22/12/2024

VAZHDON SUKSESI I ILIR IKONOMIT

0
Ikonomi-Noli

Nga Frank Shkreli

Ditët e fundit, miku dhe kolegu im Ilir Ikonomi pati mirësinë të më dërgonte librin e tij të posa botuar: FAN NOLI -Apostulli, (Vëllimi i Parë), libër të cilin, për arsye të disa angazhimeve me rastin e festave të fundit vitit – nuk kam mundësi ta lexoj, tani për tani, dhe as të marrë pjesë në promovimin që po organizojnë Federata “Vatra” dhe “Këshilli Shqiptaro-Amerikan”, në Nju Jork (me 23 Dhjetor, 2023 në ora 1 pas drake në Producers Club Theatres –358 West 44th Street, Nju Jork, Nju Jork, 10036) . Megjithkëtë, deshta që të pakën të përshëndes mikun tim dhe pjesëmarrësit në këtë promovim të merituar – të njërit prej penave më të mira të këtij komuniteti dhe më gjërë.

Prandaj, ndonëse, në pamundësi të leximit të librit, dua të them dy-tri fjalë përshëndetse dhe paraprakisht, për të shënuar këtë rast të rëndësishëm për komunitetin dhe për autorin. Dëshiroj të uroj Ilirin për veprën më të fundit, për veprat e tija të deritanishme dhe për ato që jam i bindur se ai ka në plan të vazhdojë të botojë, jo vetëm një vëllim të dytë për Nolin, siç ka njoftuar se ka në plan, por edhe vepra me subjekte të ndryshme, duke pasqyruar jetën dhe veprimtarinë — ashtu siç e ka zanat – të personaliteteve historike të tjera shqiptare dhe shqiptaro-amerikane, siç ishin Faik Konica dhe Fan Noli.  Në vëllimin e parë — “Fan Noli – Apostulli” – autori Ilir Ikonomi i drejtohet lexuesit duke premtuar se, në faqet që pasojnë, ai ka ndjekur “rrugën e natyrshme”, duke i hedhur, “faktet në tryezë dhe ta lija personazhin tim të fliste vet, duke i paraqitur lexuesit Nolin e pafiltruar”, i bindur në vetvete se, “Sigurisht, që e verteta është e komplikuar dhe shpesh e dhimbshme.”

Kohët e fundit, Ilir Ikonomi ka marrë pjesë në takime dhe ka zhvilluar intervista në lidhje me botimin e librit më të fundit, kushtuar Fan Nolit: Fan Noli – Apostulli. Por jo vetëm për këtë vepër më të re – por edhe për veprat e tjera, të botuara dekadën e fundit, si: Faik Konica – Jeta në Washington (2011), Pavarësia (2012), Pushtimi (2014) dhe Esad Pashë Toptani – Njeriu, lufta, pushteti (2016).

Librat e Ilir Ikonomit janë të njohura mirë tanimë për lexuesit shqiptarë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, por dhe në diasporë, përfshir komunitetin shqiptaro-amerikan. Nga pritja që iu bë në Shqipëri javët e fundit librit: Fan Noli – Apostulli, vura re nga larg, se të interesuarit e shikonin veprën më të fundit të Ikonomit si një joshje që zgjon interesim të mëtejshëm tek lexuesit, jo vetëm, për vëllimin e parë të këtij libri por edhe vëllimin e dytë dhe për vepra të tjera të autorit.  Megjithëse për mua, Ilir Ikonomi përsa e kam njohur si ish-gazetar në Zërin e Amerikës, dallohej ndër më të mirët. Prandaj, nuk është për tu çuditur për suksesin e Ilirit, si autor, si studiues dhe si historian. Ai tashti konsiderohet si mjeshtër në këtë fushë botimesh, ndërsa kritikët më të cilësuar të historisë së personaliteteve që trajton Iliri – përfshir librin: “Fan Noli -Apostulli” dhe libri “Faik Konica: Jeta në Washington” – kanë shkruar dhe flasin me admirim për punën e tij në këtë fushë. Fan Noli dhe Faik Konica, janë dy figura kryesore, ndër të tjera, të trajtuara nga Ilir Ikonomi.  Iliri ka pasqyruar veprimtarinë e tyre në Amerikë dhe më gjërë. Ai ka vlerësuar si diçka tepër të rëndësishme punën e tyre, neprëmjet të cilës i kanë bërë të njohur — jo vetëm botës amerikane por edhe botës më të gjërë – cilësitë dhe vlerat e Kombit shqiptar.

“Thuamëni, thuamëni tani o miq, qysh do të mundim ndonjëherë t’ia paguajmë plotësisht Amerikës këtë borxh? Nuk do të mundim kurrë t’ia paguajmë plotësisht, kjo s’duhet të na shkojë kurrë nga mendja, por në qoftë se bejmë pjesën tonë për çështjen e njerëzimit dhe të qytetërisë, gjer atje ku na arrin forca, Amerika me shpirtmadhësinë e saj do ta quaj borxhin tonë të larë dhe kështu do të mundim të çlirohemi nga barra e paduruar e falimentit moral.” (Fan Noli, 1918), citim në librin: Fan Noli -Apostulli)

Në të njëjtën vijë të “larjes së borxhit” që Shqipëria dhe shqiptarët i kanë Amerikës, sipas Fan Nolit, Ilir Ikonomi — me veprën e tij më të fundit kushtuar Nolit, që promovohet në Nju Jork të shtunën që vjen — i lanë një borxh të madh vet Nolit, në emër të këtij komuniteti. Një borxh që  shqiptaria dhe komuniteti ynë në Amerikë — ku Noli ka jetuar e vepruar për pjesën më të madhe të jetës së tij — i kanë Fan Nolit.

Edhe Ilir Ikonomi, në emër të shqiptarisë dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, me këtë botim, po i paguan Fan Nolit, një borxh sado të vogël në dukje ndoshta, por i madh në përmbajtje dhe simbolikë falënderimi dhe mirënjohjeje.

Uroj që edhe promovimi i librit më të fundit të Ilir Ikonomit në Nju Jork (shiko njoftimin më poshtë), të shtojë edhe më shumë numrin e sukseseve të tija. Është me gëzim dhe kënaqësi që, me këtë rast, të përshëndes autorin Ilir Ikonomin dhe të gjithë ju që po merrni pjesë në promovimin e librit të tij më të fundit, “Fan Noli – Apostulli”. Duke çmuar mundin e tij, përgëzoj mikun e kolegun tim Ilir Ikonomin për kontributin që po i jep lexuesit shqiptar në zgjërimin e njohurive të tija në fushën e historiografisë shqiptare nepërmjet botimeve më të fundit mbi Fan Nolin, si njëri prej përfaqsuesve më të dalluar të këtij komuniteti dhe të historisë mbarë shqiptare, atëherë dhe sot.

Nëntor, 2019, në Kuvendin e Bashkisë Nju Jork me Ilir Ikonomin, mikun,  kolegun, ish-gazetar në Zërin e Amerikës e tani studiuesin dhe autorin e librave: Faik Konica -Jeta në Washington (2011), Pavarësia (2012), Pushtimi (2014), Esad Pashë Toptani – Njeriu, lufta, pushteti (2016 dhe Vepra më e fundit:  FAN NOLI – APOSTULLI, (Vëllimi i Parë).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok