16/07/2024

Njerëzit janë “Farë e çuditshme”

0

Vlerësim për ekspozitën personale të artistit Fatmir Mustafa- Karllo që u hap në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Nga Ilir Muharremi, kritik i artit

Artistët krijojnë mbi veten, gjithmonë bartin historitë, jetën sociale,interaktivitetin objektiv me atë shpirtëror, bëhen gardian të sekreteve reale duke i mpleksur me atë shpirtërore. Veprat e artistit Fatmir Mustafa – Karllo të kurorzuara me një ekspozitë personale që  mbartin titull joshës “Strage Seed” (Farë e çuditshme), të  hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës, janë përhirim i materies të lindura nga pellgje shoqërore të grimcuara në mendjen e artistit që i gdhend në materiale të forta siç është guri, por ideja për gurin është më e fortë se vet monumentalja e gurit.

Veprat e tij, qëndrojnë në rendin shoqëror, kolektiv, ngjizin informata, ngritin pyetje për përgjigje të thella nga një rend social, kulturor, fizik si pajisjet mbrojtëse të punës, dokumente historike, asfalti, të gjitha këto sintetizohen në idenë e artistit. Janë fragmente nga jeta që ndezin përgjigje, vallëzim instiktesh , sekretesh, pasigurish, frikëra, shtypje nga vetë shoqëria, siç i soditim sot puntorët e pasigurtë në vendet e punës, migrimi, korrupsioni, racizimi i shfaqur, një vorbull mendimesh brenda stuhive reale të jetës.

Teksa ndjek shtegun artistik të artistit Karllo vërej një megashenjë te skulptura në hyrje të Galerisë së Arteve të Kosovës. Ajo mban titull “The Artist Must Stand”. Ka një bazë të fortë guri-monumeti, sipër dy rrota të vogla mbështetëse nga biçikleta e fëmijëve. Vepra u krijua gjatë kohës së koronavirusit. Fëmijët që mungojnë në këtë vepër, janë nismëtar për të mësuar fillimet e reja, ballafaqmin nëpër udhëkryqe të zymta. Izolimi i asaj kohe tregon sërish një izolim të ri brenda vet njerit. Rrotat e vogla të gjithëve na kthjenë një retrospektiv mendimesh nga koha e fëmijërisë, në fak jemi fëmijë drejt rrugës për tu mësuar, por edhe në vdekje njeriu sërish shpirtin e ka fëmijë. Koha e flakur nga harresa.

Punimi i dytë mu në hyrje në dhomën e parë të Galerisë, duket si një sferë metalike, një instalacion, i cili pret ta prekim, ta ndjejmë, ta bartim energjinë, por edhe ta marrim atë. Kjo pajijsje mund të prodhojë tensione të larta në raport me mjedisin duke shkarkuar energji të madhe. Sfera peshon mbi një bazament të bardh, të pastërt, si refleksion i përkushtimit dhe bardhësisë së brendshme. Kontrast ndërmjet konceptit, realizmit, idesë dhe interaktivitetit në raport më vizitorin.

“Veshje të puntorëve, korniza nga tepihu”, dedikuar përplasjes së puntorëve të pambrojtur në ombrellën e shoqërisë sonë, duke goditur direkt pushtetet politike deri te ligjet dhe nenent që nuk përfillen siç shkruajnë në letër. Tepihu duket si një pikturë, kolazh ngjyror që rrjedh nga shqisa e mprehtë e eksperimentimit. Është shumëngjyrësh, duket si dekor, pikturë me fragmente të minimizuara duke u nisur nga dorëzat, pantollona, bluza fosforeshente, jelekë, të shtrirë në dysheme, të pastër. Pastërtia e uniformave të puntorëve të krijon një energji pozitive, sakrificë, vet këto veshje projektojnë në mendjen time skulpturën monumentale të një njeriu i cili me zero siguri përpiqet të mbijetojë nën rrenoja apokaliptike shoqërore, nënçmuese.

Puntori sot në Kosovë është më i shtypuri, ai po vritet në formën më elegante nga vet shoqëria jonë. Kjo vepër është revoltë dhe protestë ndaj të drejtëve të puntorëve. Ata gjithmonë do të dërgojnë porosi, përgigjet nuk do të vijnë. Dorëzat e pastra mbulojnë shputat e durave të plagosura, të çara, gjakosura, harrnuara. I vërej ca sy të këtyre puntorëve që shikojn dikund, duar të padukshme, gishta, këmbë, imazhe fytyrash të rrudhosura.

“The Moon”, vepër më flukse energjish, ca rrezatime drite, shpeshtjellime siluetash mbi shishet e qelqit, simbol i pijeve historike me gaz nga sallat e prodhimit tashmë të braktisura në Elbasan. Jan tri kuti me drita, formojnë një tablo kontrast përceptimesh dhe mendimesh në bazë të realitetit të shërbimit që ato ruajnë si sekret në vete. Shtrirja kompozcionale reflekton estetikën e mirëfilltë, mesazhi atë dendësinë dhe stuhinë, peticionet e punëtorëve elbasanas të cilët pinin ga këto shishe. Shishet janë të patinuara me ngjyrë, duken të vjetruara, rezistuara kohës. Mesazhi i kësaj vepre shtrihet në brendësinë e jetës së puntorëve në një ambient toksik duke përdorur letrat e puntorëve si referenca për zbulimin e problemit. Sipas autorit, duke ju përgjigjur këtyre kërkesave, përgjegjësit çdo herë në fletë shënonin: “Jo ose shumë më rrallë një Po”. A mjafton kjo si konkluzion i saktë ndaj një hulumtimi të problemit? Artisti e ngritë hipotezën mbi arsyet e tij individuale duke aluduar përtej përgjigjeve.

“Anyways, Always”, një bust mermeri që portretizon vetë autorin duke pozuar si Elvis Presley. Formula e kësja vepra është tejet magjika që vjen nga dija njerëzore me fuqinë sublime të artit me qëllim të bëhet e rrokshme tashmë në nebulozat tona shpirtërore. Skulptura është reflesion i disa fotografive të performancave të tij, me fuqinë e transformit në një figurë siç është Elvisi. Kjo vepër lind nga një ngjarje reale. Karllo gjatë kohës sa ishte në Finlandë si një emigrant, përballej me sulme ksenofobike, shoqërohej me njerëzit e pastrehë dhe të varur nga droga në një qendër finlandeze për mirëqenie. Ai përdori veten për t’u përgjigjur situatës me një ndërhyrje duke përdor idhullin e tij rinor Presley-n. Nga ky reagim ai rregulloi ambientin e banimit të një grupi njerëzish që po kujdeseshin atje duke u miqësuar me ta si një lloj alieni.

A është arti një pyetje që përgjigjet i gjejmë në shoqëri, në jetën reale, sociale, ekonomike? Po. Vetë arti është gardian shërbyes i çasteve reale të cilat më pas zënë vend në pak faqe të historisë. Nga krejt ky imazh i fragmentuar rrekesh ta gjurmosh kuptimin. E lehtë është ta gjesh, por e para ndjenë energjinë, reflektimin estetik të krijimeve pra materialet e përdoruara, instalimet, skulpturat, pastaj pjesët kompozcionale duke i shtjelluar edhe në titujt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok