06/12/2024

KOSOVA DHE QËNDRIMI ABSURD I BASHKIMIT EVROPIAN

0
Xhelal-Zejneli

NGA PROF. XHELAL ZEJNELI

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, kanë kaluar katërmbëdhjetë vjet. Sovraniteti dhe tërësia tokësore e saj vazhdon të mos njihet nga Serbia. Për këtë, dikush duhet të mbajë përgjegjësi.

Kosova është shtet i pavarur dhe ka të drejtë të sillet si i tillë. Shtetet e mëdha të Evropës Perëndimore, si Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sovranitetin e saj dhe tërësinë tokësore të saj. Atëherë përse e lejojnë Serbinë t’i kanoset Kosovës?! Dy shtetet kryesore të Bashkimit Evropian – Gjermania dhe Franca, e kanë njohur Kosovën në kufijtë ekzistues, ndaj është për t’u habitur sesi e lejojnë Beogradin t’i kërcënohet asaj ushtarakisht.

Kosova është çështje amerikane apo çështje e BE-së!? Kosova është çështje e NATO-s apo e Brukselit?!

Si është e mundur që Berlini dhe Parisi të mos e mbyllin ‘çështjen’ e Kosovës qe 14 vjet?! Nuk kanë dashur apo s’kanë mundur? A janë angazhuar dhe sa janë angazhuar ish-kancelarja gjermane Angela Merkel (Angela Dorothea Merkel, e lindur Kasner, 1954-) dhe presidenti i Francës Emanyel Makron (Emmanuel Macron, 1977-) për ta mbyllur punën e Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran?! A janë angazhuar dhe sa kanë punuar Merkeli dhe Makroni për t’i frenuar dhe për t’i ndalur synimet dhe aspiratat hegjemoniste dhe ekspansioniste të Serbisë ndaj Kosovës? A ka qenë Kosova në agjendën e tyre dhe ç’vend ka zënë ajo në atë agjendë? Duke qenë se drama kosovare nuk po mbyllet, rezulton se Kosova s’paska qenë dot në fokusin e interesimit të tyre. Po qe se Kosova është ‘çështje’ evropiane, atëherë ka qenë detyrë e Berlinit dhe e Parisit ta mbyllnin atë me kohë.

Ndaj Kosovës, Beogradi ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë politikën e forcës. Berlini dhe Parisi s’e kanë konstatuar këtë?! Politikën luftënxitëse, destruktive dhe destabilizuese të Vuçiqit, s’e ka vërejtur Brukseli? Politikë luftënxitëse, destruktive dhe destabilizuese Beogradi ndjek jo vetëm ndaj Kosovës, por ndaj tërë rajonit. Destruksioni serb shtrihet edhe ndaj Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë.

A nuk e vëren Brukseli se Serbia:

– ka kohë që armatoset me armë të siguruara nga Rusia dhe nga Kina;

– sjell në rajon Rusinë dhe Kinën;

– përçon në gadishull interesin rus dhe kinez;

– është zonë ruse e ndikimit;

– është sferë ruse e interesit.

Berlini dhe Parisi, jo vetëm që nuk kanë frenuar dhe nuk kanë ndalur Serbinë, por edhe e kanë favorizuar me të madhe. S’kemi ç’të themi për investimet ekonomike ruse, kineze dhe turke në Serbi, por s’ka se si mos habitesh me investimet gjermane, franceze, italiane! Në vend të ndëshkimit dhe izolimit, Serbia merr shpërblim. Shpërblehet një shtet i cili në vitet 1991-1995 ka shkaktuar gjakderdhje në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë. Shpërblehet një Serbi e cila ka kryer gjenocid si në Bosnjë dhe Hercegovinë ashtu edhe në Kosovë.

Shpërblehet një Vuçiq i cili:

– ushtron gjenocid të heshtur ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë);

– mbështet agresionin rus ndaj Ukrainës;

– nuk i vuri sanksione Rusisë;

– gjithë ditën kontakton dhe komunikon me Moskën dhe Putinin;

– në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, i ngjiste nëpër muret e ndërtesave të Beogradit fotografitë e kriminelit të luftës Vijisllav Sheshelit;

– i takonte të djathtës ekstreme, duke qenë edhe një euroskeptik i palëkundshëm;

– në vitet 1998-2000 ishte ministër i Informatave dhe mbronte me mish e me shpirt politikën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Këto nuk i ka ditur Brukseli, Berlini dhe Parisi, Merkeli dhe Makroni? Erdhi një ditë dhe ky farë Vuçiqi na veshi lëkurë qengji!! E tmerrshme!

Më 15 korrik 2019, për një vizitë dyditëshe shkon në Beograd Emanyel Makroni, ndërsa më 13 shtator 2021, i bën një vizitë dyditore Beogradit edhe Angela Merkeli. Që të dy e anashkalojnë Kosovën demokratike. E dhimbshme!

Qendrat proruse dhe filoserbe të Bashkimit Evropian nuk do ta mbyllin ‘çështjen’ e Kosovës.

Berlini dhe Parisi konsiderohen lokomotivë e BE-së. Kjo lokomotivë nuk paska fuqi:

– t’i bindë pesë shtetet e Unionit – Spanjën, Greqinë, Qipron, Rumaninë dhe Sllovakinë që ta njohin pavarësinë e Kosovës?

– ta pranojë Kosovën në Këshillin e Evropës?

– ta pranojë Kosovën në BE me një procedurë të përshpejtuar, si një rast i veçantë;

– të angazhohet për integrimin e Kosovës në NATO?

Fuqitë historike të Perëndimit, jo vetëm që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por si anëtare të NATO-s, për të parandaluar një katastrofë humanitare përmasash biblike, kanë ndërhyrë edhe ushtarakisht kundër makinerisë pushtuese dhe vrastare të Serbisë. Ndërhyrjen e NATO-s kundër kolonialistëve, hegjemonistëve dhe ekspansionistëve serbomëdhenj, Spanja dhe Greqia, ndonëse anëtare të saj, nuk e kanë kundërshtuar. Tani, këto dy shtete nuk e njohin pavarësisë e Kosovës. Nuk është kjo paradoksale?!

Nuk mbyllet puna e Kosovës me politikanin spanjoll Josef Borel (Josep Borrell, 1947-) dhe me politikanin e diplomatin sllovak Miroslav Lajçak të cilët vijnë nga  vendet që s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Emërimi i tyre s’është dot i rastësishëm. Ata janë emëruar që puna e Kosovës të zgjidhet me kompromis. Kjo është ajo që e kërkon Serbia. Por, Brukseli duhet ta dijë se kompromis për Kosovën paraqet plani i Ahtisarit. Çdo gjë përtej këtij plani cenon sovranitetin dhe tërësinë tokësore apo integritetin territorial të Kosovës. Me këtë plan, pakicave të Kosovës u sigurohen liri dhe të drejta si në asnjë vend të BE-së. Përfaqësuesit e pakicës serbe janë të përfshirë, si në Kuvendin e Kosovës ashtu edhe në qeverinë e saj. Serbishtja ndërkaq, është gjuhë zyrtare në mbarë territorin e Kosovës. Vallë, këto s’i di Brukseli? Por, Serbia nuk do të drejta për serbët e Kosovës. Ajo do territor. As këtë s’e vëren Brukseli? Berlini dhe Parisi duhet t’ia thonë Beogradit pa ekuivokë se synimet territoriale janë në kundërshti të plotë me parimet e BE-së. BE-ja funksionon mbi parimin demokratik dhe jo mbi atë të ndryshimit të kufijve. Problemi qëndron në faktin se Serbi jeton matanë demokracisë, në anën e kundërt të saj.

– Kosova është shtet me sistem demokratik dhe me demokraci parlamentare;

– Në Kosovë zhvillohet, ndërtohet, respektohet dhe realizohet pluralizmi politik;

– Kosova është shtet ku ka rend dhe rregull;

– Kosova është shtet i së drejtës, përkatësisht shtet ligjor, madje shumë më ligjor se Serbia;

– Kosova nuk është dhe kurrë s’ka për të qenë pseudoshtet, siç e dëshiron Serbia;

– Në Kosovë respektohen me Kushtetutë dhe ligj liritë fetare;

– Në Kosovë respektohen liritë dhe të drejtat e pakicave sipas standardeve më të larta të BE-së;

– Kosova ndjek politikë konstruktive, paqeruajtëse dhe stabilizuese në rajon;

– Ndaj fqinjëve të vet, Kosova ndjek politikë të fqinjësisë së mirë;

– Kosova synon anëtarësimin në BE;

– Kosova synon anëtarësimin në NATO.

Atëherë ku qëndron problemi i Serbisë?! Këtë pyetje Brukseli duhet t’ia bëjë Serbisë dhe jo ta ledhatojë atë.

*   *   *

Në vitet 2008-2014, kryeministër i Kosovës ishte Hashim Thaçi (1968-). Në vitet 2014-2017 ishte Isa Mustafa (1951-). Në vitet 2017-2020 ishte Ramush Haradinaj (1968-). Në muajt shkurt-qershor të vitit 2020 ishte Albin Kurti (1975-). Në vitet 2020-2021 ishte Avdullah Hoti (1976-) dhe prej vitit 2021 e këndej, përsëri Albin Kurti. Këtë që e bën kryeministri i përtashëm – Albin Kurti, duhej ta kishin bërë paraardhësit e tij. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Si e tillë, ajo jo vetëm që ka të drejtë të vërë rend në mbarë territorin e saj, por këtë e ka edhe detyrim. Me fjalë të tjera, faji i moszbatimit të parimit të ndërsjellshmërisë apo të reciprocitetit nuk takon vetëm Brukselit. Fajin për fatkeqësinë e vet, njeriu duhet ta kërkojë në vetvete, thotë romancieri, filozofi, dramaturgu dhe kritiku francez Zhan-Pol Sratrë (Jean-Paul Sartre, 1905-1980).

Ndaj zvarritjes së rrumbullakimit të shtetësisë së Kosovës kanë qenë indiferentë edhe institucionet arsimore dhe shkencore të kombit – akademitë e shkencave, si të Kosovës, ashtu edhe të Shqipërisë. Nuk kanë qenë në krye të përgjegjësisë historike as universitetet e kombit. Me një fjalë, inteligjencia shqiptare ka qëndruar në gjumë. Qëllimi i tyre ka qenë të zënë pozita dhe t’i ruajnë ato. Qëllimi i tyre ka qenë ta çojnë mirë me pushtetarët, për përfitime meskine. Një klasë politike që lufton me vetveten, s’lufton dot me armikun. S’bëhet shtet me dasma dhe me ceremoni fetare. Aq më pak me muzikë pornografike. Për shtet kërkohet arsimim, vetëdije kombëtare, idealizëm dhe vetëmohim. Shteti modern s’bëhet dot me populizëm. As me mikrovlera, as me mikrosisteme. S’bëhet shtet duke vepruar në mikroplan.

Nuk mjafton ditë e natë t’u referohemi ilirëve, Gjergj Kastriotit, rilindësve, Vlorë së 1912-ës, Nënë Terezës, Adem Demaçit, Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit, përkatësisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e në anën tjetër preokupim ta kemi pasurimin brenda natës.

Me ndihmën e ShBA-së, Kosova është duke ndërtuar makrovlera dhe makrosisteme, është duke vepruar në makroplan.

*   *   *

Trazirat e shkaktuara prej bandave çetnike kriminale serbe në veri të Kosovës, më 1 gusht të viti në vazhdim, shkojnë favor të Putinit. Ai noton në gjakun e ushtarëve të vet dhe të ushtarëve e civilëve ukrainas. Ai e ka humbur arsyen. Tanimë do luftëra dhe zjarr. Ai ka kaluar matanë historisë. Është antihistorik. Brukseli nuk duhet ta sjellë punën që për Kosovën të prononcohet madje edhe kryetari i Bjellorusisë Aleksandar Lukashenko (1954-). Lidhur me barrikadat e çetnikëve serbë në veri të Kosovës, ai tha: “Do të jemi me Serbinë…”.

S’na habit dot Lukashnko, miku i afërt i Putinit. Na habit Josef Boreli i cili me deklaratën e vet përkitazi me bllokimin e rrugëve të veriut të Kosovës, s’bëri dot asnjëfarë dallimi midis viktimës dhe hienës gjakpirëse. Viktimë është Kosova që s’e lënë të qetë, ndërsa hienë gjakpirëse është Serbia e Vuçiqit dhe jo vetëm e tij. A s’e sheh vallë Brukseli se në Serbi s’dëgjohet dot kurrfarë zëri alternativ? A kjo Serbi i thotë vetes: jam Evropë?! A kjo na qenka Evropa?! I këtillë na qenkësh kontinenti i vjetër?! Evropë, lëre rahat Serbinë në gjirin e Moskës dhe të Pekinit! Të mjaftojnë Shqipëria dhe Kosova, zemra e shqiptarisë. S’ka pasur fuqi që ka mundur ta shtrojë. Kombi shqiptar Evropë, të vlejnë sa njëqind Serbi – proruse. Mos prano në gjirin tënd Evropë, kalë troje. Mos shti në kështjellë tënde kolonë të pestë – ruse.

Kosova dhe Shqipëria do të bëhen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok