dikan tjetër a kam pas, apo doç në ferra më ke gjet e më bane bir për shpirt?”

“Babë e mixhë ti i ke pas: Gjeto Basho Mujin, kreshnik, që kur sokëllinte dridheshin malet, kur vringëllinte shpatën dridhej hasmi e bajloz me të s’bante uzdajë në bejleg me dalë. Sokole Halil Aga,yll i bukur, djal i ri, trim si zana, ishte mixha,. Sall  të dy Iija i ka myt dhe vorret në baçe i kanë”

Kështu më tha nana ime.Dhe unë i besova.

*  *  *

Nji dit nga ditët. Ishte dit pranvere. Dielli fort po shndriste dhe puhiza me amzën e luleve më flladiste. Dola në bedenat e katit të sipërm. Mora turbinë e Halilit dhe po i shoh fushat, arat  an’ e mbanë, për s’gjati e për së gjani, po i shoh grigjat e kingjat tuj lodrue. Fale zot kët bukuri e dhanti. Dhe në tejskaj, përtej maleve, gjëndeshin shtatë krajlitë e shkjeve që ishin armiqtë tanë, lakmojshin bjeshkët, tufat e grigjave, ledinat dhe tu kallnin flakën kullave tona. Përslargu shquajta një gja t’ bardhë qi, s’mujta me kuptue se ç’far ishte dhe pyeta nanën:

Pash njat Zot nanë që t’ka dhanë.M’thuej,a e din ç’ka duket n’ at fushë kaq e bardhë? A mos janë ortiqe me borë, a mos janë çoban me shtjerra, a mos janë shkje me çadra? Be në Zotin nana m’ka ba:”Ata s’janë shkjetë me çadra, aty janë agët e Jutbinës, që për çdo ditë  n’at log n’kuvend tubohen.

Atbotë mora një vendim, sall me agët e Jutbinës në kuvend të bashkohem. I kërkova nanës petkat e Halilit,shpatën e mejdanit dhe gjogun e Mujit, se ndër agaj  due me ra me ndej. Po shih bre nana çka më tha:

Je i ri biri im dhe po druaj se ty agët me fjalë kanë me t’randue, e zemrimi ka me t’kaplue. Inatçorë e ziliqarë muji m’i ka pasë dhe ata, Mujin nuk e kan pas dashtë.”

Nanës llafin s’ja ndigjova. Në shtat teshat e Halilit për bukuri m’ranë, ngjesha shpatën e mejdanit, shalova gjogun e Mujit dhe turrin për te agajt e mbajta. Tim e flakë e bubullimë nga ku kaloja.

Aspak mirë agët nuk m’ pritën.Përshëndetjen nuk ma kthyen, vend të ulesha mes tyne nuk m’liruan dhe gjogun nuk ma grazhduan. Në çeret e tyne pash mllef, pezm, përqeshje e përçmim, për të mos thanë poshtnim. U ndjeva i xanun ngusht, ani, mes agëve, një probatin i Mujit pat qëllue, ishte Zuku Bajraktar trim i ri. Përshëndetjen mirë ma ktheu, në mjedis të shokëve vendin ma ka lshue edhe gjogun mirë ma ka grazhdue. Si zura vend, shih çfarë agëve u thashë:

Zoti u vraftë, mue përshëndetjen pse s’ma ktheni?Pse ju mes  vedi vendin s’ma lshoni? Po mue gjogun pse s’ma mbani?Edhe pse me sy asnji her s’më keni pamun, mirë po më njihni se i kuj jam. JamOmeri i Ri, biri i Gjeto Basho  Mujit. Po ju inat t’madh i paski pasë tim eti dhe asnjë falnderje për të mirat që u ka ba! Kurrë një grimë dijtë nuk ja kini. Smirzez Zoti u paska  falë.

Kanë nis agët e dert po bajnë ndër vedit, me m’vue n’provë: “N’hall t’madh ti na ke gjet. Na ka dal nji bajloz prej detit, askush nesh në mejdan nuk guxon m’i dalë. Ndo erdhi, tokën tonë, kullat, gjanë dhe çikat po na i merr.

Kuptova. Tinzisht trimninë dhe burrninë teme deshtën me e provue. Atbotë qyre çka u kam thanë:”Fjalë m’i çoni Bajlozit t’detit, me dal heret n’at  log mejdanit, atje po e pret Omeri, biri i gjeto Basho Mujit Klladushanit”

Pas këtyne fjalve,t’xan ngusht, ma i idhët syresh u diftue Osman aga: “Ti Omer, në kjofsh kreshnik si thue, babë e migjë në burg q’i ke, ti prej burgut i paskëshe pas nxjerrë. Që shtatë vjet krajli t’i ka xanë, kur nana jote n’ty ishte shtatzanë, e në Kotorre kryet po ta lanë. Që shtatë vjet diellin me sy s’e kanë pa, leshi i kres në tokë u ka ra, që shtat vjet ndrrue s’t’u kan,pika e ujit në shtat s’u ka ra e brisk në faqe nuk kanë vanë! Vetes dhe krahinës një marre t’madhe i kanë lanë.

O kob, o zi: ç’po m’ndijshin veshët! Dielli u fsheh e drit s’po ban, bota për mue u errsue , ma ngusht vedin se paskësha pas gjet. Kceva si i marrë në shpinë të gjogut, tym e mjegull e flak tuj qitë, mbrrita në kullë dhe nanën e vura në be: “Për at Zot q’na ka dhanë, pse m’ke rrejt?Tash due me m’kallxue të drejtën: babë e migjë ku i kam?

Atbot nana ka marr’ e shih ç’ka m’ka thanë: ” Llaf të madh agajt të kan thanë, je i ri bir e të kanë randue. Babë e migjë t’mirë q’ i ke pas, të dy krajli n’luftë rob t’i ka xanë e në burg t’Kotorres kryet po t’a lanë. M’ka ardh e keqja me t’kallxue. Qi shtat vjet, e mjera  me sy s’i kam pa.”

* * *

Bariu:“Po ma pas ç’ka ndodhi?”

“ I veshur tebdil maxharisht, stolisur me kryqe dhe me armë ngjeshur,me sharki n’dorë, qi t’u duksha si kangtar, për n’krajli u turra si era. Sipër meje fluturonte shqiponja qi rrugën ma kallxonte. Kaptova fusha, lugje dhe male, kapërceva tre ujra të mdhej dhe mbrrita n’ krajli. S’pari hasa te kroni tuj mbush ujë thjeshtrën e Krajlit, Rushën bukuroshe si zanë mali. E dijsha q’as krajlica as krajli për bijë nuk e dojshin e si robinë e përdornin. Ngriti syt e bukur e m’ pa. E pashë edhe vetë. Gja m’t’bukur sytë s’më kishin

xanë. E shih çfar’ i thashë:

“T’faltë Zoti Rushë që t’ka dhanë,ti në kjofsh, një tas uj, Rushë me ma dhanë, etjen për me shue, jam i largët dhe tuj shtegtue, bab e migj  për me kërkue”

Ndigjo çika çka m’ka thanë:”Tas me ujë kurkujt nuk i jap, veç me  kanë Omeri prej Mujit, që shtatë vjet Zoti e ka falë, për hijeshi, burrni e trimni, shtatë krajlit zanin ia kanë ndie”

Unë:” Për at’Zot që mue m’ka dhanë, vetë Omeri i mujit jam. Ja në krajli kryet me e lanë, ja bab e migjë prej burgut kam me  i nxjerrë.. A më mson çikë si me ia ba?”

E pashë në sy. M’pa n’sy. E pëlqeva. Edhë un’ i pëlqeva. Ma zgjati kupën e ujit. E shova etjen.I dhash dhen gjogut ujë. Të dy heshtnim, por vrejta se ajo diç përsillte në mendje e druhej t’ma thoshte. Dikur ajo foli:

“Mos e vrit mendjen trim i ri. Duhet hile e jo trimni. I ka krajli dy binjak, qi kurr’ shokët nuk  ua ke pa, e  i don sy syt e ballit. Fort kollai për me i mashtrue , të vijn’ e në ujë të kronit të lodrojnë. Me ba ti krajlit me ia zanë, babë e migjë paj t’i ka dhanë.”

U fsheha n’zabel t’ahishtes. Shum nuk vonoi dhe Rusha bashk me binjakët erdhi te kroi. Ata me ujin nisën tu lodrue. Fill mbi ‘ta si sokol jam lshue e n’vithe t’gjogut  i kam vendue. Si era për në klladushë kam fluturue. Binjakët kjajshin e un kndojsha! Dëshprimi i tyne gazmendi jem! Rusha në përcjellje ma dha nji premtim:”Kur të dalë hana e re, ktu m’ke, eja dhe m’rrëmbe!”

Kur mbrrita, me daman t’madh u prita. Në burg t’kullës binjakët i ngujova dhe pa vonesë nji letër krajlit ja nisa:”Ti që je krajl në krajli, n’ ke pik malli për fmi, mos rri shum tu i kërkue. N’burg Omeri t’i ka ngujue: ja m’lësho babën e migjën tem, ja cop-cop un po t’i baj”

Im atë dhe migja Sokole Halili, mbrritën në Klladushë. Veshur me petka t’reja, ngjeshur armët e brezit dhe dy Mushka ngarkuar me pare florini.Të dy binjakët ua dorzum të dërguarve të krajlit. Se çfar paskësh ngjarë në krajli pas marrjës së letrës, ma kallxoi im atë: Tremb asht Krajli e fort asht zemrue e vrik n’derë të burgut kenka shkue: ” Del, bre Muj, e ti Halil, zoti u vraftë! Se dy binjakët tinëzisht Omeri m’i ka robnue, dit e nat në burg mi ka lanë, po don kryet aj me ja u pre” Dhe baba q’e pa sesa ngusht ishte gjend Krajli, i tha : ”Prej burgu s’kemi me u nisë, pa na rrujt e pa na gjesëndisë. E me petka të reja me na stolisë. Shpejt e shpejt berberët   i kanë sjellë e të dy rrujt e qeth i kan ma s’miri , I kan la e me petka t’reja i kan veshë.

Atbot Krajli ka ngulmue ”Dilni bre muj, Zoti u vraftë!

”Pasha i Zot qi m’ka dhanë, prej burgut gjall s’kam dalë, pa m’i dhanë tri mushka me pare, pa ma fal sofrën prej dukatit dhe Rushën djalit me ja dhanë.”

I xanun ngusht krajli, ka thanë:”Të dy sot me u miqsue, Rusha djalit I kjoftë për grue” Atëherë trimat jashtë kanë dalë, n shpinë të kualve kan kcye dhe për klladushë rrugën kanë marrë.

* * *

Ardhja e babës dhe e migjës, gjallnuen jetën, kthyen gazmendin dhe sigurinë, edhe muret e kullës qeshën. Na të tre dilshim me gjuejtë, çetojshim në bjeshkë e kur hasnim në cuba shkjehësh binim në luftë e dilshim faqebardhë. Erdhi nji kohë që shkjet ranë në bjeshkët tona, zaptuan kullotat dhe grabitën tufat e gjas s’gjallë. Të tre n’bjeshkë , baba tha me shkue e me shkje me luftue. Atbot nana, Ajkuna si ta ndiente zezonën i tha babës:

”Pash at Zot,Mujo qi t’ka dhanë,mos Omerin shpijet me m’a tretë, se shtatë Omerë t’mirë si i pata, të shtatë jam tu i kja e ngrata, e spo di as vorret ku po i kan, se t’shtatët dekun në n’bjeshkë ti m’i ke lanë.”

“Mos kjaj djelmt qi n’luftë kan dekë,mos kjaj t’gjallët q’në bjeshkë duen me çetue, se dekë ma e amël, s’asht se n’luftë m’ u pre. N’luftë m’u pre pa i lanë marre vedit.

N’shpin gjogve u kem kcye, e tym e mjegull gjogat i kem ba. N’maj të bjeshkës fort shpejt kem dalë, kurkund çetë t’shkjeve me sy nuk kem pa. Dikur von Muji ka thanë: “Ne t’dy Halil, n’udhkryq me dalë, atje ku çeta e shkjeve ka me ardhë e ne nuk lam kend asajt me kalue. Ti Omer, Omer Aga i ri, a thue tutesh me ra n’krajli?  N’fush t’krajlis asht nji kull e bardh, ajo asht kisha e shkjaut. Atje nesret që asht e diel, shkje t’pafarë kan me ardhë dhe krajl Dushani ka ardh me i bekue dhe trimnue. Atje ngujohu.Vraje krajlin, shkjet t’mbeten si shtati pa krye. Nuk vonojm e bashk me Halilin  n’ ndihm t’vijmë.

Sa leu drita n’kotorre t’reja, mbrrita tu kisha, shkelm t’fort i rash derës e bashk me gjogun hyra mbrend.Me mandall e ndryva derën. Mbrend u ndryva dhe po pres shkjet të mblidhen.Pak ka shkue e shum nuk ka vonue, erdhi krajl Dushani mes popash. Derës së kishës kur i jan afrue, për frengji iu mata krajlit, n’grop të fytit ja ngula shtizën, e dekun n’tokë ka ra krajl Dushani. T’shumtë ishin shkjetë, u kacavirën ndër çatija dhe një shi shigjetash mbi shtat m’i derdhën, e nga nandë varra gjaku nisi mu derdhë. Atbotë nji britmë t’madhe kam lshue. Muji dhe Halili e kan ndigjue, e fill për tu kish kan vrapue. Ploj t’madhe n’shkje kan ba. Shum kan vra e shum kan van përpara, larg prej kishës  i kan largue. Ndigjova mujin që po flet:” A je gjall Omer Aga i ri, çou ti derën me na e çilë. Me shpirt ndër dhambë i jam përgjigjë:”Nandë varra n’shtat i kam dhe gjaku krejt m’ka mbulue. Derën nuk mundem me ua çilë.Shtjelm derës ju i bini, cop e grimë po e bani.

Atbot baba e migja mbrend kan hi.N’vithe t’gjogut Muji m’ka vu e kemi marr bjeshkën përpjetë.

Se ç’far ndodhi ma pas t’i kam kallxue n’krye t’herës.

Kishte kaluar mesnata,yjet ishin zbehur, agimi trazoi terrin dhe u ndje kënga e këndezëve.Ishte koha që shpirtërat dhe fantazmat të ktheheshin andej nga kishin dalë.

Bariu ndjeu një murmurimë që ishte si lamtumirë dhe vegimi humbi në mugëtirën e agimit.

Maj-gusht 2026

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok