25/04/2026

U PROMOVUA ROMANI “REVOLTA E SYZIFIT”, I AUTORIT BARDHYL MAHMUTI

0
Bardhyl-Mahmuti-Revolta

Prishtinë, 18 prill 2026.

“Errësira mesjetare ishte ulur këmbëkryq mbi vendbanimet tona dhe kishte mbytur çdo gjallëri.”

Nga Hazir Mehmeti, Vjenë

Romani botohet në përkujtim të viktimave të gjenocidit në fshatin Poklek.   “Të gjitha personazhet e romanit dhe ngjarjet që kanë të bëjnë me shtëpinë kremator në Poklek të Vjetër, ku u krye një ndër aktet më të rënda gjenocidale gjatë luftës në Kosovë, janë personazhe dhe ngjarje të vërteta. Përgjegjësia për aspektin artistik të rrëfimit bie mbi mua”- autori.
Romani i kushtohet krimit gjenocidi nga forcat serbe në fshati Poklek të Vjetër para 27 viteve, u promovua në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Organizimi u bë nga qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” në bashkëpunim me Departamentin e Historisë së Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë.   Krim gjenocidi i kryer në Poklekun e Vjetër është pjesë e gjenocidit serb mbi popullin shqiptar ku barbarisht u masakruan 53 civil prej të cilëve 26 ishin fëmijë, 20 gra, 5 të rinj dhe 2 burra.  Me moton NE NUK HARROJMË, kërkohet bashkimi i forcave në aktivitete për ta bërë të njohur gjenocidin serb në gjithë globin.  Krimet gjenocidi nuk harrohen kurrë, por shoqërisë shqiptare i duhet aktivitet i fuqishëm i bazuar në fakte historike të cilat janë kudo.   Shembulli tipik i këmbëngulësisë deri në njohjen botërisht të gjenocidit është Armenia e cila arriti të argumenton gjenocidin turk mbi armenët dhe pas një shekulli i cili gjenocid u njoh botërisht.
Program promovimi u drejtua nga Alketa Fazliu Gashi, e cila është njohëse e mirë e rrethanave dhe përmbajtjes së romanit.  Salla e mbushur, si rrallë herë, dëgjoi vështrime rreth librit nga Ramadan Avdiu, Adnan Asllani, Fadil Muqolli  dhe autori i librit Bardhyl Mahmuti.

Në fjalën e tij rreth librit Ramadan Avdiu mes tjerash tha: “Revolta e Syzifit” nuk është një rrëfim i zakonshëm. Është një ndërthurje e dokumentit dhe artit, e faktit historik dhe ndjeshmërisë njerëzore. Bardhyl Mahmuti ka arritur të ndërtojë një monument letrar, ku çdo fjali është një gur kujtese, çdo paragraf një dëshmi që sfidon harresën.

Ky roman nuk synon vetëm të tregojë çfarë ndodhi, por pse duhet ta kujtojmë. Në një kohë kur e vërteta shpesh riaktivizohet, kur krimet tentohen të zbehen ose të mohohen, kjo vepër vjen si një akt rezistence. Është një klithje, është një revoltë ashtu siç sugjeron edhe titulli, kundër harresës, kundër padrejtësisë, kundër heshtjes.”

Bardhyl Mahmuti me përvojën e tij letrare ka arritur të ndërlidhë mirë faktet dhe dëshmitarët natyrshëm me strukturën artistike  me gjithë dhembjet e tyre të cilat jenë prekëse deri në palcë. Revolta e drejtë e Syzifit me emrin Fadil Muqolli, reflekton revoltë tek secili që ka ndërgjegje njerëzore. Peripecitë e syzifit, jo vetëm nga koha e masakrës, por edhe pas saj për të ruajtur gjurmët e krimit nga injorantët e ulët, janë tepër prekëse. Ato flasin me porosinë e gjakut të derdhur në shtëpinë kremator e cila ngjason me ato naziste, dhe më keq. “Jam plotësisht i zhgënjyer në drejtësinë ndërkombëtare, ajo nuk ekziston” u shpreh i revoltuar Syzifi i romanit. Gjithashtu, Fadil Muqolli, falënderoi autorin e librit dhe parafolësit për vështrimet e tyre.

Fadil Muqolli është Syzifi i kohës i cili për dallim nga Syzifi antik, bartë gurët mbi supet e tij me eshtrat e të masakruarve, fëmijëve e familjarëve të tij. Bartë dhembjen e madhe që pëlcet dhe gurin, por Syzifi qëndron i revoltuar, përse nuk po bëhet asgjë për dënimin e kriminelëve të cilët jetojnë të lirë. Barra e gurit të dhembjes nuk largohet kurrë, ajo rritet e rritët kohëve me gjithë porosinë e 53 familjarëve të masakruar.

“Mizoria e ushtruar ndaj shqiptarëve në Poklek nuk paraqitet si një episod i izoluar, por si pjesë e një vazhdimësie të gjatë dhune dhe shtypjeje që populli i Kosovës ka përjetuar ndër shekuj në këto anë. Ky fakt e bën edhe më të rëndë këtë tragjedi, duke e shndërruar në një simbol të gjenocidit dhe të përpjekjes për zhdukje të një populli.”-Abaz Pllana.

Lexojmë:

“I thyer nga pesha e thasëve mbi supet e shpirtit dhe i zhytur në mendime, dola në oborr dhe u nisa për te “Zabeli i Idrizit”… Rrugës as fytyrat e luftëtarëve përpara, as hapat prapa meje nuk më ngelën në kujtesë. Ishim një kortezh i heshtur, ku hiri dhe kristalet mbi supet tona bartnin historinë e mijëra njerëzve të zhdukur”

Që nga qëndrimi im prej tridhjetë vitesh në Austri, mësova mbi aktivistët austriakë shkrimtarë, studiues e publicistë që përshkruan masakrat serbe me përmasa gjenocidi ndaj popullit shqiptarë dikur dhe tani. Mes tyre lexova disa herë “Golgota Shqiptare” (Albanische Golgotta” e shkruar nga publicisti austriak me rrënjë hebrenj, Leo Freundlich. E përbashkëta e të gjitha masakrave gjenocidi është brutaliteti i tyre, barbaria e tyre sa nuk mund ta kapërdinë  mendja e njeriut normal, e përcjellë gjithmonë me gënjeshtra serbe antinjerëzore që nga nivelet e larta qeveritare deri tek kisha ortodokse dhe mediat e tyre fund e krye kriminale.

Revolta e Syzifit është një libër i ri në letërsinë shqipe e ndërtuar në rrethana tepër të vështira ekzistenciale në Kosovë që karakterizohet me rrëfime reale dhe historike me porosi të fuqishme për zbardhjen dhe dënimin e kriminelëve.

Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Kosovë rrallë ka përjetuar promovime veprash me aq dhembje e mall, me aq porosi detyruese për secilin në rikujtim të viktimave të pafajshme nga popullata civile në shtëpitë e tyre.
Të pranishëm ishin mërgimtarë veprimtarë, nga Maqedonia, Shqipëria.. Nga Danimarka kishte ardhur veçan për promovim veprimtari dhe gazetari i njohur Ibrahim Xhemajli, Takimi me mësuesin e Bardhyl Mahmutit ishte i pa harruar. Ai në moshën e tij mbi nëntëdhjetëvjeçare  ndihej krenar me nxënësin e tij veprimtar dhe autor i disa veprave me vlera kombëtare.  Biseduam shkurt, por me zemër.

Së bashku uruam autorin.
Rrugë të mbarë librit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok