21/12/2024

UNË DHE TË 430 JURISTËT

0
u6_Gjoke_Dabaj

-Fejton-

Nga Gjokë Dabaj

Më lajmëruan papritur se isha propozuar për të qenë drejtor i një burgu të veçantë, ku do të vuanin dënimin të 430 juristët, shkelës të ligjevet.

Të shkelë ligjet një ligjmbrojtës, është një dukuri logjikisht dhe moralisht e pakonceptueshme dhe e papranueshme. Megjithatë, jemi të detyruar të pranojmë që një e tillë dukuri, e kundërlogjikshme dhe e kundërmoralshme, prapëseprapë na ka ndodhur. Dhe nuk ka ndodhur në 10 apo 30 raste, por në më shumë se 400 raste, në një vend kaq të vogël, sa ç’është Republika e Shqipërisë.

400 juristë, të padenjë për të qenë juristë! 400 shqiptarë, të padenjë për të qenë shqiptarë! 400 njerëz, të padenjë për t’u quajtur njerëz!

Më thirrën në Tiranë dhe më pritën ministri i drejtësisë dhe ministri i punëvet të brendshme, pra, edhe i asaj pjese të policisë, e cila kujdeset për burgjet.

Sapo u ula pranë tavolinës përballë tyre, më thanë që, për një emërim të tillë e ka dhënë pëlqimin edhe ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Arsyeja, pse po më emëronin drejtor i një burgu juristësh, paska qenë e dhëna, njoftimi, që unë në 25 vjet të punës sime si mësues nuk kam pranuar asnjë lloj ryshfeti. Madje, ministri i punëvet të brendshme m’i numëroi edhe disa prej rastevet që në bashkinë e Klosit në Mat njihen prej të gjithëvet.

Një nxënës, nga ata që quheshin “me korrespondencë”, më paska paguar njëherë udhëtimin për në Tiranë (ku unë shkoja për punët e mia) dhe unë, kur jam kthyer nga Tirana, e paskam lënë atë nxënës për në vjeshtë dhe përsëri në vjeshtë i paskam vënë notën jokaluese, katër.

Një tjetër nxënës, po me korrespondencë, që ish edhe anëtar i byrosë së PPSH-së për rrethin e Matit, e paskam detyruar të vijë në provimin e letërsisë në tre sezone provimesh dhe vetëm mbas një viti e gjysmë përpjekjesh për ta mësuar lëndën, mezi paska arritur të marrë tek unë notën pesë.

Një grua më paska sjellë njëherë në shtëpi një shportë me rrush e fiq, me lutjen dhe përgjërimin, që të mos i kërkoja shumë llogari vajzës së saj. Dhe unë, të nesërmen, asaj vajze i paskam vënë notën katër në lëndën e gjuhës shqipe, duke i thënë: “Notat e mira nuk merren me fiq e me rrush, por me dituri!”

Një tjetër grua, njëherë tjetër, më paska prurë një mbrëmje një tenxhere plot me kos lope, sepse të nesërmen djali i saj kishte provim. Unë e paskam detyruar atë grua ta kthejë kosin nga e kish prurë, sado që të pesë fëmijët e mi mund të kishin një javë pa ngrënë, as qumësht, as kos.

Më në fund ministri i punëvet të brendshme më tha edhe një rast, kur unë kisha refuzuar një shumë jo të vogël parashë, në këmbim të një note kaluese për një vajzë, e cila, pasi të merrte provimin në gjuhë shqipe e letërsi, kish shansin të emërohej infermiere-mami.

Këto janë disa nga të dhënat që na kanë ardhur,” -më tha ministri i punëvet të brendshme, –dhe prandaj ne, në bashkëpunim me ministrinë e drejtësisë, vendosëm që ti të emërohesh drejtor i burgut ku do të mblidhen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët kanë pranuar të marrin ryshfete.

Atëherë unë, duke e konsideruar të rëndësishme këtë masë që po ndërmerrte qeveria e shtetit tim, e pranova këtë detyrë, duke vënë edhe unë disa kushte:

Kushti i parë ishte: Unë jam sot 83 vjeç. Ata do të rrinë në burg deri sa unë të vdes.

Dy ministart buzëqeshën. “Dashke t’i detyrosh që ata të luten ditë për ditë për vdekjen tënde sa më parë!” Kështu ha njëri, ndërsa tjetrei shtoi: “Ata do të bëjnë çmos për të ta shkurtuar jetën, xhaxha!”

Kushti i dytë, thashë unë, është ky: Juristët e burgosur nuk do të marrin kurrfarë ushqimi nga jashtë. Ata do të jetojnë aty vetëm me ushqimin e burgut, i cili do të jetë i mjaftueshëm dhe cilësor, sipas të gjitha rregullave.

Kushti i tretë: Meqë të 400 juristëvet shqiptarë, tashmë të arrestuar, do t’u kofiskohet krejt pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme, gjatë vitevet që do të rrinë në burg, atyre duhet t’u mundësohet që të fitojnë pará, jo me punë juristësh, por me punë të tjera: zdrukthtari, rrobaqepësi, këpucari, axhusteri…

Kushti i katërt: Të 400 juristët e burgosur do të lexojnë libra me detyrim. Jo vetëm të fushës së tyre që do të detyrohen t’i rilexojnë në shenjë pendese, por edhe letërsi artistike, libra të historisë, gjeografisë, sociologjisë dhe e gjithë kjo punë e tyre do të kontrollohet, duke vënë një normë leximi, e pakta 50 faqe në 24 orë dhe, rrjedhimisht, e pakta 15 mijë faqe në vit.

Dhe kushti i fundit: Në qoftë se ndonjëri prej tyre vret veten në burg, familja e tij nuk do të ketë të drejtë ta tërheqë kufomën. Trupi i tij, vetëkuptohet, pasi të jetë verifikuar vetëvrasja e tij prej komisionit përkatës dhe në prani të familjarëvet, do të digjet në krematorium dhe familjes do t’i dorëzohet vetëm hiri i mbyllur në një shishe.

Të dy minisrat ia krisën së qeshurës me të madhe dhe mua më doli gjumi. Isha i mbytur në djersë.

22 shtator 2021

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok