06/12/2024

VAJZA QË VUAN DASHURINË E NJË GREKU AVENTURIER

0
Albert-Zholi

Nga Albert Z. Zholi

Ajo rrinte te shkallët e spitalit të fëmijëve në Athinë, me djalin e vogël, gjashtëvjeçar në prehër. Fëmija, me këmbën e djathtë në allçi, kish rënë në përhumbje.

-Mami, më dhemb shumë këmba-u ankua ai, si i dalë nga një ëndërr.

-E di mor bir, po do të kalojë. Pas disa ditësh do të bëhesh mirë, do ecësh e do të lozësh.- i thotë e ëma, Ajo ishte shumë e re për të qenë nënë.

Kisha shkuar në atë spitalë-fëmijësh për të vizituar fëmijën e një miku. I afrohem gruas së re me fëmijë dhe i them:

-Mos kini nevojë për ndihmë?

Nënë e bir ngritën kokat e më pane me vëmëndje.

-E, ç’ndihmë do të na japësh ti ne?-foli gruaja me një lloj mosbesimi.

-Atë e dini ju, por unë e ndjej si detyrë morale që të ndihmoj njerëz fatkeqë, aq më tepër patriotët e mi.

-Ikë or vëlla dhe faleminderit. Ndihma që duam ne nuk mund të na e jape asnjë-dhe lotët i rrodhën si çezmë.

-Nuk mund të iki pa ju ndihmuar-këmbëngula.

Fshiu lotët e më pa me vëmëndje.

-Dukesh njeri i mirë, por ç’të të them. Nuk kam njeri për të lajmëruar e as shtëpi ku të shkoj.

-Të lajmëroj burrin-thashë me nxitim.

-Cilin burrë?

-Të lutem mos u tall!

-Nuk tallem o njeri i mirë, po vuaj zararet e rinisë. Erdha tetëmbëdhjetë vjeç në Athinë. Thëllëzë mali isha. E bukur, e re, e fortë, plot energji. E virgjër. Sot jam njëzetë e gjashtë. Erdha me tezen se ajo ishte familjarisht këtu. Prindërit më dërguan me mëdyshje, por ishim keq ekonomikisht. Nisa punë në një pastiçeri. Pronari ishte një 30-vjeçar i pamartuar. Pas gjashtë muajsh nisi të më ngacmojë. Nuk rezistova dot më. I pasur, me shtëpi, simpatik… të gjitha këto i mendoja çdo çast. Pas pesë muajsh lidhjesh me të mbeta shtatzënë. Kur ia thashë nuk donte ta besonte. Më tha që ta hiqja me ç’do kusht fëmijën. Nuk pranova. Atëherë ai më pushoi nga puna. Tezja më tha: vendi yt është te burri dhe ma mbylli derën. Nisa të punoj nëpër shtëpira.. kur Linda nuk më erdhi askush përveç një shoqeje-shkolle, që ishte këtu me familjen. Edhe sot e kësaj dite greku nuk i bëhet për baba fëmijës. Para njëzetë ditësh djali ra nga biçikleta. Pagova qimet e kokës, por humba edhe punët. Shtëpinë s’kisha me se ta paguaja dhe e zonja më zboi. Tani jam vetëm pa asgjë. Prindërit më kanë bërë hasha. Të kisha mundësi që të më dëgjonin të gjitha vajzat do t’ju thoshja:

“Mos u gënjeni nga fjalët e bukura! Ato s’ju kanë hije burrave të vërtetë! Besoni te meshkujt serioz dhe fjalepake”…dhe lotoi. Cili ishte faji i saj?! Ku të con varfëria!

Kush më vjedh kuletën, më vjedh dicka pa rëndësi. Paratë ishin të miat, u bënë të tijat, ato janë skllave edhe të shumë të tjerëve të etur për përfitime të padrejta tinzare; por kush më merr nderin padrejtësisht, me mashtrime dhe lajka të pështira , më vjedh dicka hyjnore që atë vetë nuk e pasuron, por mua më le më të vërtetë të varfër në ZEMER, SHPIRT .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok