21/12/2024

U MBAJT ORA POETIKE “PRANVERA VJENEZE 2023”

0
Mehmeti-Pranvera-Vjeneze-2023-1

Nga Hazir Mehmeti, Vjenë

Vjenë, 30 prill 2023.  Organizuar nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, u mbajt orë letrare në hapësirat e Hotelit Europahaus të Vjenës. Morën pjesë krijues nga disa vend  dhe mysafirë të ftuar të fushës letrare. Nga Ambasada e Republikës së Kosovës përshëndeti Jeton Maliqi, diplomat. Të ftuar të veçantë  ishin  Prof.Dr. Isak Shema dhe Dr.Ornela Radovicka, studiuese nga Napoli.

Në sallën e bukur Europahaus në bashkinë e katërmbëdhjetë të Vjenës u dëgjua fjala letrare e artistike shqipe nga shumë autor. Salla u rezervua  nga veprimtari i njohur, menaxher Arbër Marku. Grupi organizues i kryesisë së Lidhjes, Musa Jupolli, kryetar, Mentor Thaqi, sekretar dhe Hazir Mehmeti, anëtarë, me sukses realizuan aktivitetin tradicional letrar tani kur Lidhja.. mbushë dhjetëvjetorin e jetës.  Prof. Valbona Naku luajti mjeshtërisht në violinë nga muzika klasike e njohur vjeneze dhe raportuari shkodran. Veshjet dhe meloditë e grupit të Shoqërisë Kulturo Artistike “17 Shkurti” nga Bedeni të prirë nga Tahir Turkaj dhe Afrim Rukolli e gjallëruan ambientin në sallën e bukur.  Gazetari i njohur me veprat e tij mbi Arbëreshët dhe trevat shqiptare Rexhep Rifati nga Zvicra, solli veprën e tij të re “Arbëreshët -fotosintezë e shpirtit tim” e promovuar në disa vende dhe tani në Vjenë. Shkrimtari i njohur, autor i disa romaneve, Muharrem Blakaj, e pasuroi bibliotekë e veprave të  Lidhjes…. Prof. Shenasi Aliu, krijues e natyrë prezantues i njohur. Me praninë e tij e pasuroi aktivitetin,  Leon Lekaj, poet i ardhur enkas nga Athina me përmbledhjet e tij poetike. Të pranishëm ishin edhe Dr. Isauf Bajraktari, Shefqet Dina, Fatmir Bekaj etj. Paneli i punës së orës letrare “Pranvera vjeneze 2023” ishte nga Sylë Bajrami, Dr.Ornela Radovicka, Dr. Isak Shema, Violeta Allmuça, Musa Jupolli. Kujdesi teknik dhe filmimet u realizua me sukses nga Kreshnik Mehmeti.

Në emër të kryesisë së Lidhjes.. orën letrare e hapi Musa Jupolli, kryetar. Ai mes tjerash tha:” Jemi këtu në Austrinë mike, në Vjenën e kulturës, artit dhe notave të muzikës, në Vjenën e Operave, në Austrinë e gjuhëtarëve që na përkrahën dhe i dhanë aq peshë gjuhës shqipe në prejardhje nga ilirishtja, albanolog austriak e gjerman:Gustav Majer, Gotrid Vilhelm Labnic, Norbert Jokl,Arnold fon Harf.  Albanologu gjerman Johan Georg von Han : “Shqiptarët janë të vetmit që kanë ruajtur gjuhën e vjetër të tyre pellazgjike dhe shqipja është vazhduese e drejtpërdrejtë e ilirishtes”.  Vilfird Fidler, Jemi këtu në Vjenën e Schubertit, Mozartit, Joseph Haydn, Stefan Zweig, Franz Kafka, Robert Musil, Gustav Klimt e sa e sa figurave tjera…

Po, i jemi aq mirënjohës Austrisë mike në përkrahje për lirinë e Dardanisë. Në Vjenën e Alexandër Moisiut, Karl Gegës arkitekt, eshtrat e të cilit janë në Panteonin e njerëzve më të shquar të Austrisë.

Jemi këtu “Pranvera e Vjenës 2023” me fjalën e bukur për artin dhe letrat tona, evropian që nga më të parët e Evropës, që me këto fjalë t’i falemi Gjergjit emri i të cilit udhëton në gjithë botën dhe është identiteti ynë!

Dr. Ornela Radovicka në fjalën e saj mes tjerash tha: “Jam shumë e gëzuar që ndodhëm në shpirtin fisnik të artistëve”.  Ajo foli mbi historinë e lavdishme arbëreshe në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe vetëdijes kombëtare shekujve. Porosia e saj ishte: “Edhe ju artistët jeni me ndjenjë, jeni me dashurinë, por ktheni sytë andej nga Arbëria, nga arbëreshët”. Në vazhdim lexoi: Çmimi “NDERIM ARBËRESH”, Mikut, vëllait shqiptar, Mësuesit, Publicistit, Aktivistit, Themeluesit të Lidhjes së Shkrimtarëve në Austri, Hazir Mehmeti. Motivacion: Në mision për njohjen dhe shpërndarjen e kulturës arbëreshe gjashtëshekullore në diasporë. Nënshkruar nga drejtori Prof. Dr. ANTONIO BELUSHI, Frasnita (Frascineto). Poeti, Mentor Thaqi, në emër të Lidhjes i dhuroi Dr. Ornela Radovickes  një gurë artistik të veçantë si traditë e themeluar nga Presidenti Historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Duartrokitjet në sallë shprehën edhe një herë respektin për punën madhore të studiues nga Napoli.

Prof. Dr. Isak Shema, profesor i Universitetit të Prishtinës përshëndeti të pranishmit. Ai mes tjerash tha:  “Zonja dhe zotërinj, shkrimtarë, krijues e lexues! Jam shumë i gëzuar që shoh organizimin e krijuesve dhe Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë e organizuar në disa vende është sintezë që premton edhe më shumë. Me vete kam sjell tri botime; botimin e Faik Konicës me dokumente të pa njohura më parë; Librin “Letërsia shqiptare për klasën e parë dhe të dytë gjimnaz”, sipas modelit në Evropë; dhe së fundi kam botuar librin “Arti letrar i Ismail Kadares”. Veprimtaria e juaj është pjesë e rëndësishme e rrjedhave në Kosovë, në lirinë e saj dje dhe shtet ndërtimin e saj sot. Sa më shumë veprimtaria e juaj të bashkërendohet me ato veprimtari që janë dhe zhvillohen në Kosovë. Nga ky aspekt propozoj që takimi i ardhshëm të mbahet në Kosovë, ngase njerëzit duhet të shohin sa më shumë veprimtarinë tuaj, të binden se sa ka qenë investimi i juaj intelektual krijues, sepse ju keni krijuar vlera të reja dhe keni dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në vendet ku jetoni. Andaj, ne atje duhet të realizojmë projekte të përbashkëta dhe atje do shihej ajo që ju krijoni”

Prezantimin e librave e nisi Violeta Allmuça, recensente e librit “Kohpërfytje” e autorit Hazir Mehmeti. Ajo mes tjerash tha: “Kur flasim  për përmbledhjen e re të tregimeve, gjithnjë lexojmë kohët e tij si vetëdije artistik për jetën, botën e njeriut, ku lënda është sa letrare, po aq historike, mitologjike dhe aktuale.” Rreth romanit “Rrënjët e kujtesës” të autorit Ramiz Selimi u lexua nga Ragip Dragusha pjesë nga fjala e Safet Gërxhaliut dhe kritikut letrar Prend Buzhala. “Kjo vepër është një roman social dhe historik që paraqet me realizëm përjetimet e familjes së Ilirit. Romani tregon për një periudhë shumë të rëndësishme në historinë e Kosovës.”  Abedin Sutaj prezantoj veprat e tij. “Kam punuar rreth dymbëdhjetë vite në studimin e gjuhës shqipe dhe kam shfrytëzuar rreth njëmijë tituj të punimeve shkencore moderne ku shihet se sa është e vjetër një gjuhë duke shfrytëzuar teknikat moderne dhe shkencat ekzakte.”

Krijuesi shkodran i cili jeton në Vjenë Gjergj Josef Kola u prezantua me dramën e tij. Ai tha se deri më tani ka shkruar 70 drama. Në sekuenca filmimi u dha pjesë nga drama “Rekujim  për Musine Kokalarin.” Në mungesë të krijuesit nga Franca Abedin Krasniqi, përkthyes i  “Lahutës së Malësisë” së Gjergj Fishtes në gjuhën frënge, në vëllimin prej njëmijë faqesh e prezantoi para auditorit Musa Jupolli.

Krijuesit vazhduan me leximet e tyre poetike. Këtë e filloi Kimete Ternava duke vazhduar me radhë  me Gabriela Mujaj, Lumni Nimani, Shefqet Dinaj, Ragip Dragusha, Xhevat Muqaj, Anton Marku, Mërgim Osmani, Xhevat Muqaku, Avni Neziri, Miftar Tershnjaku, Leon Lekaj, Musa Jupolli, Sylë Bajrami dhe Mentor Thaqi. Bashkim Halilaj, Violeta Allmuça.

Hulumtuesi i bimëve shëruese dhe bimëve me rëndësi të veçanta Prof.Shenasi Aliu nga Zvicra dhe një vështrim të shkurtër rreth krijimtarisë së tij në shfrytëzimin e bimëve shëruese dhe udhëtimeve të tij në shumë vende. Ai ndau dhurata të veçanta të Eshkës (kërpurdhë) për disa nga krijuesit e pranishëm, eshkë nga Portugalia, Zvicra dhe vende tjera.  Në fund Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, shpalli anëtarë nderi të saj Prof.Dr.Isak Shemën dhe ndau mirënjohje disa veprimtarëve dhe krijuesve që dhanë kontribut në organizimet letrare. Ora letrare “Pranvera vjeneze 2023” do mbahet në kujtesë të gjatë për organizimin e mirë dhe leximet e shumta nga krijues vendesh të ndryshme, shumë nga të cilët ishin të rinj.    Nga Europahaus të pranishmit vizituam muzeun e njohur të Vjenës ku ruhet shekujve përkrenarja dhe shpata së  Skënderbeut. Naim Frashëri para 149 vjetëve shkroi:

Lum ti moj Shqipni! thash,

Armët e tij kur i pash

N’dë Belveder e n’dë Vjen

Sikur pashë Skenderbenë.

Takimi i radhës së krijuesve nga mërgata do mbahet në fund të korrikut dhe fillim të gushtit në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok