10/11/2024

Varfnia kulturore e Prishtinës është e tmerrshme

0

Nga Blerim Latifi

Vetëm pak ditë e ndanin Kosovën nga liria. Gati një shekull i përgjakjes së saj nga regjimet e ndryshme serbe po merrte fund një herë e përgjithmonë. Por edhe pse po e shihte fundin e sundimit të saj mbi Kosovën, makineria ushtarake serbe donte të vazhdonte përgjakjen e saj deri në momentet e fundit. Prekazi, vendi ku kishte shpërthyer kryengritja e UÇK-së 15 muaj më parë, vazhdonte të mbahej i mbërthyer nga forcat serbe. Sikur donin që aty të shkaktonin gjamat e fundit para se të largoheshin nga Kosova. Dhe në mesditën e 7 qershorit, në agun e lirisë, në pragun e shtëpisë, ku u lind dhe u rrit, ra dëshmori i fundit i Prekazit, Fadil Latifi, djali i axhës tim, Arifit, i cili më pak se dy muaj më parë ishte martirizuar në moshën 84 vjeçare po në Prekaz. Ai ishte bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës në luftën e Sanxhakut dhe atë të Drenicës. Në këtë të fundit e humbi vëllaun e tij të madh, Eminin, i cili ra në betejën e 7 shkurtit të vitit 1945. Sot të tre prehen pranë njëri tjetrit, aty në lëndinën e Bucinave. Varret e tyre janë dëshmi, në mesin e mijëra e mijëra varreve të tjera anë e kënd Kosovës, se sa i madh ishte çmimi i lirisë.

_________________

Varfnia kulturore e Prishtinës është e tmerrshme. Në një qytet me afër 400 mijë banorë, ka vetëm katër librari, të cilat edhe ashtu mezi mbahen. Ka një kinema, një galeri arti dhe një teatër, që rëndom janë pa audiencë. Eventet kulturore janë tepër të rralla dhe në shumicën e rasteve janë improvizime. Të vetmet evente që të krijojnë përshtypjen se ndodhesh në një kryeqytet modern janë ndeshjet ndërkombëtare të futbollit dhe festivali Sunny Hill. Ky i fundit nga dje nuk është më. Natyrisht për fajin e një klase politike, e cila preokupimin me kulturën përgjithësisht e konsideron humbje kohe, ngase potencialin elektoral të saj e konsideron të parëndësishëm.

Fakti se toka ku do të mbahej Sunny Hill do të vazhdojë të mbetet tokë djerrinë, flet shumë. Ajo djerrinë nga tash do të simbolizojë djerrinën tonë mentale. Bashkë me barin e keq që lëshon shtat në djerrina.

_________________

Historianët e turizmit e përmendin edhe një formë të pazakontë të tij : turizmin e luftës.

Së paku që nga Lufta Civile Amerikane dhe Lufta e Krimesë, të dyja të zhvilluara në mesin e shekullit të XIX, njerëz të ndryshëm janë joshur nga ideja për t’i vizituar dhe parë nga afër vendet e përfshira në konflikte të armatosura. Ata ishin qoftë shkrimtarë, artistë, tregtarë, aventurierë të ndryshëm, por edhe politikanë.

Sot Ukraina e shkretë është kthyer në destinacionin më atraktiv të turizmit të luftës. Për dallim nga rastet e tjera, në rastin e Ukrainës turistët kryesorë janë politikanët.

Edhe vizita e Ramës dhe e Abazoviqit realisht bën pjesë në këtë lloj turizmi. Natyrisht, ata e paraqesin atë si një përkrahje për Ukraninën, por shtrohet pyetja:  çfarë përkrahje mund t’i japin Ukrainës Shqipëria dhe Mali i Zi?

Përkrahje morale, do të thoshte dikush. Po çfarë u hyn në punë sot kjo përkahje Zelenskyt dhe ushtrisë së tij?

 Pak, për të mos thënë asgjë.

Ata sot kanë nevojë për armët më të sofistikuara, për para dhe njerëz, në mënyrë që të munden t’i bëjnë ballë edhe më tutje agresionit rus. Sigurisht, as Rama dhe as Abazoviqi nuk janë në gjendje të ofrojnë ndonjë gjë me vlerë në këtë drejtim. Prandaj vizita e tyre në Kiev, më shumë se për Ukraninën, bëhet për kureshtjen e tyre prej turistësh të luftës.

_________________

Publikimi i pasurisë së politikanëve nga Agjencia kundër Korrupsionit në Kosovë, çdo vit e riaktualizon një fakt themelor të këtij shteti: derisa votuesit varfërohen nga viti në vit, të votuarit e tyre e shtojnë pasurinë nga viti në vit.

Këtu qëndron shkaku madhor pse njerëzit në këtë vend bëjnë aq shumë turr të kapen pas partive politike, shtyhen brutalisht me brylla me njëri tjetrin për poste dhe lufta për pushtet është aq e ashpër.

Këtu ka vend për t’u kujtuar ajo që Aristoteli e thotë të Politika e tij: Shumica flasin kundër korrupsionit jo pse janë kundër korrupsionit, por pse nuk janë pjesë e tij.

_________________

Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës iu bashkua shumicës parlamentare në votimin e projektligjit për pagën minimale.

Natyrisht, Lista Serbe është e fundit në kët’ vend që mendon për gjendjen ekonomike të qytetarëve të Kosovës.

Votimi i sotëm i saj ka dy qëllime krejtësisht të tjera: njëri është politik, tjetri moral.

Qëllimi politik është që të ndihmohet përshkallëzimi i konfliktit politik midis pushtetit dhe opozitës shqiptare.

Ndërkaq, qëllimi moral është që të poshtërohen veteranët e UÇK’s, nga trauma e të cilës ende vuan shumë Serbia.

Ky poshtërim llogarisin t’i shërbej edhe qëllimit të parë.

Shumica paralmentare e VV’s ka bërë gabim të madh duke ia mundësuar këtë taktizim të ndyrë Listës Serbe.

_________________

Kohëve të fundit janë shtu vizitat e politikanëve të rëndësishëm europianë në Kosovë. Ose jemi afër ndonjë zhvillimi të rëndësishëm pozitiv, si p.sh. liberalizimi i vizave, ose krejt këto vizita janë duke u bërë për të fuqizuar retorikën boshe të fjalëve të bukura për të ardhmen europiane të Kosovës, retorikë pas të cilës, siç jemi mësuar tashmë, nuk ndodhë asgjë.

Të presim, megjithatë!

_________________

Sot kompjuterët, interneti dhe telefonat janë bërë elemente të domosdoshme në jetën e individëve dhe shoqërive. Ne thjesht nuk mund ta mendojmë jetën pa ta. Nga kjo nuk bëjnë përjashtim as konservatorët, religjiozë dhe joreligjiozë, të cilët i përdorin internetin dhe telefonat e mençur për të shfry urrejtjen e tyre kundër homoseksualëve.

Por a e dinë këta konservatorë se babai i shkencave kompjuterike dhe i inteligjencës artificiale ishte një homoseksual?

 Ai ishte matematikani anglez Alan Turing.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai ndihmoi ushtrinë angleze për dekodimin e planeve sekrete ushtarake të nazistëve dhe kjo, siç thonë studiuesit, përshpejtoi humbjen e tyre.

Edhe përkundër meritave të tij të jashtëzakonshme për shkencën dhe shtetin e tij, Turnig vuante nga stigmatizimi dhe diskriminimi për shkak të orientimit të tij seksual. Kjo e zhyti në depresion dhe e shtyu drejt vetëvrasjes. Ai bëri vetëvrasje duke ngrënë një mollë të helmuar me cianid.

Kur Steve Jobs dhe shokët e tij e themeluan kompaninë e tyre të kompjuterëve, dikush e kujtoi Turnigun dhe molla e tij e kafshuar u zgjodh për logo të kompanisë.

Bota teknologjike, në të cilën ne jetojmë sot, i ka themelet e saj në mendjen e një gjeniu, i cili ra viktimë e paragjykimeve të kohës së tij.

Prandaj, ju zotërinj konservatorë, sa herë që merrni telefonin ose uleni para një kompjuteri për t’i sharë e kërcënuar homoseksualët, mos e harroni se jeni duke përdorur shpikjet që e kanë origjinën në mendjen gjeniale të njërit prej tyre.

_________________

Ka tre ditë që Ishulli i Sazanit në Shqipëri po digjet në flakë. Shteti shqiptar rri në anën tjetër të bregut dhe shikon. Referuar kësaj, në Ohër, Rama paska bërë një pyetje retorike : “Mos vallë duhet më mirë të digjen pyjet sesa të na ndihmojë shkjau?

Përgjigja që nënkuptohet në pyetjen e tij është kjo : më mirë të na ndihmojë shkjau, se t’i lëmë pyjet të na digjen!

Por pikërisht në këtë përgjigje tregohet gjithë mjerimi i politikës shqiptare. Këtë vit shteti shqiptar kremton 110 vjetorin e lindjes së tij dhe ende nuk është në gjendje të bëj një gjë minimale : t’i shuaj vetë zjarret që shpërthejnë në territorin e tij, si ky në Ishullin e Sazanit.  Dhe kjo jo se shqiptarët si popull nuk dinë të bëjnë shtet (siç e thotë doktrina e vjetër serbe), por se shteti shqiptar, në këto 110 vite të ekzistencës së tij, ka pasur fatin e keq që brez pas brezi të qeveriset nga dallkaukë të të gjitha ngjyrave. (08-06-2022)

_________________

” Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhet të renditet si njëra ndër lëvizjet më të suksesshme guerile në historinë moderne. Brenda nëntëmbdhjetë muajve nga dalja e saj e parë publike, ajo i përmbushi qëllimet e saj- pasi arriti të nënkontraktojë aleancën më të fuqishme ushtarake për qëllimet e luftës së saj. Në fund të fundit nuk ka rëndësi se si u dëbuan serbët nga Kosova. Ajo që ka rëndësi është se ata kanë qenë në Kosovë- dhe nëse nuk do të ekzistonte UÇK, ata do të ishin akoma atje”.

Tim Judah, The Kosovo Liberation Army, PERCEPTIONS, September- November 2000

_________________

Kancelari gjerman Olaf Scholz u ndal fillimisht në Prishtinë, pastaj shkoi në Beograd dhe në fund në Selanik për t’i takuar të gjithë liderët e Ballkanit.

Mesazhi i këtij itinerari: problemi kryesor i Ballkanit perëndimor është raporti Kosovë-Serbi, e jo lehtësirat ndërkufitare për maunet e Ballkanit të Hapur.

Ky mesazh u reflektua edhe në tryezën e takimit të Selanikut. Aty përballë njëri-tjetrit nuk ishin Rama e Vuçiqi, por Vuçiqi dhe Vjosa Osmani. Ndërkaq, ftohtësia e neveritshme dhe hendeku mes Vjosa  Osmanit dhe Edi Ramës në tryezë, flet mbi të gjitha për budallallëkun tradicional të shqiptarëve, i cili dallimet në pikëpamje gjithmonë i transformon në inate personale.

_________________

Qershor 1878. Kancelari gjerman Otto von Bismarck, në Kongresin e Berlinit: “Nuk ka komb shqiptar. Shqipëria është veç një shprehje gjeografike”.

Qershor 2022. Kancelari gjerman Olaf Scholz, në Prishtinë: “Serbia nuk mund të hyj në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës”.

_________________

Zhvendosja e Sunny Hill nga Prishtina në Tiranë është simptomë e një fenomeni ma të thellë: derisa Tirana me hapa të shpejtë po shndërrohet në një metropol europian, Prishtina përditë e ma shumë po merr formën e një qyteti provincial, ku asgjë e rëndësishme nuk ndodhë. Aq më pak në fushën e kulturës.

_________________

Bashkë me plakun dhe vëllezërit e festuam Ditën e Çlirimit, në një kënd të qetë, buzë Ibrit të lashtë. Gëzuar kjo ditë e madhe!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok