24/12/2024

Xhelal Mudë Vladi, luriani trim dhe qëndrestar, një model për brezat

0
Xhelal-Mude-Vladi

Nga Gëzim LOKA

Në gjurmët e ndezura të Luftës së Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku krahina e Lurës mbajti një peshë të konsiderueshme jo vetëm në Dibër, Kukës, Mat e Mirditë, me të cilat rrethohet, por në gjithë hapësirën shqiptare, radhitet edhe Xhelal Mudë Vladi, ish partizan dhe më vonë oficer i Ushtrisë shqiptare, njeri qëndrestar, i aksionit dhe shpirtit vetëmohues, që e karakterizoi gjatë gjithë jetës, deri sa mori frymë mbi tokën e bekuar luriane. Ishte njeri i nderuar, i fjalës dhe punës, i besës dhe burrërisë, bujar dhe shpirtpastër, i mençur dhe i drejtë, me guximin dhe krenarinë e Alpeve tona, ku u rrit e hodhi shtat, ku morën rrugë ëndrrat e tij të jetës.

Lindi në Pergj Lurë në vitin 1922, për të kryer shkollën fillore dhe shtatëvjeçare në Shkodër, ku dallohet për zgjaursi natyrale, për pasionin për dijet dhe këmbënguljen për të studiuar e thelluar në problemet politike të kohës, çfarë e bëri të kuptonte gjendjen e rëndë të vendit pas pushtimit të tij nga Italia fashiste, çfarë e bëri të dilte malit partizan për liri në vitin 1944 , në moshën 22 vjeçare. Ai u inkuadrua në radhët e Brigadës XVII Sulmuese, ku luftoi me guxim e trimëri të pashoqe gjer në çlirimin e plotë të Atdheut nga këmba nazi-fashiste dhe kolaboracionistët.

Brigada XVII u krijua me 26 shtator 1944, në vendin e quajtur Fushë e Kuqe, në fshatin Gjinar të Shpatit të Elbasanit, ku në përberjen e saj u futen batalionet e qarkut të Elbasanit: Batalioni Dumre – Darsisë, i Shpatit “Naun Panxhi”, i Bërzeshtes, i Verçë-Sulovës dhe ai i Polisit. Përvec këtyre u rreshtuan edhe 94 të rinj nga qyteti i Elbasanit dhe nga terreni. Xhelal Mudë Vladi u inkuadrua në këtë këtë brigadë që në ditën e parë të krijimit të saj.

Përjekja e parë me armikun, ku luftoi me trimëri të rrallë dhe luriani Xhelal Mudë Vladi u bë në Darsi të Peqinit me 2 tetor 1944, ku shpartalloi banden balliste te Hamit Matjanit e çliroi krahinën duke vendosur pushtetin e keshillave Nac-Cl. Në këto luftime të ashpra ra ne fushen e betejes partizani Rrahman Lato dhe u plagos komandanti i batalionit Muharrem Çota. Xheladini mori pjesë dhe në betejën e 5 tetorit ku brigada sulmoi një autokolonë gjermane ne rrugen Elbasan-Peqin ku iu shkatuan armikut dëme të mëdha. Pas ketyre veprimeve luftartake Brigada XVII u ngarkua të vepronte ne rajonin e Qafes së Kërrabës, per te goditur postat dhe kolonat gjermane gjatë rrugës Elbasan-Tirane dhe Elbasan – Peqin.

Luriani sypatrembur ndoqi aksionin luftarak të Brigadës, nga 24 tetori 1944 deri me 16 nentor 1944, kohë kur ajo ka bere 23 goditje kunder kolonave gjermane nga te cilat 9 jane bere ne rrugen Elbasan-Peqin dhe 14 goditje ne rrugen Elbasan–Tirane.

Me urdhër të Shtabit të Përgjitshëm brigada u kthye në luftimet per clirimin e Tiranës, duke u vendosur në Mullet e Lundër dhe me 13 nëntor 1944, kreu sulmin mbi autokolonën gjermane të grupit “Steyker”, Qafë-Krrabë-Tiranë. Në Fikas e Ibë ajo së bashku me forca të tjera partizanë i shkaktoi armikut humbje të rënda. Në betejen e Mushqetas me 13-14 nëntor 1944 armiku u dëmtua rendë prej luftës partizanë.

Xhelal Mudë Vl;adi do të merrte pjesë në luftën e Tiranës, kur kryeqyteti ndodhej i rrethuar nga forcat partizane dhe  Brigada XVII siguronte shpinen dhe krahet e tij.

Pervec detyrave luftarake, Brigada XVII kreu edhe detyra te tjera te rendesishme politike ne drejtim te vendosjes e te forcimit te pushtetit popullor ne krahinat e Dumrese, Darsise, Peqinit, Krrabes, Krujes, Ishmit , Mirditës, Matit, Bulqizës e, Peshkopisë. Xhelal Mudë Vladi do të gjendej gjithmonë në ballë të këtyre detyrave. Gjithashtu në përbërje të kësaj Brigade, Xhelali mori pjesë në operacionet luftarake në Dibër kundër forcave kolaboracioniste të Halil Alisë dhe reaksiionit tjetër të lidhur me pushtuesin nazi-fashist.

Pas Çlirimit mbaroi shkollën e mesme ushtarake “Akdënrbej” në Tiranë dhe punoi oficer në radhët e Ushtrisë deri në vitin 1956, kur e kapi nëntëmijshi. U rikthye në Lurën e tij, të mallit dhe dashurisë së parë, ku punoi në Ndërmarrjen e Përpunim Drurit, si përgjegjës sektori e më vonë si përgjegjës sektori në Ndërmarrjen e Përpunim Drurit Laç.

Kishte për bashkëshorte Barie Vladin, nga fisi Doda në Lumë, me të cilën kanë dy djem: Halim Vladin, emigrant në Angli dhe Avni Vladi, me banim në Lezhë.

Për kontribut në ushtri dhe në të gjitha punët që ka punuar, me përkushtim e dinjitet, është vlerësuar nga organet shtetërore të kohës me tituj e medalje, si Medalja “Çlirimi”, Medalja “Trimëria”, “Medalja e 10 Vjetori të Çlirimit, Medalja e 60 vjetorit të Çlirimit.

Xhelal Mudë Vladi ishte një njeri modest, fjalëpak e punëshumë, njeri i akisonit konkret dhe vrulleve të kohës, lurian trim dhe qëndrestar, që e mbarti kohën e tij mbi supe, e ushqeu me frymën e tij, duke iu dhënë jetë ëndrrave më të bukura luraine dhe shqiptare, me idealin e një brezi të papërsëritshëm, një model për dje, për sot dhe nesër, për brezat që do të vijnë…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok