VARGJE ME MENDIM TË THELLË MEDITATIV
(Lekë Mrijaj, “KAMBANAT THËRRASIN”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “HIERONIMUS”, Klinë 2019, faqe 142. IBSN 978-9951-8964-4-3)
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Poeti Lekë Mrijaj, përveç anës edukativo – arsimore, prej vitesh merret edhe me letërsi. Në vazhden e këtij angazhimi para një kohe, (saktësisht në vitin 2019), ai botoi librin e parë me poezi “KAMBANAT THËRRASIN”, të cilin e ka edituar Shtëpia Botuese “HIERONIMUS”, në Klinë. Deri më tash, Lekë Mrijaj, në prezantimet publike, ishte i njohur si autor i librit monografik, i shkrimeve kritike dhe atyre në fushën e hulumtimeve publicistike dhe trajtesave të tjera. Sfera e kulturës dhe ajo e letërsisë, dhe disa qasje të tjera në fushën e shkencave shoqërore kompletojnë edhe më tej opusin e angazhimeve krijuese të Lekë Mrijajt. Angazhimet e tij publike, kryesisht janë paraqitur nëpër tribuna e tryeza, si dhe në debate të shumta të cilat kryesisht i ka organizuar Forumi i Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” në Klinë, ku Lekë Mrijaj është bashkëthemelues i këtij Forumi. Në këto angazhime, ai e ka identifikuar vetën si njëri nga personalitetet e këtij lokaliteti, me ndikim dhe vlerë në shërbim të së mirës, të kulturës sonë kombëtare. Por me botimin e përmbledhjes poetike “KAMBANAT THËRRASIN”, ai zgjeron fushën e angazhimeve edhe në sferën e poezisë.
LIRIA
Zogu bën shëti qiellit,
E peshku nën ujë;
Vogëlushi ecën barit,
E lirinë e bën njeriu.
Andaj:
Liri – është qielli,
Liri – është uji,
Liri – është dielli,
Edhe…, Njeriu është LIRI…
Faqe 45.
Poeti Lekë Mrijaj, ka të botuara disa libra të zhanreve të ndryshme letrare esteike dhe hulumtuese. Por në interesimin tim, ka zgjuar vëmendje vëllimi me poezi “KAMBANAT THËRRASIN”, libër ky me poezi, që përveç metaforës së fuqishme, ka një mendim meditativ në brendësin e saj, prandaj poeti, “Tërë natën e natës ka mbledhur rruaza”, dhe të gjitha i paska lënë “Në varsen e vet”, qoftë si kujtime, apo si përjetime dhe sfida “Të (shpër)ndara udhëve, / Që atëherë, / Deri në mëngjesin e sotëm”, poeti pa rënë në skematizëm, “Tash,/ Ka vënë një tjetër të re,/ Në atë varëse”, “Për Sot,/ E për nesër”, i ka varur idealet e tij, (e modifikuar nga poezia, SHPRESA, faqja 31 dhe 40.) Kjo metaforë kaq e thellë të bënë me besuar se bëhet fjalë për një poet me varg që në esencën e tij përmban mendim të thellë meditativ, kurse poezitë janë shkruar me stil artistik, si në vargjet: “Kur unë jam me Ty,/ Gjumë në sy s’mund të bëj,/ Kur Ti,/ Nuk gjendesh me mua/ As që mund/ Të bëj gjumë…// Të faleminderit,/ Zoti im,/ Për pagjumësinë…// E dallimin në mes tyre.”, (poezia KUR UNË JAM ME TY, faqe 118.)
Në poezinë “PARA SHTËPISË SIME”, poeti ka prekur në esencën e saj një motiv social që si dukuri që moti ka zënë vend e ka shtrirë rrënjë në brendësinë e njeriut, por si ves është i keq dhe i shëmtuar. Në anën tjetër, falë afinitetit krijues, poezia në vetvete përmban mesazh për humanizëm, me porosinë për mirësjellje e qytetërim. Pra edhe atëherë kur mendojmë se nuk na sheh a dëgjon kush:
E shoh
Nga këndi,
Ulur pranë ulëseve,
Mba(j)në në duar kërryl(ë)a…
Disa nuk e shohin,
Nuk guxojnë,
E sa të tjerë,
Pa fije turpi,
E gjykojnë,
Dhe,
Me gjysmë fjale thonë:
“Shihni kët(ë)a plakush(ë)…!”
Ata
Askënd nuk e shohin,
Nuk dëgjon
Mirë…
Poezia, PARA SHTËPISË SIME, faqe 41.
Natyrisht, si të gjithë poetët tjerë të cilët në fillimet e tyre poetike, edhe tek Lekë Mrijaj, dominon thjeshtësia dhe brishtësia poetike, ku të gjitha mendimet e shprehura nëpër vargje janë të tejdukshme me pamje kristalore e artistike dhe me një imagjinatë mjaftë të zhvilluar meditative, duke e bërë lexuesin më kureshtar për të kuptuar mendimin universal që përqon mesazhi i poezisë, e cila nga prizmi i motivit, tematika e saj është mjaftë e përpunar dhe e pasur me ide të shumta që kanë bërë për t’u realizuar poezia me finesa të mira artistike. “Mund të të vallëzoj edhe mbi tërkuzë,/ Të eci edhe symbyllas pa fije frike;/ Kuptojeni miq, pa asnjë hallakatmë,/ Të dini, e kuptoni, ju edhe një pikë:// Se, kush është Ai,/ Që tërkuzën më mban?”, (poezia, VALLJA MBI TËRKUZË, faqe 46.)
Ky frymëzim poetik e bënë Lekë Mrijajn, poet i lirikës e cila posedon në vetën e saj edhe metaforën meditative mbresëlënëse, që në esencën e saj ka origjinalitet, gjë që të bënë kureshtar, sidomos zhbiruesit dhe hulumtuesit e motivit tematik dhe të gjetjeve metaforike përmes të të cilave mund të bëhen interpretime të shumta të këtyre motiveve. Gjithsesi poezia e këtij vëllimi të jep mundësi të tilla për interpretim artistik të saj.
PORTRETIZIM I NJERIUT TË SOTËM
U ngopëm fare
Me këto ngjyra,
Ngjyra të errëta
Me të zeza – lara,
Portretizohen
Njerëzit e sotëm,
Nga “piktorët” maratonistë
Që sot bëjnë gara!
Faqe 54.
Vëllimi poetik, ”KAMBANAT THËRRASIN “, i poeti Lekë Mrijaj, përveç metaforës e vënë që në titull spikatë mënyra e thyerjes së mendimit i cili në shumë raste bëhet metaforë që në vete përbën ndjeshmëri filozofike, e ndërthurur me përvojën jetësore, prandaj praktikisht motivet e saj dëpërtojnë me lehtësi në vetëdijen e vrojtuesit, duke u shndërruar pastaj poezia në proces ndikues në vetëdijen e përceptuesit, siç mund të lexohet edhe në poezinë e shkurtër me vetëm katër vargje, “NE, AKOMA MBETEM TË NDARË”, në të cilën thuhet: “Na iku edhe ai shekull i ndytë/ I tëri mbeti na mbeti në kalendar,/ E dashur imja Shqipëri,/ Ne, akoma mbetem të ndarë.”, (faqe 64.)
Nëpër shumë vargje, poeti ka mundur të hyjë në botën e poezisë me një bagazh të akumuluar profesional nga qasjet e hershme kritike, prandaj në këtë vëllim poetik, dallohet përpjekja për qartësi të mendimit tematik që i është bërë gjakim, ndërsa vargjet janë pigmentim kolorit i shprehjes artistike, që fuqizon vlerën e mendimit lirik, që gjithnjë jep mesazhin optimist dhe në anën tjetër ka ngritur cilësinë estetike të vargut dhe të poezisë: “Të majtës dorëz/ I tha e djathta,/ Se të kam për afër.// Të djathtës dorëz,/ Iu (për)gjegj e majta,/ Se nuk mërzitet…”, (poezia DORËZËS SË MAJTË, faqe 86.)
Në përgjithësi, poezia e Lekë Mrijajt, e përfshirë në përmbledhjen e parë të tij “KAMBANAT THËRRASIN”, shprehin thellësinë tematike e motivore të cilën e kultivon ky poet. Prandaj mund të përfundojmë me përkufizimin se struktura simbolike e poezisë së Lekë Mrijajt, sillet kryesisht rreth metaforës meditative, e shprehur me figura stilistike, duke i dhënë poezisë vlerë, kurse botkuptimi i saj tematik, në të gjitha trajtat e mundshme, jep mesazhe universale që në thelb kanë porosi për mirësjellje, edhe si vlerë e humanizmit kulturor.
St. Gallen, 11.12.2023.
Shefqet DIBRANI