09/11/2024

Të rinjtë fierakë prezantojnë në Gjirokastër kompaninë e tyre të shërbimeve online

0

Nga Entela Binjaku

7 nxënës të klasës XI  të shkollës “Flatrat e dijes” në qytetin e Fierit të drejtuar nga dy mësueset e tyre ditën e premte më 29 prill morën pjesë në një panair në Gjirokastër aktivitet i organizuar nga “Junior Achievement Albania”. JAA është organizatë jofitimprurëse, e përkushtuar përgatitjes së të rinjve për botën e punës dhe të sipërmarrjes.

Ekipi i nxënësve fierakë u paraqit me një ide shërbimesh për të cilën kishin përgatitur një faqe interneti shitjesh online. Në mbështetje të idesë së tyre ata kishin përgatitur spote dhe fletëpalosje duke synuar njëherazi paraqitje të projektit të tyre dhe shitje të prodhimeve.

Grupi e titulloi kompaninë “ARM” dhe përmes saj synojnë të ofrojë një shërbim të besueshëm, të shpejtë dhe të sigurtë. Ekipi që kishte për drejtuese Sindi Gjinika i përbërë nga: Vilma Zonja, Melisa Çepele, Edlind Mustafai, Klajdi Merkaj, Edna Bregu, Glendi Mëhillaj ndërmori këtë nismë si pjesë të njërit prej moduleve që ka zgjedhur në shkollë e që ka të bëjë me “Kompaninë” e nxënësve.

Një ndër pjestaret e projektit Vilma lidhur me këtë përvojë shprehet: “Ne kemi punuar shumë,  kjo është hera jonë e parë që ndërtojmë një projekt të tillë. Është një përvojë tepër e bukur por edhe e vështirë dhe na ka mësuar sidomos si të punojmë më mirë në grup”.

Për të ardhur në këtë ide këta të rinj 17-vjeçarë u nisën nga shqetësimet që kanë lindur herë pas here tek njerëzit kur blejnë online. Sipas tyre njerëzit janë të shqetësuar për produktin, cilësinë, çmimin dhe dërgesën dhe jo të gjitha kompanitë i përmbushin këto kritere. Ndaj ata nën moton “ARM- familja e të gjithëve” udhëtuan drejt Gjirokastrës ku paraqitën në panairin e së premtes një  linjë  biznesesh që  ka në thelb bashkëpunimin, besimin dhe mbështetjen që kanë  bizneset e vogla me njera- tjetrën duke ruajtur veçantinë e gjithësecilës.

Kjo nuk është e para herë që nxënësit e kësaj shkolle janë pjesmarrës në aktivitete jashtë-shkollore. Vetëm pak javë më parë pjestarë të  këtij ekipi i sollën shkollës ku ndjekin studimet 9 trofe nga  Olimpiada Kombëtare e Biologjisë, apo vitin e kaluar një tjetër trofe nga “Klubi i debatit”  ku edhe u nderuan sërish me çmim. Disa nga fituesit janë sot edhe pjesë e këtij projekti biznesi.

Në vitin 2021 shumë nga aktivitetet ndërkombëtare u zhvilluan online. Një ndër to ishte edhe programi i fëmijëve dhe i rinjve “ARC” që mbahet çdo vit në Rumani i organizuar nga Ministritë e linjës rumune. Falë Fondacionit “Harriet Martineau” me seli në Tiranë vitin e kaluar në këtë program morën pjesë edhe 8 fëmijë nga Shqipëria.

Ndër ta, njëra prej pjesëmarrësve, Vilma Zonja falë aktivitetit të saj në këtë program arriti të sigurojë edhe një vend në edicionin e këtij viti që pritet të mbahet tashmë në format fizik, në muajt korrik-gusht.

Aktivitetet që kanë në themel formimin intelektual dhe qytetar janë më se të rëndësishme për të rinjtë. Veçanërisht në këto kohë kur besimi tek shkolla dhe tek e ardhmja përmes shkollimit është i ulët, ata me këmbëngulje i tregojnë shoqërisë se ku ka një vullnet, asgjë nuk mund të të ndalë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok