Zelensky i Kosovës dhe aleatët e Putinit në Ballkan!
Nga Enver Bytyçi
A do të kishim një vendim të qeverisë së Kosovës për reciprocitet në dokumente dhe për targat e makinave me Serbinë, nëse president ose kryeministër i vendit do të ishte Hashim Thaçi?! Me siguri të plotë se jo. Thaçi e Rama ishin marrë vesh me Aleksandër Vuçiq që veriu i Kosovës të bëhej pjesë e sovranitetit të Serbisë dhe më pas Kosova të ndahej. Serbia dhe Shqipëria do të ishin në këtë rast shtete me kufij tokësorë të përbashkët. Madje marrëveshja midis këtyre tre liderëve ballkanikë parashikonte që Serbia të kishte edhe një kufi detar të përbashkët me Shqipërinë.
Që këtu duhen shikuar arsyet pse presidenti i Serbisë, Vuçiq, është çmendur dhe kërkon luftë me Kosovën! Ai imiton sot paraardhësin e tij, Sllobodan Milosheviç! Të dy këta, Milosheviçi i 15 vjeçarit të fundit të shekullit të kaluar dhe ky Vuçiqi i 15 vjeçarit të fundit të këtij shekulli ngjajnë në retorikën dhe qëndrimet e tyre anti-shqiptare! Vuçiq e nisi provokimin e fundit në veri të Kosovës me retorikën e “përndjekjes”, “presionit për shpërngulje” dhe “persekutimit” të serbëve në Kosovë! E nisi këtë provokacion gjithashtu me retorikën e fajësimit të Albin Kurtit, edhe pse vendimi i Kurtit për reciprocitet parashikohet në marrëveshjen e nënshkruar midis Thaçit e Serbisë para gati 10 vitesh!
Në gjithë diskursin politik të Beogradit, ku dallohen dy Aleksandër-it, ai me mbiemrin Vuçiq dhe tjetri Vulin, ka një qasje milosheviçiane dhe putiniane. Me Vladimir Putin ngjashmëritë janë më të freskëta. P.sh “bota ruse” dhe “bota serbe”, si dy kategori të koncvepteve të shovinizmit serb e rus, ngjajnë aq shumë midis tyre. Pas kësaj vijnë akuzat vuçiqiane kundër Albin Kurtit, të cilat i ngjajnë akuzave putiniane kundër presidentit ukrainas Volodymyr Selensky-t, për “rracizëm”, “nazizëm”, e “terrorizëm”! Kurba e kësaj retorike vjen nga viti 1985, kur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë hartoi memorandumin e “Genocidit të shëiptarëve kundër serbëve në Kosovë”! Asokohe u mor si shembull i precedentit vetëplagosja e një të riu me etni serbe me emrin Martinoviç! Tani, për platformën e “dhunës së shqiptarëve kundër serbëve” shërbeu vendimi për vendosjen e dokumenteve të reja për targat dhe dokumentet.
Vuçiq vendosjen e targave të Republikës së Kosovës e konsideron “genocid” kundër serbëve! Kjo vjen, sepse ai Kosovën e konsideron si “pjesë të territorit të Serbisë”! Por e vërteta juridike ndërkombëtare është krejt ndryshe! Në pikëpamje të kësaj të drejte, bazuar në Rezolutën 1244, Kosova nuk është e as nuk mund të jetë pjesë e Republikës së Serbisë. Ajo rezolutë e ka nxjerrë Kosovën nga sovraniteti serb dhe e vendosi nën administrimin ndërkombëtar. Por edhe shpalljes së pavarësisë Kosova sipas Rezolutës 1244, nuk do të ishte pjesë e Serbisë. Në këtë rezolutë, të votuar edhe nga Rusia, thuhet se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet në kuadër të Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbi e Mali I Zi)! Kjo nënkuptonte që Kosova të ishte një republikë, me status të barabartë me Serbinë e Malin e Zi brenda asaj federate. Nuk kishte asnjë klauzolë, e cila të parashikonte që Kosova të kthehej në statusin e kohës së Rankoviçit e të quhej “Kosovo-Metohi”, siç e quan sot presidenti Vuçiq! Federata u shpërbë me shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi!
Por nga vjen gjithë kjo kurajo e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, sa të kërcënojë me filozofinë milosheviqiane e putiniane paqen e stabilitetin në rajon? Së pari nga presidenti rus, Putin! Ai është peng i Kremlinit dhe kushdo që beson se mund ta ndryshojë kursin e Serbisë në drejtim të Perendimit, sidomos NATO-s, gabohet! Së dyti, Vuçiq është peng i eksperiencësdhe mentalitetit në luftrat e viteve 1990, kur ishte protagonist i dhunës, mizorive serbe dhe masakrave kundër popujve jo-serbë. Ndërkaq presidenti i Serbisë inkurajohet edhe nga mbështetja e Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të Hashim Thaçit në Kosovë! Janë shqiptarët shqip-folës ata që më së shumti i japin kurajo presidentit Vuçiq të adresojë ushtrinë kundër Kosovës! Duke dalë me të njëjtin qëndrim kundër qeverisë së Kosovës, këta vëllezër shqip-folës të Vuçiq shndërrohen gjithashtu në aleatë të presidentit rus, Putin!
Por nëse Beogradi, Serbia dhe Vuçiq me ndihmën e Putinit e të Edi Ramës bëjnë ndonjë aventurë në Kosovë, atëherë Albin Kurti do të shndërrohet në një “Selensky të Kosovës”! Dhe sa kohë që Albin Kurti do të mbrojë shtetin, shtetësinë dhe territorin e Kosovës, aq kohë ai do të jetë një Selensky për vendin e tij! Kjo nuk do të thotë që Kurti të vetëkënaqet e të kalojë në euforinë e një lavdie mbinjerëzore! Por kjo do të duhet të shërbejë si nxitje për të ruajtur paqen e stabilitetin në Kosovë e më pas edhe në rajon. Shtetësia e Kosovës, tërësia e saj territoriale janë kushte të panegociueshme për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë e në rajonin tonë!