27/12/2024

Vërdallë e përballë viteve

0
Urime-2020

Nga Blerim Rrecaj

Mendoi për rrjedhën e këtij viti. I cili filloi me një mjegull që kishte kapluar ambientin përreth me rrugë, shtylla telpërçuese, shtylla dritëmbajtëse, ndërtesa, semaforë që ndërronin sekondët e ngjyrat, e edhe tabelat që rrinin mbi ta duke treguar drejtime për vendbanime edhe atë që shpiente për në aeroport. Pastaj diku pas këtyre tabelave sikur një dritë e përparme, si dritë rrezegjatë automjeti, ecte dielli duke ndriçuar rrugën e mjegullt përpara syve të tij. Nga ballkoni ku shihte këto pamje përreth, përtokë, përqiell e horizonteve, nxori avuj të bardhë nga goja së bashku me një psherëtimë që u përzie me fëshfërimën e erës së lehtë e të ftohtë që fryente. Edhe një herë mendoi për vitin që shkoi, për tërësinë e tij, për shenjat, gjurmët, dhe i erdhën në mend fjalët shkak, shkas, pasojë. Iu duk se “e bëri bozë” me këtë që mendoi, dhe mendoi se në ç’mënyrë do “ç’bozonte” këto që i vërtiteshin kokës. Si e pyetën një ditë, se ku e ke lënë kokën, ja e kam me vete e kam kishte thënë, por pyetja kishte të bënte për kokën e gajtanit të telefonit. Sidoqoftë ky vit i dukej sa i përçudmë e aq dinamik. Edhe këto fjalë pasuese iu dukën të përsëritura, të stërthëna, të zbehura e të shlyera nga përdorimi i shpeshtë, dhe në mendje i erdhi një dromcë kujtimi nga një klasë mësimi në shtëpinë shkollë, në një orë letërsie, kur profesori thonte se për dikë që është dinak, ne mund të themi se “filani është dhelpër”. Po sikur edhe kjo shprehje të shumëpërdorej, tha jo atëherë, po tash, duke parë se ku do(nte) të dilte. Hyri në një valle të tillë shprehjesh e frazash si “kur të vijnë mendtë, të ikin dhentë” e “ah t’i kisha mendtë e sotme, dikur!”, dhe qeshi pasi nuk ishte i sigurtë se çfarë do të kishte bërë me to, ndoshta namin jo, dhe meditoi paksa për rëndësinë e përvojës në jetë, në profesion, dhe për fjalën e shk-urtë: sa rron mëson.

Në një ambient tjetër shkollëlarte iu kujtuan fjalët e një mësimëdhënësi drejtuar dikujt me fjalët si me humor, sa me ironi, gjatë një bashkëbisedimi për kushedi se për çfarë “t’i hëngsha mendtë”, e “çka do të bëja unë pa to”, ia kishte kthyer ai student i kthjelltë, që dukej se mendonte me kokë të vet, për të na vënë paksa në mendime. La pas këtë të kaluar, e këto copëza të saj,  e u kthye këtu ku është, e tashmë sa e kishte lënë një punë të imponuar, pasi ia kishin ndërprerë kontratën, pas gjashtë muajsh, dhe po përpiqej të kacavirej dikund. U mat pak para se të prente, me thikë, skalper, gërshërë a sharrë të druve, sharrë metali, a me motorsharrë, se a ta zgjaste edhe më muhabetin zingjiror për “punën e punës”, dhe si me shaka përzier me ironi u kishte thënë dy bashkëudhëtarëve me të cilët kalonte në qendër të Prishtinës, pranë një objekti të cilit iu kishin vënë skelet dhe rrjeta prej pëlhure të gjelbërt, se më parë do të shkoj në hënë sesa do të gjej një punë që do ta bënte rehat. Puna si njëra nga të drejtat e elementet e rëndësishme të jetës, dhe rradakja i thonte, e i risillte fjalë të shumëkujtthëna se mungesa e një vizioni të qëndrueshëm ekonomik na kishte sjellë në një situatë, ku bëheshin gjithë këto përpjekje për të zënë vend diku, sikur shumë të tjerë, e punën do ta shpallnin të shenjtë!, ku shquheshin institucionet të stërngarkuara dhe bisnese të shumta që prisnin konsumatorët, e çfarë prodhohej, pothuajse asgjë. Ky

(ri)imponim mendimesh s’i pëlqeu si shumëçka, po ç’të bënte. Iu kujtuan ca fjalë në bisedë e sipër, që i tha dikush se duhet të bëhemi më këmbëngulës, më agresivë. Po në ç’kuptim? Mbase se bota po mbetet e vrazhdë e zemërftohtë, e egër e çka jo tjetër, që të jep pak e të merr shumë, pa mundur ta thjeshtëzoj veten.

Në arritjen e një synimi, objektivave, të drejtave, iu duk se do të duhej të vishej me parzmore të një luftëtari ilir, ose të vepronte në stilin e të shumëpërfolurit Donkishot, i shoqëruar nga ndonjë Sanço Pançë. Mundësisht pa ia zënë kujt diellin dhe pa ia shkel kujt,  e pa lejuar kënd t’ia shkelte dinjitetin. Seç iu duk vetja fjaëshumë, fjalëpavepër, fjalëbezdisës, fjalëllomotitës, i veshur me petk fjalamani.

Kijtoi një mori përpjekjesh ku më ngulmuese, e ku më të vakëta, ku më ngazëllyese, e ku më të zbehta, sikurse dhe gjëra që (s’)morën zgjidhje nga fjalët e nga nga bisedat. Ku si zakonisht nuk mund të mungonte mjegullnaja. Edhe lëmshnaja. Edhe thashethemnaja.

U hodh te e ashtuquajtura përditshmëri e  jetës, te rëndomtësia e te kompleksiteti i saj, që s’dinte a do merrej e sa të merrej me të, as sa kohë t’i kushtonte, për t’i rënë sadopak në fije, për të nxjerrë mësimet e nevojshme nga pësimet, dështimet, zhgënjimet. Të merrej me to, e edhe kur përpiqej t’i shmangte kur e ku e shihte të arsyeshme, t’i linte ato të mirreshin me të, siç thuhet zakonisht për politikanët e politikën, për këtë sport të rëndë e të çuditshëm, këtë pol veriu me akullnaja e dete të ngrira, duke të sjellë në mend edhe eskimezët, që peshkojnë duke hapur puse në akull, e edhe jetojnë në shtëpia prej akulli, pamje që dikur i linin mbresa plot habi, shikuar në ekran televizori. Ose të hidhej nga eskimezët “ekstremë”, te ekstemi tjetër te nomadët “modernë” të shkretëtirave, për të cilët i kishin folur të afërm e miq, pas ndonjë pushimi e vizite andej.

Edhe pse pat edhe gjëra që iu shmangën rëndomtësisë dhe ndërlikueshmërisë duke  kthyer udhën, duke marrë një drejtim a kthesë, duke u hedhur shtigjeve e brigjeve qoftë atyre reale a imagjinare, nëpër botë ëndrrash symbyllura e syhapme. Për t’iu kthyer sërish “normalitetit” përbërë nga skena, skeçe, ngjarje, ndodhi, çaste e detaje për bezdi e për lakmi. Të shoqëruara me tik-take e rrahje zemre, ku më të ngadalta e ku më të shpejta. Gjendur nëpër labirinte e rrugë me pengesa e lakesa, nëpër të cilat duhet të kalojmë për të arritur nga një cak në tjetrin, si ato labirintet e ilustruara në faqe libri, gazete a reviste enigmatike, a në ndonjë pako me ndonjë ushqim fëmijësh, në të cilët duhet provuar me laps nga pikënisja deri në pikëmbërritje, me lloj lloj fjalësh e ca nga to mund të jenë: A mund ta gjesh rrugën, apo për sa kohë e gjen rrugën ose ndihmoje babadimrin që të takohet me fëmijët.

Vazhdoi nëpër këtë rrugëtim ditësh, e kujtoi shprehjen kjo është çështje dite e ditësh, që kjo të nis, të bëhet, të përfundoj. Do marrin drejtimin e duhur këto çështje të mbrehta me një teh a dy tehe.  Mes dy zjarresh a rrethuar nga zjarri.

Herë-herës seç u kthehej ca përpjekjeve për të qëmtuar e gërmuar nëpër qenie, për të parë në pasqyrë veten, ambientin, të tjerët, shenjat, vrragët e plagët, hidhërimet e gëzimet, përgjatë rrugëtimit, sa këtu, sa atje, duke parakaluar në gjendje të lirë, të (sh)kujdesshme a gatishmërie nëpër ditë e çaste herë të qeta, herë të stuhishme, herë me paradokse e kontraste që duken në terren, të cilat pakësohen e rriten si pemët e perimet nëpër pika grumbullimi, ose edhe mbeturinat nëpër lokacione deponish.

Sërish mendohej se me çfarë ta ilustronte gjendjen vështirë të përcaktueshme nëpër të cilën po kalonin, si njerëzit qëllimmirë, ëndrrimtarët, veprimtarët, kërkimtarët, përçuesit e të mirës, porosipërndriturit, që jepnin shembujt e duhur dhe nuk merreshin me kotësira.

I pëlqente të thoshte e të Ishte në anën e atyre që e pranonin gjendjen siç ishte, as pa e bërë krejt verë, as pa e bërë krejt dimër, që përsërisnim të prisnim gjëra jo të mëdha, të lehta e të shpejta, që ecnim sa më përtokë, e nuk jepeshim shumë pas fasadave e kozmetikës e vezullimave, që çonin ujë e materiale te bazat e themelet e një zhvillimi të fortë e të qëndrueshëm, që parasegjithash i mbështeteshin vetes, popullit, energjive të gjithë kombit, duke mos u veshur me  vese, për të rrëshqitur me saja e ski por mos të rrëshqisnim në drejtim të absurdit.

“Dëshira, dëshira, miliona dëshira”, siç ia thonë një kënge, dhe sikur e vërejti s’ndalojnë njerëzit me të drejtë duke bërë përpjekje, përpjekje e miliona përpjekje. Vërtiti edhe njëherë nëpër mend e nëpër zemër nektarin që marrin bletët thumbmjaltëse. E la këtë shënim (fund)viti, të diktuar nga koha e tij, e duke pritur si nxënësi rezultatin e këtij testi, këtij provimi të vështirë e sfidues, për të vazhduar rrugën e përbërë prej përpjekjesh për të vënë gjërat nëpër vija e nëpër binarë të vet, po pra, për ta pasur më mirë e më lehtë tash e pastaj, në vazhdimësi.

Duke besuar se asgjë e mirë s’do shkojë huq, e se duhet të hedhim hapa të rëndësishëm përpara kah vetëdijësimi e përmirësimi.

Sërish mendoi për rrjedhën e këtij viti, dhe përjetimet që pati nëpër stacionet e tij, peron pas peroni, muaj pas muaji, që përbënin një mozaik mjaft mbresëlënës me ditë e çaste, me përjetime. Bora që ra së fundmi sikur pastroi ajrin dhe lehtësoi fjalët e frymëmarrjet. Mbi borë sekush bukurshkroi urimin: Paçim një vit të bardhë e të mbarë!

Iu soll këtij tërë këtij viti vërdallë, e para perëndimit të tij i kishin dalë njëri-tjetrit ballëpërballë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok