18/04/2024

UDB-ja jugosllave në shtytjen – nxitjen e vëllavrasjes tek shqiptarët në trojet e tyre etnike të pushtuara nga Jugosllavia

0

“Jo atyne që janë trima me ngrehë gishtin e krimit,

por – atyne që janë trima me zgjatë dorën e pajtimit”

Adem Demaçi

(Pjesë nga libri im-“Kujtime”)

Nga Fazli Maloku

Ditë e shtunë e vjeshtës së vitit 1955. Në mëngjesin e hershëm të kësaj dite me riga shiu e sqotë, dy krisma pushkësh tronditën jo vetëm familjen time, por edhe gjithë lagjën e më larg. Nëna ime bërtiti me sa zë që kishte: “Kuku, e vranë Mehmetin”! Isha vetëm shtatë vjeç. Nëna para unë prapa saj vrapuam në oborr e pastaj në sokak. 20-30 metra tutje xhaxhai im Mehmeti i shtrirë për tokë dhe po thuaj pa jetë. Nëna e vuri kokën e tij në preher dhe u mundua të thoshte diç por nuk arriti të flas. Nëna qante me të madhe, ndërsa unë qaja pa lëshuar zë mbi trupin e pajetë të xhaxhait tim shumë të dashur dhe më dukej se zemra e mushkëritë po duan të më dalion jashtë kraharorit. Babai im Ajeti, para gjysmë ore ishte nisur për në Podjevë, me që e shtuna ishte ditë tregu. Dorasi që bëri krimin vazhdonte të lëvizte një are me pushkë në dorë, në drejtim të pyllit. Erdhën fqinjët tanë, bile edhe nga fshati, aq sq ishte ndjerë krisma e pushkës. Nuk vonoi arriti edhe babai. Ju afrua të vetmit vlla, ia vuri kokën në preher, u përmbajt dhe nuk derdhi pikë loti. Fqinjët filluan ta ngushllonin. Trupi i xha Mehmetit, i shtrirë në lendinën e sokakut u mbulua me një çarçaf. Në familjen time jetonim pesë fëmijë dhe prindërit. Xhaxhi im, Mehmeti, la pas vedit la nusën, Fatime shtatëzënë dhe  djalin-Ramizin, tre vjeçar. Na kishte kapluar skamja e mjerimi skajshmërisht. Nuk vonoi shumë erdhën dy policë, të Postkomandës së Lluzhanit, e cila i mbulonte dhjetëra fshatra të trevës së Llapit. Ata kërkuan diken që e dinte rrugën për te shtëpija e dorasit në fshatin Koliq dhe morën vllain tim Ramadanin 15-16vjeçar. Ndërkohë, arriti xhipi i policisë me gjykatësin hetues, mjekun dhe postkomandantin e stacionit policor të fshatit Lluzhan me kombësi malaziase. Për habin e dhjetëra fshatarëve të tubuar pranë trupit të xha Mehmetit, të cilët vështronin se ç’bënin mjeku dhe gjykatësi, policët sollën dorasin-Hasan Koliqin me duar të lidhura. Sipas urdhërit të komandirit e mbështetën pranë një trupi të qershisë jo më larg se 20 metra nga vendi ku ishte trupi i xha Mehmetit!

Biseda intime mes komandirit të policisë dhe babait tim Ajetit!

Komandiri i policisë-malaziasi, rroku babain tim për dore, duke u larguar dhjetëra hapa nga të pranishmit dhe për disa minuita u llafosen, por askush nuk mori vesh gjë se çka u bisedua. Shumë vjet më vonë, babai e zbuloi sekretin e kësaj bisede. Ja çfarë shpjegoi ai: “Komandiri më paraqitej si dashamirë i familjes tonë, bile sikur i dhimbësej edhe vllai im Mehmeti. Ai më propozoi: Ja ku ta solla hasmin te pragu i shtëpisë. Sot e ke mundësin ta marrësh gjakun e vllait. Do të dërgoj fare pranë hasmit. Pistoletën me plot fishek ja ku e kan në kllef të hapur. Ti do ta rrëmbesh pistoletën time dhe do ta vrasësh hasmin. Sot, sipas traditave të shqiptarëve është “ditë gjaku”. Të garantojë se do të mbash fare pak ose aspak burg”! Unë i dhash këtë përgigje. Nuk mundem me vra për tri arsyena: e para, hasmi është me duarë të lidhura; e dyta, është tek pragun i shtëpisë s’ime ; e treta si më kryesorja, dorasi është në duar të juaja-të pushtetit dhe në sigurinë e juaj dhe nuk dua t’ju nxjerr telashe edhe juve. Komandiri u egërsua si një bishë e tërbuar. Dhëmbët i kërcitnin kur fliste. “bile qenka dashur Hasan Koliqi me të vra edhe ty si qenin. Për këto që biseduam nuk guxon të flasësh! Përndryshe të shkon koka”!

Për këtë mosdëgjim të babait tim ndaj propozimit të komandirit të policisë, muaj më vonë, babai gadi e pagoi me jetë. Është i njohur dimri i viteve 1955-56, jo vetëm për nga bora e madhe e acari, por për nga zullumi i pushtetit pushtues Tito-Rankoviq, të ekzekutuar përmes UDB-ës, në Aksionin famëkeq “Mbledhja-çarmatosja e armëve” tek shqiptarët!

Në kët kohë, babai im-Ajeti, i arrestuar me dhjetëra fshatarë të tjerë shqiptarë, të lidhur për trupa pemësh në oborrin e Stacionit Policor të Lluzhanit komuna e Podjevës të kthyer me fytyrë nga veriu, ditë e netë, i kërkoheshin dy pushkë ose koka!! Familja jonë, tani edhe me jetimët e xhaxhait-Mehmetit, nusja dhe dy djemtë:Ramizi 3 vjeçar dhe Idrizi disa muajsh dhe shtatë anëtarët e familjes s’onë, na mungonte buka dhe gjërat më elementare. Dhe vetëm falë policit shqiptar, trim dhe atdhetar, Hysen Drenica, babai arriti i gjallë në shtëpi.

Dhe u desh të pritej plot 37 vite, të shtrihej dora e pajtimit, falë Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve dhe Ngatërresave, të drejtuar nga atdhetari, mendjeholli profesor, Anton Çeta.  Vëllavrasja ishte njëra nga plagët e gjakosura për shekuj  e dekada që na i sollën pushtues të ndryshëm secili më katil se tjetri dhe duke e parë këtë murtajë, intektuali i përmasave kombëtare e ndërkombëtare, i brumosur me virtytet më larta njerëzore univerzale, idealisti i Shqipërisë Etnike, tani Heo i Kombit-Adem Demaçi, qysh në vitin 1958, nxorri romanin e tij-Gjarpijt e Gjakut, i botuar fillimisht në dy pjesë l-ll në Revistën Kulturore “Jeta e Re”nën drejtimin e Esad Mekulit, me porosinë e qartë e shumë kuptimplot për kohën:

Jo – atyne që janë trima me ngreh gishtin e krimit,

por – atyne që janë trima me zgjatë dorën e pajtimit.

Adem Demaçi

Ky mesazh i Demaçit të Madh, i shkruar para 62 vjetës, drejtuar shqiptarëve, është aktual edhe sot për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë!

Në vend të urimit për festat e fundvitit, unë i dhash përparësi mesazhit të bacë Adem Demaçit, me shpresë se më në fund shqiptarët një ditë do të vetëdijësohen për ti thënë Stop kësaj plage shekullore që për çdo ditë kullon gjak shqiptari.

Fazli Maloku, 31 dhjetor 2020, Prishtinë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok