“Viti i Emineskut” sapo ka nisur!
Në 175 vjetorin e lindjes së poetit të shquar rumun
Nga Entela Binjaku
Këtë vit mbushen 175 vjet nga lindja e poetit dhe mendimtarit kombëtar rumun Mihai Eminesku (15 janar 1850 – 15 qershor 1889). Nga viti 2011 datëlindja e poetit të madh nderohet nga populli rumun si Dita e Kulturës Kombëtare. Falë një vendimi të përbashkët marrë nëntorin e kaluar, Akademitë e Shkencave të Rumanisë dhe të Moldavisë e kanë shpallur vitin 2025 si “Vitin e Emineskut”. Gjatë muajve në vazhdim pritet të mbahen veprimtari të ndryshme midis të cilave edhe Kongresi Botëror i Emineskologëve. Në Shqipëri sot ky poet i madh nga brezat e qytetarëve nën të 40-tat pothuajse nuk njihet më. Edhe pse është sjelle afër lexuesve në gjuhën shqipe nga zëra të shquar të përkthimit si: Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Gjergj dhe Dionis Bubani, Vehbi Bala, Perikli Jorgoni, etj. sërish ky poet i madh zë fare pak vend në programet e letërsisë në shkolla. Ndër përkthyesit e shquar të Emineskut është edhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare. Mitrush Kuteli shqipëroi 2.500 vargje, poezi dhe fragmente nga poemat, që i përfshiu edhe në një punim kushtuar Emineskut, liriku ynë i shquar Lasgush Poradeci mbrojti edhe doktoraturën në Grac të Austrisë mbi këtë gjigand të letërsisë dhe shqipëroi afro 5.000 vargje të poetit kombëtar rumun. Poeti ynë i dashur i vargjeve të himnit kombëtar, Asdreni, është shprehur se u ndikua nga poezia e Emineskut. E megjithë këto vlera të rinjtë që arsimohen në shkollat tona lexojnë përciptazi për Emineskun në klasën e 12-të, kur studiojnë Lasgush Poradecin në lëndën e letërsisë shqipe. Kur mësojnë për Poradecin u shpjegohet se liriku ynë i shquar u ndikua mjaft nga Eminesku. Mihai Eminesku është zëri poetik më i rëndësishëm në letërsinë rumune. Vepra e tij u ndikua nga filozofia antike, nga Herakliti te Platoni, nga teoritë e Shopenhauerit, Kantit dhe teoritë e Hegelit. Poezinë e parë e botoi në moshën 16-vjeçare. Të gjithë që e lexuan, nga studiuesit më të mëdhenj e deri te njerëzit e thjeshtë, u magjepsën nga vargu dhe poezia e tij. Eminesku është autori i poezisë më të gjatë të dashurisë “Luceafărul” që në shqip ka ardhur me titullin: “Ylli i dritës”. Ai është autori që e përshkroi në vargje në mënyrë të mrekullueshme fëmijërinë e tij kaluar në Botoshan dhe Ipotesht. Kritikat dhe qëndrimet e mendimtarëve të ndryshëm për Emineskun janë të larta. Ndër to mund të përmendim Eliaden sipas të cilit se “sikur nga populli rumun të mbijetonte vetëm një kopje e librit të Emineskut, e gjithë bota do të mësonte se cili kishte qenë kombi rumun”. Ndërkohë historiani i njohur, akademiku Ioan-Aurel Pop, njëherazi presidenti i Akademisë Rumune, e vlerëson Emineskun si “arkitektin shpirtëror të Rumanisë moderne”. Nga njohës të vlerës së këtij poeti Eminesku vijon të nderohet në Shqipëri. Sepse siç thotë Nasi Lera vargjet e tij janë “poezia e një zemre të sinqertë që personifikon shpirtin e popullit të tij”. Në këto tri vitet e fundit në Fier, në Tiranë si dhe së fundmi edhe në platformat online janë mbajtur takime kulturore me në qendër Emineskun. Në këto biseda të ngrohta e miqësore ka qenë në qendër poezia, interpretimi, përkthimet mjeshtërore, ndjenjat më të thella të shpirtit njerëzor, lirizmi, dashuria e pakufishme për vendin. Ndër poezitë e interpretuara në këto raste përmendim: Odë”, “Glosë”, “Përse nuk vjen”?, “Sa vite shkuan”, “Vetëm ti më s´më shfaqesh” etj. Takimi i një viti më parë mbajtur në kryeqytet, në ditëlindjen e poetit Kombëtar rumun në mjediset e Bibliotekës “Moikom Zeqo” kishte në edhe qendër lidhjet historike midis dy popujve tanë të mbështetura në çastet madhore të historisë, kulturës, qytetërimit dhe diplomacisë midis dy vendeve. Në takimin e 15 janarit 2024 mori pjesë edhe Ambasadori i Rumanisë, SH.T.Z. Oktavian Sherban. Për të rinjtë e pranishëm Ambasadori Sherban paraqiti një tablo të rëndësisë që ka kultura dhe identiteti në një botë globale duke përcjellë rëndësinë që ka për të rinjtë njohja e kulturës kombëtare. Përfaqësuesi i lartë i shtetit rumun përcolli kontributin e Emineskut si publicist, paraqiti profilin e shoqërisë shqiptare sipas poetit të shquar, botuar në gazetat e kohës rreth 150 vjet më parë. Por këto takime kulturore në ditëlindjen e Emineskut nisën fillimisht në qytetin e Fierit, i njohur për lidhjet me Rumaninë kryesisht falë studentëve nga familjet arumune të këtij qyteti artdashës. Në këtë takim nismëtar, mori pjesë edhe z. Kopi Kyçyku, tashmë i ndarë nga jeta. Doktori i Shkencave, akademiku, profesori, përkthyesi i disa veprave letrare z. Kyçyku foli për punën me përkthimin e veprës së kritikut Xhorxhe Këlinesku mbi jetën e Emineskut. Duke u ndalur edhe tek kontributi i arumunëve në historinë e zhvillimeve shoqërore në vendin tonë, ai theksoi rëndësinë e figurave të rëndësishme të letrave si Poradeci duke u vlerësuar edhe lirizmin e dy poetëve të shquar.
Gjatë një interviste dhënë akademikut rumun Mihai Çimpoi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Moldavisë, Akademiku Kyçyku, shprehej: “Eminesku ka dëshmuar një dashuri të kulluar për Shqipërinë dhe shqiptarët, bie fjala në gazetën “Timpul” (Koha), qysh më 1880, kur përmendte me respekt e adhurim familjen Gjika, nga e cila rrjedhin princi Albert dhe Dora d’Istria, shkrimtare dhe filozofë…Ca më shumë: Eminesku ka pohuar me gojën e vet se i pëlqente jashtë mase gjuha shqipe dhe se ishte duke e mësuar atë…” Rumunët e kudogjendur çdo 15 janar mbajnë veprimtari për promovimin e trashëgimisë kulturore rumune dhe kontributin e saj në diversitetin e kulturës evropiane e më gjerë. Në Shqipëri nderimi i këtij monumenti shpirtëror të kulturës rumune, është nderim edhe i punës së figurave të shquara të kulturës kombëtare shqiptare të cilat i kanë kushtuar poezisë së Emineskut nga jeta dhe puna e tyre, pasion, vullnet, dije dhe orë të panumërta përkushtimi. “Viti i Emineskut” sapo ka nisur!