12/12/2024

VENDOSJA E ADMINISTRATËS USHTARAKE  NË KOSOVË, TERRORI USHTARAK DHE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT

0
Buxhovi-Kosova

Rishqyrtime historiografike (4)

(Me vendosjen e Administratës Ushtarake në Kosovë, më 8 shkurt 1945, u  shuan  strukturat autentike të Nacionalçlirimtares në Kosovë dhe  ua hapën dyert aneksimit të saj nga Serbia. – Spastrimi i vendit “nga reaksioni” – formulë për qërimin e hesapeve me Shqiptarët në përputhje me programin e  Memorandumit të dytë të Çubrilloviqit të tetorit 1944, që u pranua nga Tito. – Vrasja e Milladin Popoviqit më 15 mars 1945 në Prishtinë dhe pasojat).

Nga Jusuf Buxhovi

Tri ditë para se Adem Voca me gjithë familjen të likuidohet në kullën e tij në Pantinë, ndërsa dhjetë ditë më vonë i njëjti fat do ta gjejë edhe Shaban Polluzhën në katundin Tërstenik të Drenicës, siç do t’i gjejë me mijëra bashkëluftëtarë të tyre anembanë Kosovës, të cilët do të vriten dhe masakrohen mizorisht gjatë operacioneve të pastrimit dhe në operacionet e tjera të ngjashme të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë asaj vere dhe vjeshte të përgjakur “kundër- mbetjeve të kuislingëve dhe bashkëpunëtorëve të armikut”, Josip Broz Tito, komandant suprem i Shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, Kosovën do ta fusë nën regjimin ushtarak, pikërisht siç parashihte Memorandumi i dytë i Vasa Çubrilloviqit, i paraqitur në tetor 1944.

Vendimi për shpalljen e regjimit ushtarak në Kosovë si dhe vënien e saj në gjendje shtetrrethimi, nuk ishte akt as i veçuar e as jashtë  zhvillimeve të caktuara ndërkombëtar si dhe ndikimit të tyre në të, që po atë ditë, në  Konferencën e Jaltës, Stalini, Rusvelti dhe Çërçilli u morën vesh për ndarjen e sferave të interesit si dhe pamjen që duhej ta kishte bota e pasluftës.

Në këtë Konferencë, pos të tjerash, ishte biseduar edhe për Jugosllavinë dhe fatin e saj. Aty ishte marrë vendimi që ajo të rikthehej në kufijtë e Versajës, pra të mbetej e paprekur, përkundër realiteteve që kishte sjellë pushtimi fashist kur ajo, pas shpërbërjes ishte ndarë në disa shtete. Ky rikthim shkelte vullnetin e disa prej popujve (Kroatëve që kishin shpallur shtetin e tyre të pavarur dhe Shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve të tjera të bashkuar me Shqipërinë). Këta të fundit, në Konferencën e Bujanit, në përputhje me kartën e Atlantikut, kishin shpallur dëshirën që të bashkoheshin me Shqipërinë. Pra, mosrespektimi i vullnetit të Kroatëve e Shqiptarëve për bashkim kombëtar si dhe rikthimi i dhunshëm i tyre në shtetin me të cilin asnjëherë nuk ishin pajtuar, për pasojë mund të kishte shpërthimin e një lufte të re mbi baza hakmarrëse që do të shpërthente midis rikthyesve të Jugosllavisë së re (në këtë rast partizanëve, të shumtën serbë) dhe të forcave nacionaliste, që nuk do të pajtoheshin me këtë vendim. Sepse, kjo, krahas ripushtimit, nënkuptonte edhe likuidimin e gjithë atyre që kishin qenë pjesë e realiteteve tjera shoqërore dhe politike që kishte sjellë copëtimi i Jugosllavisë së Versajës, e cila, edhe nga vetë komunistët jugosllavë (nga Kongresi themelues në Drezden më 1924 e deri në Konferencën e katërt vendore në Zagreb, më 1940) ishte quajtur “burg i popujve”, që “duhej rrënuar”.

Tito, i cili mund të thuhet se në garën për shtrirjen e sferave të interesit midis Britanikëve dhe Sovjetikëve, të zhvilluar prej vitesh për primat në Ballkan, kishte dalë fitues në planin politik dhe strategjik, me ç’rast ai vendimeve të Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-it të nëntorit të vitit 1943 në Jajce për shpalljen e Jugosllavisë federative, me vendimet e Jaltës, ua kishte krijuar  legjitimitetin e plotë ndërkombëtar,  hetoi çastin më të duhur, që me vendosjen  e  gjendjes ushtarake në Kosovë të demonstrojë fuqinë e Jugosllavisë “së re”. Kjo u bë me pretekstet “e shpërthimit të kundërrevolucionit”, që nënkuptonte “qërimin e hesapeve” me “reaksioni” kundër të cilit ishte i gjithë Fronti Antifashist.

Kështu, Tito, me vendimin numër 31 të 8 shkurtit 1945 urdhëroi formimin e Drejtorisë Ushtarake në Kosovë si  organ i pushtetit ushtarak, që merrte përsipër gjithë pushtetin civil, me detyrë “që të likuidojë kryengritjen e armatosur në Kosovën e çliruar”.

Në arsyetim thuhet:

“Duke përcjellë gjendjen në Kosovë dhe Metohi, e cila nga fundi i janarit do të keqësohet së tepërmi, nga paraqitja e grupeve të armatosura balliste, në të cilat ndodheshin rreth 1o mijë kryengritës, që rrezikonin jetën e qetë të qytetarëve dhe të organeve të pushtetit popullor dhe me synimin që të kthenin regjimin fashist, Shtabi Suprem i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, nxjerr urdhrin që në Kosovë e Metohi të vendoset Drejtoria Ushtarake me qëllim që sa më parë të likuidohet armiku e që të krijohen kushtet për punë të papenguar të pushtetit popullor dhe të qytetarëve.”

Po me këtë urdhëresë komandant i Drejtorisë Ushtarake emërohej koloneli Sava Derleviq, komandant i Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi. Komisar politik emërohet koloneli Gjuro Medenica. Komandant i Zonës ushtarake të Kosovës dhe Metohisë emërohet koloneli Nikolla Bozhanica. Kolonel Petar Brajeviq u emërua komandant i Divizionit të Kosovës, ndërsa komisar politik i Divizionit u emërua Aca Vukotiq. Në pikën e tretë të kësaj urdhërese thuhet se Shtabi Operativ për Kosovë e Metohi vendoset nën komandën e drejtpërdrejtë të Shtabit Suprem të UNÇ të Jugosllavisë.

Drejtoria Ushtarake në Kosovë në dispozicion të përhershëm kishte tri divizione me 30 mijë ushtarë të rregullt. Atyre do t’u bashkohen edhe 12 mijë trupa të tjera rezervistësh dhe njësish vendore.

Me vendosjen e Kosovës nën administrim ushtarak shuhet e gjithë infrastruktura e deriatëhershme e pushtetit vendor, e cila kishte filluar të ndërtohej pas Konferencës së Parë të Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës, siç do të mënjanohet i gjithë Shtabi Operativ i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës, që komandohej nga kolonel Fadil Hoxha.

Drejtoria Ushtarake do të komandohet nga oficerë të lartë të sjellë nga Beogradi, thuajse që të gjithë Serbë e Malazias. Ndërsa  njësitë partizane të Kosovës, të dala nga lufta, do të mënjanohen nga operacionet luftarake që do të zhvillohen nga 8 shkurti e deri në fund të prillit. Këto luftime pas 22 shkurtit, kur në Drenicë do të vritet Shaban Polluzha me të gjithë bashkëluftëtarrët që kishte me vete, do të përqendrohen kryesisht në “pastrimin” e zonave “nga mbetjet e ballistëve, reaksionit dhe të shërbëtorëve të kuislingëve”, të cilat në të vërtetë do të jenë pjesë e terrorit të planifikuar që më parë kundër popullatës shqiptare.

Ata që do të përgatisin skenarin për futjen e Kosovës në një karantinë ushtarake, prej nga pastaj do t’u lihen duart e lira “pastruesve” nga sëmundja ngjitëse e quajtur “kundërrevolucion” – krahas mënjanimit “të përkohshëm” të të gjithë Shqiptarëve nga strukturat udhëheqëse përgjegjëse për shuarjen e “kundërrevolucionit ” që kishte shpërthyer ndër Shqiptarë “nga pozitat e ideologjisë fashiste” (me këtë kualifikim do të duhej të eliminohej çfarëdo skenari i zbarkimit britanik në Kosovë nën pretekstet “e lëvizjes antikomuniste”, ose të atij amerikan për “mbrojtjen e popullatës nga hakmarrja komuniste”) – do të marrin masa që të eliminojnë edhe “befasitë” e mundshme në radhët e veta.

Kështu, më 15 mars, në Prishtinë,  u vra Milladin Popoviqi, sekretar politik i Komitetit Krahinor, me direktivën që do të dalë e nënshkruar prej tij më 2 dhjetor të vitit 1944, praktikisht do të fillojë terrori partizan-komunist në Kosovë, i paraparë sipas elaboratit të dytë të Vasa Çubrilloviqit “Rreth pakicave kombëtare në Jugosllavinë e re”. Në atë urdhëresë do të jenë që të gjitha masat, që nga mobilizimi i dhunshëm i Shqiptarëve dhe dërgimi i tyre në Veri, fillimi i fushatës së qërimit të hesapeve me bashkëpunëtorët e armikut dhe “reaksionin shqiptar” e deri te veprimet e tjera me të cilat do t’i hapen dyert terrorit shtetëror ndaj Shqiptarëve, të cilat dy muaj më vonë do t’i marrë përsipër që t’i zbatojë Administrata Ushtarake në Kosovë, në mënyrë që të riktheheshin rrethanat e luftës dhe lufta si mjet i përshtatshëm për zbatimin e tyre.

Andaj, me të drejtë shtrohej pyetja: çfarë fshihej prapa vrasjes së tij: hakmarrja shqiptare ndaj njeriut që kishte premtuar më së shumti barazi, vëllazërim-bashkim dhe mbi të gjitha edhe “zgjidhjen e  çështjes së Kosovës në përputhje me vullnetin e popullatës së saj pasi që të arrihej fitorja e përbashkët ndaj fashizmit”, apo ishte hap i natyrshëm i një zhvillimi, siç ishte kursi antishqiptar, i cili edhe më tutje duhej të ndiqej, që duhej të eliminonte ata që në çfarëdo mënyre do të mund ta pengonin nga brenda?

Vetë versioni zyrtar rreth vrasjes së Milladinit i ushtarakëve që mbikëqyrnin Kosovën dhe ishin në vlug të krimeve të tyre të rënda që po i kryenin ndaj popullatës shqiptare në Drenicë dhe gjetiu në emër të “pastrimit nga kundërrevolucionarët”, ishte jo vetëm i dyshimtë, por edhe në përputhje fund e krye me shemën e njohur të fajësimit an bllok të Shqiptarëve me kualifikimin “armiq të revolucionit popullor”. Me këtë, terrori i filluar fitonte edhe më shumë motivim të brendshëm, ndërkohë që në shënjestër të fushatës kthente qërimin e hesapeve me ata pak intelektualë që kishin mbetur të paprekur,  që edhe do të ndodhë.

Atentatori i shpallur, Haki Taha – asnjëherë i vërtetuar, ndonëse i kremtuar nga nacionalistët shqiptarë anekënd ngaqë ai do të gjendet i vrarë apo i vetëvrarë, krejt një – si mostër tipike për ato rrethana dhe ato zhvillime të kobshme, kënaqte edhe vrasësit e njëmendët, e kënaqte edhe ata që këtë vrasje dëshironin ta shihnin si të tyre. Kështu, mllefi i një nacionalisti shqiptar, i njohur i Milladinit, funksiononte dyanshëm: qoftë për ta vërtetuar vrasjen nga motive thjeshtë patriotike, sepse ai “kishte tradhtuar”, qoftë për ta vërtetuar akuzën serbe se e gjithë lëvizja antifashiste shqiptare kishte qenë e ndërtuar mbi kalkulimin e bashkimit me Shqipërinë, gjë që këtë do ta tregojë edhe “hakmarrja” e tyre ndaj njeriut që kishte penguar këtë.

Sidoqoftë, vrasja e Milladinit, do t’u japë shkas dy ekstremeve rreth çështjes së Kosovës, që të veprojnë paralelisht dhe të ushqehen nga njëra tjetra. Atij serb – që zgjidhja e saj me mjete radikale – të cilat mund të shkojnë edhe deri te ato të skajshmet, (përdorimin e kundërrevolucionit, kolonizimin, konventat shtetërore për shpërnguljen masive të popullatës shqiptare në Turqi) – duhej kërkuar edhe në rrethanat e ideologjisë komuniste. Dhe atij shqiptar – se me ripushtimin serb të Kosovës asnjëherë nuk duhej pajtuar, dhe se për lirimin prej Serbisë duhej përdorur të gjitha mjetet, nga ato legale dhe ilegale, revolucionare dhe jo revolucionare  deri te arritja e këtij qëllimi, sepse në të kundërtën historia i përsërit ngjarjet dhe kobët e tyre.

(Shkëputje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 361-366)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok