05/04/2025
Albert-Vataj

Nga Albert Vataj

Mësues, asnjë shërbesë nuk e bekoi jeton tonë, më shumë se mëkimi i shpirtit tuaj me dritë

Pavarësisht… çdo ngadhënjimi që ju duhet për të përmbushur misionin tuaj, mbeteni më të dinjitetshmit e betejave të dritës ndaj errësirës, të qëllimit ndaj të së pamundurës.

Pavarësisht…

… kohëve që kanë ndryshuar dhe një tendence dashakeqe për ta denigruar deri në asgjësim rolin tuaj.

Pavarësisht…

… keqpërdorimit që i bën shteti, duke e katandisur mësuesin në një rrogëtar dhe institucionin e shkollës në celulë partiake.

Pavarësisht…

… trajtimit financiar, i cili konsiderohet si përmbyllja përfundimtare e problemeve, me të cilat ndeshet heroikja juaj e përmbushjes së detyrës, ndërkohë që është vetëm germa e parë e alfabetit të ligjërimit të lartësimit të mësuesisë.

Pavarësisht…

… mënyrës se si nxënësit e zhbëjnë çdo ditë e më mizorisht nevojën për të gjetur dhe pranuar prej jush një shteg për të ardhmen.

Pavarësisht…

… paragjykimit të kthyer në një kor kakofonik të folklorit, ku degjeneron opinionin për punën tuaj.

Pavarësisht…

… të drejtave, detyrimeve dhe përgjegjësive që përbëjnë panoramën e plotë të bashkëpunimit mësues-nxënë-prindër, të cilat pranohen gjithnjë e më pak dhe kuptohen përherë e më keq.

Pavarësisht…

… trajtimit jokorrekt të prindërve në marrëdhënie me sfidat tuaja të çdoditshme me nxënësit, dhe nevojës për të gjetur një mirëkuptim dhe bashkëveprim.

Pavarësisht…

… se në ngërçin e zgjidhjes së problemeve që lindin prej moskonsiderimi i përfshirjes të nxënësve në mësimnxënie, ju gjendeni gjithnjë fajtor.

Pavarësisht…

… se çdo ditë e më pak konstatohet vlerësim dhe mirënjohje, për sfidat me të cilat ju përballeni për të qenë për fëmijët tanë një portë e hapur, një mundësi perspektive.

Pavarësisht…

… se shumëçka ju bëhet pengesë për të vijuar të mbroni dhe përfaqësoni mësuesin ngadhënjyes, si prijës i zotërimeve të dritës dhe qëllimeve të sublimes.

Pavarësisht…

… humbjes së shpresës, zhgënjimit dhe demotivimit, me të cilët ju ndesheni si me një demon, për të besuar në aspiratat që ju kanë udhëprirë deri te shërbestaria e qëllimit tuaj të lartë.

Pavarësisht gjithë këtij ndëshkimi Sizifi që ju cfilit dhe ju bën më të fortë në qëndresën tuaj… ju dëshmoni çdo ditë e më me ngadhënjim se e meritoni të jeni të denjë për adhurim!

E ardhmja e shoqërisë është në dorën tuaj, kjo është ajo që angazhimi tuaj e bekon me shenjtërimin si mision.

E nesërmja e fëmijëve tanë jeni ju, ju që mëkuat atij që pikoi nga qielli, energjinë për t’u hedhur në krahët e qiellores së dritës dhe dijes!

Përulësisht juaji, Albert Vataj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok