22/12/2024

VEPRA E REXHEP RIFATIT SHNDRITË NË 150 VJETORIN E FERIZAJIT

0
Promovimi-Rifati-Ferizaj

“Atdheu duhet me vepër, jo me fjalë” -Sami Frashëri

Nga Hazir MEHMETI

Organizuar nga Qendra Kulture e Ferizajt u bë promovimi i veprave të Rexhep Rifatit, gazetar dhe publicist i njohur. Ishte ky manifestim në kuadër të shënimit të Ditëve të Diasporës me rastin e 150 vjetorit të themelimit të qytetit të Ferizajt.   Morën pjesë qytetar, personalitete të kulturës, mike e miq të autorit.  Aktiviteti u drejtua nga . Zyrafete Shala, Kryetare e Grupit Letrar “De Rada”, Ferizaj. Rreth veprimtarisë së Rexhep Rifatit u paraqitën disa referues. Prof. Dr. Isak Shema e cilësoi veprën e Rexhep Rifatitf:  “Një punë kolosale e cila do jetë me vlera të përhershme në letërsi, publicistikë, etnografi, histori. Vepra e tij madhore duhet vlerësuar nga akademitë përkatëse, institucionet tona dhe shoqëria. Njerëzit si Rexhep Rifati kanë sakrifikuar shumë nga vetja e tij për të ngritur e pasuruar historiografinë e kulturë në rrugën e  prosperitetit kombëtar.”  Hazir Mehmeti, publicist i cili jeton në Vjenë,  foli mbi veprën e Rexhep Rifatit nga udhëtimet e shumta të përbashkëta në Kalabri dhe Sicili. Referuesi i radhës ishte Prof. Arsim Hamiti i cili shtjelloi krijimtarinë letrare e publicistike të Rexhep Rifatit.

Pjesëmarrës ishin shumë nga shokë, kolegë, bashkëpunëtorë, bashkë mërgimtarë të Rexhep Rifatit nga disa shtetet evropiane,  Zvicra, Gjermani, Austria, Franca e Belgjika morën pjesë edhe mërgimtarë nga Amerika e Kanadaja etj.  Mes tyre Shukrije Ramadani, veprimtare dhe bashkëshortja e Heroit të Kombit, Agim Ramadani e cila foli rreth veprës së autorit.  Pastaj veprimtarja dhe autorja e disa veprave, shoqja e klasës e autorit, Hanumshahe Sopa, e cila po ashtu pati fjalë përshëndetëse.  Sylejman Salihu e Driton Gashi (Gjermani), Xhevdet Kallaba (Zvicer).  Pjesën artistike e përmbushën Driton Gashi me qëndrim në Gjermani dhe Shpend  Hysaj në Ferizaj i cili edhe ekzekutoi me piano.    Në fund të aktivitetit  Sabri Pajaziti udhëheqës I sektorit të kulturës më ndau një mirënjohje Rexhep Rifatit me motivacion vlerësues për punën e tij madhore.  Organizatori kishte përgatitur koktej rasti për të pranishmit.

Fjala referuse e Hazir Mehmetit me titull:
Rexhep Rifati, emër i nderuar në gazetarinë kombëtare

Të nderuar drejtues të komunës së Ferizajit!  E nderuara familja  Rifati! Të nderuar të pranishëm! I dashuri Rexhep Rifati!

Ndihem i nderuar sot këtu në Ferizajn e bukur i cili shënon 150 vjetorin e themelimit të tij, të ju përshëndes dhe them pak fjalë rreth mikut tim shumë të respektuar Rexhep Rifati. Ai është, pa dyshim,  pjesë e jetës historike të qytetit më shumë se gjysmë shekulli. Qytetit i japin kuptim njerëzit e tij, veprat e tyre dje, sot e nesër.  I tillë është Rexhep Rifati me veprën e tij gjatë gjithë jetës mbi 80 -të vjeçare. Jam i bindur se historia e re e Ferizajt nuk do jetë e plotë pa emrin e qytetarit të tij të devotshëm, gazetarit e veprimtarit Rexhep Rifati.

Sot, promovimet e veprave flasin e thonë shumë. Ato janë përkujtim e përmbledhje, janë vlerësim e dashuri për autorin i cili shkriu mund djersë e sakrificë për progresin dhe prosperitetin e shoqërisë shqiptare.

Vepra e tij është e vlerësuar nga secili që ndjenë rrugën e  progresit kombëtare për sot e nesër. Të shkruara me shpirt, dashuri e optimizëm edhe atëherë kur ishte vështirë e shpresa vritje.

Ato kanë vlera universale njerëzore.

Ato janë gjithë kombëtare.

Njeriu që nga pranvera e tij e parë, me zemrën e tij të madhe sfidoi pengesat, sfidoi kërcënimet dhe mori udhëtimin e tij në shërbim të njerëzores, në shërbim të kombit.

“Do ta pushkatojmë”,- thanë barbarët serb, kur falanga e tyre lexoi Rilindjen ku Rexha derdhi djersë e mund mbi gjysmë shekulli në shërbim të kombit.

“Jo tha tjetri, ai qenka i çmendur, e shihini si qesh para pushkatimit,  do t’ia helmojmë gjashtë fëmijët e tij, ata duhet t’i zhdukim, lëshojeni me dymbëdhjetë plagë për secilin fëmijë nga dy”, -urdhëroi tjetri.

Rexha, ashtu i buzëqeshur e krenar, vazhdoi udhëtimin, me gjithë sfidat dhe rreziqet e tij duke na dhuruar të gjithëve shije nga kamera e tij e vyer.

Ai asnjëherë nuk gjen qetësi me  kamerën e tij në kraharor, lapsin në xhep vazhdoi rrugëtimin e tij aty ku zemra rrah mes artit shekullor: bukuritë e trevave shqiptare, jetën dhe sfidat mërgimtare.

“Rexhep Rifati mund të quhet kujtesa ose enciklopedia e gjallë  (por tejet diskrete!) e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe rrethanave që lidhen me të”, e tha miku ynë i madh Basil Schader. Zvicra u pasurua me emrin qytetarin e saj nga Kosova, ashtu sikurse “Shqiptarët në Zvicër në 1001 pamje”, dhe më shumë.

Pesëdhjetë vjet udhëtim tokave arbëreshe, a nuk është kjo një histori e llojit të vet!  Në udhëtimet e tij u pasuruan emra të rinj nga fusha e gjuhësisë, publicistikës dhe kulturës shqiptare nga Atdheu, arbëreshët dhe mërgata.

Kolosi i kombit, At Antonio Belushi tha: “I dashur vëlla Rexhep Rifati, ju jeni Apostull i Arbëreshëve me plotë kuptimin e fjalës.  Jeni pjesë e jona, e gjakut arbëresh” .

Por, Rexha me shpirt djaloshar, vazhdon ecjen e tij tokave të shenjta ku gjaku i shprishur arbëresh e kërkon, “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim”, një vepër me vlera shkencore gjeneratave.

Veprat e Rexhep Rifatit pasurojnë bibliotekat në atdhe dhe vende tjera. Për to do flitet gjeneratave me falënderimin e respekt. Ato i pasurojnë jetën dhe historinë e Ferizajit, Kosovës, kombit dhe kontinentit gjithandej ku mërgimtari frymon.

Rexhep Rifati do shndritë në altarët e historisë kombëtare.

Urime 150 vjetori i qytetit tuaj!

Urime Rexhep Rifati dhe familja e nderuar Rifati!

Faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok