23/12/2024

Vajtimi shndruar në këngë

0
Timo-Merkuri

ose uji i shndruar në verë

Nga Timo Mërkuri

Kur më 25 Nëntor 2005 u shpall vendimi i UNESCO për njohjen e iso-polifonisë shqiptare si kryevepër shpirtërore të njerëzimit dhe marrjen e saj në mbrojtje, ky lajm në popullin tonë, u përjetua si çasti i daljes së nuses në valle. Nuk ishte nevoja që të shkreheshin pushkët në ajër, u shkrehën në këngë mijra shpirtëra artistësh popullorë dhe artdashësish.Në këtë vorbull gëzimi të ligjshëm, pakkush mendoi për rrugën e gjatë dhe të mundimëshme që kishte kaluar populli për rritjen e kësaj “nuseje”-këngë. Nënat vetë, i harojnë gjithmon mundimet e tyre ditën e bardhë të dasmës së bijave, por ne le ta shohim që në fëmijëri jetën e kësaj “vajze”, teksa ajo hedh vallen e nusërisë në shesh të..artit.

I-Është vërtetuar dhe pranuar shkencërisht se kënga isopolifonike vjen nga vajtimi me ligjërime dhe se iso-ja s’është gjë tjetër veçse rënkimi para, gjatë dhe pas vajit. Natyrshëm lind pyetja:- Si e qysh ky vajtim u shndrua në këngë, ndërkohë që vetëm  Jezu Krishti shndroi ujin në verë? Po nuk është kjo pyetja e vetme. Të tjera pyetje e pasojnë, pyetje që duan një përgjigje si:-Ç’janë vajtoret, autoret e kësaj kryevepre? Ç’janë zërat e vajtimit dhe si janë shndruar në zëra të këngës iso-polifonike.?Pra, pyetjet janë të shumta dhe përgjigja për to nuk është kaq e lehtë. Por për këtë besoj se do të na ndihmojë njohja dhe kontakti real gjatë jetës sonë me ligjërimet nëpër ksodhet, ku kemi marrë pjesë.

II–Vajtoret Kemi dëgjuar shumë të flitet për vajtoret, apo vajtojcat, për ligjërimet e tyre nëpër morte, aq të dhimbëshme dhe fine, sa që shumë prej tyre kanë ngelur në kujtesën e popullit, jo vetëm të familjarëve. Madje jo vetëm vajtimet e tyre me ligje, ato vajtime që u dhanë famë, por për shkak të këtyre vajeve, edhe emrat e tyre kanë fituar një jetëgjatësi tej jetës njerëzore.Niveli i lartë artistik i këtyre ligjërimeve, qoftë si tekst, qoftë si vajtim (vijë melodike) si dhe prania e vajtoreve të njohura nëpër ksodhe në fshatra të ndryshme, ka krijuar legjendën e “vajtoreve profesioniste”.Këtë pseudo-legjendë e ka përforcuar edhe fakti i dhënies së ndonjë darove, dhuratë, këtyre vajtoreve, kur ato niseshin të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre pas mortit. Teza mbi “profesionalizmin e vajtoreve”, sado e pafajëshme që të duket, jo vetëm që nuk i përgjigjet realitetit, por mbart në vetvete edhe rrezikun e shtrëmbërimit të origjinës së këngës sonë popullore shumëzërëshe, nga një këngë me burim ligjërimin mortor, në një këngë me burim profesionalizmin e vajtoreve. I hiqet këngës kolektiviteti vajtimit dhe anonimati, duke i vënë si autorësi një emër të përvetshëm njeriu. Kënga jonë popullore nuk është produkt i një njeriu të vetëm apo i një grupi njerëzish të një epoke.Ajo, gjithashtu nuk është as produkt i një krahine, siç teorizohet kohët e fundit, duke e quajtur product (vetëm) i krahinës së Epirit.Ajo nuk është as produkt i një apo disa shekujve.Kënga jonë popullore iso-polifonike është produkt i një kombi të tërë, në të gjithë shtrirjen e tij gjeografike dhe kohore.Laboratori krijues popullor vazhdon edhe sot, në kohët moderne, funksionin e tij, në drejtim të përsosjes së këtij krijimi. Ajo që ka më shumë rëndësi, është fakti se, kënga jonë iso-polifonike u bë pjesë e AND të identitetit  të etnitetit tonë kombëtar. Është i vetmi komb që krijoi një vlerë artistike nga një ceremonial mortore dhe ca më tepër, që vijon të përsosë e modernizojë këtë vlerë me burim kaqë arkaik

. Rolin e vajtores në mort e luan çdo grua, qoftë nëna e të ndjerit, motra, gruaja, tezja, halla, kushërira, etj. Jo vetëm këto, edhe fqinjët apo bashkëfshataret bashkojnë vajin e tyre me atë të më të afërmve, duke krijuar kështu një kor vajtoresh. Askush nuk e qorton një vajtore pse s’i gjeti “mire” fjalët për të ndjerin që iku, por ama të gjitha u hapin vend e radhë vajtoreve të njohura, të cilat vijnë të shprehin dhimbjen e tyre nëpërmjet vajit. Nëse këto vajtore “të mira” dikush i quan profesioniste, gabohet.Askush s’i paguan ato për të vajtuar. Askush s’i porosit ato të vajtojnë mire, se… “do shpërblehen”. Kjo edhe për faktin se, një vajtore, po ta ngrejë “la e më la” të ndjerin, po t’i veshë merita që s’i ka, s’ja përton vajtorja tjetër që të ja hedhë poshtë gjithë atë “kala” lëvdatash që i ngritën. “Mos e qaj la e më la, / Po thuaj ato që ka”, i ndërhyri në një vajtim një grua vajtores që po e ngrinte në qiell të vdekurin, me merita që s’i kishte.

Vajtimi shqiptar është akt kolektiv.Asnjëherë nënat shqiptare nuk vajtojnë vetëm. Për këtë  dëshmitë  janë të herëshme. Fillesat( e dokumentuara)  janë qysh nga Ajkuna kur qan Omerin, në vajtimin e të cilës marin pjesë zanat dhe zogjtë si dhe elementë të natyrës, hëna dhe yjet, duke vazhduar me Plutarkun, i cili na dëshmon se në Butrint, kur mbriti lajmi për vdekjen e Panit të Madh, nisën të vajtojnë të gjitha nimfat, duke vijuar me vajtimin e Lekë Dukagjinit dhe gjithë ushtrisë shqiptare ditën e vdekjes së Gjergj Kastriotit, në Lezhë. Udhetarët e huaj, nëpër Shqipëri kanë dokumentuar ceremonitë mortore të gjëmës, ku pjesmarrës aktivë janë, jo një por disa burra.

Si i gjejnë vajtoret ato fjalë aqë të mrekullueshmë, aq fine dhe artistike sa që bëjnë dhe “gurin të dridhet” nga dhimbja që mbartin dhe bukuria e të shprehurit ? Po cila nënë nuk i gjen fjalët për birin apo bijën e saj, kur dihet që vaji del nga shpirti dhe jo nga goja. Nëna për të birin apo të bijën, motra për të vëllanë, për motrën apo vajza për babanë do t’i gjejë fjalët më të bukura që ka dëgjuar apo mësuar, sepse këto vargje burojnë nga shpirti dhe jo nga profesionalizmi. Shpirti i plagosur nga morti buron vargjet e famshme të ligjeve.

III-Zërat e vajtimit.Janë nënat e motrat ato që vajtojnë bijtë e bijat, vëllezërit e prindërit, qoftë në gjëma, qoftë në morte të zakonshme. Duhet të theksojmëse  dhe vajtimi ka disa rregulla, ka disa norma. Nuk është një e qarë me ulërimë e me rrëmujë dhe aq e vate.Tonaliteti i vajtimit s’ka të bëjë shumë këtu, por edhe ai ngrihet e ulet sipas disa rregullave të pashkruara e gati të padukshme.Edhe vajtorja kryesore, ato që ndërhyjnë apo ato që shoqërojnë vajtimin vetëm me rënkime, kanë një rradhë të paracaktuar ligjërimi, ndërhyrjeje apo shoqërimi.Kjo ndoshta nuk dallohet nga kushdo, por po të asistosh, psh.në të nëntat, në të dyzetat apo në ceremoninë mortore përkujtimore të vitit dhe ta krahasosh me vajtimet e ditëve të para dhe sidomos të ditës apo të momentit të varrimit, bie në sy dukshëm ndryshimi. Ka më shumë rregull, respektim rradhe, vëmendje ndaj të tjerëve, etj.

Nëpër ligjërime ka gjithmon një vajtore kryesore, ajo udhëheq vajtimin.Ajo ligjëron tekstin dhe i jep tonalitetin vajtimit.Gratë e tjera e shoqërojnë me rënkime, pa i ndërhyrë në tekst apo në vaj.

IV- Po ta shohim me vëmendje dhe të pranojmë të bëjmë një paralelizëm, vajtorja e parë ,kryesore, kryen një rol të ngjashëm me atë të “marrësit” të këngës. Ndryshimi është vetëm një.Këtu kemi të bëjmë me vajtim, “marrësi” ka të bëjë me të kënduar, ndërsa këtu vajtorja kryesore udhëheq vajtimin.Duhet të theksojmë se nëpër mortet shqiptare, nëna e të ndjerit, motra, kunata etj nuk janë vetëm dhe nuk vajtojnë vetëm.Aty gjithmon janë të pranishme gra të tjera, bashkëfshatare ose të ardhura nga fshatra e krahina të tjera, të afërme apo të njohura të cilat janë pjesmarrëse aktive në ligjërime.

V-Fillimisht ligjërimi mund të fillojë me disa rënkime dhe pastaj nis vargëzimi i vajit nga vajtorja kryesore, i shoqëruar nga kori rënkues i vajoreve të tjera . Këto vajtore mundet që vetëm të rënkojnë me zë, me zanore të zgjatura ose zanore dhe bashkëtingëllore bashkë, të pëshpërisin vetëm një fjalë ritmikisht dhe melodikisht si, psh., “djalë, o  djalë, o djalë -ziu” dhe mbi këtë det rënkimesh e lotësh ecën anija e tekstit të vajtimit. Tonaliteti i rënkimeve gjithmonë është më i ulët se tonaliteti i vajtores kryesore, asaj që citon vargjet dhe që ne mendojmë se ajo përfaqëson “marrësin” e këngës.Siç thamë, rënkimi mbahet nga gratë e tjera rreth vajtores kryesore.Kyrënkim është fillesa e origjinës së “isos” dhe gratë reth vajtores kryesore janë fillesa e grupit që mban iso.

VI-Sidoqoftë, vajtorja kryesore ka gjithnjë pranë një grua me përvojë, një vajtore të sprovuar nëpër situata të tilla, përvoja e të cilës është shumë e vlefshme. Ajo, duke qenë pranë vajtores kryesore, pret sa kjo mbaron ligjërimin e vargut të vajit dhe sikur të jetë vazhdim i të parës, apo më saktë sikur ka dalë aty të presë vargjet e vajit, ndërhyn pikërisht në momentin e mbarimit të vargut me rënkimet e saj grykore, sikur e merr stafetën për ta përcjellë pikërisht te rënkimet apo te isua. Rënkimi i saj ka pak a shumë formën e një “hë-khë ë ë” ose fjalë si “djalë, o djalë, o derëziu djalë”. .Pikërisht, ndërhyrja e kësaj vajtoreje në ndihmë të “marrëses” me fjalët që përmendëm më lart ose me psherëtimat “hë-khë ë ë”, si për ta marë e për ta përcjellë dhimbjen te mbajtëset e “isos” dhe duke i dhënë kohë, qoftë edhe një fraksion sekonde vajtores kryesore për “të marrë frymë”. Te kjo vajtore e ka fillesën “kthyesi” i këngës sonë dhe realisht “kthyesi” në këngën iso-polifonike nuk bën asgjë më shumë se sa kjo grua pranë vajtores kryesore. Prandaj dhe në grupet isopolifonike “kthyesi” është gjithmonë një këngëtar me përvojë të madhe, sepse duhet të llogarisë mirë momentin e ndërhyrjes së tij, tonalitetin e ndërhyrjes dhe zgjatjen e ndërhyrjes.

VII-Shpesh herë vajtorja kryesore, qoftë nga dhimbja, nga vajtimi i gjatë, madje edhe nga vetë teksti i vajit të saj, kalon në një gjendje ngashërimi të thellë dhe që mund të jetë me pasoja.Ajo detyrimisht ka nevojë për tu spostuar pak, për të bërë një “pushim të detyruar”, sado të vogël. Ndërkohëajo ka nevojë shpirtërore që të mos ulet ritmi i vajit, të cilën do ta vazhdojë përsëri me ripërsëritje vargu. Vargu u ligjërua, “kthyesja” e përcolli te grupi i “isos”, që e mbajti vargun. Atëherë një grua tjetër ndërhyn me tonalitete të larta dhei bën të dridhen të tërë kur klith e ulërin me fjalët: “korba djalo o o”, ose “ditëprera vashëzo o o o”, ose “vu u u, ç’na bëre, djalo o o”, etj. Atëherë të gjitha gratë ngrenë tonin e vajit, si vajtorja kryesore, e cila ripërsërit vargun ose vijon me një varg të ri, ashtu dhe mbajtëset e “isos”, që në këtë rast janë të gjitha gratë e pranishme. Këtu e ka fillesën zëri i “hedhësit” të këngës isopolifonike, i cili nëpër këngë të ndryshme, si piluriote, himariote, myzeqarçe, skraparjotshe etj., paraqitet me rol të ndryshëm, por gjithsesi është i pranishëm.

Te zërat e vajtimit e kanë origjinën zërat e këngës.Te ligjërimet në ritet mortore e ka origjinën kënga isopolifonike.Po të shikosh me vëmëndje tekstet e vajtimeve të kohëve dhe fshatrave të ndryshme të Bregdetit dhe Labërisë (të cilat i kemi marrë në studim), gati 80% e tyre janë shndruar në këngë. Vetkuptohet, ky proces ka kaluar nëpërmjet logatjes dhe është dashur një kohë jo e vogël.

VIII-Kemi mësuar se zoti, mori e përpunoi baltën dhe prej saj krijoi njeriun, këtë kryevepër të tij.Për shtatë ditë.Populli ynë, mori ligjërimin mortor, e përpunoi në laboratorin e tij shpirtëror dhe me to krijoi këngën tonë popullore iso-polifonike, këtë kryevepër shpirtërore të njerëzimit.Jo për shtatë ditë, as për shtatë shekuj, por gjatë gjithë periudhës së egzistencës së tij. Se çfarë vlere ka ky krijim, kjo u dëshmua me çertifikimin e bërë nga UNESCO më 25 Nëntor 2005 si një kryevepër shpirtërore e njerëzimit.Vërtet që iso-polifonia nuk është e vetmja kryevepër e njerëzimit, krijuar nga populli im, njohur, vlerësuar dhe marrë në mbrojtje nga UNESCO. Kryevepra të njohura janë dhe Butrinti, Gjirokastra dhe Berati, por ndërsa këto të treja janë kryevepra të fushës materiale, isopolifonia është një kryevepër e botës shpirtërore. Dhe pikërisht për këtë ajo ka një rëndësi të jashtëzakonëshme, sepse i dëshmon botës, botën shpirtërore të kombit tim. Jo si një komb shpellash por si një komb autor kryeveprash.

IX-Por ja që vitet e fundit ka nisur hedhja e baltës mbi këto kryevepra dhe veçanërisht mbi isopolifoninë. Baltosësit synojnë në një pikë, duhet hequr me çdo kusht emërtimi “iso” në shumëzërëshin tonë popullor, duke u zëvendësuar me emërtimin vetëm polifoni. Argumentat që përdoren nga këta sulmues baltosës janë sipërfaqësore, duke filluar që nga vendosja e këtij emërtimi pa u marrë mendimi i tyre “i specializuar” në fushën e krijimtarisë popullore e gjer te fakti se të gjithë popujt e Ballkanit kanë polifoni dhe asnjëri nuk ka iso-polifoni..

Thelbi i sulmit është që duhet të zhduket fare emri “iso” nga pasaporta e shumëzërëshit shqiptar. Këtu lindin dy probleme. E para: – pse duhet hequr ky zë nga emërtimi i këngës kur ai është pjesë organike e vetë këngës. Është zëri më i vjetër, më autentik i këngës sonë, më i veçanti në botën muzikore. E dyta :- duke hequr emërtimin “iso” vetvetiu mbetet emërtimi Polifoni. Pra kënga popullore shqiptare është thjeshtë një këngë…polifonike.Por gjithë popujt e Ballkanit kanë këngët e tyre polifonike, në kuptimin e këngës me shumë zëra (poli-shumë, foni-zëra).Atëherë ku qëndron e veçanta me vlerë e këngës shqiptare, që të meritonte çertifikimin nga UNESCO si kryevepër shpirtërore e njerëzimit.

X- Këtu le të ndërhyjmë e të sqarojmë faktin se: në isopolifoni, muzikalisht, “marrësi”, “hedhësi” dhe “kthyesi”janë tre zërat solo, bashkimi i të cilëve përbën  polifonisë . Iso-ja është zë më vete, i njëtrajtshëm, që mbahet nga disa persona, të cilët grupohen në “kor” dhe që përfaqësojnë popullin. Bashkimi i polifonisë ( marrësi, hedhësi dhe kthyesi) me iso-n (korin shoqërues) është pikërisht shumëzërëshi ynë popullor, që e quajmë iso-polifoni. Popujt e tjerë kanë krijuar polifoni (në kuptimin e këngës me shumë zëra muzikorë), por vetëm populli ynë ka krijuar iso-polifoni (bashkim i polifonisë me iso-n),sepse  “iso-ja” është një zë vetëm shqiptar, i marrë nga ritet mortore. Marrësi, kthyesi dhe hedhësi nuk e kryejnë funksionin e tyre të veçuar nga njeri tjetri.Ndërsa iso-ja funksionon edhe vetëm.Psh, logatja është “iso” ose më shumë “iso”.“Iso-ja” nuk ka tekst.Ky fakt dëshmon lashtësinë e saj.

Ndryshe nga marrësi, i cili tekstin e tij mund edhe ta interpretojë në mënyrë recitative, iso-ja në asnjë rast nuk mund të interpretohet recitativisht.Ajo vetëm këndohet.Kjo është e veçanta, kjo është e dallueshmja dhe mbi të gjitha kjo është thelbësorja. Iso-ja është më e lashtë se kënga, sepse kënga erdhi pas shndërrimit të ligjërimit, pra pas përpunimit të vajtimit në “laboratorin” krijues të popullit, por ndërkohë iso-ja qëndroi siç ishte në vajtim, me pak përshtatje melodike.

Pra, te procesi i lindjes së këngës, në fillim ka qenë isoja, si “atavizmë” e vajtimit, si rrënjë e bimës brenda në tokë, dhe pastaj, prej saj u rrit pema e këngës. Pa iso nuk ka këngë shumëzërëshe, ndërsa kemi provuar se pa këngë (pa tekst kënge) ka iso.Ndaj themi se iso-ja është ADN e këngës sonë shumëzërëshe që tregon lashtësinë e këngës sonë dhe për pasojë, lashtësinë e kombit tonë. -Iso-ja në vetvete është si shtrati ku shkon lumi, herë i ngushtë e herë i gjërë, herë i pjerët e herë i sheshtë. Iso-ja është e pranishme vetëm te këto lloj këngësh (iso-polifonike) dhe nuk tjetërsohet kurrsesi. As nuk mund të hiqet. -Iso-ja është e domosdoshmë për këngën si deti për anijet, si ajri i qiellit për fluturimin e shqiponjës. -Iso-ja është pashaporta e identitetit kombëtar të këngës sonë popullore. Ajo është vetë shpirti i këngës, prandaj ajo asnjëherë nuk i ndahet këngës popullore.Të 279 mendosh një këngë popullore pa iso, është si të mendosh një trup të gjallë pa shpirt -Iso nuk është e kushtëzuar nga marrësi. Marësi është sinjali i nisjes së…anijes nga porti, por isoja është deti nëpër të cilin lundron flota e këngës. -Po të shohim këngët e vjetra himarjote, marrësi vetëm sa këndonte (ose recitonte) gjysëm vargu, e shumta një varg të tërë. Gjithçka e mbulonte iso-ja, nëpër të cilën ecnin marrësi dhe pritësi, hedhësi e prerësi.Vajz’ e valeve….këndon marrësi dhe vetëm kaq.Këtu mbaron “mbretërimi” i tij.Më tej, kudo është mbretëria e iso-s. Dhe bukuria e këngës nuk është te teksti, as te zëri brilant i marrësit. Bukuria e këngës është te iso-ja. – Është iso-ja ajo që i ka bashkuar bashkë në një grup marrësin e hedhësin, pritësin e prerësin dhe nuk ka ndodhur e kundërta. – Nuk është teksti apo “polifonia” (shumëzërrëshi) magjia dhe pavdekshmëria e këngës sonë popullore, por është pikërisht ajo, me e lashta, më e pavdekëshmia, nëna e këngës, “iso-ja”.

-Iso-ja është lumi i lotëve që buroi nga sytë e nënave dhe krijoi detin e këngës. -Prandaj kënga jonë popullore (shumëzërëshe) është në radhë të parë këngë me iso, sepse është këngë thjeshtë dhe vetëm shqiptare, sepse është këngë e lashtë shqiptare, sepse ka lindur vetëm nga ritet mortore të vajtimit, duke patur si fillesë iso-n, atë rënkim zemrash e zërash nëpër mort, sepse nuk është prodhim i shkollave apo laboratorëve intelekttualë, sepse ajo iso-ja, i mblodhi bashkë të gjithë zërat e tjerë të këngës, ashtu si nëna që mbledh në prehërin e saj fëmijët.

– Kënga jonë popullore është së pari këngë me iso dhe pastaj është polifonike.

P.S. Me kërkesë të disa miqve e paraqes këtë shkrim të redaktuar, botuar më parë si pasthënie te libri im “Vajz’ e valeve” MILOSAO Sarandë, 2018 .fq 270- 278

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok