25/05/2024

Një pllakë varri i vitit 1531 për Leonik Nikollë Tomeun në Padova kushtim nga Pietro Bembo, poeti i madh venedikas i Rilindjes Europiane!

0

Foto e realizuar në vitin 1987!

Nga Jahja Drançolli

Nga vargu shumë i gjatë i gjurmëve të pashlyeshme të arbërve brenda dhe jashtë vendit, që mbajnë vulën e epokës së Skënderbeut, në këtë rast do të veçoja pllakën e varrit nga mermeri që ruan datën e vitit 1531 (datë e vdekjes), kushtim ky i Pietro Bembos,  Leonik Nikollë Tomeut, i cili edhe sot e gjithë ditën ruhet në kishën e Shën Françeskut në Padova, pothuajse ngjitur me pallatin Bo të Universitetit të Padovës. Përballë kishës së përmendur ndodhet edhe shtëpia e  Leonik Nikollë Tomeut (In la contrada de S. Francesco in casa de M. Leonico Tomeo).

Përmbajtja e gurit të varrit ruan disa rreshta në një gjuhë elegante latine që vetëm Pitro Bembo ka mundur të përmbledhë mrekullisht gjithë veprimtarinë, ndershmërinë dhe thjeshtësinë e jetës së mendimtarit dhe profesorit Leonik Tomeo. Dhe si përfundim i një përshkrimi të tillë mbi gurin e varrit, Bemboja dëshiron veçanërisht të shënojë vargje në gjuhën greke, të shkruara sa ishte gjallë vetë Nikollë LeonikTomeu.

Kush ishte Nikollë  Leonik Tomeo(1456 -1531)?! Dihet se babai i tij ka lindur në Arbëri (“Nicolaus Tomaeus Epirota patre Venetiis genitus, aetatem a primis unguiculis omnem egit Patavii, quamobrem, prout occasio tulit, Epirotam se, Venetum, Patavnium, ex gente, ex natali solo, ex domicilio jactat.”). Ka migruar nga Atdheu në kohën e sulmeve osmane dhe u vendos në Venedik (shek. XV). Vitet e fëmijërisë së bashku me vëllezërit i kaloi në lagunat venedikase dhe në Padova. Fillimisht studioi greqisht në Padova, më pas në Firence dhe Milano. Dy letra të shkruara në greqisht vërtetojnë se Tomeu dhe vëllai i tij Bartolomeu (“orator e poeta”) kanë punuar në Roma dhe Firence gjatë viteve 1485-1488. Tomeu, kishte mbaruar studimet në Universitetin e Padovës (1485), ku u diplomua edhe për “in artibus” (“filozofi dhe mjekësi”). Shumë studiues mendojnë me të drejtë se origjina e familjes së Tomeu është nga zona bregdetare e Arbërisë, përkatësisht nga Durrësi. Studiuesi i madh M. E. Cosenza e shpjegon mbiemrin e Tomeu sipas malit të njohur Tomor (Tomarus), që përmendet në Epir (Arbrëri). Leonik, ndërkaq është një anagram jo i plotë i emrit Nicolò-Nikollë. Në Venecia, me sa duket, Tomeu ka kaluar edhe familjen e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok