NEFRUZ ISEN ÇELIKU (1877- 1943)

0

DËSHMORË PËR SHQIPËRI ETNIKE

NGA BAJRAM ҪELIKU – BALI

Nefruz Ҫeliku, lindi në fshatin Cërvicë të Kërçovës, në vitin 1877. Rrjedh nga një familje e pasur, bujare dhe trime, e respektuar jo vetëm ndër fshatarë, por edhe në mbarë Kërçovën. Familje, e cila ishte dalluar që në kohë të Turqisë, në luftë kundër reformave të Tanzimatit, të sjellura nga Sulltan Mexhiti. Trimëritë e familjes Çeliku, dikur e njohur si familja Bajraktari me prejardhje nga Shkodra, e cila atje i bëri disa luftëra kundër Turkut. Shkak, i cili qe i detyruar që të lëvizi nga vendi në vend për t’i humbur gjurmët nga përndjekja e zaptive turke.

Në fillim thuhet se u vendos në fshatin Peladhi, Gryka e Madhe e Peshkopisë, e së fundi në fshatin Cërvicë të Kërçovës. Një familje edhe në fshatin Desovë të Prilepit. Kjo familje edhe pse u largua nga Shqipëria, nuk mbeti rehat nga turqit, e kjo u tregua gjatë kohës së reformave të Tanzimatit, të sjellura në kohën e Sulltan Mexhitit. Kohë, kur Emin Çeliku, i njohur në histori si Emin Xhambazi Kërçova, i pari asaj kohe e çliroi Kërçovën, duke zhvilluar luftë kundër turkut në krye me Hajredin Pashën, disa beteja si në fshatin Sop, në jug-lindje të Kërçovës. Dhe, së bashku me Dervish Carën nga Tetova, çliruan Shkupin dhe Katllanovën me pretendime për të çliruar Velesin, Prilepin dhe Manastirin.

Viti 1913, do të mbetet vit kurrë i paharruar për këte familje, trime e bujare. Hordhitë serbe me në krye Mihajlo Josifoskin, apo Mikajlin e Brodit, si që njihet në popull, masakruan shumë fshatra të Kërçovës, e në mesin e tyre edhe Cërvicën. Në mesin e të masakruarve, u gjend edhe babai i trimit sypatrembur nga Cërvica, Isen Çeliku. Nefruz Çeliku, rrëfente gjyshi im Emin Çeliku, u rritë pa baba, por kurrë nuk harroi fytyrën e tij, me shpresë se një ditë prej ditësh do të vijë koha, kur do të hakmerrej për babanë, që ia masakruan katilat shkie.

Para se të vinte Lufta e Dytë Botërore, në kohë të Shqipërisë Etnike, shkon te varrezat masive në “Bllatë”, ku ishte masakruar edhe babai i tij, dhe kishte parë se, disa trupa të pajetë, të veshur si dikur me veshje kombëtare, ishin zbuluar nga vërshimet e shirave. Këthehet në shtëpi, merr një lopatë dhe i mbulon trupat e pajetë, ende të pa prishur më rrëfente stërnipi i tij Ramazani, dhe vendos disa hunj prej druri, për të përcaktuar vendin e të masakruarve. I prekur nga ajo se ç kishte parë me sytë e tij, shkon në fshatin fqinj të krishterë Oslome, banorët e të cilit kishin hapur gropat për të masakruarit, ku në majë të Zyrës së vendit valonte flamuri serb. I inatosur e tërheq atë duke ia vënë zjarrin, jo vetëm flamurit serb, por edhe godinës të Zyrës vendit, duke e shëndrruar atë në shkrumb e hi, së bashku edhe me dokumentacionin për lindje, vdekje dhe bashkëshorti.

Kur e patën pyetur se, pse e bëri këtë? Kokëlartë përgjigjet: ,,Këtu është toka jonë, këtu mund të qëndrojë vetëm flamuri shqiptarë. Nuk ka vend për dy flamuj, unë njoh vetëm atë flamurin shqiptarë, serbi le ta mbajë atje në Sërbi…

E tani të këthehemi pak te familja më e afërt e Xha Nefruzit. Xha Nefruzi, vëlla nuk ka pasur, ka pasur vetëm një motër. Bashkëshortja e tij ka qenë nga fshati Garanë, nga familja Velije. Ka pasur vetëm një djalë me emrin Asan, dhe një vajzë të martuar aty në fshat te familja Ballazhe, te Ramazan Ballazhi. Xha Nefruzi dajallarët i ka pas, në fshatin Kastriot (Sërbicë), te dëshmori Shefki Jagodini. Djali i tij Asani, të shoqen e ka pasur prej te familja Ballazhe. Konkretisht, prej te Islam Ballazhi, mbesa e Mazllam Qafës, babai i heroinës Sulltanë Qafa. Asani për trashëgimtarë të tij pati tre djemë: Isenin të cilin e pagëzoi me emrin e babait të tij, Osmanin dhe Imerin, si dhe një vajzë me emrin Sulltana, e martuar në Shutovë. E shoqja e Asanit bijës së vet ia dha emrin Sulltana, në bazë të heroinës Sulltanë Qafa, të cilën e ka pasur vajzë daje, si vajza e Mazllam Qafës.

E tani të këthehemi pak te veprimtaria e trimit sypatrembur nga Cërvica, i cili nuk njihte dy flamuj, por vetëm një edhe atë, Shqiptar. Trim mbi trima, rrëfente gjyshi im Emin Çeliku, na ishte Nefruz Çeliku. Trim, që rrallë lind nëna. Trimërinë dhe burrërinë e tij e tregoi qysh në kohën, kur Kërçova ishte pjesë e pandarë e Shqipërisë Etnike. Kohë, kur edhe mësuesit i kishim nga Shqipëria.

Ishte vjeshta e vitit 1942, e në Cërvicë ishte caktuar për mësues Lajç Prençi nga Shqipëria, e te ai mësonte edhe Ramë Çeliku. Mësuesi Lajç Prençi, më rrëfente babai im Ramë Çeliku, një ditë para se të festohej dita e flamurit 28 Nëntori, na porositi që ditën e nesërme nëpër strajcat tona që i mbanim librat e fletoret, të mos i shtinim ato, por vetëm bukë e ujë. Sepse, do të shkonim në fshatin Premkë, për të festuar ditën e flamurit. Të nesërmen, rrëfente babai im Ramë Çeliku, u nisëm së bashku me mësuesin Lajç Prençin, por na u bashkuan edhe shumë fshatarë me tupana, duke hedhur valle e duke kënduar këngë patriotike. Rrugës për në Premkë na u bashkuan edhe nxënës, fshatarë nga Garana e Shutova, festohej Dita e Flamurit, 28 Nëntori.

Posa, dëgjojnë fshatarët ortodoks se, Cërvicasit hedhin valle me të madhe, e se ndalin këngën reagojnë te xhandarmërija italiane, që të ndalet vallja e kënga, por Cërvicasve as çë u shkonte ndër mend, të ndërpresin harenë dhe gëzimin. Kryeshefi i karabinerëve në zyrë të tij thërret mësuesin Lajç Prençin, duke e kërcënuar atë me revolverin që e mbante në brez, por mësuesi trim kapet fyt për fyti me të, e duke u munduar që t’ia rrëmbejë revolverin. Në ndërkohë, rrëfente babai im Ramë Çeliku, në zyrë hynë Hejmi i Shutovës, dhe kur sheh mësuesin fyt për fyt me eprorin italian, me hanxharin e tij, shpon disa herë italianin, duke e lënë të vdekur.

Krisi potera, rrëfente babai im, e italianët sulmojnë me pushkë mësuesin, por ai me revolverin e rrëmbyer, vret disa nga ato, dhe me nxënësit, fillon të iki në drejtim të Cërvicës. Krismën e pushkëve e dëgjon Nefruz Çeliku, dhe del në oborr të shtëpisë, duke dhënë kushtrimin ndër fshatarë:  ,,Dilni bre burra rrëmbeni pushkët, se na i vranë fëmijtë!” Së bashku me shumë trima nga Cërvica arrijnë deri te lumi afër mullirit të Shutovës, dhe ndihmojnë mësuesin Lajç Prençin i cili dy e nga dy nxënës i nxirrte nga ana tjetër e lumit. Pasi sillen nxënësit në Cërvicë, mësuesi u thotë atyre se, nga dita e nesërme do të vijë një mësues tjetër, sepse është e pamundur që ai të qëndrojë më këtu, është e domosdoshme të këthehet në Shqipëri. Në Shutovë karabinerët italjanë arrestojnë Hejmin, e në ndërkohë në shenjë hakmarrjeje vrasin Plakun e katundit Ibrahim Sefadinin.

Vjeshta e vitit 1943, do të jetë edhe më e zezë se ajo e vitit 1942. Kohë, kur forca të mëdha bullgare nga lindja, vijnë që të pushtojnë trojet Etnike Shqiptare. Me të dëgjuar lajmin se bullgarët do të sulmojnë Kërçovën, trima nga të gjitha fshatrat e Kërçovës, vënë pusi në majë të kodrës mbi Garanë, nën komandën e Dervish Llokaçit. Dhe, zhvillohet një luftë e rreptë, në mes të ushtrisë së madhe bullgare dhe forcave të Ballit Kombëtarë. Trimat shqiptarë, rrëfente gjyshi luftonin me një trimëri të rrallë, por armiku ishte superior si në numër me ushtarë, por edhe në armatim, përdorte edhe mortajat. Dervish Llokaçi, rrëfente gjyshi jep urdhër që forcat e Ballit Kombëtarë, të zbresin pak më poshtë, e atje të tregohet trimërija shqiptare. Trimi sypatrembur nga Cërvica, Nefruz Çeliku, nuk dëgjon urdhërin e komandantit të tij, duke thënë: ,,Nuk i jap asnjë pëllambë toke bullgarit, edhe nëse këtu vdes”.

Ishte vendosur trimi në majë të kodrës, rrëfente gjyshi e me pushkën e tij, kishte vrarë afër nja 80 bullgarë, por trimit iu patën mbaruar fishekët. I kishte mbetur në dorë vetëm një bombë dore. Dhe, kur i ofrohen bullgarët me pushkët në majë me bajoneta, që të shpojnë krahërorin e trimit, xha Nefruzi shpërthen bombën e dorës, duke vrarë vehten dhe bullgarët që e patën rrethuar. Kur e sheh situatën komandanti bullgarë, jep urdhër që ushtrija bullgare të këthehet prapë, sepse kësi trimash kishte thënë ai, mund të hasim edhe më poshtë… Ra dëshmorë trimi në mbrojtje të Shqipërisë Etnike. Dhe, disa fshatarë të Cërvicës, trupin e pajetë të xha Nefruzit, e sjellin në varrezat e fshatit Cërvicë, duke e varrosur me nderime kombëtare, siç i ka hije një trimi patriot në mbrojtje të Atdheut.

Vepra e tij atdhetare më vonë u shërbeu edhe shumë trimave tjerë të Ballit Kombëtarë, në mbrojtje të Trojeve Etnike. Lavdi veprës së tij atdhetare! Shpirti i tij heroik, le të pushojë në paqe, Parajsë! Sepse, ai burrë mejdani meriton edhe më shumë si dëshmor lufte, pse jo edhe një përmendore…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok