VEGJETARIANIA, E SËMURA NGA ËNDRRA
“Vegjetariania”, romani i Han Kang, nobeli i vitit 2024
Nga Ndue Dedaj
“Ajo sjell ndër mend dy trupa të zhveshur, të pleksur me njëri – tjetrin si një bimë kacavjerrëse. Natyrisht, ky imazh e shokoi, megjithatë, sado e çuditshme, me kohë kishte pushuar së përceptuari si diçka seksuale. Trupat e tyre krejtësisht i mbulonte një fushë ku lulëzonin lule, në degë gjelbëronin gjethe dhe ai e ajo dukej që nuk i përkisnin tashmë fisit njerëzor. Ata lëviznin sikur me të gjitha forcat po përpiqeshin të shndërroheshin në qenie të tjera, të pushonin së qeni njerëz…”
Ky pasazh në faqen 91 të romanit, thuajse në fund të tij, duket si çelësi për shpjegimin e veprës. Njeriu nuk don me qenë më njeri, por çdo gjë tjetër, pemë, shpend i bardhë etj.
Jonhje, një grua e re koreanojugore, sheh një ëndërr dhe për çudi, më pas, jeta e saj nuk është më në dorë të saj. Shpreson se gjithçka do të shkojë mirë me kthimin në vegjetariane, por kjo nuk ndodh, përkundrazi, hendeku jetësor thellohet. Njerëzit më të afërt përpiqen ta shpëtojnë, secili në mënyrën e vet, ndonëse pa e kuptuar enigmën (metamorfozën) e saj, por asgjë nuk e kthen më normalitetin, qoftë dhe të vaktë të jetës së mëparshme. Mënyrat që ata përdorin, amatore apo të sofistikuara, janë krejtësisht të dështuara, i shoqi mjaftohet me alarmimin e situatës të së shoqes te prindërit e saj, i ati kërkon ta detyrojë të hajë mish me zor, kunati piktor e katranos më keq me sjelljen e tij seksuale të ulët, paçka se të gërshetuar me art, e motra me një përkujdesje që nuk jep rezultat, personali i spitalit psikiatrik me rrekjen për ta ushqyer me forcë etj. Ajo refuzon ushqimin dhe dorën që zgjatet ta ndihmojë, thotë se askush nuk e kupton, por në të vërtetë tashmë është ajo e para që nuk e kupton veten, duke hequr dorë nga vetja. Kjo nuk është një lojë fjalësh e jona, por skena e romanit, e cila gjithandej vjen duke u spërkatur me gjakun e zonjës së nëmur nga fati. Rastësisht? Jo, ajo me aktin e saj të vetësakrifikimit don që me gjakun e saj të ndalojë çdo gjakderdhje ndër njerëz, që e bën atë një njeri me kauzë mbinjerëzore. Ajo nuk na e thotë, por nuk është vështirë të kuptohet, se ëndrra që ajo kishte parë, kishte qenë një ëndërr me gjak.
Në këndvështrimin tonë, ky refuzim estetik i vetëdijshëm i personazhit kryesor të romanit, deri në çmenduri, është refuzim ekzistencial. Shprehjes së famshme shekspiriane “Të rrosh a të mos rrosh”, ajo me vullnet të lirë i zgjedh pjesën e dytë, domethënë të mos rrojë. Pse-ja nuk është se del nga konteksti drejpërdrejt, por besojmë se ajo ka të bëjë me atë që Jonhje rron një jetë pa dashuri, edhe kur ishte e martuar. Martesa ka dështuar dhe në rastin e të motrës, edhe këtë herë për shkak të mungesës së dashurisë mes burrit dhe gruas. Ndoshta Jonhje është “martirja” e familjes moderne në krizë, pa iu ankuar askujt për dramën e saj, që ajo nuk e quan dramë, çka e bën tejet të veçantë si karakter. Ajo sikur na thotë, njerëzit kanë sy që të shohin dhe mendje që të mendojnë, por nuk e bëjnë as njërën, as tjetrën.
Romani përçon një ftohtësi të frikshme. Asnjëri nga personazhet nuk mbetet për të qenë nesër bashkudhëtar i askujt në jetë. Gjuha e tyre është e drunjtë, e atrofizuar, thuajse telegrafike, apo sms-sh. Ata nuk kanë individualitet, duken e zhduken. Ngjajnë si manekinë, që hyjnë dhe dalin nga roli pa kurrëfarë emocioni (i shoqi, i kunati). Asnjëri nga ata nuk mediton për gjëmën e Jonhjes. Bashkëshorti i vegjetarianes i kryen veprimet si një qenie pa shpirt. Te asnjëri sosh nuk ka ndjenjë, edhe skena e nxehtë e pleksjes së kunatit me protagonisten në studio nuk është as dashuri, as flirt, por thjeshtë një instinkt. Humbja e gjuhës së komunikimit dhe e ndjenjës së dashurisë mbase kanë qenë dhe shtysat e nominimit disa herë me çmime prestigjioze të romanit.
Shkrimtarja Han Kang ka përshkruar një botë siç e ka ndjerë e vëzhguar përmes një “kamere” të brendapërbrendshme të njeriut. Gjithçka rrokulliset në rënie të lirë. I vetmi që thur një intrigë, kunati i Jonhjes, nuk çon në ndonjë zgjidhje, por shkatërron dhe familjen e vet. Sjellja e tij, nëpër shtjellë sureale, është anormale, ndonëse nuk është e një të sëmuri klinik. Habia është se si i ati, si mjekët përdorin dhunën ndaj të sëmurës, duke i kuar me zort ushqim, teksa ajo i sfidon me mospranimin. Kësisoj Jonhje nuk mund t’i mbijetonte realitetit të zbuluar prej ëndrrës së saj fatale, që do ta shpiente në vetëflijim. Vegjetarianizmi i saj u kthye në provë të papërballueshme për mjedisin familjar e më gjërë. Nëse ai nuk do të ndodhte, jeta e tyre do të ishte monotone, pa asgjë për t’u shënuar, çka lë të nënkuptohet se as familja e as bota moderne nuk është e përgatitur për të përballuar dukurirë, apo kategoritë e reja sociale si vegjetarianët. Gjithsesi, është për t’u veçuar njerëzorja tek Kim Inhje, kur ajo e viziton të motrën Kim Jonhje në spitalin psikiatrik të qyteti Mosok.
Romani është i ndarë në tre pjesë, me tre “aktorë” ndihmës të zbërthimit të protagonistës si karakter, përkatësisht i shoqi, i kunati dhe e motra. Përshkrimi nuk ka ngjyrë, është një vizatim bardhë e zi i sfondit të ngjarjeve që (nuk) ndodhin dhe karaktereve që nuk vegjetojnë, por nuk veprojnë. Stili i autores është thellësisht origjinal, ajo nuk kujdeset për ta humanizuar artificialisht tekstin në asnjë fjalë apo detaj dhe nuk “tronditet” nga e gjitha që po rrëshqet, ndër rastet e pakta kur shkrimtari i shmang emocionet vetjake si njeri. Rrokullimën tragjike që ka marrë jeta prej vegjetarianie e Jonhjes nuk mund ta ndalojë më as vetë zonja Han.
Së fundi, është për t’u falënderuar çdo përkthyes që sjell në shqip një vepër të shquar të letërsisë botërore, ndërsa Bujar Hudhri e meriton këtë falënderim në mënyrë të dyfishtë, si përkthyes e si botues, që e solli këtë roman pesë vite më parë se ai të laurohej me “Nobelin, me një shqipe shprehëse në dhënien e atmosferës së quajtur kafkiane, edhe pse romani është i pangjashëm me asnjë tjetër etj.
Ndue Dedaj
Dhjetor 2024