23/12/2024
Edison_Ypi

Nga Edison Ypi
Vendi im është një ankth tronditës pafundsisht i bukur i zhytur dhe mbytur në mijra tinguj, ngjyra, aroma.
Vendi im është ëndërr, mrekulli, parajsë.
Ku mund të ndodhesh diku, është e martë, por të duket e shtunë.
Pas së enjtes vjen shekulli i kaluar.
Pas së hënës fanepset shekulli i ardhëm.
Mesnatave troket Mesjeta.
E premtja dhe e djela vazhdojnë ose mungojnë me javë të tëra.
Kodrat i bien flautit.
Erërat violinës.
Liqeret luajnë në Harpë.
Nositat ushqehen me mish Poeti.
Lumi krrusur mbi piano.
Televizori dhe Interneti ende nuk është shpikur.
Peshqit kullosin nëpër korije.
Qiellin e kap me dorë dhe e zbret në tokë sa herë të teket.
Tomorri prapa kodrës i lutet Nëmërçkës ta shkrijë borën ta mbushi Vjosën.
Lushnja me Elbasanin çdo natë bëjnë dashuri mes ulurimash mbi një jaht luksoz në Liqerin e Belshit.
Disa Ferrari gjarpërojnë rretheqark dhe mespërmes liqereve të Dumresë me shpejtësi skëterre mbi një pistë drite me ngjyra ylberi.
Në qiell rrinë varur dy Diej të ftohtë dhe tre Hëna të ngrohta, ndonjëherë edhe katër, ose edhe pesë syresh.
Italia prapa gardhit qep atlete kineze për ti shitur në Angli ose Amerikë.
Në horizont shtrihet Gjermania e përgjumur me pleq që duan vetëm infemiere vlonjate ose të paktën narqote.
Amerika seç po llafos me ca skraparllinj.
Shkodra me xhinse të shkurtra si breçka ta bën me dorë ta marrësh deri në Pukë.
Lezha topless po lan Benzin me ujë pusi në Milot.
Puka me flokët që ja merr era ka ndalur në mes të rrugës se i është çpuar goma.
Mbi male kullosin dele kilometrike laramane që i ruan një çoban shkëmbor me mustaqe si dy kallinj misri nga 1 kilometër secili, me çibuk si oxhak lokomotive, gunë sa Mallakastra, kërrabë që nis në Karavasta, kalon nëpër Rroskovec, ngjitet mbi Shpirag, mbaron rrëzë Gramozit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok