VERIU I DARDANISË DHE SHKAQET E KRIZËS
Nga Kolonel Dritan Demiraj
Me qëllim që të analizojmë me kujdes situatën e sigurisë në veri të Dardanisë, ndër të tjera duhet të analizojmë disa nga faktorët kryesorë demografikë, gjeografikë, politikë, diplomatikë dhe ushtarakë të cilët ndikojnë në këtë krizë por dhe në zgjidhjen e kësaj krize.
Në muajin shtator të vitit 2021, vendosjes së reciprocitetit për vendosjen e targave të përkohshme për serbët të cilët futen në Kosovë, Serbia iu përgjigj me provokime, bllokime rrugësh, sulme me armë kundër forcave të policisë së Kosovës, etj duke urdhëruar strukturat e saj paralele të cilat organizohen, financohen dhe drejtohen nga shërbimet serbe të sigurisë në bashkëpunim me agjensitë ruse të inteligjencës.
Në këtë rajon të Kosovës, sulmet e strukturave paralele serbe të ekzekutuara ditët e fundit me përfshirjen edhe të agjentëve rusë të grupit ‘Wagner’, kanë qëlluar drejtëpërsërdrejti kundër forcave të policisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit, kanë bllokuar rrugët në vendkalimet kufitare zyrtare në Jarinje dhe Bërnjak, kanë ekzekutuar gjashtë sulme me armë gjatë muajit prill të vitit 2021, etj duke treguar qartazi se pas këtyre incidenteve qëndron Beogradi dhe Rusia, të cilët kërkojnë të vështirësojnë sa më shumë situatën në këtë rajon tashmë që vazhdon pushtimi ushtarak Rus në Ukrainë.
Në datën 7 gusht 2022, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm serb Gjenerali Milan Mojsiloviç së bashku me drejtuesit kryesorë të komandave të tjera ushtarake vizituan njësitë e xhandarmarisë dhe të njësive të armatosura serbe në zonën kufitare tokësore me Dardaninë, konkretisht bazat ushtarake “Tabalije” dhe “Rudnica” dhe aftësitë e tyre operacionale për të reaguar sa më shpejtë në rast nevoje. Në këtë këndëvështrim, gjykoj se në këtë krizë ka rëndësi studimi i faktorit demografik në këtë rajon.
- Faktori ushtarak.
Në Serbi ndodhet baza rajonale e Sputnikut në Beograd, në ministrinë serbe të mbrojtjes ndodhet zyra e përfaqësisë së MM ruse, ndërkohë në Nish rreth 160 km ndodhet ‘Qëndra Humanitare’ e Rusisë, e cila vepron në mënyrë të fshehtë në të cilën punojnë shumë agjentë të shërbimeve sekrete të sigurisë FSB, GRU dhe SVR, misioni të cilëve është grumbullimi i informacioneve për vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor (shiko hartat në kufi me Serbinë, Dardania veri-lindore dhe harta tjetër Dardania veri-perëndimore).
Por agresiviteti i shfaqur gjatë ditëve të fundit nga Serbia, nuk është asgjë tjetër më shumë sesa vazhdimi i një plani të qartë 20 vjeçar, ku vetëm në kufirin me Kosovën janë ndërtuar dhe dislokuar 48 baza operative ushtarake, nga të cilat 28 janë të ushtrisë dhe 20 të xhandarmarisë. Këto baza kanë filluar të ndërtohen që nga muaji gusht 2001, nën asistencën informative të Rusisë dhe të shërbimeve të saj të sigurisë FSB, SVR dhe GRU. Bashkëpunimi i Rusisë me Serbinë shfaqet edhe tek grupi i miqësisë Serbi-Rusi, ku nga 250 anëtarë të Parlamentit serb 151 prej tyre janë pjesë e këtij grupi.
Serbia për momentin i ka pozicionuar forcat e saj përgjatë kufirit me Republikën e Dardanisë. Forca kryesore e cila patrullon kufirin janë efektivët e Brigadës së Xhandarmarisë. Brigada e xhandarmarisë serbe përbëhet nga 4 batalione.
Batalioni katërt psh përbëhet nga shumë pjestarë të forcave speciale ‘Kobra’, njësi anti-terroriste dhe një forcë elitë policore.
Këto janë forcat të cilat ruajnë dhe patrullojnë kufirin me Dardaninë.
Patrullimet e tyre realizohen 24 orë në ditë dhe realizohen nga efektivë prej katër personash të armatosur: Dy persona të pajisur me automatik AK-47 model i përmirësuar serb, i treti me automatik/mitraloz prodhin serb model M-84 kalibër 7.62 x 54 mm dhe personi i katërt me sniper ‘Crna Strela’ prodhim serb kalibër 12.7 mm ose M-76 7.92 x 57 mm.
- Faktori demografik.
Në pjesën veriore të Kosovës jetojnë shumë pak serbë. Ata në vazhdimësi e kanë refuzuar regjistrimin për të vetmen arsye se dalin më pak se 30.000 qytetarë. Në qytetin e Mitrovicës ndodhet një universitet i cili frekuentohet nga studentë nga Serbia, për të vetmen arsye se diplomat merren me lehtësi. Qyteti më i afërt në Serbi nga Mitrovica është qyteti i Kraljevas rreth 150 km i cili është qytet në “zhdukje” për shkak të largimit të madh të popullsisë serbe jashtë vendit.
Në pjesën e Gjilanit, Novobrdos, Kamenicës, Vitisë, Lipjanit, Prishtinës dhe Shterpcës jetojnë më tepër se 100.000 qytetarë serbë, por Serbia nuk shqetësohet shumë për ta. Në fakt, muajt e fundit Serbia i ka shtuar forcat e saj në kufirin e Kosovës në pjesën e Gjilanit, Vitisë, Kamenicës dhe Podujevës. Ky në fakt është një mashtrim dhe tërheqje vëmendje, sepse objektivi i tyre përfundimtar është marrja e kontrollit në veriun e Kosovës.
