03/12/2024

Verorja si simbol i afrimit të pranverës

0
Verorja1

Nga Ajrina Dimo

Verorja është një element i vogël zbukurues që përbëhet nga mpleksja mes një peri të bardhë dhe të kuq, që mbahet nga gratë dhe vajzat përgjatë muajit mars, si simbol i ardhjes së pranverës.   Verorja njihet si festa tradicionale e fillimit të pranverës.

Fillimet e saj thuhet se vijnë nga Roma e vjetër sepse Viti i Ri festohej pikërisht në datën 1 mars (Martius), që ishte muaji i perëndisë së luftës Mars.

Fshatarët e ruanin zakonin në çdo fillim pranvere si shenjë mbrojtjeje kundër sëmundjeve dhe fatkeqësive.

Edhe në Shqipëri në 1 mars shumë fëmijë, vajza dhe gra por edhe meshkuj vendosin në dorë një lidhëse dyngjyrëshe bardh e kuq.

Ka prej tyre që e vendosin në datën 1 dhe  e heqin në datën 14 siç ka të tjerë që e vendosin në 14 dhe e heqin “kur shohin dallëndyshen e parë”.

Në ngjyrat e verores ruhet dualiteti i simboleve: bardh dhe kuq, pra paqe dhe luftë (kjo do të mund të simbolizonte madje edhe dimrin dhe pranverën). Besohej se ai që mbante këtë lidhëse bardh e kuq do të ishte i fortë dhe i shëndetshëm për gjithë vitin që vjen.  Kjo verore dyngjyrëshe është prej disa vitesh edhe pjesë e trashëgimisë kulturore botërore nën kujdesin e UNESCO-s.

Verorja njihet nga etnologët në fillimin e shekullit XX si ritual  i një marsit,  i pranishëm tek rumunët,  tek shqiptarët dhe bullgarët në Ballkan.

Në vendin tonë, kjo traditë gjendet kryesisht tek të krishterët të cilët e vendosin në datën 1 mars ndërsa të tjerë, edhe për mosnjohje të traditës, por edhe sepse veprojnë sipas  kalendarit “alla turka”, e vendosin në datën 14 mars.

Tek arumunët në Shqipëri kjo është festa më e madhe që ka pranvera.

Shumë fëmijë  e presin me gëzim dhe bëhen gati për ta vendosur veroren që një natë më parë. Kjo festë eshtë përcjellë brez pas brezi dhe gëzimi për të shprehet hapur dhe lirshëm. Kjo duket edhe në mënyrën sesi  e vendosin veroren dukshëm, pra duke mos e  mbuluar me veshje.

Një veçori e këtij rituali tek arumunët në Shqipëri lidhet me vendosjen e më shumë se një veroreje dhe jo vetëm në dorë, por edhe në qafë apo në kyçet e këmbëve. 1 marsi në traditën e arumunëve në Shqipëri, shoqërohet edhe me vendosjen e luleve të sapoçelura në dritare, tek dera e shtëpisë në mëngjesin e kësaj date, në mënyrë që gjithëkush zgjohet,  të ndjejë ardhjen e pranverës.

Ardhja e pranverës në kultura të ndryshme lidhet me një sërë ritualesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok