16/11/2024

Victor Xhemal Dobro, jeta e pabesueshme e një Fushëbardhasi, që u largua nga atdheu në vitin 1944

0

– I ftuar nga Partia Demokratike vjen në Shqipëri më 1 gusht 1991, pas afërsisht 50 vjetësh.

-Me pushtimin e vendit Victor i bashkohet Ballit Kombëtar, ndërsa vëllai i tij i Lëvizjes Nacional Çlirimtare.

– Në gusht të vitit 1944, vihet në dijeni nga bashkëfshatari i tij, Adil Çarçani, se ishte në listën e të dënuarve me vdekje, ku i thotë, që të largohej sa më parë.

-Në dhjetor 1944 daja i tij, Ali Bineri, një tregtar i vogël në Tiranë, e nis me një avion për në Austri.

– Në Itali ju kërkua që, të radhitej në grupet shqiptare, që përgatiteshin për zbarkim diversionist në Shqipëri. Nuk pranoi.

– Rregjistrohet në shkollën e mesme dhe më tej vazhdon shkollën e lartë të Gastronomisë, në Industrinë e Shërbimit Ushqimor të Romës.

– Në vitin 1948, i sponsorizuar nga Fan S. Noli emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zbarkon në shtetin e New Jersyit

– Zotëronte katër gjuhë të huaja greqisht, italisht, gjermanisht, anglisht.

– Në 28 janar të vitit 1957, në Newark, New Jersy, merr çertifikatën e Qytetarit.

Një jetë e pabesueshme. Ndoshta dhe filmat e Hollivudit do ta shihnin me mosbesim një ngjarje të tillë që i kalon kufijtë e të qenit reale. Pra një ngjarje që kur e lexon duket si fantastiko shkencore dhe pse është e vërtetë. Një shqiptar që ndahet nga vëllai për bindjet e tij nacionaliste dhe që merr rrugën e mërgimit fill ditët e para të çlirimit të vendit. Pse? Sepse duke përkrahur Ballin Kombëtar Partia Komuniste e futi në listën e të dënuarve me vdekje. Kjo ndodhi që ndërkohë vëllai i tij ishte anëtar i Partisë Komuniste. Emigron në Itali ku dhe i kërkojnë të mirrte pjesë në përgatitjet e grupeve diversioniste kundër Pushtetit Popullor. Por Victor nuk pranon. Ishte përkrahja direkte e Fan Nolit që ai të emigromte në SHBA, ku dhe u pagëzua me emrin Victor. Jugosllavët, duke përfituar nga mbiemri ‘‘Dobro’’, shkruajnë në një gazetë të tyre ”…ja dhe një profesor jugosllav në Amerikë’’. Victor kundërshtoi hapur prejardhjen serbe duke thënë: Jam shqiptar i pastër! Dhe jeta e tij ka shumë e shumë peripeci, por ka një të veçantë: ai kurrë nuk mohoi origjinën dhe i digjej zemra për vendlindjen. (Albert  Zholi)

Fitrete Shalari

Jetë si në filma

Victor Xhemal Dobro (Vexhir) ka lindur më 20 prill 1926, në fshatin Fushëbardhë, Gjirokastër, në një familje të varfër fshatare. E ëma Nesibe Bineri-Dobro. Victori ka pasur një vëlla dhe dy motra, ky ishte i treti nga fëmijët. Megjithë varfërinë Victorin, familja e dërgoi në shkollë të mesme në Sarandë. U dallua si një nxënës i rregullt dhe i suksesshëm në mësime. Dërgohet me një bursë nga Mbreti Zog, në Bari, Itali. Me okupimin e vendit nga Italia Fashiste kthehet në Shqipëri, ku bashkohet me udhëheqjen e Ballit Kombëtar “Nacionalistët”. Vëllai, Hasan Dobro, i bashkohet Lëvizjes Nacional Çlirimtare, antar i partisë komuniste, pas çlirimit oficer, deri në daljen në pension. Me gjithë këtë nuk ju dha e drejta e studimit, për arsimin e lartë, asnjërit nga tre djemtë e tij, megjithëse kishin rezultate të mira në mësime. E njëjta gjë ndodhi, edhe me fëmijët e dy motrave të tij, Fiqirije Dobro-Onjea, Mineko Dobro-Shalari. Me shumë ndërhyrje,vetëm njërit nga nipërit, Ilir Begë Shalarit meqë ishte student i shkëlqyer, ju dha e drejta, të vazhdonte studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, i cili punoi si pedagog në Akademinë Ushtarake.

Victori, në gusht të vitit 1944, vihet në dijeni nga bashkëfshatari i tij, Adil Çarçani, se ishte në listën e të dënuarve me vdekje, ku i thotë, që të largohej sa më parë. I ndodhur para kësaj situate, daja i tij, Ali Bineri, një tregtar i vogël në Tiranë, e nis me një avion për në Austri. Qëndron për dy vjet në Austri dhe, më pas udhëton për në Itali, Romë.

Në Itali ju kërkua që, të radhitej në grupet shqiptare, që përgatiteshin për zbarkim diversionist në Shqipëri, për të përmbysur rregjimin komunist. Victori nuk e pranoi një gjë të tillë. Rregjistrohet në shkollën e mesme dhe më tej vazhdon shkollën e lartë të Gastronomisë, në Industrinë e Shërbimit Ushqimor të Romës.

Në vitin 1948, i sponsorizuar nga Fan S. Noli emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zbarkon në shtetin e New Jersyit, Newark.

Fan Noli e pagëzon në Fenë Orthodokse me emrin “Victor”.   I sponsorizuar përherë nga Fan Noli, kthehet përsëri në Romë, ku përfundon studimet e larta. Më pas regjistrohet në Universitetin e Bolonjës, Itali. Nga viti 1951-1952, ndjek studimet “Kërkim dhe Zhvilim në Industrinë ushqimore”. Zotëronte katër gjuhë të huaja greqisht, italisht, gjermanisht, anglisht.

Në 28 janar të vitit 1957, në Newark, New Jersy, merr çertifikatën e Qytetarit Amerikan!

Punësohet në New York City si shef guzhine nga viti 1955-1961,e në Indianapolis, Indjana, nga 1961-1965 si ekzekutiv shef. Në vitin 1961 zgjidhet ‘’ SHEFI I VITIT’’nga New York Times. Në vitin 1965, në revistën ‘’HOOSIER CHEF’’, shkruhet për Victorin në dy numrat e saj dhe ekspozohen edhe foto të tij. Me dëshirën e tij transferohet në Emerson Hotel Baltimmore, Maryland, nga viti 1971-1978 si Ekzekutiv Shef. Ai përcaktonte menunë, sasitë dhe koston e tyre. Victori ka trajnuar punonjësit e hoteleve si EMERSON HOTEL Hillton, Sheraton’, LINCOLN HOTEL, në Amerikë si në Washington DC, Pittsburgh e gjithashtu në Denver, por edhe jashtë Amerikës, kudo që hapeshin këto hotele.

Në 2 gusht të vitit 1969 merr dekoratën, Instruktor i shquar ‘ AWARDED AT CORNELL UNIVRSITY’’.

Në 1976 – 1980 pranohet në “Universitetin e Marylandit” në College park, në pozicionin e mësimdhënies (profesor). Në vitin 1980 transferohet në ‘’Communiti College Baltimorre’ e në vazhdim deri sa del në pension, në vitin 1991, në moshën 65 vjeç. Nga viti 1985 kishte një punë të dytë në ’’ KENWOOD Golf dhe Country Club’’ Bethesda, Maryland, të cilën e vazhdoi deri në ditën e vdekjes.

Victori ishte “Antar i Institutit të shefave Amerikanë”. Ka shumë çertifikata të marra në programe trajnimi, si ”Public shkoll’’, për ‘Shef”, në “Administrimin e Hoteleve”, në Seminarin ”Ushqim & Pije”, një çertifikatë e dhënë nga Shteti i Marylandit në ”Higjena e Shërbimit Ushqimor dhe ajo personale”, një çertifikatë e merituar në gatimin e peshkut”Culinaria Arts”.

Me këto ekspozime të tija, nëpër gazeta e revista, si dhe punësimet në universitet e në kolegj, jugosllavët, duke përfituar nga mbiemri ‘‘Dobro’’, shkruajnë në një gazetë të tyre ”…ja dhe një profesor jugosllav në Amerikë’’ Victori ju përgjigjet:’’Nuk është e vërtetë…unë nuk jam jugosllav! Jam Shqiptar nga fshati Fushbardhë-Gjirokastër, i biri i Xhemal e Nasibe Dobros!!!’’

Victori kontribuonte në mënyrë të vazhdueshme për Kishën Orthodokse Shqiptare të Bostonit si dhe për ndërtimin e shtëpisë për të moshuarit shqiptarë, në Boston, gjithashtu, edhe për ndërtimin e Monumentit dedikuar ARCHBISHOP FAN STYLIAN NOLL, Shtator 7 1974” ALBANIAN ORTHODOX ARCHDIOCESE IN AMERICA”Boston, Massachusetts, si dhe për gazetën  ‘’Vatra’’ e ‘’ Free Albania’’. Gjithashtu, si antar i vjetër  i Organizatës Kombëtare ’’Lëvizja e Legalitetit’’ në megrim, kontribon për buletinin e posaçëm të kongreseve.

Victori ka mbajtur korrespondencë me Fan Nolin.

Në vitin 1959, në dy letër-këmbime, Noli falenderon Victorin  që, e vuri në dijeni për vdekjen e Kosta Chekrezit. Në këtë letër Fan Noli flet gjatë për meritat e kontributin e zotit Kosta, në gazetën “Vatra” e ”Free Albania”. Në një letër tjetër Victori e falenderon Nolin për një libër, që i kishte dërguar. Të njëjtën gjë bën, edhe Fan Noli, e falenderon për vlerësimin  dhe konsideratën, që i bën. Noli e mbyll letrën me lutje për Victorin dhe familjen e tij ”YOURS IN LORD”FAN S.NOLI. May 20 1959. Victori kishte një bibliotekë të pasur, ku përveç enciklopedisë një vend të veçantë zinin librat dhe gazetat të botuara nga shqiptarët në mërgim, por, edhe gazetat amerikane, që flisnin për çështjen shqiptare dhe artikuj të shkruar nga Fan Noli etj. Në një artikull me titull’’. Ngjashmëria në mes çifutëve e shqiptarëve’’ Noli shkruan ‘’… ndër shekuj këta dy popuj janë luftuar e persekutuar, çifutët për fenë e tyre të veçantë, ndërsa shqiptarët janë okupuar e coptuar  për gjuhën e tyre shqipe, një gjuhë e veçantë dhe e vetme në botë, ku disa superfuqi e fqinjët donin zhdukjen e tyre.

Victori kishte një aktivitet të madh politik.

Ishte antar i Komitetit Qendror të Partisë Republikane, në Prince George‘s County me banim Millstream Drive Bowie Maryland. Për aktivitetin e tij politik, sidomos në fushatat elektorale, falenderohet nga presidenti Nyxon e zevendës Presidenti i tij, si dhe nga Presidenti Ronald Reagan, i cili i dërgon dhe një ftesë, me gjithë bashkëshorten, për në Shtëpinë e Bardhë, në festën e celebrimit të fitores së tij. Gjithashtu Reagan i dërgon një foto, bashkë me të shoqen Nansy, me dedikim ‘’To Victor Dobros. With appreciation and best wishes’’Nansy Reagan – Ronald Reagan’’ ( Victor Dobros. Me vlerësim dhe urimet më të mira).

Me gjithë këto arritje Victorit, nuk i jepej asnjë çertifikatë lindje nga Ambasada Shqiptare në Washington DC, apo përfaqësia në New York City.

Victori vinte shpesh si turist në Greqi, i afrohej kufijve shqiptarë, në ngushticën e Korfuzi me hartë në dorë fotografonte veten, duke shikuar Sarandën, që aq e dashur ishte për të (kam një foto të tillë të tij).

Martesat

Victori është martuar në 1953 me znj. Anna Fabri Dobro, me origjinë italiane, e cila kishte një master në muzikë e art, nga George Washington University. Ishte profesoreshë muzike. Pas një sëmundje të rëndë Anna vdes në shkurt 1971, duke lenë pas vajzën 8 vjeçare, Suzenn. Martohet për së dyti, me Neva Jean, mësuese e gjuhës angleze, me origjinë nga Irlanda e Veriut, me të cilën u divorcua, duke patur një djalë me të, Victor Macrroi Dobro. Victori fiton kujdestarinë për djalin tre vjeçar.

Victori i rriti dy fëmijët pa nënat e tyre. Meqë djali ishte i vogël e shkolloi në shkollë private. Ishte një prind i dedikuar, që punonte e jetonte për fëmijët deri sa i nxorri në jetë e më tej. Vajza mbaroi arsimin e lartë 5-vjeçar për infermjeri, ndërsa djalin e la, duke vazhduar kolegjin. Sot janë të suksesshëm

Në gusht të vitit 1990 vjen me pushime për dy javë në Janinë, ku do të takonte me viza për dy motrat, vëllain dhe nipin Ilir Begë Shalari, djali i motrës së vogël Minekos, të cilët vinin me viza (sapo kishin filluar ndërmjet dy shteteve).

Ardhja në Shqipëri

I ftuar nga Partia Demokratike vjen në Shqipëri më 1 gusht 1991, pas afërsisht 50 vjetësh. Sapo zbriti nga avioni, i mallëngjyer ulet e puth tokën amtare, që e donte aqë shumë.

Kishte shumë dëshirë të martohej me një shqiptare. Një vit më parë kontakton me mua (Fitrete Shalari Dobro), pasi njiheshim dhe kishim lidhje krushqije ( motra e vogël e tij ishte gruaja e xhaxhait tim, Begë Shalarit). Më bindi dhe në 17 Gusht të vitit 1991 martohemi.

Shkoj në Amerikë në tetor 1992 me bashkim familjar.Victori del në pension në vitin 1991 dhe vazhdon të punojë, deri në ditën e vdekjes,13 shtator 1994, në moshën 68 vjeçare. Vdes nga një hemoragji cerebrale, duke më lenë mua, (bashkëshorten e tij), Fitrete Shalari Dobro, vajzën Suzanne M.Kirchner e dy fëmijët e saj, Jashua e mbesën Adrian, si dhe djalin Victor M.Dobro.

Varroset në shtetin Pennsylvenia në qytetin Younnion Town. Gjithashtu në Shqipëri le vëllain Hasan Dobro dhe motrat Fiqirije Dobro-Onjea e Mineko Dobro-Shalari, tashmë të tre të ndjerë.

Unë, Fitrete Shalari-Dobro,jetoj tashmë prej 30 vjetësh në Amerikë, aktualisht në Brooklyn New York. Nuk kam  punuar si mjeke, por e çertifikuar si kujdestare-shoqëruese për të moshuarit. Me dijet e mija si mjeke u jam dedikuar të moshuarve. Në maj të vitit 2000 mora çertifikatën e qytetarisë amerikane. Sot jam në pension.

Disa nipër të Victorit, me familjet e tyre jetojnë në NEW YORK, të tjerë në Greqi e disa në Shqipëri-Gjirokastër.

Në kujtim të Victorit, me rastin e ditës së Tij të Lindjes, 20 prill, e veja e Tij FITRETE SHALARI-DOBRO.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok