21/12/2024

VEPRIMTARIA LETRARE E BOTUESE NË AUSTRI ME RËNDËSI KOMBËTARE

0
Djaleria

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Duke qenë Austria boshti i lëvizjeve në rajon e njohur si perandoria Austro-Hungareze, shumë popuj gjetën ambientin e volitshëm për shkollim e krijimtari letrare. Aty pa dyshim do vjen veprimtaria me rëndësi kombëtare. Shumë nga studentet, intelektualët shqiptar erdhën në Austri dhe krijuan shoqëri të fuqishme  veprimtaria botuese letrare e cila luajti rol me rëndësi në informim rreth rrjedhave në kontinent dhe trevave shqiptare. Ato janë pjesë të ndritura në kulturën, historinë kombëtare. Qe në vitet e para të fillim shekullit të njëzet në Austri u themelua shoqëria  “Liria” e cila më vonë u quajt “Dija” dhe  “Djalëria Shqiptar” e cila më vonë u quajt “Albania”.

Nga këto shoqëro u botuan krijime letrare, revista, gazeta, tekste shkollore etj. Prej tyre  më të njohurat ishin revistat  “Djalëria” dhe gazetat “Ora e Shqipnisë”, “Vëllaznia”, “Minerva”, Albanische Corespondenze”, “Bashkimi Kombëtar”, “La Fedration Balcanique”.

Në këto gazeta u botuan shkrime nga studentët shqiptarë  në Universitetet e Austrisë të cilët tani njihen si figura me peshë në historinë tonë kombëtare si: Hil Mosi, Dervish Hima, Dr. Gjergj Pekmezi, Kolë Rrota, Jani Basho, Xhevat Korça, Fuad Asllani,  Vasil Laboviti, Lasgush Poradeci, Sokrat Dodbiba, Irakli Buda, Nush Bushati, Gjevalin Gjadri, Kolë Mirdia (Helenau), Rrok Gera, Rrok Maloki, Rrok Kolaj, Filip Papajani, Dr. Omer Hamiti, Sokol Sopoti, Rrok Stani, Terik Bekteshi, Hasan Ceka, K. Hobdari,  Gjon Temali, Krist Maliki, Kristo A. Dako, Ndoc Naraçi, Kolë Kodheli, Krist Maliki (Lepetini), Ndue Paluca, Gasper Mikeli, Kolë Margjini, Gasper Baltoja, Lec Çurçia, Ndoc Krajni e shumë tjerë.

Në këto revista e gazeta botuan edhe shumë studiues nga kombe tjera, veçan nga radhët e gjermanofolësve. Ndër më të njohurit, pa dyshim, ishte Leo Freundlich i cili kishte rol të rëndësishëm në informimin e autoriteteve Austro-Hungareze me qëllim orientimin e tyre lidhur me politikën e jashtme ndaj trevat shqiptare në Ballkan. Revista “Albanische Corespondenze” (“Korrespondenca Shqiptare”) shkruante mbi tensionet në rajon pak para Luftës së Parë Botërore. Kjo kishte rëndësi të madhe për shqiptarët dhe territoret e tyre të pa njohura nga oborret sunduese të kohës.  Leo Freundlich ishte kryeredakto i revistës “Vëllaznija” e cila dha ndihmë të madhe në informimin e shqiptarëve lidhur me rrjedhat shoqërore e politike të kohës.  Mund të themi se vepra e tij shumë e rëndësishme ishte ° Albanisches Golgota”, në fakt ishte akuzë kundër vrasjeve të shqiptarëve nga ushtria serbe në vitet 1910-1913.

Shoqëria “Dija” më 12 Janar të vitit 1916 e fillon botimin e gazetës “Vëllazënija” e dyjavëshe me kryeredaktor  Leo Freundlich, Kjo shoqëri në programin e saj kishte ndihmën e popullit shqiptar, veçanërisht të rinisë shqiptare, të ndihmonte krijimin e alfabetit shqip unik kombëtar, të ndihmonte talentet e reja, kulturën dhe krijimtarinë letrare e botuese.  Për të arritur këto detyra “Dija” kishte përkrahjen e organeve austriake që ishin në pozita shoqërore dhe përkrahjen e intelektualëve shqiptarë Faik Konica, Aleks Drnova, Petro Nini Luarasi, Nikolle Ivanaj, Visar Dodani  dhe kolonive tjera shqiptare në qendrat botërore.  Nën kujdesin e kësaj shoqërie në Austri u botuan disa tekste shkollore të përpiluara nga vet shoqëria. Nën përkujdesjen e saj u botuan tekste të shoqërive nga Shkodra “Bashkimi” dhe “Agimi” siç janë: “Abetare” nga Ndue Paluca, “Këndime për shkollë të para të Shqypnisë”, kalendarin ,,Shqyptari”.

“Dija” botoi për tri vjete 110 numra të gazetës “Vëllaznija”-së me shumë materiale nga lufta, arsimi e kultura, analiza e shkrime mbi hapjen e shkollave shqipe. Kjo gazetë dallohet me shkrimin e saj të shoqëruar me fotografi që nuk i hasim në gazetat tjera të kohës. Pa dyshim veprimtaria e shoqërisë “Dija” të Vjenës është një gurë i çmuar në themelet e shtetit dhe kombit shqiptar. Veprimtarët patriot që përbënë këtë shoqëri, janë sot emra që shkëlqejnë në historinë e kulturën kombëtare. Adresa e saj ishte: Josefstätestrasse 54, Wien.

Në numrin e dytë “Vëllaznija”, të datës 28 janar 1916, në rubrikën letrare  “Për Shqypëni e Shqiypëtarë” gjejmë artikullin me titull “Amaneti i shenjt-Gjuha”, artikull porositës për çdo shqiptar kudo që “… një gjë është që nuk mund të blihet, të shitet, të ndërrohet, është një gjë që do tër ruhet, është dhunti dhe shenjë e parë i cili na dallon prej kombeve tjera. Është gjuha jonë”… “Sa mund të mendohet dielli pa dritë, aq mund të mendohet kombi pa gjuhë”, citat nga “Agimi i Gjytetnisë”

Gazeta “Vëllaznija” shkruan veç tjerash, se përpos Vjenës e Graz-it mësohet gjuha shqipe tani e disa vjet në Preparandi të Arbneshit afër Zadres në shkolla fillore të djemve e vajzave. Austria ishte përkrahëse e shqiptarëve në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën arsimit, kulturës. Një fakt i tillë është Instituti Ballkanik në Universitetin e Gracit, ku do mësohet edhe gjuha shqipe. Për këtë zyrë emërohet profesori i njohur slloven Dr.Rajko Nachtigall. Në Vjenë mësohej gjuha shqipe në Institutin për gjuhët orientale.  Gazeta jep informata shtesë lidhur me mësimin e shqipes tek Arbreshët e Zadrës në shkollat fillore për djem dhe vajza.

Në Vjenë që në vitin 1904  botohet libri “Këndime për shkollën e parë të Shqipënisë”, një formë e veçantë e tekstit për mësim fillestar të fëmijëve në Shqipëri. Nuk ishte i lehtë botimi i teksteve në rrethanat e rënduara në vendin e pushtuar, andaj qendrat e mëdha ku vepronin intelektual të dalluar u bënë burim i rrjedhave kulturore, letrare e shkencore. Vështirësi tjetër ishte jo unifikimi i alfabetit të shqipes, kështu tekstet, ne mesin e tyre edhe gramatikat do shkruhen sipas alfabeteve të Shoqërive të mëdha shqiptare ndër të cilat ishte Shoqëria “Bashkimi” dhe “Agimi” etj. Vlera e veprimtarisë në arsim, letërsi e politikë është e pazëvendësueshëm. Nën përkujdesjen e shoqërive shqiptare të Vjenë botohen libra: “Shkronjëtoren shqip për gjermanët”-“Albanische Gramatik” nga Dr.  Gjergj Pekmezi, “Kalendarët e viteve 1906/7/8/ “, “Kalendari i vitit  1910-ës” u shtyp në Manastir, “Këndime për shkollat e para të Shqypnisë”. Pas Kongresit të Manastirit botohen me alfabetin e miratuar nga Kongresi si bie fjala ”Këndime për të rritshmit”, “Gramatika ia folmaria shqyptare e permbledhme me pak fjalë per përdorim t’fmive”, “Libri i dytë i knoitorës shqype për shkollë në Shqypni”, “Libri i tretë i knoitorës shqype për shkollë në Shqypni”, “Abetare” e Ndue Paluces etj.

Veprimtaria botuese e letrare në Austri është e vazhdueshme falë veprimtarëve shqiptarë dhe miqve të shumtë austriakë gjatë gjithë shekullit të kaluar dhe shekullit të filluar. Ky thesar kulture duhet eksploruar dhe bërë publike për qytetarin shqiptar kudo, veçanërisht në trevat shqiptare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok