14/08/2026

Vetëm Ramush Haradinaj mund ta kthejë Kosovën në rrugën e qartë të integrimit në BE dhe të anëtarësimit në NATO

0
Ramush-Haradinaj1

Nga Gjon Keka

Nuk ka asnjë dyshim se njeriu i duhur në këtë kohë krize për ta rikthyer Kosovën në binarët e stabilitetit dhe të rilidhjes së fuqishme me miken tonë, ShBA-në, si dhe me vendet e tjera mike europiane, është Ramush Haradinaj.

Nuk i përkas asnjë partie politike, por këtë shkrim ia kushtoj njeriut tonë, ushtarit të lirisë dhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai e meriton që në këtë kohë të jetë në krye të shtetit sepse Kosova ka nevojë për të, ashtu sikurse kishte nevojë në kohën kur ai i doli zot atdheut të tij, duke dhënë gjak e djersë për të.

Kosova nuk ka kohë për të humbur. Për të zënë hapin me dinamikën e botës që po ecën me shpejtësi drejt arritjeve teknologjike, si dhe me vendet e rajonit drejt integrimit në Bashkimin Europian, është shumë e rëndësishme që frenat e pushtetit t’i marrë Ramush Haradinaj. Vetëm ai mund ta drejtojë sot Kosovën drejt anëtarësimit në NATO, drejt rikthimit të miqësisë me ShBA-në, si në kohën e Presidentit Rugova, dhe drejt njohjeve të reja ndërkombëtare. Ai e ka treguar veten në shumë procese, dhe veprimet e tij gjatë kohës sa ishte kryeministër kanë pasur efekte pozitive për Kosovën, sigurinë e saj dhe rrugëtimin drejt integrimit në familjen euroatlantike.

Ramush Haradinaj është dardano-arbërori që dha mjaft për atdheun e tij. Ai tregoi se vlera e lirisë së Kosovës është vetë vlera e gjakut që ujiti Pemën e Lirisë. Prandaj, vetëm ai mund ta ndiejë dhembjen e plagëve dhe mund ta kuptojë se sa gjak i çmuar dardan-arbëror ishte i gatshëm të flijohej për lirinë dhe për shtetin e unitetin kombëtar, nën flamurin e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut).

Vetëm Ramushi heroik e trim e njeh damarin e sigurisë dhe të lirisë. Ai e njeh rrugën përpara se nga duhet të ecë sot Kosova, pasi gëzon një përvojë të mirë në qeverisje dhe ka dhënë një kontribut të madh në vetë themelet e shtetit të Kosovës. Ai garanton të ardhmen europiane të vendit dhe miqësinë me botën perëndimore, respektivisht me ShBA-në, vendet e tjera mike europiane dhe NATO-n.

Presidenti historik, vizionar e i urtë, Ibrahim Rugova, jo rastësisht e zgjodhi Ramush Haradinajn për kryeministër. Tek ai shihej ushtari i lirisë, trimi dardan-arbëror dhe udhëheqësi praktik e i matur, me të cilin mund të bashkëpunohej për të arritur punë të mëdha në të mirë të Kosovës. Ramush Haradinaj si kryeministër dhe Ibrahim Rugova si president janë shembulli që i nevojitet sot Dardanisë dhe Kosovës sonë. Vetëm një model i tillë udhëheqjeje mund të sjellë dalje nga kriza dhe stabilitet politik, në mënyrë që Kosova të mos mbetet peng e atyre që janë mësuar të jetojnë me kriza e kaos, sepse ushqimi i vetëm i tyre janë pikërisht këto të dyja.

Prandaj, sot Kosova ka nevojë për Ramushin në udhëheqjen e shtetit, ashtu siç kishte nevojë në atë kohë sa ishte gjallë Ibrahim Rugova. Të dy arritën të bënin punë të mira për Kosovën, edhe pse për një kohë të shkurtër për shkak të pengesave që i dolën Ramushit në atë kohë të qeverisjes me një fillim energjik e pozitiv. Pavarësisht kësaj, ai arriti të tregonte shembullin e një biri të madh të Dardanisë dhe të gjakut të Skënderbeut të madh.

Është koha që Ramush Haradinaj të marrë në duar frenat e shtetit, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhe të ShBA-së, në mënyrë që Kosova të ecë përpara dhe të zërë hapin në procesin e integrimit në familjen europiane, respektivisht në Bashkimin Europian dhe në anëtarësimin në NATO.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok