21/12/2024

VITET E FUNDIT TË GJONIT II KASTRIOTI

0
u6_Pietro-Kavoti-Kastrioti3

Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali

Në vitin 1500, mbreti Federiko Aragona, u ndodh përballë komplotit të kushëririt Ferdinandi II Aragon, i cili më 11 nëntor 1500 kish firmosur në Granata traktatin sekret me mbretin francez Luigji XII, për shpërbërjen e mbretërisë së Napolit, të cilën e ndanin mes tyre. Kampanja, Abruco dhe natyrisht Napoli i kalonin Luigjit XII, ndërsa Pulja dhe Kalabria ishin destinuar për Ferdinandin Katolikun. Ndonëse nuk kishte dijeni për traktatin e Granada, mbreti Federiku ia dorëzoi spanjollëve fortesat kalabreze, por kur u njoh me komplotin e kushëririt dhe për ta sfiduar, bëri marrëveshje me francezët, duke ia dorëzuar mbretërinë Luigjit XII, ndërsa ai mori kontean e Maine, ku do të banonte me familjen dhe do të merrte një pension nga francezët. Në fakt traktati i Granada nuk u realizua, por Ferdinandi II Katoliku, në vitin 1504 e mori me forcë mbretërinë dhe deklaroi aneksimin e mbretërisë nga spanjollët. [Bastian Bianciardi. Le vite de Re di Napoli. Napoli, F. Pitteri, 1737].

Në këto situata të ndërlikuara, Gjoni II u tregua pragmatist, u rradhit me palët, që nuk i preknin interesat e tij, pra që nuk i cënonin pronësinë e feudeve. Në fakt, Gjoni II nuk ishte nga të parët në trojet Otrantine që u lidh me spanjollët, por kur situata u ndërlikua menjeherë i braktisi francezët dhe në shkurt 1503 ngriti flamurin e Spanjës dhe në se nuk do të kishte vepruar kësisoj, me siguri do t’i kishte humbur pronat. Kalimi me spanjollët vertetohet me listën e baronëve filospanjollë të 22 dhe 27 prillit 1503 të hartuar në Barleta, ndërmjet të cilëve rezulton emri i Gjonit II Kastrioti, Duka I i Galatina. [Sanudo. Diarii, vol. IV col. 801] [Monti, La spedizione p. 299, con riferimento a Volpicella Federico p.89].

Natyrisht njihej dhe nga venecianët, lidhja e Gjonit II me francezët, që si është theksuar nga shumë autorë, ishte nxitur nga mbreti Federiku I, madje më 28 prill 1503 Gjoni II Kastrioti mori pjesë dhe në betejën e Cerniola, ku mbeti i vrarë miku i tij duka i Nemours.

Në këtë periudhë, Gjon Granai Kastrioti kishte shfaqur armiqësi të hapur kundër Gjonit II Kastrioti, madje më 9 korrik 1504, ushtria spanjolle e nxitur nga Gjon Granai Kastrioti, plaçkiti banorët dhe pronat e Gjonit II Kastrioti në San Pietro – Gallatina, si rezulton në një dokument të 29 gushtit 1504, ku theksohet:“.. in questo mese in Puglia … messono a sacho il loco di San Pietro in Galatina e fé damni assai…”. [Sanudo, Diarii vol. VI col. 53. A prescindere dagli eruditi galatinesi riferirsi a quest’episodio anche Ferrari Apologia pp. 389-390. Ne parla anche il filosofo galatinese Zimara: Nardi Marcantonio Zimara p. 326]

Për plaçitjet e pronave të Gjonit II Kastrioti, njihemi dhe nga letra e 8 marsit 1505 e Andronika Kastrioti dhe nga letra e Gjonit II Kastrioti, dërguar sindakos dhe bashkësisë të San Pietro në Galatina në verën e vitit 1505, ku akuzon ushtarët spanjollë të urdhëruar nga Gjon Granait “hanno fatto l’opera de Juda e hanno desfatto questo reame – kanë kryer veprën e Judës, shkatërruan mbretërinë”, pra ishin ata që grabitën pronat e banorëve dhe të Kastriotëve. [Giancarlo Vallone. Andronica e Giovanni Scanderbeg In Italia, 2018, pp. 99]

Në këto vite, prestigji i Gjonit II Kastrioti ishte ulur në rrethet e arbërorëve ikanakë në Itali, madje si thekson Floristan [J.M. Floristan, Los contactos de la Chimarra con el reino de Naples in Erytheia 11-12 (1990-1991) pp. 133-139] dhe historianë të tjerë [Petta, Despoti p. 32] [Passero, Storie p. 126 (al 31 luglio 1501)] [Sanudo Diarii vol. IV col. 801], patriotët albanezë kishin shprehur besim dhe kërkonin, që kryengritja antiturke në Albania të komandohej nga Gjon Granai Kastrioti (Gran Capitano) dhe jo nga Gjoni II Kastrioti.

Xhiankarlo Vallone, duke iu referuar Trojeve të Otrantos, ndër besnikët e spanjollëve prezanton Gjonin II Kastrioti, duka i Solito dhe Shen Pietri në Galatina, i cili i kishte feudet në fqinjësi me Terranova, pronat e Gjon Granai Kastriotit (djali i Bernard Granai, nipi i Vrana Kontit) – Gran Capitano, i cili ishte shpallur armik i Gjonit II Kastrioti. [Canellas Lopez Documentación napolitana, 1981, pp. 283-284: 283, 319, 326, 329]

Armiqësia ndërmjet dy fisnikëve arbëror Gjoni II Kastrioti dhe Gjon Granai Kastrioti, që ishin në lidhje fisnore mes tyre, është një faqe e trishtueshme dhe e turpëshme e historisë të familjes Granai. Gjon Granai Kastrioti, Gran Capitano, e ndëshkoi Gjonin II Kastrioti për qëndrimin e mëparshën antispanjoll dhe lidhjen me francezët, madje urdhëroi që në Galatina të vendoseshin me banim njerëzit e aleatit spanjoll Don Pietro de Ariano dhe urdhëroi banorët e këtij feudi të paguanin shpenzimet, që kishin bërë për forcat ushtarake. [ASN, Licterarum Partium vol. 15 cc.146r-146v (dokument i botuar nga Vallone në Aspetti p. 79)].

Pas letrës të Andronika Kastriotit, dërguar mbretit Ferdinandi II Katoliku, ku i ankohet për plaçkitjet në feudet e Gjonit II, mbreti tentoi ta afroi Gjonin II Kastrioti, por tashmë ishte tepër vonë, atij i kishin mbetur edhe pak muaj jete. [Vallone, Aspetti pp. 67-68 e nt. 77; 79] [Petta Despoti, pp. 30]

Për vitet 1500 – 1505 ka pak të dhëna për Gjonin II Kastrioti, kryesisht janë ngjarje fragmentare, ose të dhëna dokumentare të lidhura direkt ose indirekt më atë vetë ose me familjen.

Vitet e fundit të jetës të Gjonit II Kastrioti u karakterizuan me ngjarje të rënda dhe të dhimbëshme. Më 8 prill 1500, vdiq papritur djali Kostantin Kastrioti, ipeshkëvi i Irsenia dhe pak muaj më pas vdiq papritur djali tjetër Federiku dhe ai klerik, të cilin mbreti kishte vendosur ta emëronte ipeshkëv në vend të Kostantinit, por nuk arrijti, sepse dhe Federiku vdiq papritur.  [Vallone, Famiglie nobili albanesi pp. 30-32].

Në vitin 1501, djali i madh Gjergji II Kastrioti, i joshur nga kërkesat insistuese të priftit arbëror Don Françesk Kruja (Francesco di Croja), me miratimin dhe inkurajimin e të ëmës Jerina Kastrioti, i nxitur dhe i mbështetur nga Serenisssima, zbarkoi në Albania dhe u vu në krye të kryengritjes të 20 mijë arbërorëve kundër pushtuesve otomanë, por kryengritja u shtyp egërsisht nga ushtria osmane dhe Gjergji II Kastrioti u kthye i dëshpruar në Pulja. [Volpicella L. Federico d’Aragona e la fine del regno di Napoli. Napoli 1908, p. 29] [Cordignano F, Valentini G. Saggio di un regesto storico dell’Albania. Shkoder, 1937-1940, n. 1252]

Në vitin 1503 vdiq aksidentalisht në Valencia djali tjetër Alfonso Kastrioti, të cilin e varrosën në kapelën e Shen Mikele në Manastirin Triniteti i Shenjtë në Valencia.

Me Gjonin II dhe Erinën në feudet e San Pietro në Galatina mbetën Ferrante Kastrioti, i cili trashëgoi pronat dhe mori titullin Duka II i Galatina dhe vajza Maria Kastrioti, e cila u shqua në rradhët e fisnikërisë puljeze, për bukurinë, mençurinë dhe si poete e shkrimtare.

Nuk njihet data e saktë, as shkaku i vdekjes në moshën 51 vjeçare i Gjonit II Kastrioti, por frati Alessandro Tommaso Arkudi, në një relacion rreth ngjarjeve në Galatina, thekson se Gjoni II vdiq në Canosa (Kanoza) të Puljes më 7 korrik 1505. [Alessandro T. Arcudi Relazione di S. Pietro in Galatina. Dorëshkrim me transkriptim të viteve ‘800 në pronësi të Giancarlo Vallone].

Në studimin “Famiglie nobili albanesi pp. 30, 69”, Vallone thekson se Arkudi thotë se Gjoni II vdiq, më 7 korrik 1505, ndërsa në një tjetër dokument rezulton se vdiq më 12 korrik 1505, megjithatë, këto diferenca me pak ditë nuk kanë rëndësi, përderisa flitet për të njëjtin muaj dhe të njejtin vit.

Nga një informacion i Loris Kastriota Skenderbeg, pasardhës i linjës të Gjergj Kastrioti, i cili i referohet relacionit të Arkudit, thekson se Gjonin II Kastrioti e varrosën në kishën e Kuvendit Domenikan në Galatina (Urdhër i Fretënve Predikatorë OP). Domenikanët u vendosën në Galatina në gjysmën e dytë të shekullit XV ku me kontributin e familjes Kastrioti, ngritën kuvendin dhe kishën në vitin 1508. Në këtë kishë Kastriotët  kishin dhe kapellën e tyre. Në këtë kishë varrosën dhe bashkëshorten Erina Kastrioti  e cila vdiq në vitin 1514, si dhe vajzën Maria Kastrioti, e cila vdiq më 29 tetor 1569. Në këtë kuvend, në vitin 1702 u zgjodh prior Frati Alessandro Tommaso Arcudi, i cili themeloi dhe librarine, ku mblodhi libra dhe dokumenta të shumta, mes tyre dhe për familjen Kastrioti, të cilat i bëri publike në veprën “Relazione”.

Në mesin e shekullit XVIII, kisha u shemb dhe në vendin e saj u ndërtua kisha e Shen Maria Delle Grazie, një kishë e stilit barok, që bënte pjesë në kompleksin e manastirit Domenikan, ku ndodhen varret e Kastriotëve.

[Vincenti G. Galatina tra storia dell’arte e storia delle cose Congedo editore Galatina 2009]

Edhe pas vdekjes të Gjonit II Kastrioti, rivali i tij Gjon Granai Kastrioti i vazhdoi qëndrimet armiqësore dhe keqtrajtimet e kushërinjëve Kastrioti, sidomos ndaj bashkëshortes, të vesë Erina Brankoviç Kastrioti. Në një dokument të 24 dhjetorit 1505, Gjon Granai urdhëroi rikuperimin e shpenzimeve të ushtrisë spanjolle, duke e detyruar banorët dhe Erina Kastriotin, të paguanin 1164.4.10 dukate, që për atë kohë ishte shumë e madhe. [ASN, Licterarum Partium vol. 15 cc.146r-146v (pjesërisht i botuar nga Vallone në Aspetti p. 79] [ASN, Significatorie dei relevi vol. 11/I. 22v. 1505: Croce La Spagna 249- 250].

Gjon Granai Kastrioti (Gran Capitano), e informoi mbretin Ferdinandi II Katoliku, se kishin marrë një informacion nga Venecia, rreth udhëtimit të një arbërori (un albanese) në Turqi, të cilin Dukesha Erina e kishte dërguar me letër për Sulltanin. Këtë arbëror e kishin arrestuar, por letrën nuk ia kishin gjetur dhe dyshonin se Dukesha Erina po përgatiste diçka me truqit kundër mbretit. Në këto rrethana dukeshën Erina e thërritën në Napoli dhe e vendosën në izolim në të njëjtën banesë me mbretëreshën e trishtuar Beatriçe Aragona. Pas izolimit urdhëruan kontrollin e kështjellës së vogël në Galatina ku jetonte me të birin Ferrante dhe me të bijën Maria. [Giancarlo Vallone. Andronica e Giovanni Scanderbeg in Italia, 2018, pp. 99].

Kjo situatë u zgjidh shpejt, sepse motra Xhiovanna IV që ndodhej në Spanjë, i dërgoi një letër mbretit Ferdinandi II Katoliku me sqarimet e nevojshme dhe Ai urdhëroi lirimin e Erina Kastriotit dhe kthimin asaj të feudeve të Galatinës, duke e motivuar urdhërin: “En esto reyno no tiene tierras de tal importancia que la pudiesen inclinar a fazer semejante caso” – …. të mos i dërgonte letër tjetër turqëve. [Correspondencia de los Reyes Catolicos pp. 282-283]. Ky dokument është prezantuar dhe komentuar nga Giovanni Vincenti me një referat në Copertino, më 20 tetor 2018, në konferencën: Immigrazioni levantine in Terra d’Otranto.

Rreth kësaj ngjarje ka shumë komente dhe interpretime, por kronistët dhe historianët e mesjetës shtrojnë disa pyetje, që vejnë në dyshime qëndrimet e Gjon Granait Kastriotit, si p. sh; “përse Gjon Granai kishte frikë nga Erina? Për çfarë dyshonte Gjon Granai, çfarë mund të bënte Erina në kështjellën e vogël në Galatina? Dyshonte se mund të strehonte ushtarë turqë? Mos vallë qëndrimi i tij lidhej me të birin Gjergji II Kastrioti? Apo duke akuzuar Erinën, mbulonte shkatërrimet dhe plaçkitjet në feudet e Kastriotëve? Apo pretendonte të merrte në zotërim feudet e Gjonit II Kastrioti?

Këto ngjarje u mbyllën me letrën e mbretit Ferdinandi II Aragon – Katoliku më 6 gusht 1505 [Vallone Aspetti pp. 67-68 e nt. 77; 79] [Petta Despoti 30], e cila i referohet ngjarjeve të ndodhura disa muaj më parë. Pra është e qartë se Erina, letrat ua kishte derguar turqëve kur kishte vdekur bashkëshorti Gjoni II Kastrioti.      Si e theksojnë Arkudi dhe Vallone, dukesha Erina trimëreshë, lufton vetë për mbrotjen e t ëdrejtave dhe ruajtjen e pronësisë të feudeve të Kastriotëve, madje më 24 dhjetor 1505, i kërkon Dhomës të Përmbarimit në Napoli, rikthimin dhe pjesërisht të pagesave që kishte bërë sipas urdhërave të padrejta të Gran Capitano. [Giancarlo Vallone. Andronica e Giovanni Scanderbeg in Italia, 2018, pp. 99].

Me qendrimet luftarake dhe konseguente Dukesha Erina Kastrioti, arrijti t’i ruaj pronësitë e feudeve Puljeze dhe ia la trashëgim të birit Ferrante Kastriota, Duka II i Galatina. Sipas një dokumenti që ndodhet në arkivin Galatinez, dukesha Erina Brankoviç Kastrioti vdiq më 2 qershor 1514 dhe e varrosën në kishën Domenikane në Galatina. [Arkudi, Relazione, p. 30, ku thekson: qui nel coro sta sepolta la madre del duca Ferrante, Irene Paleologa, (e) il figliolo che mancò giovinetto].

Historia e dinastisë Kastrioti në Itali, vazhdoi me Dukën II Ferrante Kastrioti dhe me pasardhësit e tij të shumtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok