21/12/2024

UDHA SHKENCORE E PROF. DR. VEDAT SHEHUT

0
Vilhelme-Vranari

NJË TEORI E RE E TË VËRTETËS SË FORMIMIT DHE ZHVILLIMIT TË TOKËS DHE BIOSFERËS,

e Inxhinier Gjeologut Prof. Dr. Vedat Shehu

Intervistë nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Para pak ditësh kam ngelur e mrekulluar nga studimi i Prof.dr Vedat Shehut me temë, “Evolucioni Paralel i Specieve katërgjymtyrshe”, botuar dhe konkretizuar me skema të kalkulara mjeshtrisht në median “Fjala e Lirë”.

Për të gjithë ata që rendin pas së vërtetës Shkencore apo Historike dhe Letrare, Prof.dr. Fatmir Terziu, këtë media (online) në kuptimin e mirfilltë të fjalës, jo vetëm e çeli, por si drejtues dhe redaktor i saj e shndërroi në Tribunën e shprehjes së mendimit të pavarur përmes Fjalës së Lirë. Është një tribunë mediatike, tek e cila gjejnë veten dhe shpalosin arritjet e tyre studiues, shkencëtarë, historianë, shkrimtarë, poetë, mendimtarë, politikanë, sociolog etj… Aty njihen apo takohen të gjithë njerëzit që shprehin mendime, ide apo zbulime në fusha të ndryshme të jetës. Pikërisht në këto faqe të ndritura lexova me kureshtje dhe me ëndje studimin e Prof.dr.Vedat Shehut.

Me këtë rast, shpreh mirënjohjen time për Personalitetin shumë-dimensional, Profesor. Dr.Fatmir Terziu, i cili për punën e tij të palodhshme, është vlerësuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

Profesor Vedatin e kam njohur herët përmes internetit. Për herë të parë komunikuam përmes një komenti që i kushtonte një shkrimit tim për rishikimin shkencor dhe rishkrimit të historisë reale si shkencë e vërtetë. Bëhej fjalë për një histori kombëtare të vërtetë, mbështetur mbi artefakte, gjetje arkeologjike, mbishkrime gjuhësore dhe dokumente të epokave kohore, botuar më, 6  janar, 2006 (gaz.Standard, Ndryshe, Fjala e Lirë etj…).

Më pas kemi komunikuar shpesh. Për herë të parë jemi takuar në simpoziumin e V-të, “Lashtësia e Shqiptarëve dhe e Gjuhës Shqipe”, zhvilluar në Vlorë, më 19-20 tetor, 2018, Prof. dr, Vedat Shehu referoi temën studimore:“Pellazgët, Gjurmët e tyre në Gjuhën Shqipe”.

Gjithashtu ka ardhur në Vlorë enkas për bashkëshortin tim, Fitim Haxhiraj dhe për mua. Në verën e vitit 2020 dhe 2021 kemi kaluar bukur ditë të paharrueshme në Kaninë dhe në zonën e Orikut e të Dukatit.

Bisedat tona, nga të përditshmet,  kaluan në ato problematike dhe u përqëndruan tek studimi shkencor i Prof. Vedatit. Ai na fliste me aq dashuri dhe ngazëllim për punën e bërë ndër vite.  Profesioni i tij si inxhinier gjeolog i krijoi të gjitha mundësitë për të studiuar (ato degë të shkencës që kanë lidhje me tokën.) më thellë shkencat e natyrës të aplikuara në studimin e Tokës dhe filozofinë e kuptimit shkencor të transformimit të materies sipas përcaktimit të themeluesit të kimisë moderne, francezit Lavozier me formulimin “Asgjë nuk Krijohet Çdo Gjë Transformohet”; formulë udhëheqëse e arsyetimit shkencor që u pasqyrua shumë dekada më vonë nga biologët e mëdhenj dhe Darvini (1859) në Evolucionin e Natyror të Specieve.

Botimet e tij kushtuar Tokës janë thellësisht shkencore si, “Bërthama e Tokës, Një Objekt Kozmik Energjetik”, “Toka në Rritje dhe Zhvillim” – teori e publikuar në disa botime dhe referime nga viti 1988 e në vazhdimësi deri së fundi më 2020 me titull “Gjeoteoria e Rritjes së Tokës” është publikuar në një vëllim me 14 autorë, më kryesoret paraqiten këtu; përveç veprimtarisë për Shqiptarinë dhe studimit të thelluar mbi “Pellazgët Gjuha e Tyre dhe Vazhdimësia e Saj në Gjuhën e Sotme Shqipe”.

Vedat Shehu sot jeton në ShBA me familjen e vajzës së tij dhe gjendet pothujse çdo vit tek familja e të birit në Tiranë.

Atëherë le ta pyesim atë dhe të shpresojmë se do të kemi kënaqësinë t’na pëgjigjet.

Cili është Vedat Shehu?

I nderuar Profesor Vedati, a mund të flisni shkurt për biografinë tuaj?

– Faleminderit, e dashur dhe e nderuar mike VIVRA, ju drejtohem me emrin, siç ju kam njohur nëpërmjet Krijimtarisë Tuaj letrare dhe historike të nivelit të lartë mbresëlënës për VITALITETIN E SHQIPTARISË. Krijimtaria juaj ka aktivizuar e ka mbajtur gjallë shprehjen “Gegë e Toskë Asht Nja Shqypnia” dhe regjistrimet në  imagjinatën time të datës “28 Nëntor të Flamurit; Krujë 1443 – Vlorë 1912” me Lidhjen gjigante të Donikës së Kaninës me Skënderbeun e Krujës, me Çiftin Mbretëror të Shtetit të Parë Shqiptar të Kuvendit të Lezhës (1444).

Tani, me entuziazmin tim të vetëdijshëm, të një individi që ka arritur përsosmërinë në ushtrimin e dijeve të mjeshtërisë e vet të gjeologut, po flas shkurt për biografinë dhe mandej do t’u përgjigjem pyetjeve përkatëse.

Unë kam lindur në Delvinë më 1934 nga prindër me origjinë nga Borshi i Vjetër, inekzitent prej ngjarjeve të pas-Pavarësisë. Borshi është fshat në Bregdetin shkëmbor të Kurveleshit në Detin Jon. Në Delvinë im at, Remzi Shehu, ishte nëpunës finance. Kur unë isha katër vjeç babai vdiq, nëna Zurha Hila, vajzë e rrallë e brezit të vet që kishte mësuar shkrim e këndim dhe midis pak librave mbante edhe “Mjekun e Shtëpisë, mori krejt pensionin dhe vajtëm të jetonim në haurin e Gjyshit buzë detit që e kish pas ndërtuar për pemëtari, kopshtari dhe bagëti. Para se Babai të bëhej nëpunës, e kishte përshtatur paraprakisht haurin për banim si shtëpi përdhese pa dysheme, pa tavan, me vatër pa oxhak me zgavër në çati për të nxjerrë tymin. Kur babai u bë nëpunës, ia la hauret të vëllait, pasi i kishte kërkuar që të kthehej nga kurbeti dhe të kujdesej për pronat, stanin e bagëtive, etj, dhe së bashku të rindërtonin Shtëpinë e munguar. Kështu unë, bashkë me katër vëllezër dhe motrën e madhe 15 vjeçe, filluam të jetojmë me nënën në haurin e gjyshit, nën tutelën e xhaxhait dhe të së shoqes që ne fëmijët, i thërrisnim“Xhexhe” dhe mua, prej diferencës së theksuar të moshës, më ngjate si gjyshe. Ata kishin mbetur vetëm, pasi tri vajzat i kishin të martuara dhe dy djemtë njërin me punë ushtarak, tjetrin student në Tekniken e Tiranës.

Cili është arsimimi juaj që nga shkolla fillore e në vazhdim?

-Tri klasë të shkollës fillore e kreva në fshat. Në vitin shkollor 1945-1946, kish vdekur xhaxhai dhe Xhexheja më mori me vete në Tiranë tek shtëpia e të birit që ishte me punë, kryegjeometër. Aty mbarova shkollën fillore që ende ishte me 5 klasa, më 1947.

Shkollën 7- vjeçare e kreva në Sarandë në familjen e vëllait të madh të punësuar llogaritar në Peshkim. Në të mesmen isha konviktor në Gjirokastër. Kurse arsimin e lartë në Shkollën e Minierave të Ostrravës (VŠB) në Ish Çekosllavakinë.

Profesor, a keni specializime për profesionin tuaj?

–  Jo. Fillova menjëherë punën në detyrën e inxhinier gjeologut studimor-kërkimor. Po sqaroj: specialitetet e veçanta janë degët e të gjitha shkencave të natyrës të lidhura me mënyën e arsyetimit të filozofisë shkencore, aspak teologjike, të aplikuara sipas drejtimeve të kërkim-studimit gjeologjik. Një inxhinier Gjeolog i diplomuar është specialist i përgatitur që të arrijë njohjen e plotë të formimit dhe gjendjes së mjedisit gjeologjik përkatës. Nëpërmjet metodikës kërkimore të përcaktuar, duke lidhur vrojtimet e terrenit dhe të dhënat nga provat e terrenit me rezultatet e vrojtimit të mostrave që i çon nëpër laboratorët me specialistët e veçantë të degëve të shkencave të natyrës dhe në fund përpilon raportin e njohjes së plotë të objektit të studimit. Përgjithëson  vrojtimet e të gjithë specialiteteve të veçanta. Asnjë specilalist i veçantë i laboratoreve dhe metodave të veçanta studimore të terrenit nuk mund t’a njoh mjedisin gjeologjik sa gjeologu përpilues i raportit përfundimtar. Kështu unë u specializova si askush nga specialistët e veçantë në njohjen e mjedisit gjeologjik të Shqipërisë dhe nëpërmjet literaturës përkatëse, u lidha me zhvillimin e Tokës si planet.

Ku e keni ushtruar profesionin e Inxhinierit Gjeolog?

– Tre vjetët e parë (1959 –Janar 1962) në kërkim zbulimin e vendburimeve të hekur-nikelit të tipit të Bitinckës dhe të tipit Çervenak-Prenjës-Bushtricë. Mandej deri në daljen në pension jam marrë dhe me studimin e luginave të thella të lumenjve malor për ndërtimin e Hdrocentraleve në lumenjtë kryesor, sidomos të Lumit Drin e Drin i Zi. Paralelisht kam kryer studime kërkimore për problemet inxiniero-gjelogjike të ndërtimeve në zonat malore, të rrëshqitjeve në fshatrat malor, për trasetë e hekurudhave, për urat, për tunelet dhe pjesëmarrje në ekspertiza studimesh hidrogjeologjike, gjeologjike dhe udhëheqje diplomash dhe të një dizertacioni. Një aktivizim i veçant ka qenë pjesëmarrja në përpilimin e ri të Hartës Gjeologjke të Shqipërisë në shkallën 1:200 000 (1982) shoqëruar me diskutime për probleme të posaçme.

Ndoshta duke punuar si inxhinier gjeolog ju keni vënë re ndryshime në tokë.

Mos vallë kureshtja iu bëri që të gërmoni rreth fenomeneve që ndodhin në brendësi të saj?

– E saktë. Së pari, gjeologët e tjerë të kërkim-zbulimit  i janë kushtuar pak a shumë vetëm një drejtimi të lidhur me një grupim të formacionit shkëmbor. Kurse unë, isha i angazhuar fillimisht në kërkimin e hekur- nikelit dhe mandej në studimin e tërë luginave të thella të lumenjve malor për projektim dhe ndërtim hidrocentralesh. Krahas kam interpretuar mjedisin gjeologjik në të gjitha grupimet e formacioneve shkëmbore të zonave të veçanta gjeologjike të quajtura tektonike dhe të brezave kalimtar nga një zonë në tjetrën. Kështu, duke vrojtuar si ngjashmëritë edhe ndryshimet përkatëse nga një zonë në tjetrën, vetvetiu krijohej tek unë një përfytyrim origjinal i mënyrës së diferencuar që një proces gjeologjik i një faze në zhvillimin e Tokës, shfaqej në zona tektonike të veçanta dhe në unitet me shfaqjen e diferencuara në pjesë të ndryshme të Rruzullit Tokësor.

Së dyti, në mënyrë të natyrshme, kureshtja është ndjenjë apo instinkt i vetvetishëm që e çon njeriun drejt njohjes, diturisë që në latinisht i thonë shkencë. Konkretisht, raporti i njohjes së mjedisit gjeologjik të një objekti kërkon të dalë në pah historiku i formimit të strukturës gjeologjike dhe i gjenezës (origjinës) së elementëve përbërës të strukturës me vetitë përkatëse. Nga shkalla e kureshtjes individuale varet sa thellë zhytet mendimi në interpretimin e historisë së elementëve të strukturës në studim. Në këtë drejtim, isha kureshtar i lindur; vrisja kot mendjen për disa shprehje dhe si të thuash “mësoja shpesh duke lexuar edhe midis rreshtash”.

Unë, me ndërprerje për disa vjet, u angazhova me kërkim-studimin, e mjedisit gjeologjik ku do të ndërtohej Hidrocentrali i Fierzës mbi Drin.Duke ndeshur një mjedis të përbërë nga shkëmbinjtë magmatik; trupin e shkëmbinjve granitik të futur brenda stivnajës së shkëmbinjve të  bazaltëve vullkanik me ndërshtresa sedimentere, më çuan në aktivizimin e imagjinatës së fjetur për proceset e brendshme të Tokës që shkaktojnë magmën dhe diferencimin e saj në tipa shkëmbor. Këtu po theksoj se shfaqja e graniteve midis bazaltëve, përfaqësonte mjedisin gjeologjik të vetëm që gjendej brenda Zonës Tektonike Mirdita e quajtur edhe “Zona Ofiolitike” (e shkëmbinjve të gjelbër)  me shkëmbinj rrënjësor të bashkësisë së shkëmbinjve magmatike bazaltike (të tipit të kores oqeanike). Kjo zonë është një segment i ngushtë dhe i shkurtër i zonës globale nga rrëza e Alpeve deri në Himalaje që shtrihet brenda Shqipërisë nga vendburimet e hekur-nikelit kufitare të Jugut (Bitinckë-Kapshticë) në vendburimet e kromit kufitare të Veriut (Kam-Tropojë). Rrjedhimisht, kureshtja ime e pazakontë më lidhi me studimet globale që interpretonin lidhjen e formimit të kores kontinentale më të vjetër me shtresën e sipërme granitike që krahasohej me formimin e kores oqeanike më të re me shtresë të sipërme bazaltike. Kështu, kureshtja më obligoi të hyjë në problemin global të formimit të dy tipave shkëmbor të grupit bazaltik dhe të grupit granitik me origjinë nga proceset e brendshme të Tokës, procese, me të cilat ishte lidhur imagjinata ime, shumë kohë më parë. Me këtë rast, më detyroi të sqaroja procesin e shkëmb-formimit si proces planetar i transformimit të materies, jo vetëm në brendi të Tokës, por në formimin e planetëve dhe yjeve në sisteme planetare në Galaktikë, që, po ai proces duhet të vazhdojë në brendi të Tokës edhe pas formimit të saj si planet, i përqendruar si ekran brenda bërthamës dyfishe.

Përse bërthamën e Tokës, e quani një objekt kozmik energjik?

Si arritët që t’i futeni studimit të evoluimit të Tokës ?

– Përgjigja ime këtu përfshinë dy shpjegime, ndaj, sado të shkurtër t’a jap, do të dalë mjaft e zgjatur.

Së Pari: pse e quaj bërthamën e Tokës “objekt kozmik energjetik” ?

Bërthama, po të mos ishte energjetike nuk do të kish kuptim të quhej objekt kozmik. Ky titull është thirrje ndaj konformistëve me hipotezën e vjetërsuar të origjinës së Tokës sikur bërthama, si krejt përbërja silikate shkëmbore e Tokës nuk mund të jetë energjetike.

Ky përcaktim lidhet kryesisht me origjinën e standardizuar të Tokës që është formuluar në procesin e Rilindjes Evropiane dhe nuk është e shkëputur dot plotësisht nga ideja mesjetare gjeocentrike e “Kozmosit Qiellor” me qendër Tokën, ndërsa trupat e sistemit tonë planetar dhe yjet quheshin “trupa qiellor”. Këtej ka ngelur përfytyrimi sikur Toka është e shkëputur nga “trupat qiellor”, nga Galaktika.

Kështu, nuk duhet kuptuar se unë e quaj bërthamën “objekt qiellor”, por me nocionin kozmos unë i nënshtrohem konceptit të degës së astrofizikës që quhet kozmologji dhe përfshin Galaktikën tonë me hapësirën e vijueshme të mbushur me galaktika. Pra Toka ndodhet në brendi të Galaktikës tonë, të Udhës së Qumështit.

Edhe bërthama e Tokës, si e një planeti në Galaktikë, duke qenë energjetike është objekt energjetik i Galaktikës brenda guaskës së vet  gurore silikate-shkëmbore, d.m.th. objekt kozmik; objekt studimi i astronomisë, astrofizikës dhe kozmologjisë. Prandaj unë, në disa raste, jam shprehur: “Kushdo që interpreton kozmosin duhet së pari të njoh funksionimin e bërthamës së Tokës. Bërthama e Tokës duhet të bëhet objekt studimi i astrofizikanëve”.

Kështu, nën këtë kënd vështrimi, unë i rivlerësova proceset që shkaktojnë fenomenet e brendshme gjeologjike si ato të një planeti të një sistemi planetar brenda në Galaktikë dhe kam ardhur në përfundimin se burimi i energjisë së brendshme të Tokës e ka origjinën nga proceset që ndodhin në qarkullimin materies së një trajte para lidhjeve proton-neutron në bërthama atomike në hapësirën e Galaktikës dhe shkaktojnë formimin edhe të yjeve e planetëve në sisteme planetare të shumta dhe jashtë tyre në orbita të vetmuara të yjeve të vetmuar, të xhuxhëve të kafenjtë, të planetëve të vetmuar, të dukurisë së eksplozionit supernova, etj.

Nga këto procese u formua thelbi i zjarrtë i ultra-dendësuar i bërthamës së Tokës, nga transformimi i të cilit në energji dhe materie molekulare u formua Toka në Rritje dhe Zhvillim. Pra, kuptohet, bërthama e Tokës; përderisa nuk mund të jetë formuar si precipitat, rënie në qendër e një mase të rendë pasive aspak aktive sipas teorisë standarde të vjetërsuar, por është energjetike dhe faktor i formimit dhe  zhvillimit të Tokës; është objekt kozmik i Galaktikës.

Së dyti: Si arrita që t’i futem studimit të evoluimit të Tokës?

Me të vërtetë është befasuese sesi unë u futa të shpjegoja vetë proceset e brendshme që zhvillojnë Tokën kur isha pajisur me njohuritë e shkencëtarëve të mëdhenj sovjetik në pajtim edhe me kolosët botërorë që proceset e brendshme të Tokës shpjegoheshin me variante të ndryshme sesi qarkullonte masa e shkrirë e Tokës dhe formonte shkëmbinjtë në Tokën të formuar e konsoliduar në përmasa të fiksuara njëherë e përgjithmonë.

Me një koncept të tillë të stampuar në tru, unë nuk e pranoja si të mundshme interpretimin e Vegenerit të largimit të kontinenteve nga njeri tjetri duke u zhvendosur mbi nënshtresën viskoze; interpretim që e kisha mësuar si një hipotezë prej leksioneve. Kurse për dy teoritë e reja globale Tektonikën e Pllakave dhe Zgjerimin e Tokës, të dyja të formuara apo të publikuara pas diplomimit tim dhe nuk kisha hasur as ndonjë lajm për ekzistencën e tyre, gjatë rreth 15 vjetëve punë kërkimore.

Kur një mbas dreke, kur bashkëshorten me fëmijë i kisha lënë me pushime tek dajat në Vlorë, ndërsa vetë, pasi kisha  mbaruar 15 ditshin, isha kthyer dhe i shtrirë në kanape, si në dremitje m’u gjallëruan përfytyrime të fjetura në imagjinatë:

1) Kur isha fëmijë ca germa inicialesh të prera në lëvozhgën e trungjeve te pemëve të reja, mbas ca vjetësh të rritje së pemëve, i pash përsëri, ishin bërë brazda të gjera;

2) Gjatë verës me pushime në fshat si gjimnazist me brisk rroje kisha prerë në një kokërr portokalli inicialet e emrit tim dhe kur shkova për Vitin e Ri, pash se prerjet e padukshme me brisk ishin bërë brazda mbresëlënëse.

3) Bashkë me këto dy raste më doli imazhi i lëvores të trungjeve të ullinjëve shekullor të plasaritur me plasa të bëra brazda.

4) Njëherësh m’u shfaqën leksionet e hipotezës së largimit të kontinenteve nga njëri tjetri.

Nga imagjinata u gjallëruan përfytyrime të tjera, veçanërisht nga filozofia e shkencave të natyrës të aplikuara në gjeologji që kishin për bosht transformimin e materies, sidomos në kimi dhe kimi organike.

Menjëherë të gjitha shfaqjet e përfytyrimeve i bashkova me bosht transformimin e materies dhe thash me vete: “Kontinentet mund të largohen nga njëri tjetri neqoftese Toka Rritet nga ndonjë mekanizëm që transformon materien në brendi të bërthamës”.

Me entuziazmin e këtij përfytyrimi, u ngrita dhe përpilova pikat që duhet të orientohesha për të vërtetuar mekanizmin që rrit Tokën. Deri vonë në mbrëmje, arrita të përpiloj 28 pika. Më e rëndësishme ishte pika e fundit: “Kjo hipotezë duhet të ekzistoj, t’a gjej”.

Menjëherë nisa studimin sistematik përkatës në Biblotekën Kombëtare dhe e gjeta me titull bazë “Toka në Zmadhim (Ekspansion)”. U gëzova shumë edhe më tepër sepse nuk përcaktohej mekanizmi i brendshëm në bërthamë, por theksohej “për shkak kozmik të panjohur”.

Sot unë jam pamasë entuziast që e kam vërtetuar funksionimin e mekanizmit që rrit Tokën. Këtë mekanizëm e kam quajtur “thelb bërthame”; është mekanizmi që përmbys konceptin e formimit të Tokës me madhësi fikse dhe të bërthamës si rënie në qendër të një mase të rëndë të shkrirë prej hekur-nikeli të diferencuar në dy bërthama.

Si e kanë pritur shkencëtarët apo akademitë shkencore, librin tuaj, “Bërthama e Tokës një Objekt Kozmik Energjetik”?

– Si ky libër i botuar më 2015, edhe ai i pari i botuar më 1988, si dhe  i botuar si artikull në një vëllim me shumë autorë, së fundi më 2020, kanë si bosht bërthamën energjetike, pa u cilësuar që është objekt kozmik, por vetvetiu shpreh funksionin e vërtetë të transformimit të një trajte materieje galaktike që formon sistemet planetare në Galaktikë dhe vepron në miniaturë në pozicionin e një ekrani qendër-sferik në bërthamën dyfishe.

Unë e nisa e vazhdova dhe e vazhdoj t’a përforcoj të vërtetën e bërthamës energjetike të Tokës; e vërtetë që është në kundërshtim me teorinë e standardizuar që referohet në të gjitha shkollat dhe veprimtaritë shkencore akademike dhe s’kam pasur dhe s’kam pritur fare tendencë që autoriteti shkencor kombëtar apo ndërkombëtar t’a vlerësojnë këtë të vërtetë absolute. Autoriteti shkencor vendos me votë dhe vota është zgjidhje demokratike, jo shkencore. Është e vështirë deri në e pamundur që e vërteta e një teorie globale e një gjeologu të vetëm kërkues, studiues intensiv i terrenit (pavarësisht bashkëpunimit me katedrat dhe institucionet shkencore për problemet praktike të kërkim-studimit) të pranohet nga autoriteti akademik dhe të bëhet teori zëvendësuese e teorisë standarde tradicionale por të vjetërsuar dhe me cene.

Një episod për kuriozitet. Kur Teorinë e bërthamës energjetike të Tokës në Rrije dhe Zhvillim e kisha ende në dorë si daktiloshkrim, organizova një konsultë të posaçme vetëm për kapitullin e Gravitacionit me Profesorin e Fizikës Teorike, pedagog i gravitacionit Niko Thomo, i cili pasi u njoh në detaje me kapitullin e gravitacionit edhe me esencën e bërthamës energjetike e mbylli konsultën me shprehjen: “Unë nuk di më shumë për gravitacionin nga sa është paraqitur në këtë kapitull, por këtë teori të Tokës në Rritje e ke argumentuar mirë, po zor se do t’a pranonte ndonjë autoritet, po ndoshta në shekullin tjetër do dalë ndonjë t’i bëjë bujë dhe të vihet në radhën e  hipotezave të tjera”.

Kur libri ishte redaktuar dhe plotësuar nga Shtëpia Botuese dhe pritej të firmosej nga Drejtori për t’u përcjell në shtypshkronjë, u ndal procesi. Mora vesh sikur Drejtori kishte hezituar t’a firmoste se kishte informacion se libri ishte në kundërshtim me shkencën gjeologjike dhe kishte gabime ideore. Mua, me reçenzentët dhe redaktoren na u desh t’a kapërcejmë hezitimin e Drejtorit, duke nënkuptuar se ishte ndërhyrje e ndonjë a dy personave me autoritet që jepnin leksione standarde dhe në kundërshtimin e tyre  kishin shtuar se gjoja “teoria pas kishte edhe gabime ideore”, nënkuptohej devijim nga marksizëm-leninizmi. Kështu “Toka në Zhvillim nëpërmjet procesit të rritjes”, dolli nga Shtypshkronja në Vitin 1988.

Pas ndonjë jave kur desha të blej ca kopje për njerëzit më të afërt, nuk gjeta asnjë kopje në libraritë e Tiranës dhe në nja dy qytete kryesore. Ishte blerë menjëherë. Më gëzoi si sukses në opinionin e gjerë. Megjithëse më gëzoi edhe një artikull në Buletinin Gjeologjik i njërit nga reçezentët që theksonte “Të vështrohet studim-kërkimi nën kënd vështrimin e Tokës në Zhvillim të Vedat Shehut”, Gjeoteoria Ime u përcoll  me heshtje të plotë akademike.

Edhe unë qëndrova në heshtje, kur në vitin e fundit të shekullit në mbarim rifillova studim-kërkimin për t’a përforcuar me literaturën e re të jashtme. Dhe meqenëse literaturën e konspektoja kryesisht në gjuhë të huaja librin e rikonstruktova në Anglisht dhe u lidha, nëpërmjet internetit me grupin e studiuesve që, pas një simpoziumi në Australi (1983) organizonin një tjetër në Itali (2004). Organizatori Giancarlo Scalera më kërkoi kopjen në shqip të Tokës në Zhvillim  dhe më njoftoi “Paskeni  përpiluar një teori të arsyetuar thellë, përgëzime, mirë u pafshim në Konsultë, Urbino”.

Këtu më duhet të nënvizoj  se “Toka në Ekspansion” ishte shfaqur para teorisë së vetë Wegenerit  të Largimit të Kontinenteve dhe qe shpërfillur prej tij  duke e quajtur absurditet që të ndodhte për pamundësi shkaku, siç u quajt nga autoriteti shkencor i pamundshëm edhe shpjegimi i tij. Njëkohësisht ende për “Tokën në Ekspansion” qëndron cilësimi që është absurd të ndodh sipas shpjegimit standard të origjinës së Tokës dhe siç bazohet “prej një shkaku kozmik të panjohur”. “Gjeoteoria Ime” është themeluar e pavarur duke quajtur shkak “Transformimin e Materies kozmike” të vendosur si ekran në bërthamën dyfishe, por duke u etiketuar rritja sinonim me ekspansionin edhe “Gjeoteoria Ime” etiketohet absurde.

Me parathënien e Profesorit Australian Cliff Ollier (i njohur në konsultën e Ubinos në Itali) Libri u botua në USA (2005).

Më vonë, e përpunuar më tej, u botua në Tiranë (2009) shoqëruar me shprehje të shkurtra lavdëruese të specialistëve të shquar dhe të dy akademikëve të ndjerë në shkencat gjeologjike.

Pas këtyre publikimeve, nga Shërbimi Gjeologjik Shtetëror dhe kolegë me autoritet shkencorë, profesorë të veçantë në degë të ndryshme të shkencave të Tokës, me pjesëmarrje mjaft të gjerë, por përveç Drejtorit të Shërbimit Gjeologjik dhe 4, 5 profesorëve që e çmuan lartë dhe propozuan të bëhet teori e posaçme kryesore e shkencave gjeologjike, të tjerët u shprehën me fjalët tipike “hipotezë interesante”,interpretime interesante” ose heshtën. Një ndër kolegët, recensenti i fillestar i Tokës në Zhvillim,shkroi një artikull të dytë në buletinin gjeologjik, ku jep zhvillimin gjeologjik të truallit të Shqipërisë sipas teorisë së Rritjes së Tokës së Vedat Shehut. Por, sikurse për artikullin e dikurshëm edhe për këtë të dytin, nuk pati fare diskutime.

Në çfarë kokluzione keni arritur  me librin “Toka në rritje dhe zhvillim”?  Si e zbuluat këtë?

– Konkluzionet nuk janë të pakta, janë teorike dhe praktike dhe po i rreshtoj duke arsyetuar sesi i kam studiuar dhe zbuluar.

Ndër konkluzionet teorike po theksoj:

  1. Së pari, theksoj konkluzionin bosht të “Gjeoteorisë Time” të Rritjes së Tokës, që po mundohem t’a shpreh fare shkurt. “Atë që nga shkenca standarde quhet tradicionalisht “Bërthamë e Jashtme e Lëngët’’ e formuar si  precipitat (kullim) i komponentëve të rëndë (kryesisht hekur-nikel) në gjendje inerte (jo-aktive)”, unë e argumentoj se është  ‘’Mezo-sferë e shkrirë e Tokës’’ dhe funksionon si rezervuar i llavës (magmës) në ekuilibër dinamik”.Kaq!

Masa e shkrirë,  e cila largohet në të dy anët si drejt rritjes së bërthamës së brendshme të ngurtë edhe drejt rritjes së mbështjelljes gurore-silikate të  jashtme ngurtë deri në viskoze dhe arin të derdhet në sipërfaqe si llavë vullkanike; zëvendësohet prej transformimit të thelbit të ultra-dendësuar të pozicionuar si ekran në bërthamën dyfishe, transformim i materies që është strumbullari dhe konkluzion i Gjeoteorisë i përcaktuar kështu:

Nukleosinteza e tipit  të ri në Bërthamë të Tokës,

Përmbysje e Origjinës Standarde të Tokës.

Ky tip i ri nukleosinteze e ka origjinën nga formimi i sistemeve planetare në Galaktikë që vazhdon në Diell si yll dhe në bërthamë të planetit Tokë tamam si në një yll në miniaturë. Kjo nukleosintezë është proces i transformimit të një trajte materie ultra-grimcash  të ultra-dendësuar në dy trajtat e zakonshme të materies: njëra neutron protonike e atomeve të elementeve të Tabelës Periodike që formojnë komponentët molekular të magmës dhe më tej formojnë shkëmbinjtë në udhën e ngurtësimit të brendshëm brenda mbështjelljes guror-silikate dhe shkëmbinjtë prej ngurtësimit të jashtëm të derdhjeve të llavës vullkanike; tjetra ëshë trajta valore-korpuskulare (grimcëzore) e flukseve të energjisë dhe çdo rrezatimi.

  1. Së dyti,Gjeoteoria Ime e Tokës në Rritje dhe Zhvillim vërteton se faktori që e kthen renë kozmike në Disk Planetar Diellor me qendra gravitacionale planetare dhe planetoide vepron brenda resë kozmike potencialisht sistem planetar dhe bëhet thelb i transformueshëm në bërthamën Dyfishe të Tokës. Kjo e vërtetë është konkluzion që argumentohet nga astrofizikanë, studiues në kozmologji; theksojnë se, teoria standarde nuk shpjegon dot shkakun e vërtetë që ngacmoi renë e qetë kozmike dhe e vuri në lëvizje të formojë vorbull dhe të rrotullohet, duke kaluar vetvetiu materialin e vet në qendrat gravitacionale që u bënë objekte të diskut planetar; nuk cakton dot  nëse rrotullimi është shkaktuar nga faktor i jashtëm apo i brendshëm, për të kaluar renë e qetë në disk planetar.
  2. Së Treti: Gjeoteoria ime vërteton se faktori energjetik që zhvillon Tokën është thelbi i bërthamës dyfishe që transformohet në trajtën atom-molekulare të magmës apo llavës vullkanike dhe çliron nxehtësinë përkatëse shoqëruese. Gjithashtu dy burimet standarde, të hamendësuar se çlirojnë nxehtësinë që zhvillon Tokën, nuk janë real. Ky konkluzion, i papranueshëm nga përkrahësit e hipotezës së standardizuar, vërtetohet prej zbulimit të Kozmos-fizikanëve të cilët kanë kalkuluar dhe kanë gjetur që, energjia e çliruar nga të dy burimet standarde (nga nxehtësia e akumuluar në procesin e planet-formimit dhe nga nxehtësia prej izotopeve radioaktiv) mund të  arrijë maksimumi 50 % të energjisë që rrezatohet nga Toka në hapësirë dhe burimi i tretë i nevojshëm, për të plotësuar mangësinë prej 50 %, mbetet problem i hapët i pyetjes pa përgjigje,  por shtron problemin imediat që te burimi i tretë të kërkohet dhe të gjendet. Konkluzioni im e mbyll problemin për të kërkuar burim nxehtësie të tretë e ndoshta të katërt.
  3. Së katërti: përcaktimi i gjeoteorisë time që Bërthama e Tokës është “Yll i tipit  Diell në Miniaturë”, është konkluzion themelor që i takon t’a dijë jo vetëm opinioni shkencor por tërë opinioni publik i interesuar për kuptimin shkencor të funksionimit të botës si “Tokë” dhe si “Qiell”, sidomos është si thirrje për astrofizikanët dhe kozmologët që të kenë objekt studimi kryesor bërthamën e planetit Tokë, të vetmin planet të Galaktikës që e kanë në duart e tyre, me bërthamën e vet, por që duhet t’a kenë mostër të mizërisë së planetëve në Udhën e Qumështit që mezi i dallojnë me teleskopë.
  4. Së pesti: Pra, siç është formuar dhe vazhdon të formohet korja oqenike ka qenë formuar Zona Tektonike Ofiolitike Mirëdita prej transformimit të materies në bërthamën dyfishe të Tokës. Është po ai proces që ka formuar Zonën Tektonike Mirëdita ofiolitike-bazaltike në Albanide, proces që shkaktohet nga transformimi i thelbi i bërthamës. Ky konklizon hedh poshtë konceptin e vjetërsuar sikur zona e Mirditës është pa rrënjë, e hedhur prej rrudhosjes mbi zona të tjera tektonike.  Pra si q ka formuar dhe formon gjatë transformimit të materies në bërthamën dyfishe të Tokës.
  5. Së gjashti: Gjeoteoria ime e Rritjes së Tokës, e renditur në interpretimet e grupit të teorisë “Toka në Zgjerim”, është e shpërfillur prej autoritetit shekullor të origjinës së Tokës Fikse dhe bërthamës së precipituar të plogët jo-aktive në procesin e zhvillimit të Tokës. Fakti, i sapo përmendur këtu, se është vërtetuar edhe nga astrofizikanë të rëndësishëm se nxehtësia e hamendësuar që çlirohet nga dy burimet standarde është krejt e pamjaftueshme për zhvillimin e Tokës dhe se duhet të kërkohet për të gjetur një burim të tretë, është një e vërtetë absolute në krah të gjeoteorisë time që nxehtësia çlirohet nga transformimi i thelbit të bërthamës, aspak nga dy – tre a më shumë burime hipotetike.

Autoriteti tradicional i origjinës së Tokës me përmasa të fiksuara dhe bërthamë pasive, duke pranuar apriori faktorin nxehtësi hipotetike në zhvillimin e Tokës, sipas arsyetimit të vjetërsuar dhe të pavërtetë me “nxehje ftohje dhe shkrirje ngrirje”, kështu: “Magma formohet nga shkrirja e shkëmbit, shkëmbi formohet nga ngrirja e magmës”. Shihet qartë ky është një arsyetim në rreth vicioz pa logjikë shpjegohet

zhvillimi në mënyrë foshnjarake i Tokës, sikur masa e shkrirë shkëmbore prej nxehtësisë së brendshme shkakton formimin e shkëmbit prej ftohjes së jashtme.

Kundërshtimin e bërthamës energjetike, e ka marrë përsipër “Teoria Tektonika e Pllakave” që ka dalë si teori revolucionare; me pretendimin se gjoja ajo zbuloi copëtimin e kores globale në pllaka tektonike me zmadhimin dhe lëvizjen e tyre, ndërsa e vërteta është që ajo u formulua nxitimthi duke interpretuar, formimin e natyrshëm të pllakave tektonike, sipas arsyetimit në rreth vicioz pa logjikë dhe të vjetërsuar, të me formuluar me shkrirje ngrirje të krejt kores globale (litosferës). Me këtë shpjegim në rreth vicioz: thekson “Në atë madhësi që pllakat fillestare të kontinenteve janë zmadhuar në pllaka globale me kore oqeanike, prej prurjeve dhe ngurtësimit të magmës të formuar gjoja nga shkrirja e shkëmbit; njëkohësisht në po të madhësi gjoja janë zhytur dhe shkrirë përsëri në magmë që qarkullon duke u ngurtësuar prap në shkëmb dhe duke vazhduar  rritjen e Pllakave. Kështu, themeluesit dhe përkrahësit e “Teorisë Tektonika e Pllakave”, nuk guxuan dhe nuk  guxojnë të arsyetojnë me logjikë konsekuente që zmadhimi i pllakave kontinentale me kore oqeanike është fakt i zmadhimit të krejt strukturës shtresore qendër-sferike të Tokës që në sipërfaqe shprehet me formimin pa ndërprerje të kores oqeanike, pa u ri-shkrirë.

Ndër Konkluzionet praktike nënvizoj:

1) Drejt hidrokarbureve që formohen direkt nëpërmjet sintezës parësore, sikurse formohen të gjitha lidhjet molekulare të oksigjenit në silikate dhe posaçërisht në lidhjet e veçanta të oksigjenit me siliciumin (SiO2),  karbonin (CO2)  dhe hidrogjenin (H2O); kështu, në rastet që ka mangësi oksigjeni, atomet e hidrogjenit dhe të karbonit sintetizohen bashkë në molekula të hidrokarbureve (CnH2n+2), duke formuar rezerva të pashtershme nafte dhe gazi prej sintetizimit të molekulave përkatëse në bërthamë;

2) Drejt kërkimeve në brezat ofiolitikë që, këtu, argumentohet se janë formuar në vendin e vet (in situ), dhe nuk janë fragmente të shkëputura mbulesash, siç shpjegohet nga Tektonika e Pllakave në sistemin e rrudhosur Alpe – Himalaje. Kështu, perspektiva e kërkimeve të vendburimeve xeherore drejt thellësisë, në brezat ofioltikë në krahinat e rrudhosura, posaçërisht të Zonës Mirdita, rriten.

Zoti Shehu, Si e argumentoni evolucionin paralel të specieve krahas Rritjes së Tokës?

– Po e përsërisë tabela e zhvillimit historik të Tokës shpreh kohën gjeologjike krahas evolucionit të specieve. Kështu gjatë përpilimit dhe përpunimit të vazhdueshëm të Tokës në Rritje dhe Zhvillim, qëndronte koha gjeologjike me evolucionin e specieve në imagjinatë dhe herë pas here aktivizohej vetiu dhe më impononte të vështroja defektet e shpjegimit linear të evolucionit dhe sa të lirohesha nga obligimi i plotë me përpunimin e Gjeoteorisë Time të Rritjes së Tokës, të përpiloja evolucionin paralel duke nxjerrë në pah cenet e shpjegimit linear të standardizuar dhe mirënjohur.

Argumentimi i evolucionit paralel qëndronte si skelet në imagjinatë dhe më 2020 e nxora nga imagjinata skeletin dhe fillova t’i jap jetë duke përpiluar esenë përkatëse të bazuar në këto pika esenciale:

  1. Këmbët me gishta kockor kapës nuk mund të dilnin si nevojë e peshkut për të ecur në kushte kënetore; gishtat në të katër këmbët demonstronin se ishin gjymtyrë kapëse të vertebrorëve të evoluar paralelisht me paraardhësit e peshqve.
  2. Një tip peshku nuk mund të nxirrte organe të reja, këmbë dhe mushkëri sikur të ishte pemë që lëshon degë dhe lastar. Nxjerrja e organeve të reja për të mbijetuar është në kundërshtim me ligjin e evolucionit “Të përshtatjes dhe seleksionimit” që ka kuptimin që specia që nuk përshtatet dot seleksionohet (zhduket) dhe jo të nxjerrë organe të reja për t’u përshtatur.
  3. Evolucioni paralel nuk mund të ndodhte në një mjedis jetësor vetëm prej uji, por në një mjedis jetësor Ujë-Ajër Unik, ku densiteti i ajrit ka qenë i barabartë apo gati i barabartë me të ujit. Pikërisht në një mjedis të tillë evoluan vertebrorët pa këmbë (peshqit, ngjalat, gjarpërinjtë), vertebrorët fluturues (shpendët, lakuriqët e natës), gjitarët notues (balenat, delfinët, fokat), shpendi notues  (pinguini).
  4. Përshtatja dhe evolucioni nuk mund të ndodhte me krijim organesh të reja, me humbje plotësisht të organeve fillestare pa lënë gjurmë, me shndërrim të drejtimit të evolucionit nga primat katërkëmbësh në primat dykëmbësh. Kështu në mjedisin ujë-ajër unik të gjithë paraardhësit me katër-gjymtyrë me gishta kapës lëviznin me elasticitet të shtyllës kurrizore dhe muskulaturës së trupit. Duke u zvogëluar densiteti i atmosferës ndodhën përshtatjet në drejtimet e përmendura.

Një specie primati pa bisht gjatë uljes së densitetit të atmosferës, si të gjitha speciet me katër-gjymtyrë me gishta kapës; në procesin e kalimit të lëvizjes me elasticitet të shtyllës kurrizore dhe të muskulaturës në lëvizje ecëse me të katra gjymtyrët me gishta kapës; nuk i ushtroi të katër gjymtyrët për ecje, por vetëm gjymtyrët e prapme, lëvizi në pozicion vertikal, mori qëndrim vertikal dhe u bë primat me dy këmbë, ndërsa gishtat e këmbëve e humbën funksionin origjinal kapës, gjymtyrët e para, që nuk i ushtroi kurrë për ecje dhe ushtruan më tej funksionin kapës u bënë   duar të zhdërvjellëta, dhe primati dykëmbësh, ndryshe nga primatët majmunë me katër këmbë me gishta kapës, hyri në udhën e evolucionit të paraardhësit të Njeriut (species Homo sapiens dhe të specieve të tjera të gjinisë Homo të identifikuara si fosile.

Cila është lidhja që ekziston mes Tokës dhe gjuhës pellazge, apo të shqipes së sotme?

– Gjuha ime amtare shqipe; e cila, si çdo gjuhë tjetër, ka evoluar nga një gjuhë e lashtë, të cilën albanologët e parë të famshëm e kanë vërtetuar që është e vetmja gjuhë neopellazge e sotme; tek unë është e lidhur shumë ngushtë me mënyrën apo metodën e arsyetimit të filozofisë shkencore (jo teologjike); metodë materialiste, d.m.th reale direkte që bazohet në përpjekjet  që të arrijë  njohjen e një dukurie apo ndodhie ndërmjet ballafaqimit të anëve të kundërta, ballafaqim që quhet dialog. Pra tek unë funksionon arsyetimi shkencor që bazohet në transformimin e materies dhe shqyrtimin e anëve të ndryshme deri në të kundëta me dialog. Kësaj mënyre arsyetimi filozofët e Antikitetit Pagan i kanë thënë Meterializëm Dielektikë. Engelsi i Dialektikës dhe Marksi i Kapitalit, e përdorën në adoleshencën e kuptimt shkencor të botës, nocionin “Meterializëm Dialektik” si maskë që opinioni të pandehte, sikur terrori i Revolucionit dhe i Diktaturës së proletariatit, ishin të argumentuar shkencërisht.

Kjo mënyrë arsyetimi më ka shoqëruar mua tërë jetën, që kur mësova proverbat popullore si “ku del tym ka zjarre”, “gurë-gurë bëhet mur”, etj. Imagjinata ime regjistronte gjithçka që tërhiqte vëmendjen dhe e lidhte me regjistrime të tjera. Kështu unë vetiu isha lidhur me fjalë-formimin e shqipes, sintaksën gramatikën dhe deri diku me gjuhët e tjera që i kapja nga pak dhe me ato që i dija tamam si Rusishtja dhe Çekishtja. Imagjinata vepronte si instinktivisht dhe më shtynte që të krahasoja format gjuhësore të Shqipes me gjuhët e tjera. Në morinë e shembujve po jap njërin.

Nga Rumania më vinin disa letra nga shoku im i bankës në gjimnaz që shënonte rrugën e Konviktit “Bulevardul Eminesku” që më ishte ngulitur në imagjinatë. Mjaft vonë mësova se “ul” ishte nyjë shquese e emrave në rumanisht. Edhe më vonë u njoha me njërin që e kishte emrin “Janul” e pyeta meqense nuk e ke Jani, mos je i lindur nga prindër që kanë qenë në Rumani?

– Prindërit i kam me origjinë Vlleh – tha.

Vetiu në imagjinatë u regjistrua që si emri “Janul” edhe  “Bardhul” (Bardhyl) janë me prapashtesë shquese rumune apo dake. Më vonë mësova se dhe Bullgarishtja ishte gjuha e vetme sllave që kishte nyjë shquese, dhe jo të shkëputur dhe para emrit, por si Shqipja dhe Rumanishtja në fund dhe të ngjitur me emrin. Erdha në përfundimin që Shqipja nuk ishte e vetmja gjuhë indoevropiane që nyjën shquese e kishte në fund të emrit të ngjitur me emrin. Gradualisht në imagjinatën time u regjistrua vetvetiu që Rumanishtja duhet të jetë gjuhë pallazge e latinizuar dhe Bullgarishtja gjuhë pellazge e sllavëzuar.

Por s’më shkonte fare në mentë të merresha me diskutime në albanologji, apo origjinën e Shqipes dhe Shqiptarëve, u befasova kur në hyrje të një broshure në Anglisht për turistët lexova: “Lashtësia e Shqiptarëve vërtetohet edhe me Mbretin Ilir Bardhyl që do të thotë “i Bardhi Yll” ose “Yllbardhi”. Desh plasa prej kësaj gafe shkeccore; menjëherë broshurën e flaka tek dera. Kaq. Askush nuk e mori vesh tronditjen time ideore. Heshta, siç më dukej mua, përgjithmonë.

Por, vite më vonë, kur isha në valën e themelimit të “Teorisë Toka në Rritje dhe Zhvillim”, isha me shërbim për një problem në Shkodër dhe kisha zënë hotel në Turizmin e Ri, duke iu lutur nëpunësit të Sportelit që mundësisht të mos regjistronte ndonjë tjetër, se përpiloja një teori shkencore të rëndësishme. Me shpresë se nuk do të regjistrohej ndonjë tjetër kisha kyçur derën dhe po punoja. Kur lëvizte me zhurmë doreza e derës; e hapa dhe i thash mos jeni gabim? Jo, më tha, dhe hyri brenda. Unë vazhdova punën studimore. Pasi me mundim i duroja pyetjet e tij, më në fund i tregova arsyen pse duhet të më linte të qetë. Ai u përgjigj: “ Edhe unë, si i angazhuar me krijimtari shkencore, i kërkova nëpunësit të sportelit dhomë më vete dhe ai më tha: “po të regjistroj  në dhomën ku do të jesh bashkë me një shkencëtar tjetër, prandaj, si shkencëtar, na takon të bisedojmë”.

– Në ç’ fushë shkencore jeni i angazhuar?

– Në gjuhësi, jap gjuhë në Pukë dhe jam në kthim nga një konsultë gjuhësore në Tiranë.

– Që t’a besoj që jeni gjuhëtar në nivel shkencor më bëni etimologjinë e emrit BARDHYL.

Ai përsëriti të njëjtin shpjegim që kisha lexuar anglisht në broshurën e turizmit. Kur unë i shpjegova që “yl” ishte mbaresë shquese pellazge  dhe në Shqip kishte evoluar, “l-ja” kishte rënë; “y-ja”  ishte bërë “i” shquese dhe shtova që në epokën e ILIRISË astronomë nuk kishinpër të përcaktuar ndonjë tip ylli të bardhë, ashtu siç njihen edhe sot yjet si pika të zjarrta në Qiell dhe pikat e zjarrta nuk mund të quheshin të bardha.  Ai u befasua dhe premtoi se do të njoftonte menjëherë gjithë gjuhëtaret. As pata rast t’a gjallëroj prap imagjinatën në këtë drejtim.

Duke punuar për Gjeoteorinë dilte nevoja, si më parë t’i formuloja Shqip fjalët e huaja që i kuptoja mirë, por nuk i dija në Shqip. Në këtë drejtim të shprehjes letrare  gjuhës shqipe në nivelin e gjuhëve të huaja e më mirë përpiqesha gjithnjë dhe ndeshesha edhe me raste të neologjizmave dhe sidomos me krahasimin e dialekteve. Veçanrisht më patën tërhequr vëmendjen bisedat që bëheshin në praninë time për etruskët si ilirë dhe emra historik si ilirë që nxisnin imagjinatën time të përfshinte emra e fjalë të dialekteve dhe të nxirrte konkluzione për vete.

Kthesa drejt gjuhës shqipe dhe historisë së Shqipes dhe shqiptareve filloi të bëhet vendimtare, gjithnjë e më serioze, qysh kur u futa në diskutime në internet e mandej në Face Book, që etimologjive të gabuara iu bëja koment edhe me humor si; “Arbër” Vjen nga “Arë bëjë”; Arbërit kanë qenë bujq të shquar => Humori im: Tamam dhe “Alban” vjen nga “Alumin ban”; Albanët kanë qenë të parët që zbuluan dhe përpunonin aluminin; bëja edhe plotë komente sipas rastit herë për të qeshur e herë me seriozitet. Por kryesisht, lexoja dhe flisja me veten time dhe sugjerimet regjistroheshin në imagjinatë deri edhe forma gramatikore dhe mënyra të fjalë-formimit dhe një mori emrash si “Galibardi” do të thatë “Kalbardhi”, “Lombardi” do të thotë “Lumbardhi”;etj.

Përveç nyjës shquese të veçan të emrave në shqip që më tëhiqnin vëmendjen që shumë shpesh shquheshin keq ose nuk shquheshin, m’u regjistrua në kujtesë mënyra e formimit të ditëve të javës me “E” pëpara. Kështu, sikurse nyja shquese fundore “i” = “Yl” = ”ul”, edhe “E”- duhet të ishte formë Pellazge-Ilire e të folurit dhe konkludova se shumë emra që fillonin me “A” të antikitetit duhet në shqip të kenë kuptimin e “E” të ditëve të javës por të përngjitur me emrin, si dhe shumë emra që mbarojnë me “ul” janë me nyjë shquese Pellazg-Ilire.

Më tej, u ndesha me një artikull që mohonte, me një pseudo-argumentim të zgjatur me pika, sikur “Shqiptar” nuk e ka etimologjinë nga ndajfolja e të folurit “Shqip” por nga shpendi “Shqipe”. Më revoltoi pëbrenda më shumë sesa etimologjia e “Yllbardhi” dhe i bëra një koment pikë për pikë që me argumenta, i hidhja poshtë të pavërtetat e tij . Kur kolegu dhe një nga shokët e afërt më vuri në dijeni për Konferencën e V-të kushtuar lashtësisë së Gjuhës Shqipe në Vlorë me shprehjen e dëshirës për të vajtur, unë i propozova për të mbajtur kujtesën dhe ai pranoi duke më regjistruar.

Kështu, unë paraqita artikullin në fjalë, dhe u çudita edhe vetë sa thellë u futa që shpjegova me gjuhën shqipe edhe një fjali të diskutueshme të Biblës, si dhe emra pa etimologji të antikitetit.

A ka pasur debate rreth hipotezave të parashtruara dhe tezave shkencore që ju keni paraqitur.

– Jo, konkluzionet dhe shpjegimet që kam paraqitur këtu nuk janë shtruar nga institucionet shtetërore për diskutim sepse edhe “Gjeoteoria Ime”, e renditur në grupin e “Tokës në Ekspansion”, është në grupin e quajtur “Teori Absurde” prej Teorisë Tektonika e Pllakave”, e cila, nga Konsensi Shkencor, është miratuar si Teori që ka vërtetuar Origjinën Fikse të Tokës dhe Bëthamën precipitat  jo-aktiv të Tokës.

I ndeuar, si është vlerësuar puna juaj shkencore nga katedrat përkatëse dhe nga Akademia e Shkencave  të Shqipërisë,  të trojeve etnike shqiptare ose akademive të huaja?

– Me keqardhje shprehem, në këtë pyetje s’përgjigjem dot.

Së pari, tani u kujtova për herë të parë të vë në dijeni cilindo: kualifikimi im shkencor në shkallën Doktor i Shkencave Gjeologjike dhe Profesor është e lidhur vetëm me ngritjen realizimin e programit dhe projekteve për kërkim – studimin e zhvillimit të luginave të lumenjve malor dhe klasifikimit të vendeve për ndërtimin e kompleksit veprave të hidrocentraleve. Ngritja e raporteve  të punës në nivelin shkencor të lartë me artikuj dhe referate në sesione shkencore më lidhi me katedrat shkencore. Pra, puna ime studimore-kërkimore e vlerësuar nga Shërbimi Gjeologjik, nga Projekti i Hidrocentraleve dhe nga redaksitë e artikujve dhe referimeve shkencore, s’ka lidhje fare me punën e jashtëzakonshme për lidhjen e përvojës time në truallin gjeologjik të Shqipërisë  me përpilimin e Zhvillimit të Tokës Nëpërmjet Rritjes. Kështu, Gjeoteoria ime nuk i përket ndonjë katedre, ndërsa Akademia e Shkencave, nën kënd vështrimin e një hipoteze nga një gjeolog  terreni, i parë shtrembër nga autoriteti i lartë, e ka injoruar dhe refuzuar për t’a marrë në shqyrtim, edhe prej faktorit të jashtëm ndërkombëtar që “Teorinë e Tektonikës së Pllakave”, e ka pranuar sikur ka vërtetuar formimin e Tokës si Lëmsh aglomerat tip koke komete dhe me bërthamë të precipituar jo-aktive, ndërsa nga unë “Tektonika e Pllakave” është  cilësuar Dogmë dhe e ndjej veten të izoluar si Galileo Galileiu prej Dogmës Shkencore Mesjetare.

Megjithatë, jashtë përgjigjes të kësaj pyetjeve po përmend një frazë nga korrespondenca me një mik profesor në histori dhe në gjuhën shqipe si dhe në albanologji: “Çuditem, si s’po del ndonjë autoritet t’i bëjë bujë kësaj teorie që e ngre Kombin në lartësinë e Antikitetit të përtëritur nga Rilindja Evropiane”.

I nderuar mik, Prof Dr. Vedat Shehu! Ju falënderoj që pranuat t’ju intrevistoja. Jam mirënjohëse për përgjigjet tuaja në një këndvështrim real dhe shkencor që më kanë bërë të mendohem. Nga biseda me personalitetin tuaj, mësova shumë, jo vetëm në mohimin e vlerave shkencore nga mediokrit që drejtojnë institucionet shkencore shqiptare.
I nderuar Z. Shehu, për sa kohë që ligjin e bën padrejtësia, e vendos dhe e zbaton korrupsioni, paraja dhe rruga, në piedestal do të ngrihet antivlera. Kurse vlerat e vërteta kombëtare do të ngelen në hije. Jam e bindur se, Teoritë Tuaja Shkencore do të ngelen dhe një ditë kur të bien në dorën e një njeriu me kuptimin e vërtetë të fjalës “Njeri i Kulturuar”, Personalitet Shkencor dhe Apolitik,atëherë ato do të shkruhen me shkronja të arta.

Prof.dr.Vedati, Ju faleminderit! Ju uroj shëndet dhe suksese në fushën e kërkimeve shkencore!

Me konsideratë

Vilhelme (Vivra)

Vlorë, 21.2.2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok