18/03/2025

ShBA po i rikthehet Testamentit politik të presidentit Washington, Kosova, dhe politika e jashtme amerikane

0
Gjon-Keka

Nga Gjon Keka

ShBA ka luajtur më parë dhe luan edhe sot një rol vendimtar në të gjitha çështjet ndërkombëtare: në marrëveshjet tregtare, në çështjen e monedhës, në siguri etj,

Kjo tani që po ndodh në shekullin XXI kur kemi ndryshime të përgjithshme të shtyllave të sigurisë globale, të pozicionit dhe ndarjes së botëve në përputhje me Rendin e Ri Botëror, tregon në fakt një përplasje të kulturës së re me të vjetrën, dhe kjo është pikërisht një kulturë e re që lufton me të gjitha armët e të vjetrës.

Kjo garë, edhe pse tërësisht paqësore, kërcënon të dëmtojë pozicionin kulturor të Europës në mënyrë më të rrezikshme se sa kanë bërë të gjitha betejat dhe luftërat e përgjakshme. A është një kjo në dobi të të dyja si për Europën dhe Amerikën që të hynë në një garë të tillë në këtë shekull? Është e qartë se Amerika përfiton nga kjo, por ku do të çojë nëse Amerika merr për vete të gjitha avantazhet?A do të jetë e qëndrueshme në afat të gjatë një marrëdhënie e tillë, ku një vend është i varur nga tjetri në aspektin e sigurisë dhe të tregtisë?

Në fakt, Amerika është faktori i fuqisë nga i cili do të varet faza nëpër të cilën do të lëvizë çështja e sigurisë dhe tregtisë në dekadat e ardhshme. Është e pranuar gjerësisht se Amerika është jetike për Europën, por nuk është vetëm jetike për Europën, në fakt është jetike edhe për Amerikën të ketë një Europë të sigurt dhe të mbrojtur nga rreziqet, sepse Amerika nuk duhet t’i harrojë parimet themeltare të saj dhe të ndërtimit të saj.

Tani kur kanë filluar lëvizjet dhe dinamika e presidentit Trump, mund të shohim shumë qartë se çfarë do të thotë kur Europa është e varur nga siguria dhe mbrojtja amerikane; Amerika nën administratën Trump e zgjoi Europën të ndërmarr hapa të kthimit të saj në sigurin e oborrit të saj të shtëpisë së përbashkët, deri më tani Europa bënte gjumin e qetë dhe të sigurt në jastëkun Amerikan, tani e tutje ajo duhet ta gjejë një jastëk të përbashkët që ta bëjë gjumin e qetë në të ardhmen dhe e sigurtë përballë rreziqeve të sigurisë që mund të shfaqen në të ardhmen e afërt apo të largët.

Tani mund ta shohim poashtu tepër qartë se epërsia e Amerikës ndaj Europës është aq e theksuar në të gjitha fushat. Në Amerikë presidenti Trump po punon për ta kthyer atë një vend të fuqishëm për amerkanët, pra kthim tek vetja dhe ruajtja e Amerikës Washingtoniane, ndërsa ne në Evropë jemi ende larg një ideali të tillë, edhe përkundër lëvizjeve të vogla që po tentohet të bëhen.Në fakt edhe Europa duhet t’i kthehet Europianëve dhe vetes së saj, të bëhet një Europë e fuqishme dhe mosvarme, por me mburojën e saj, dhe një mburojë shembullore do të ishte në këtë rast sikur ishte në të kaluarën shekullore mbruoja nga rreziqet e mëdha nga Perandoria otomane, ku kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti u bë mburoja e Europës;sot Europa duhet ta forcojë e bashkuar veten me mburojën e saj të sigurisë sipas standarteve të shekullit XXI.

Nëse Evropa mbetet vazhdimisht e varur nga Amerika për të plotësuar nevojat e saj të sigurisë, atëherë ajo nuk do të jetë asnjë herë zot e vetes së saj dhe e sigurisë së saj në të ardhmen.

Megjithkëtë të kthehemi tani tek politika e presidentit Trump i cili që nga marrja e pushtetit ka lëvizur të gjithë gurët që kanë qëndruar si pengesë ose në vende të gabuara.Dhe sikur dihet arsyeja e lëvizjes së këtyre gurëve është një rikthim i madh i Amerikës në Tetamentin politik të themeluesit të ShBA presidentit George Washington.Ndërsa sipas Testamentit politik presidenti ëashingtonit tregoi se ai ishte jo vetëm si Ati themeltar i Amerikës, por edhe një njeri i madh.

Ky ishte Testamenti politik i tij:

”Duhet të jetë rregull në marrëdhëniet tona tregtare me popujt e huaj që të lidhim sa më pak lidhje politike me ta. Ne duhet të përmbushim me besnikëri angazhimet që kemi marrë, por të kemi kujdes që të mos hyjmë në të reja.

Europa ka shumë interesa të veçanta për ta, të cilat nuk janë tonat, ose që kanë vetëm një lidhje të dobët me ne dhe që mund të na përfshijnë pa nevojë në mosmarrëveshje mbi baza shtetërore që janë të huaja për ne. Të ndërhysh artificialisht në ndryshimin e politikës së europianëve, të ndash miqësitë apo armiqësitë e tyre dhe të marrësh pjesë në grindjet që rezultojnë, do të ishte shumë e pakujdesshme.

Rrethanat tona dhe distanca jonë gjeografike na ftojnë të ndjekim rregullin e rekomanduar dhe na lejojnë ta bëjmë këtë. Nëse vazhdojmë të mbetemi një popull i ndarë nga popujt e tjerë në politikë, të udhëhequr nga një qeveri e fortë, do të vijë koha kur nuk do të kemi më frikë nga asnjë popull tjetër. Atëherë mund të fitojmë respekt duke mbajtur një pozicion tonë neutral. Atëherë, kur kombet ndërluftuese të ndiejnë se nuk mund të pushtojnë asgjë prej nesh, ata do të kenë kujdes që të na bëjnë luftë pa ftesë urgjente dhe ne do të jemi në gjendje të zgjedhim luftën ose paqen sipas interesit ose drejtësisë tonë.

Pse duhet të heqim dorë nga këto avantazhe të vendndodhjes sonë të favorshme? Pse duhet të heqim dorë nga një fushë që është e jona dhe të shkojmë në një fushë që është e huaj për ne? apo ta lidhim ekzistencën tonë të pavarur me atë të ndonjë pale në Europë, të sakrifikojmë paqen dhe lumturinë tonë me ambicien, xhelozinë, interesat apo kokëfortësinë e popujve që banojnë në Europë?

Politika jonë e vërtetë nuk është të krijojmë asnjë aleancë të përhershme me asnjë popull të huaj, të paktën për aq kohë sa jemi të lirë të ruajmë shkëputjen tonë; sepse unë jam larg këshillës që angazhimet e lidhura njëherë duhet të shkelen. Integriteti është gjithmonë politika më e mirë, ajo duhet të drejtojë si shtetet ashtu edhe individët. Prandaj mendoj se ne duhet t’i përmbushim plotësisht angazhimet që kemi marrë tashmë, por është e kotë dhe e pamatur të hyjmë në angazhime të reja. Ne duhet të pozicionohemi në atë mënyrë që të kërkojmë respekt në çdo kohë dhe aleancat e krijuara në përputhje me kohën për qëllime specifike do të na mundësojnë të përballojmë të gjitha rreziqet ballë për ballë.”

Kjo tregon se presidenti Washingtoni kishte shprehur më parë idenë e bukur dhe të drejtë se njerëzit që janë mësuar të duan ose të urrejnë një popull tjetër pa shqyrtim, bëhen, në një farë kuptimi, skllav i urrejtjes ose i dashurisë së tyre.

Kjo ishte gjithashtu politika e vazhdueshme e presidentit Washingtonit, dhe ndërsa pjesa tjetër e botës së qytetëruar ishte në luftë, ai ruajti paqen në vendin e tij dhe dha mësimin se ishte në interesin e vërtetë të Amerikës që të mos merrte pjesë në grindjet e brendshme të Europës.

Ndërsa presidenti Thomas Jefferson shkoi edhe më tej kur deklaroi parimin themelor të politikës amerikane: „Amerikanëve nuk duhet të kërkojnë kurrë privilegje nga kombet e tjera, që të mos e gjejnë veten në nevojën për t’iu dhënë ato kombeve të tjera.”Këto dy parime shumë të dukshme përfituese amerikane kanë gjetur pranim të përgjithshëm në ShBA dhe kanë thjeshtuar shumë politikën e jashtme amerikane deri në ditët tona.

Sidoqoftë, që ShBA ka pasur dhe vazhdon të ketë një ndikim të rëndësishëm në rrjedhën e zhvillimit europian është një fakt i qartë për të gjithë. Kur jemi tek Kosova, ShBA mund ta sheh Kosovën si një problem të vogël përball ndryshimeve të mëdha që po ndodhin, madje në rast se Kosova nuk arrinë të krijoj një derë të hyrjes në miqësi dhe në aleancë më të thellë më administratën e presidentit Trump dhe vetë presidentin, vështirë se do të mund ta kompletojë shtetësinë dhe anëtarësimin në OKB, Këshillin e Europës, NATO dhe Bashkimin Europian. Sigurisht që presidenti Trump në lidhje me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të lejojë as nuk do t’i durojë gjatë palët të luajnë herë në një e herë në tjetrën tryezë pa arritë ndonjë zgjidhje që i përmbyll dialogun ddhe ecet përpara. Ai në rast se palët nuk ulen dhe nuk i zgjidhin çështjet me shpjetësi duke mos humbur kohë në detaje dhe nyje, ai do të përdorë të njëjtën metod injoruese dhe ndëshkuese sikur e përdori me Ukraninë, pushtetarët sidomos në Kosovë duhet ta regjistrojn dhe ta marrin si mësim atë fotografi të qortimit amerikan ndaj Ukrainës që ndodhi së fundi në Shtëpinë e Bardhë.

Sikur u pa presidentit Trump i tregoi se kjo është rruga e paqes dhe marëveshjes, pra ai hodhi si zgjidhje paqen dhe marrëveshjen për mineralet, por kështu do të hedh në tryezë eedhe zgjidhjen për Kosovë dhe Serbinë, në rast se palët nuk pajtohen dihet efekti pastaj që do të jetë ndëshkim i papërballueshëm për të dy vendet; një gjë duhet ditur nuk do të ketë më „karrota” nga presidenti Trump, në rast se palët nuk arrijnë zgjidhjen e çështjeve, që nuk e duan paqen dhe sigurinë, por „shkopin”.Nisur nga kjo, është e udhës që cilado Qeveri qe do të marrë formën tani pas zgjedhjeve, ta shikojë sa më parë një derë të hyrjes në miqësi me administratën e presiddentit Trump që të ketë rezultate pozitive dhe të ardhme të sigurtë e dorë për dorë me ShBA.

Rendi i Ri botëror gjithashtu ka një ndikim të fuqishëm në Rendin e vjetër përmes lëvizjes së pandalshme të Zeitgeistit.Duhet nënvizuar edhe këtë se presidenti Trump me politikën e tij dëshiron të rikthej dy vendet e mëdha ShBA dhe Rusinë në udhën e tyre të raporteve natyrale midis tyre që zhvillohen në rrugë të ngjashme, por në forma të kundërta, dhe se kjo i shërben sëpari dy vendeve të fuqishme botërore sikur janë Rusia dhe ShBA, e më pas edhe paqes dhe stabilitetit të Botës dhe Europës në veçanti.

Ndërsa sikur u tha këtu dallimi i vetëm i rëndësishëm është ky, dhe këtu qëndron kontrasti që i vendos Rusinë dhe ShBA, qoftë edhe në shpirt, në ekstremet e kundërta të botës politike, që në të parën e gjithë kjo jetë është e përqendruar në një vullnet të vetëm, ndërsa në të dytën funksionon në mënyrë të pavarur në të gjithë masën e popullit me autonominë individuale të të gjithë individëve. Rusia dhe ShBA po zhvillohen në rrugë të ngjashme, por në forma të kundërta.

Prandaj nëse deri më sot janë parë si dy të kundërta, tani ajo ka ndryshuar. Rusia nga njëra anë dhe Amerika nga ana tjetër po e detyrojnë shtetet e Bashkimit Europian të ndërgjegjësohen se janë një entitet i tretë, koheziv dhe do t’i detyrojnë ata t’i japin formë kohezionit të tyre dhe t’i japin institucionet e efektivitetit interesave të tyre reciproke në raport me dy anëtarët e jashtëm të treshes së madhe të botës në kuadër të Rendit të Ri botëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok