18/04/2024

Xhamitë në Anë të Malit

0

Nga Gjekë Gjonaj

Objektet e kultit të besimtarëve islamë  në Anë të Malit  përfaqësohen nga xhamitë, të cilat  janë monumente të trashëgimisë  kulturore të Komunës së Ulqinit. Për xhamitë  më të vjetra  në këtë trevë  mungojnë  dokumente të shkruara nga studiues shqiptarë. Studime të mirëfillta të publikuara për xhamitë në Anë të Malit   nuk kemi, përveç librit të Bajro Agoviqit “Xhamitë  në Mal të Zi”.

Të dhënat për këto xhami Agoviq i ka nga burimet arkivore të Bashkësisë  Islame në Mal te Zi, nga gojëdhënat e banorëve të  xhamive përkatëse dhe nga pllakat origjinale të cilat gjenden në disa prej xhamive. Arkivi i Bashkësisë Islame  të  Malit të Zi dhe i qyteteve përkatëse, nuk ka arritur  të ruajë dokumentacion e përshtatshëm për shkak të rrethanave  dhe luftrave të kohës. Mungon një studim i mirëfilltë shkencor referuar  arkivave të periudhës osmane.  Bazuar në  trashëgiminë gojore  dhe të dhënave të drejtuesve të Bashkësisë Islame të Ulqinit dhe të imamëve anamalas arritëm të evidentojmë  16 xhami aktive, si vijon:

1.Xhamia e Klleznës

Kjo xhami është ndërtuar në vitin 1917 me kontributin e besimtarëve vendas. Por, supozohet se xhamia për herë të parë është ndërtuar rreth vitit 1696, gjegjësisht në kohën e ndërtimit të Urës së Klleznës. Xhamia është riparuar para vitit 1966, ndërsa në vitin 1984 u ndërtua plotësisht xhami e re, në themelet e xhamisë së rrënuar nga tërmeti i vitit 1979. Në vitin 2013 Xhamia e Klleznës u rindërtua përsëri.

Në këtë xhami shërbyen shumë imamë, si vijon:Ramadan (Dan) Kllezna,Osman Spahiq,Said Bisha,Sadik Llolla,Selim Shaptafa,Rifat Tula dhe ,Senad Maku.

  1. Xhamia e Krythës

Kjo xhami mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1725.  Në oborrin e saj  gjendet kroi i ujit, kurse te mejtepi ndodhet pusi. Në muret e kroit  është identifikuar  një pllakë origjinale  me shkrim arabo-osman. Në  këtë pllakë, siç pohon Mr. Ali Bardhi kryeimam i Bashkësisë Islame të Ulqinit,  shkruan se kroin e ndërtoi bamirësja  Fatime, e bija e Beqirit ( viti 1063 hixhri – viti miladi 1652). Sipas gojëdhënës  kjo  xhamia është djegur  nga shkjau i parë në vitin 1878, kurse është ndërtuar në kohën kur fshati Krythë ka pasur 7 shtëpi të besimit islam, ndërsa të tjerët kanë qenë katolikë. Xhamia ka pasur  mejtepin dhe shtëpinë e hoxhës.  Pas tërmetit të vitit 1979 krythjanët kanë ndërtuar xhaminë e re në vitin 1987 në  një vend tjetër për shkak se xhaminë e  parë e ka shkatërruar tërmeti  i fuqishëm.  Aktualisht edhe Xhamia e Vjetër është rindërtuar. Imamët e kësaj xhamie janë:Hafiz  Izet Tirana,Hasan Kunja,Osman Pelinku,Osman Duriqi,Fasli Çobi ,Bajram Hajdari dhe Amir Tula.

3.Xhamia e Shasit

Nuk njihet viti i ndërtimit të saj. Në bazë të pllakës origjinale të Xhamisë së Selitës me vit ndërtimi 1851, e cila deri në këtë vit ka qenë pjesë e Xhamisë së Shasit, na çon në mendimin që kjo xhami mund  të jetë ndërtuar shumë më përpara. Disa nga Imamët e fundit janë: Hafiz Sait Shasi,Ismail Muça,Rifat Doda dheSali Bajri.

4.Xhamia e Selitës

Referuar pllakës  së saj origjinale,   ajo është ndërtuar në vitin 1851. Këtë xhami e ndërtoi zonja Hatixhe pasi më përpara banorët e këtij fshati obligimet fetare i kryenin në Xhaminë e Shasit. Edhe katërkollasit u bënë pjesëtarë të Xhamisë së Selitës. Imamët që kanë shërbyer në këtë xhami janë :Shefqet Luca,Ram Luca,Izet Hoxha,Mustafë Hollaj dhe Edin Veliqi.

Xhamia e Katërkollës

Sipas  rrëfimit të disa imamëve , kjo xhami   është ndërtuar në vitin  1969 , kurse  nga  burime të tjera mësojmë se  është ndërtuar në vitin  1971. Deri në ndërtimin e kësaj xhamie banorët e fshati ritet fetare i kryenin në Xhaminë e Selitës. Më sa dimë këtu kanë shërbyer këta imamë:Eshref Hollaj,Sylejman,Hajdari dhe Isa Aloshi.

6.Xhamia e Shtodrit

Kjo xhami thuhet se është ndërtuar në vitin  1835. Imamët qëkanë shërbyer në këtë xhami janë: Imer Kraja,Adem Shaptafa,Jakup Luca dhe  Xhevdet Demiri

  1. Xhamia e Lamijve në Kravar të Poshtëm

Mendohet të jetë  ndërtuar disa vite para Xhamisë së Kravarit Nalt. Sipas gojëdhënës  pas prishjes së kësaj xhamie nga tërmeti i vitit 1968  pllakën origjinale dhe disa gurë të xhamisë i ka marrë një fshatar dhe aty ka ndërtuar pusin. Për shkak të terrenit të papërshtatshëm xhamia e re u ndërtua disa metra më tutje. Imamët që kanë shërbyer  shërbyer në këtë xhami janë : Isa Haxhimani,Rexhep Gjeloshi,Dul Bardhi dhe Rrustem Zaga.

8.Xhamia e Kravarit të Epërm

Duke iu referuar  pllakës së saj origjinale ajo është  ndërtuar  në vitin 1762. Pas tërmetit xhamia e re u ndërtua disa metra më larg. Ajo është rindërtuar në vitin 2014 Imamët e kësaj xhamie janë: Sait Bisha,Jakup Luca,Qazim Ceni,Sait Shasi,Omer Demiri ,Isa Aloshi dhe Daut Kallaba.

9.Xhamnia e Sukubinës

Mendohet të jetë ndërtuar  në vitin 1820 . Deri në këtë vit banorët e këtij fshati dhe ata të Shtufit ritet fetare i kryenin në Xhaminë e Lamijve-Kravar Poshtë. Pas tërmetit u ndërtua xhamia e re pranë varrezave të reja të fshatit. Imamët e saj janë: Ramë Luca,Isak Hoxha,Rexhep Veliqi dhe,Isak Hoxha.

10.Xhamia e Millës

Mendohet të jetë ndërtuar në vitin  1792. Për shkak të rrëshqitjes së fshatit,  xhamia zhduket. U ndërtua nga banorët e fshatarëve Kaliman, Bojk, Kosiq dhe Millë në vitin 1916. Në tërmetin e vitit 1968 u rrënua dhe në themelet e saj u ngrit xhamia e re. Në tërmetin e vitit 1979, xhamia u shkatërrua plotësisht. U rindërtua në vitin 1981. Nëkëtë xhami i kryen shërbimet fetare këta imamë:

Osman Spuzha,Musa Podgorica,Hasan Kunja- Spahiqi,Ramadan ( Dan)  Kllezna,Hasan Milla -Islami ,Jakup Luca,Osman Pelinku,Ali Mehani dheRexhep Veliqi.

11.Xhamia e Bojkut

Është ndërtuar  në vitin  1998 dhe rindërtuar në vitin  2001. Banorët e këtij fshati më përpara ritet fetare i kryenin në Xhaminë e Millës, kurse tani   nga imami   Vaid  Nikaj.

12.Xhamia e Brajshës

Mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1785. Imamët e saj janë:Osman Pelinku ,Brahim Bajramoviq,Selim Shaptafa,Isuf Bouli,Ramadan Gjoni dhe Jetmir Sella.

13.Xhamia në Draginë

Thuhet të jetë ndërtuar në vitin  1856. Në këtë objekt kulti mysliman kanë shërbyer këta imamë: Haxhi Nuhi,Elez Bisha,Dul Bardhi ,Xhemal Draga dhe Xhemal Gjeloshi.

  1. Xhamia e Rashtishës së Poshtme

Mendohet të jetë ndërtuar në vitin  1801. Imamët që shërbyen në këtë  xhami janë : Sulejman Haxhimani ,Sadik Llolla,Rifat Tula

Rifat Doda dhe Kujtim Demiri.

15.Xhamia e Rashtishës së Epërme

Është ndërtuar në vitin 1983. Deri në këtë vit banorët e këtij fshati i kanë kryer ritet fetare në Xhaminë e Rashtishës së Poshtme. Besimtarët mësimet fetare  i kanë marrë nga imamët   Selim Shaptafa dhe  Hydajet Tula.

16.Xhamia e Leskocit

Sipas shënimit në gur i cili ndodhet mbi derën e xhamisë  është  ndërtuar në kohën e sulltan   Abdyl Hamitit II, në vitin 1892. Pas tërmetit të vitit  1979  xhamia pësoi dëmtime të mëdha dhe më 1981 u ngrit xhamia e re. Xhamia u rinovua  në vitin 2014. Për dallim nga xhamitë e tjera në Anë të Malit,  aktualisht predikimi fetar në këtë objekt të kultit  bëhet në gjuhën malazeze/boshnjake, sepse popullata e këtushme  deklarohet    joshqiptare dhe nuk e flet gjuhën shqipe. Brezi i vjetër e ka njohur gjuhën shqipe, ndërsa brezi i ri shumë pak. Imamët që kanë shërbyer në këtë xhami kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shqiptarë. Ja emrat e disa prej hoxhallarëve të kësaj xhamie :  Ibrahim Abdiq ,Isa Aloshi,Medjen Shaptafa dhe,Veib Mehani.

Fatkeqësisht historia e xhamive  të vjetra  nuk ekziston e dokumentuar, veçse e trashëguar nga gojëdhëna edhe ato s mjaft shpesh të mjegulluara. Në mungesë të shënimeve  të dokumentuara mungojnë  të dhënat e sakta për  ndërtimin dhe rindërtimin e këtyre xhamive  dhe  emrat e  të gjithë imamëve (hoxhallarëve) që kanë shërbyer në këto objekte kulti me vlera të mëdha besimi e qytetërimi.

Në këto objekte  fetare të besimit islam, anamalasit përveç  predikimeve të fesë, paqes, harmonisë  mes njerëzve, atdhetarizmit dhe  vlerave të tjera të individit dhe shoqërisë,  janë takuar, kanë  biseduar, janë vëllazëruar e këshilluar njëri me tjetrin për sjellje të veçanta sociale, fetare e kulturore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok