TURSHI PËR NË EVROPË
(Anekdota)
NGA KALOSH ҪELIKU
(XHA DULI RIU DHE “PROFETI”
I KATUNDIT CËRVICË)
Vite, më parë në sistemin komunist jugosllav, një “profeti” të vetëshpallur në Katundin Cërvicë të Xha Derallës, i doli nami, se: natën shkonte në atë “Dynja” (botë), dhe kur ktheheshte nga ajo botë u rrëfente katundarëve të Kërçovës, sesi i kishte vizituar të vdekurit e tyre në “Xhehnet”, apo “Xhehnem”. Edhe, atë: në Katundin e Xha Derallës?! Humoristit, dhe satiristit, që e tejkaloi edhe Nastradin Hoxhën. Autorit të anegdotave origjinale.
Përderisa, Nastradin Hoxha mendohet, se: është krijuar nga populli, Xha Deralla (1842-1950) ka jetuar, krijuar dhe vepruar me të vërtetë me popullin, kokë më kokë këmbëkryq para portës të Xha Mazllëmit. Përditë, e ka përcjellur me anekdotat e tij hoxhën e katundit në xhami.
Një ditë, përderisa hoxha kaloi pranë portës të Xha Mazllëmit, i tha Xha Derallës: Pse, bre Xha Derallë, nuk vjen të falesh dhe lutesh në xhami? A e di, se: në atë “dynja” do të digjesh në zjarrin e Xhehnemit? Jo, o hoxhë, iu përgjigjë Xha Deralla. Përderisa, do të vij unë në atë “dynja”, ti më veç do ta kesh shuar zjarrin.
Xhandarët e serbit, që e pyesin se ku e ka shtëpinë Kryeplaku i Katundit? Xha Deralla duke i shëtitur rreth e rrotull katundit gjithë natën për te shtëpia e Kryeplakut të Katundit, pak ende pa zbardhë agimi i sjell para porte, dhe u thotë: kjo, është shtëpia e Kryeplakut të Katundit. Xhandarët e serbit, pasi hyjnë brenda në odë, i thonë Kryeplakut të Katundit: po, fshat i madh kishte qenë ky Katundi juaj, o burrë?! Kryeplaku i Katundit, i pyet: po, kush u solli juve deri pas porte te shtëpia? Një plak me një mjekër të bardhë, gati deri në brez. Qeshi, Kryeplaku i Katundit. Po, Katundi ynë është shumë i madh. Ai ka qenë Xha Deralla.
Lajmin e “Profetit”, e dëgjoi një ditë edhe Xha Duli Riu (Abdulla Dauti, 1941-1993). pasardhësi i Xha Derallës. Vizitat e të cilit në atë botë, dhe radhët e gjata te porta e “Profetit” në Katund, një ditë i erdhën deri në majë të hundëve. Gjatë një takimi të rastit me një kalimtar, dhe rrëfimit të tij fantastik, i tha katundarit: Pyetnje, atë “profetin”, kur i sheh ëndërrat: Ditën, apo natën. Nëse, i sheh natën; vërtetë, ai i viziton të vdekurit, mes varreve. E, nëse i sheh ditën, i thuani të flejë sa më pak gjumë në shtratin e shelgut.
Edhe, “Profetin” tonë politik me nismën “Ballkani i hapur” për në Bashkimin Evropian pa Kosovën, pyetnje: kur i sheh ëndërrat partiake? Ditën, apo natën në Qeveri?!…
(GREZËZA ANONIME – PARTIAKE
E DALLDISUR LIVADHEVE)
Përderisa, politikanët me “Grezëzën” e tyre anonime politike përmbrapa, politikë ”madhore” bëjnë me barkun plot – lodër: pagat e tyre të majme, dasmat partiake dhe shpërblimet me shuma materiale marramendëse, Grezëza lakmi ua ka sot poetëve, që lindin dhe lexojnë poezi nëpër manifestime kulturore me bark të zbrazët, dhe lëmoshën e Minsitrisë të Kulturës?! Shtetin e “përbashkët” të saj lule më lule, përpiqet me ato shkrime të arnuara t’i sulet kulturës shqiptare e lindur dhe rritur maleve. Edhe, atë: kush, Grezëza anonime duke e mbuluar dhe fshshur veten me shami dhe ferexhe të zezë. I lakmon edhe ato pak mjete materiale, që ua jep partia politike e “vëllazërim-bashkimit” lëmoshë në pushtet, që sipas Grezëzës janë shumë për dreka, darka dhe pije “hallall”, në “Bit-Pazar”.
Grezëza anonime partiake e dalldisur livadheve, nuk është bletë, që shtegëton lule më lule. Nuk jep mjaltë, po helm. Gumëzhinë livadheve si bletë në një portal elektronik, se: shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, gjatë këtyre viteve s’kanë bërë asgjë në kulturën shqiptare?! Edhe, kush: Grezëza e shëtitur nëpër brekë të partive politike, livadheve me vende pune dhe poste partiake. Kokebythë nëpër institucionet e shtetit të “përbashkët”, Dje, dhe Sot, nga beteja në betejë?!
Grezëza e livadheve turret në një portal publik, gjithë kulturën shqiptare e shti në një thes të grisur arnë përmbi arnë: shqiptarëve, nuk ju duhet as buka në sofër. Hani bar, dhe pini çaj rusi “hallall” në dasmat e juaja kulturore – poetike! Ne, të zgjedhurit e Nënës Parti do t’i hamë me “vëllezërit” nëpër dasmat tona partiake qengjat, dhe do të pimë uiski chivas, raki rrushi dhe verë. Shkaku, se: bëjmë politikë “madhore” lule më lule livadheve. Vite me radhë, korrim “fitore”. Edhe, do t’u shpiem Nesër në Evropë me “Ballkanin e hapur”.
E, poezia, nuk lindë, as lexohet me bark të zbrazët… Dhe, çaj rusi “hallall”…
(HAVA E “BIT-PAZARIT”)
Rob, shtrihu në dy gjunj! Emri im është Hava e “Bit-Pazarit”. A, i yti? Nuk guxon të çohesh më këmbë. E ytja është të dëgjosh urdhërat. Dhe, pa folur të m’i plotësosh të gjitha dëshirat. Kërkesat. Unë jam e pamëshirshme.
E vetmja, që mund të mendosh është: si më së miri t’i kryesh urdhërat e mia. Dhe, në shenjën më të vogël do ta përdor kamxhikun. Ky, është rasti më i mirë për dëgjueshmëri për ata që janë plotësisht si ti!
Atë, që mund ta mendoj, i kalon të gjitha aftësitë tua artistike. Edhe, frikën. Ndërsa, unë do të të detyroj, atë punë ta bësh më këmbë si burrat. Shikom në sy, deri sa të flas! Gjithsesi, duhet të mbash mirë mend, çka të urdhëroj. Unë, nuk e përsëris dy herë. Rob, të urdhëroj: bleje numrin e ardhshëm të ”Zekthit”! Atëherë, do të shihemi përsëri në shtrat!…
(KAҪAKU I SHKUPIT)
Poeti rebel, duke menduar se do ta hajë më shumë pazari, një ditë vendosi të ikë nga shtëpia, të dalë kaçak matanë Vardarit, te “Parku i grave”. Kaloi një javë, dy, dhe një ditë në telefon iu paraqit Mikja Di. Ndër të tjera, Poeti e pyeti:
-Hë, ç’thotë për ikjen time “Bit-Pazari”?
Mikja Di, qeshi matanë telefonit, e i tha: As që kanë marr vesh që ke ikur nga shtëpia. Prandaj, më mirë e ke të kthehesh në shtëpi te fëmijët, gruaja!…
(TRIMAT E DIBRËS MADHE)
Autori i këtyre shkrimeve satirike i kishte vizituar gati të gjitha qytetet e Maqedonisë Veriut. Në Kosovë, gjatë studimeve kishte qenë edhe nëpër fshatra. Mirëpo, vitet e fundit: nuk e kishte vizituar Dibrën. Shkaku, masave qeveritare dhe Pandemisë. Qytetin, ku ishin bërë gjithë ato luftëra historike. Fushëbeteja, ku kryengritësit shqiptar në Grykë të Radikës, Hajredin Pashës ia kishin gri dymbëdhjet mijë ushtarë. Vendlindjen e Isuf Xhelilit. Arushës të malit.
Ja, edhe shkaku, pse një ditë vendosi ta vizitoj Dibrën. Vetëm, për çudi, posa e pa nga kodra, iu duk si një katund. Megjithatë, vazhdoi rrugën. Tha, me vete: Kalaja shihet nga brenda. Eci. Nëpër rrugët e ngushta të shtruara me kalldrëm, asnjë njeri. Vallë, ku janë dibranët?! Më në fund, pasi nuk mundi t’i takoj dibranët në rrugë, vendosi të hajë bukë në ndonj restorant. Po, edhe këto të gjithë mbyllur mesdite. Vazhdoi edhe disa hapa, rrugëve të Dibrës. Edhe shitoret e mbyllura nëpër qytet?! Dhe, më në fund hoqi dorë nga sofra dibrane.
Dikur, kur vendosi të kthehet për në Shkup, në të katër anët i dëgjoi papritmas lodrat: Dum-duum… Duum-duuum… Duum-duuum…. E kuptoi, ishte muaji “Ramazan”. Hajredin Pasha, gjatë “ndryshimeve demokratike” e kishte pushtuar Dibrën e Madhe me shtatë minare, sot pa luftë dhe topa, po me minare të xhamive…
(SPIUNI I PARË)
Në polici çdo ditë spiunonte për veprimet “nacionaliste” dhe “irredentiste” të shqiptarëve edhe një “patriot” shqiptar kuqezi.
Një ditë “patrioti” kuqezi, spiunoi edhe për strategjinë e një shkrimtari, që e kishte zbuluar gjatë një manifestimi kulturor – poetik.
Inspektori policor, pasi e dëgjoi deri në fund “patriotin”, i tha: E kemi të njohur veprimin e këtij shkrimtari, na e kanë bërë me dije para teje bashkëpunëtorët. Ti je sot i shtati. Patrioti “kuqezi”, i mërzitur hyri në Klubin e artistëve “Shkupi”, dhe tha:
Ptëhu, nënën e nënës! Fatkeqësi kombëtare. Unë kam menduar se jam spiuni i parë, dhe sot e zbulova se kisha qenë i shtati…
(RRUSHI I GOSTIVARIT)
Shkrimtari, pas Dibrës Madhe vendosi ta vizitojë edhe Gostivarin. Po, kësaj radhe vendosi të shkojë në Hanin “Patrioti”. Këmbën sa e futi brenda, u mahnit me gjithë atë bereqet. Vetmevete, tha: Kur do Zoti, të jepë aq shumë sa vështirë e ke ta korrësh gjithë verës. Ende pa u ulur, dy këngëtare të hazdisura gjysëm lakuriqe u çuan dhe ia thanë këngës “Rrushi i Gostivarit”. Po, kjo këngë kishte qenë aq e gjatë, sa: pasi u kryen katundet e Gostivarit, vazhduan me Tetovën e Prishtinën, dhe dolën nëpër katundet e Tiranës…
Dikur, nga mëngjesi, kur u krye kënga shkrimtari doli nga Hani “Patrioti”, dhe tha vetmevete: Se kemi shumë patriotë, këtë e kam ditur moti kohë. Por, se paskemi kaq shumë rrush, nuk ma kishte marrë mendja…
(KLUBI NATËS “BIT-PAZARI”)
Ofertë për gosti!
Me shumicë e pakicë: Ҫaj rusi, mish pule, qengja e viça të palëpi “hallall”… Sallata nga Bregu i Vardarit. Specialitete turku të ”Bit-Pazarit”… Urdhëroni, në çdo kohë!
Klubin tonë e vizitojnë edhe ministrat, Deputetët e popullit dhe ambasadorët… Për këtë s’ka nevojë t’ju bindim. Vetëm, shikoni reklamat tona nëpër radiotelevizionet e “pavarura” shtetërore e private, e do të shihni sesi ngrejnë dolli politikanët përpara syve të popullit.
Vetëm, urdhëroni! Cilësinë tonë e kanë provuar edhe diplomatë shqiptar e hoxhallarë. Cilësia e gjellërave tona “hallall”, i qet në kokërr të shpinës edhe gurmanët e ambasadave të Qeverisë të “vëllazërim-bashkimit”…
(EDHE SANҪO PANҪO BESNIK
E PUSHTOI PRISHTINËN)
Edhe, Sabço Panço shqiptar pas telefonatave të përditshme, pasmesnate nga miqtë e mi besnik, me pyetjet sesi jam me shëndet? U përgigjem, jam mirë si shqiptarët. A, pi ende raki rrushi, apo çaj rusi. Po, e pij “hallallin“, lotët e Shën Mërisë Virgjër. Edhe, përgjigjen e zakonshme, se: jam mirë si shqiptarët. Një ditë Sanço Panço im, pa Don Kishotin e pushtoi Prishtinën në Panairin librit 2022.
E pyes Veten: A kam vendosur ta vras veten me reki rrushi në këtë kohë pandemie me koronavirus pas dere, kur çdo lëvizje e kam të ndaluar në Kryeqytet, edhe daljen nga kufijt politik pa vaksinë: Kryeqytetin shqiptar historik dy metra larg me gratë e mia besnike, mos dil pa maskë në rrugë, mos hy në restorant pa vaksinë “hallall”! Mos e kalo kufirin shqiptaro – shqiptar pa vaksinë anti koronavirus!
E tmerrshme?! Ditën e sotshme, këta “doktorë” partiak “kuqezi”, hyjnë edhe në jetën time private, me cilën do ta kaloj natën sonte në shtrat…
(LUGATI)
Pasmesnate, në ëndërr më erdhi Gruaja e vdekur: Zgjohu, se Lugati! Lëmësh, na e bëri shtëpinë. I mori tinarët me tëlynë. Tinarin e madh me lakëra turshi, pas dere! Kusia, gjithë natën rrokullisë nëpër dhomë. Përgjumshëm, i thashë: Oj budallaqe, nuk është Lugati, po Içmenduri bënë dru për Dimër…
(TURSHI PËR NË EVROPË)
Dimri vërtetë kaloi, por erdhi vera me shi dhe breshër. Përmbytja. Pandemia iku pa maska. Mos i lani më duart me alkool, por lani veten. Edhe me gratë, mos rrini dy metra larg! Urraaa, u hapën kufinjt politik. Ikni, nga vendlindja nëpër botë! Pas porte e kemi “Ballkanin e hapur”. Linë e majmunit. E, ju s’dini me çka ta hani bukën. “Zekthi”, u del në ndihmë! Provoni SPECAT TANË TË KUQ, me shumicë e pakicë! Besojmë, se: në këtë kohë krize me pandemi, nuk do të pendoheni. I kemi me havale kuqezi.
Turshi me traditë komuniste. I shesim lirë me gjithë tinarë. E përgadisin Nuset e Qytetit me pashterka të kuqe, sipas recetave të prefektëve të katundit e qytetit! Specialitet i ri, që posa doli në treg si prodhim ushqimor nga fabrikat politike me shumicë dhe pakicë me etiketën “Ballkani i hapur”, pa Kosovën. Bashkimin e gjithë shqiptarëve pa luftë, dhe kufinj politik. Turshitë tona mishmash, ende janë të freskëta me të cilat ju do të hyni në Evropë?! Turshitë tona e ngrejnë edhe të vdekurin nga varri!
Dihet, kur qelben e u vjen era…