Shpesh herë vendime të tilla janë mbështetur nga deklaratat e Ministrit të Jashtëm Rus Sergei Lavrov dhe zëdhënesës së tij Maria Zakarova, të cilët kanë deklaruar se: “Atje ku ka popullsi serbe nuk duhet të ketë prezencë shqiptarësh”, pra haptazi pasi dështuan në marrjen e pushtetit gjatë zgjedhjeve në Malin e Zi, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kroaci, serbët vazhdojnë të insistojnë për mundësinë e zgjerimit të territoreve nëpërmjet shkëmbimit të tyre, krijimit të Asociacioni i komunave me shumicë serbe (Zajednica), zgjerimit të influencës sërbe në rajonin e Ballkanit me zgjerimin e nismave ekonomike.
- Faktori gjeostrategjik i Kopaonikut, parë nga aspekti i luftës elektronike, sinjaleve dhe telekomunikacionit.
Duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të bjeshkëve të Kopaonikut (pasuritë nëntokësore, pikat strategjike të telekomunikacionit, lartësinë e Ravna Goras, etj), kërkesave të vazhdueshme të Serbisë dhe dakortësimit të tyre me ‘miqtë’ e tyre shqiptarë për ndryshimin e kufirit, qasjen e ndryshme ndaj serbëve që jetojnë në pjesën veriore dhe shtetasve të cilët jetojnë në brendësi të Republikës së Dardanisë, në prapavijë qëllimi strategjik i Serbisë është ndryshimi i vijës kufitare.
Siç e dimë edhe nga historia e kaluar, kur Serbia nuk ka interes strategjik nuk bën lëshime. Por në mënyrë të heshtur në prapavijë nëpërmjet “metodave serbe„ nën drejtimin e lidershipit të tyre “perëndimor“ do të vazhdojnë të tentojnë të përfitojë sa më shumë të jetë e mundur. Psh në vitin 2007, Serbia dërgoi për vizitë zyrtare në SHBA shefin e tyre të shtabit të ushtrisë serbe Gjeneralin Ponosh, i cili gjatë takimeve me autoritetet e sigurisë amerikane kërkoi që ta mbështesnin që maja e Kopaonikut t‘i takonte Serbisë.
Në vijim duhet bërë një analizë për rëndësinë që kjo majë sa i përket Luftës Elektronike, Sinjaleve dhe Telekomunikacionit, të cilat në gjykimin tim më shumë se Serbisë mund t‘i shërbejnë Federatës Ruse.
Në këtë majë (si në fotot e publikuara) është vendosur një radar me rreze të mesme operacionale rreth 400 km. Ky radar u shkatërrua nga aviacioni amerikan në vitin 1999. Por në atë kohë u shkatërrua vetëm kupola e radarit, sepse nëpërmjet një ashensori ai ndodhej thellë në tokë. Para disa vitesh Serbia kërkoi që të kontrollonte hapësirën ajrore të Kosovës, për kontrollin e qarkullimit të aviacionit civil, kërkesë e cila u refuzua nga NATO, duke mos lejuar aktivizimin i këtij radari.
Serbët nuk hoqën dorë nga kjo ide, sepse në atë kohë vetëm nga kontrolli i hapësirës ajrore të Kosovës ata fitonin një sasi prej 13 milionë euro në vit dhe në të njëjtën kohë serbët planizuan të ndërtonin në bjeshkën Besna Kobila në afërsi të Vranjës një bazë tjetër radarësh për qëllim ushtarake dhe inteligjente.
Si përfundim, marrja e kontrollit të majës së Ravna Goras, do t’i mundësonte serbëve dhe rusëve vendosjen dhe instalimin e radarëve të fuqishëm të luftës elektronike (EW) dhe pajisjeve të tjera moderne ruse të zbulimit elektronik (ELINT) të afta që të kontrollinin sinjalet telefonike por jo vetëm në katër vende të NATO-s Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe deri në Greqi.
- Liqeni i Gazivodës ( Ujmanit).
Liqeni i Gazivodës është liqeni më i madh në Kosovë. Ai ka një sipërfaqe prej 11.9 km2 nga të cilat 9.2 km2 i përkasin Republikës së Dardanisë dhe vetëm 2.7 km2 Serbisë. Ky liqen furnizon me ujë të pishëm qytetet: Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq por në të ardhmen edhe qyteti i Prishtinës të mund të furnizohet nga ky liqen. Termocentralet Kosova A dhe Kosova B furnizohen me ujë po ashtu nga ky liqen artificial. (shiko hartën lartë).
Ekzistenca e këtij liqeni është shumë i rëndësishëm për mbijetesën e banorëve të këtyre qyteteve, për zhvillimin industrial dhe bujqësor të Dardanisë. Pa shfrytëzimin me ujë nga ky liqen, termocentralet mbyllen dhe Kosova mbetet pa energji elektrike.
- Faktori ekonomik.
Në shtesë sa më lartë, në këtë rajon ekzistojnë pasuritë të jashtëzakonshme të pasurive minerale, të cilat gjenden në pjesën veriore të Dardanisë dhe janë vlerësuar në mbi 200 miliardë Euro. Në këtë rajon gjenden me shumicë mineralet qymyrguri, plumb, zink, argjend, ar dhe shumë minerale të tjera. Këto pasuri përrallore padyshim që i lënë pa gjumë mercenarët serbë dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarfolës.
Dritan Demiraj, Ph.D.