08/11/2024

Yllka Kuqi është ndër këngëtaret e rralla që ka bërë bum që në paraqitjen e parë, me potencialin e madh të zërit dhe jo me ekspozimin e pjesëve të trupit apo paraqitjen seksi në skenë. Me aktivitete kulturore ka filluar të me- rret që në moshë të re, dhe që në moshën 10 vjeçe është e pranishme në skenë, me muzikë qytetare dhe këngë të muzikës së lehtë. Kënga e parë që ka kënduar është “Mori vjollca që çel në saksi”, pastaj në shkollën e mesme ka kënduar edhe muzikë të huaj, si “Dove l’amore”, e shumë këngë të tjera. Por paraqitja e parë si e rritur ka qenë në festivalin “Shoë fest 2002″ me këngën ” Jetoj që të vdes me ty”. Pastaj ka vazhduar me “Zambakun e Prizrenit”, ku këndoi në duet me Butrint Bicurrin, “Më je zambak në pranverë”, me tekst të saj, me të cilën kori sukses shumë të madh, duke fituar çmimin a parë të publikut dhe çmimin e dytë të jurisë. Në vitin 2003 konkurron në festivalin “Polifest”, ku u paraqit me një këngë krejt ndryshe, me një stil që nuk e kishte kënduar deri atëherë, me të cilën u shpall fituese e festivalit. Kënga “Ti je ai” arriti po ashtu sukses të madh dhe një jehonë të madhe në skenën kosovare. Por suksesin më të madh në arritjen e saj si këngëtare ajo e arrin me këngën “Dhe të dua”, të cilën e këndoi me aq pasion, ndjenjë dhe shpirt, këngë e cila i dha mundësinë të shpalosë gjithë atë dashuri për këngën dhe muzikën që ishte fshehur brenda saj prej kohësh. Kjo këngë ishte melodia e bukur e Astritit, që i dha mundë- sinë të shprehë aftësitë e saj vokale dhe t’i sjellë një sukses të paimagjinuar.

Çfarë ka ndikuar në fillimet e tua si këngëtare?

Ndoshta për të përcaktuar muzikën që do të kultivosh si këngëtar, një rol të madh luan muzika që dëgjon, prej së cilës ushqehesh dhe je e edukuar ta dëgjosh, përveç anës tjetër, që ajo është ndoshta edhe një zgjedhje instiktive e asaj se çfarë të pëlqen dhe çfarë jo. Ndaj një muzikë tërhiqemi më shumë e ndaj një tjetre më pak. Kam qenë gjithmonë nën ndikimin e muzikës së lehtë të Shqipërisë, kryesisht të festivaleve, andaj edhe kam një nostalgji gjithmonë dhe një preferencë të veçantë për festivalet. I kam ndjekur me shumë pasion dhe përkushtim dhe jam munduar qysh atëherë të bashkëndjej atë që artistët ndjenin në skenë. Ndoshta në këtë aspekt luan rol të madh edhe ndikimi i familjes. Të gjithë kemi qenë gjithmonë të apasionuar ndaj muzikës së lehtë.

Është e vështirë të merresh me muzikë në Kosovë?

Nga njëra anë është shumë e lehtë… sot kushdo mund të bëhet këngëtar… kjo është ana e “lehtë”… ndërsa pjesa e vështirësisë i takon artistëve që dëshirojnë ta kultivojnë, ta mbajnë dhe ta zhvillojnë në drejtim të progresit këngën shqipe… Eshtë shumë e vështirë që në gjithë këtë konfuzion që po mbretëron në muzikën shqiptare, të triumf- osh me këngë të bukura, origjinale, me vlera artistike… e vështirë madje është të jesh artist dhe ta mbash këtë epitet.

Çfarë të ofron një këngë dhe çfarë ofron me një këngë?

Për mua muzika është një nocion shumë i gjerë, siç është p.sh. edhe jeta, që nuk mund ta përmbledhësh as me një fjalë e as me një fjali të vetme. Në çdo kohë, në çdo çast dhe në çdo gjendje që jam, kam dëshirë të shoqërohem nga muzika dhe të këndoj… më vjen nga thellësia e shpirtit… nuk mund të mos i jap gjithë atë që kam… Gjithmonë jam brenda në këngë. Ndërsa një këngë mua më jep mundësinë ta shpalos shpirtin tim, t’i falem asaj.

Ke marrë pjesë edhe nëpër festivale, ku ke fituar edhe mjaft çmime. Sa çmime dhe sa janë të rëndësishme për karrierën tënde muzikore?

Kam fituar vërtet shumë çmime për një kohë të shkurtër. Të rralla janë festivalet që kam marrë pjesë e nuk kam fituar një çmim. Kjo është e një rëndësie shumë të madhe, sidomos për një artist të ri. Një çmim më jep çdoherë kurajë që herën tjetër të sjell edhe më shumë, edhe më mirë, ta eksploroj akoma veten.

Të fejuarin e ke kompozitor. Sa të ka ndihmuar për ngritjen profesionale?

Kam qenë me Astritin para se të jem këngëtare, ndërkaq shtytjen dhe përkrahjen më të madhe që të hyj në botën e muzikës e kam pasur nga ai. E kam njëkohësisht pedagog, kompozitor, shok të jetës, këshillues, kështu që nuk besoj se duhet ndonjë koment më i madh për këtë.

Çfarë bashkëpunimi ke me kolegët e tjerë të skenës muzikore në Kosovë dhe jashtë saj?

Jam shumë e hapur për bashkëpunim me të tjerët, nëse një gjë e tillë më kërkohet ose është e nevojshme. Më kanë pritur shumë mirë këngëtarët, qoftë nga Kosova, nga Shqipëria apo Maqedonia dhe kam bashkëpunim të mirë me shumë këngëtarë dhe kompozitorë, të cilët nuk po i përmend me emra se janë shumë e nuk dua që ndonjëri të mbetet jashtë kësaj. Por, do të veçoja vetëm njërin nga ata, që ka qenë së pari një surprizë e këndshme, një nder i madh që më është bërë, një ëndërr e imja e plotësuar tashmë, dueti me artistin Ardit Gjebrea, i cili më ka përkrahur dhe ka treguar një respekt dhe përkujdesje shumë të madhe për mua. Për këtë i falënderohem gjithmonë.

Cila është rivalja jote në skenë?

Unë nuk jam intensivisht në skenë nuk e konsideroj askënd konkurrente, sepse ndoshta shumica prej këngëtareve ose këngëtarëve të tjerë janë më shumë se unë të pranishëm në skenë. Kjo tregon se nuk nxitem nga frika ose pasiguria se mos po e humb vendin tim, kam rrugën time që duhet ta ndjek.

Çfarë ndjen në skenë? Pushtet, dobësi apo frikë?

Ajo që ndodh para se të dal në skenë është më e sikletshme, ndërsa prej çastit kur ngjitem në skenë ndjej gjithçka, emocion, ndjenjë, siguri, fuqi… ngatërrohen të gjitha. Por, sidoqoftë i vë vetes obligim që ta pushtoj skenën e jo t’i frikësohem asaj për të arritur tek suksesi i dëshiruar.

Sa rëndësi i kushton pamjes së jashtme dhe look-ut në skenë?

I kushtoj më shumë kohë vendimit se si do të dal, por kur e kam skicën nuk bëhem shumë merak për të tjerat, më shumë i jap rëndësi përshtatjes së look-ut me këngën dhe interpretimin tim.

A mendon se je e përkryer, apo ka ndonjë gjë që do doje të ndryshoje te vetja?

Po të mendoja se jam e përkryer, me siguri që nuk do të pretendoja për më shumë. Sa më shumë që arrij, aq më shumë shoh sa punë kam për të bërë.

A do ta ndërrosh profesionin, apo do të vazhdosh të merresh me muzikë tërë jetën?

Me profesion jam psikologe. Para ca ditësh kam diplomuar në Fakultetin e Psikologjisë në Prishtinë dhe punoj në këtë profesion. Pres të regjistroj shkallën e dytë Master. Ky është profesioni im parësor, muzika është diçka që s’do ta lë kurrë, por nuk mund të varem vetëm prej saj.

Nëse të kërkohet të paraqesësh karakterin tënd vetëm me tre fjalë, cilat janë ato?

Sentimentale, nganjëherë luftarake (ambicioze) dhe dëshira për të marrë shumë përgjegjësi mbi vete.

Cili është komplimenti më i mirë që ju ka bërë dikush?

Yllka, ti di se çfarë do…

Cilat janë momentet e tua më të vështira?

Kam pasur momente shumë të vështira. Shumë herë jam ndjerë e pafuqishme… shumë herë jeta di të jetë e ashpër, me shumë padrejtësi, humbje… Kam humbur nënën që në moshë fare të vogël, kur isha 8 vjeç dhe ajo ende mbetet një plagë e hapur gjithmonë për mua… Më mungon gjithmonë…..

Si e kapërcen një moment dëshpërimi?

Mundohem të gjej anën pozitive.

A gënjen ndonjëherë dhe pse?

Nuk mbaj mend ndonjë rast të veçantë, por e di që për t’u ikur disa situatave të rrezikshme duhet të gënjeja. Këtë e quaj gënjeshtër racionale ose shpëtimtare…hahaha.

Ç’marrëdhënie ke me ushqimin dhe palestrat?

Më pëlqen t’i konsumoj të gjitha llojet e ushqimit, që nga ai tradicional e deri tek ai modern e i huaj, shkoj në palestër kur kam kohë, pasi jam shumë e zënë. Formën e mirë fizike më tepër e kam dhuratë të natyrës.

Të pëlqen popullariteti? Çfarë është fama për ty?

Më pëlqen popullariteti, por nuk dua ta ndjej veten krejt ndryshe nga të tjerët, edhe pse nganjëherë të imponohet vetvetiu një gjë e tillë, andaj edhe mundohem të jem normale si të gjithë njerëzit e tjerë në aspektin që të vishem si tjerët, të shkoj në vendet ku shkojnë të tjerët, thjesht të jetoj dhe të mos ndihem e veçuar. Të jem e prekshme dhe me këmbë në tokë.

Cilat kanë qenë përvojat në skenat në Shqipëri?

Në Shqipëri kam performuar në “Miss Albania” të këtij viti dhe jam pritur jashtëzakonisht mirë, si nga publiku ashtu edhe nga organizatorët. Kam vërtet shumë kujtime të bukura nga ai eveniment. Kam marrë shumë duartrokitje, shumë fjalë të bukura, si dhe ftesa për bashkëpunime. Një organizim i mrekullueshëm.

Ku të presin më mirë?

Është interesante se deri më tani nuk kam mundur të tërheq ndonjë vijë ndarëse se ku më presin më mirë. Kudo ku kam kënduar jam pritur jashtëzakonisht mirë. E veçoj ndjenjën që më dha publiku në sallën e festivalit “Kënga Magjike”. Ishte gjëja më e bukur që më ka ndodhur, duartrokitjet pa u ndalur gjatë gjithë këngës, përderisa kënga ime ishte një baladë. Ajo më ka dhënë shumë kurajë dhe sa herë e këndoj këngën “Dhe të dua”, publiku është me mua.

Çfarë duhet të presin ata në të ardhmen?

Këngë të bukura, albumin me këngët e mia, koncerte live, sepse e dua shumë këndimin live…dhe shpresoj të kem mundësinë ta realizoj atë edhe… ku i dihet!

Jeta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok